Arti ka treguar gjatë historisë së tij që mund të jetë një mjet për t’ju kundërvënë pushtetit. “Jericho” gjithmonë muzikën e ka përdorur si medium, së pari për të treguar se çka po mendojnë, e më vonë edhe për të ndikuar te shoqëria. Ata karakterizohen me tekste plotë zemërim rebelues. Tekstet e “Jericho” janë kritik edhe ndaj klasës politike në vend, që sipas tyre është e dhënë në përfitime të ngushta. Përveç teksteve me mesazhe të fuqishme, njohja e instrