NGA MERXHAN JAKUPI

Nocioni “non-paper” rrjedh nga latinishtja, që konsiston me kuptimin për një letër që nuk ekziston. Në këtë kontekst mund të kuptohet edhe si një letër-dokument të ideve, projekteve e planeve që mbahen sekretë. Në Ballkan shpesh herë ka pasur harta, projekte e dokumente të tilla. Në dekadën e fundit shtetet e Ballkanit Perëndimor janë dezintegruar. Me forcimin e Rusisë, Kinës dhe Turqisë, shtetet e Ballkanit Perëndimor, duke parë se BE-ja nuk është fokusuar dhe i ka lënë pas dore, kanë humbur edhe besimin se për një afat më të shkurtër do të mund të integrohen në këtë bashkësi, ndaj dhe gjeti hapësirë edhe paraqitja e dokumentit të quajtur “Non-paper”, që solli një situatë të tendosur, një histeri, frikë e ankth, duke shtuar drojën se sërish mund të shpërthejë kjo fuçi baroti dhe të bëhet edhe një gjenocid si në vitet e ’90-ta.

* * *

Sipas disa diplomatëve perëndimorë, ky dokument qenka përgatitur para tre vjetësh, që, në momentin e duhur, të hapet si një “Kuti e Pandorës”, për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Para tre vjetësh, në Forumin Ekonomik Botëror që është mbajtur në Davos të Zvicrës, tre liderët ballkanikë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, e kanë shpalosur dokumentin “Non-paper”. Liderët shqiptarë, Rama e Thaçi, kanë qenë të joshur me këtë dokument, ndonëse kanë parë qartë se fituese do dalë Serbia, por kanë parë një shans për shqiptarët, madje edhe për kroatët, ndërsa ka qenë një humbje për boshnjakët, maqedonasit dhe malazezët. Ky dokument u siguron tre shteteve që të zgjerohen, sipas sintagmës: “Serbia e madhe, “Shqipëria e madhe” dhe “Kroacia e madhe”. Për minoritetet parashihej të kihet një status special. Vuçiq, në bisedime me liderët shqiptarë Rama dhe Thaçi, ka thënë se nuk ekziston kombi malazez dhe boshnjak.

MEMORANDUMI I DYTË I ASHA TË SERBISË

Sipas disa versioneve e burimeve të tjera, dokumenti Non-paper është projektuar nga disa autorë serbë të ASHA të Serbisë, si Memorandumi – 2. Diplomati dhe publicisti boshnjak, Zllatko Dizdareviq thotë se nocioni katarzë rrjedh prej greqishtes së vjetër që ka kuptimin e spastrimit, siç ishte ai i racës ariane nga Hitleri. Dizdareviq thotë se nisma për ndryshimin e kufijve konform dokumentit Non-paper parasheh shkëmbimin e territoreve mes Serbisë dhe Kosovës. Duke pasur parasysh se Kosova ka pak territor për të përvetësuar nga Serbia, ajo më shumë përqendrohet në zgjerim territoresh, si strategji gjeopolitike, në Bosnjë, me shkëputjen e Republikës Serbe, për ta bërë pastaj bashkëngjitjen e saj me Serbinë. Ai mendon se plani për shkëmbimin e territoreve mes Serbisë dhe Kosovës ka qenë si pretekst për ndarjen e Bosnjës.

Publicisti dhe gazetari boshnjak, Senad Haxhifejzoviq, pas aferës me “Non-paper” ka pasur një intervistë me presidentin e fundit të ish-federatës jugosllave, mikun e ngushtë të shqiptarëve, Stipe Mesiq. Ai ka thënë se teoria e konspiracionit “Serbia e madhe” tek serbët ka vazhduar edhe pas Sllobodan Millosheviqit, se ndarja e Bosnjës është akoma ndër tepih dhe prapa skenës së vërtetë. Atë plan të ndarjes së Bosnjës, në bisedimet mes Millosheviqit dhe Tugjmanit në Karagjorgjevë, Mesiqi e kishte parë, për çka ka pasur shumë plane dhe harta, të cilat janë djegur më vonë. Nga bisedimet në Karagjorgjevë, sipas planit të Millosheviqit, Serbia është dashur të marrë 64 për qind të territorit të Bosnjës, ndërsa Tugjmanit i ka ofruar “dhuratë” që të marrë Bihaqin, Klladushën dhe Cazinin, si territore që i konsideronte si turke. Boshnjakët do ta kishin gjysmën e Sarajevës, Tuzllën, Zenicën dhe disa vendbanime rurale. Me këtë, thotë Mesiq, do të kishim Palestinën në zemër të Evropës. Boshnjakët pas gjenocidit dhe humbjes së territoreve do të vazhdonin rezistencën dhe luftën si populli palestinez. Gazetari i kishte thënë Mesiqit se do të shkojë së shpejti në Beograd për intervistë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Ai e kishte pyetur Mesiqin, po të kishte mundësi, çfarë pyetjeje do t’i bënte Vuçiqit. Mesiq kishte thënë se do t’i thoshte presidentit serb që t’u drejtohet serbëve të Bosnjës që i kanë kthyer sytë nga Beogradi, se shteti i tyre është Bosnja dhe kryeqyteti është Sarajeva. Ngjashëm duhet të veprojë me serbët në Kosovë, që t’u thotë se shteti i tyre nuk është Serbia e as kryeqyteti Beogradi, por është Kosova, me kryeqytetin Prishtina. Kësisoj tensionet do të uleshin, gjakrat do të ftoheshin dhe serbët në Bosnjë e Kosovë nuk do të jetonin me iluzione dhe utopi. Sipas Mesiqit, promotori dhe katalizatori që e mban Ballkanin Perëndimor të trazuar në mes luftës dhe paqes, është Serbia. Serbët ende janë në pritje të daljes në skenën globale të Rusisë dhe mbajnë Ballkanin të trazuar. Serbët e Bosnjës dhe të Kosovës, të bindur se me dhunë nuk do të mund të integrohen në një shtet, ende presin që SHBA të dobësohet dhe në BE të vijnë populistët, që një ditë kur të lodhen do të detyrohen që të japin leje për realizimin e Memorandumit – 2 të ASHA të Serbisë.

VUÇIQ ME DEKLARATË SE S’ DËSHIRON “SERBINË E MADHE”

Publicisti dhe gazetari boshnjak, Senad Haxhifejzoviq, ishte javën e kaluar për një vizitë në Beograd, ku e kishte pritur presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Intervista me presidentin serbë kishte bërë bujë të madhe në medie të ish-territoreve jugosllave. Gazetari ishte sjellë me presidentin si një i afërt, duke iu drejtuar me ti e jo me ju. Për dokumentin “Non-paper”, Vuçiq kishte thënë se e ka parë, por nuk e ka lexuar. Në këtë përgjigje, gazetari boshnjak kishte ndërhyrë me konstatimin se megjithatë e kishte lexuar bashkë me Edi Ramën. Ai ishte përgjigjur se nuk merret me këso hartash dhe se ai personalisht, sikundër edhe serbët nuk e duan “Serbinë e madhe”. Vuçiq kishte thënë se ata janë për një Serbi të fortë, të madhe ekonomikisht, të begatshme e me standarde evropiane. Ai ka pohuar se Serbia e njeh integritetin territorial të Bosnjës. Gazetari boshnjak i kishte rënë troç, se gjithë këto janë broçkula, fraza dhe marifete politike të tij, se Mirosllav Dodik po tenton që Republikën Serbe të Bosnjës t’ia bashkëngjitë Serbisë. Gazetari ka qenë shumë i drejtpërdrejtë: “Ti je më i fortë se vetë Millosheviqi, me lëvizjen e gishtit të vogël mund ta rrëmbesh Dodikun, se ai është një tinejxher pranë teje dhe pa direktivën dhe udhëzimin tënd, as që ka mund të shkonte në Moskë”.

Vuçiq i ka bishtnuar përgjigjen dhe ka folur për Serbinë se është më e zhvilluar se Kroacia, Rumania dhe Bullgaria. Gazetari ia kishte kthyer se duhet t’i ndërpresë lëvdatat, për ta pyetur në vazhdim që t’i tregonte se kush janë autorët e dokumentit “Non-paper”, pastaj pse ministri i mbrojtjes, Aleksandar Vulin, kur shkon në Banjallukë, u thotë serbëve se edhe ata kanë të drejtë për vetëvendosje, sikundër shqiptarët, të cilët i ofendon me shprehjen “shiptari”, ndërsa myslimanët e Bosnjës i quan turq. Vuçiq është përgjigjur se nuk është kompetent që të dirigjojë se çka do bëjnë e çka do flasin Dodik dhe Vulin apo dikush tjetër, se ai e do Republikën Serbe aq sa edhe gazetari boshnjak i do boshnjakët në Sanxhak. Sipas tij, edhe politikanët boshnjakë bëjnë presion që Bosnja ta njohë Kosovën, madje duke folur me sarkazëm se pas humbjes së Kosovës nga Serbia, tash radhën e ka Sanxhaku. Gazetari boshnjak i ka thënë Vuçiqit se pas aferës “non-paper” s’ka gjumë dhe populli është bërë histerik e jeton me ankth. Në këtë konstatim, Vuçiqi i kishte thënë që të flenë qetë dhe pa siklet. Gazetari sërish duke e ngacmuar presidentin serb, kishte thënë se ka qenë në Pale dhe nga kodrinat ka gjuajtur me armë ndaj civilëve në Sarajevë, ndërkaq Vuçiq nuk kishte mohuar se ka qenë atje, por se s’kishte marrë pushkë në dorë dhe nuk kishte shkrepur asnjë plumb. Ndërsa gazetari sërish e ka provokuar, nëse jo me pushkë, atëherë me snajper, duke akuzuar se pas Kosovës dhe Bosnjës, kanë hapur një front të ri në Mal të Zi, i cili si shtet ka qenë stabil dhe shumë afër integrimit në BE, duke bërë reforma për rimëkëmbjen e ekonomisë. Pas fitores së Frontit Demokratik proserb, sot Mali i Zi gjendet para luftës civile. Shumica e malazezve, për t’i mbrojtur aspiratat, kauzën dhe identitetin kombëtar, do të rezistojnë dhe do të mobilizohen duke dalë në mal.

* * *

Pas aferës “Non-paper”, sipas skenaristit, poetit dhe politologut boshnjak, Abdullah Sidran, Uashingtoni deri më tash nuk ka reaguar. Po ashtu, Brukseli dhe Berlini nuk janë prononcuar me ndonjë deklaratë. Shumica e popullit janë duke humbur besimin tek bashkësia ndërkombëtare. Duke anashkaluar Ballkanin Perëndimor, fuqitë e mëdha si BE dhe SHBA në njëfarë dore mundësojnë hapësirë që ASHA e Serbisë me anë të Memorandumit-2 të ndez sërish fuçinë e barotit në këtë rajon. Pritet që BE dhe SHBA të fokusohen më shumë në Ballkan, të investojnë politikisht dhe ekonomikisht, që rajoni i Ballkanit Perëndimor të integrohet sa më parë në BE. Sepse, dihet që për BE-në Ballkani është një kancer, andaj duhet mbështetur këto vende që të mos mbeten jashtë unionit, sepse një situatë të tillë do të shfrytëzonin Rusia dhe Kina, duke shkaktuar trazira dhe ndarje të reja territoresh.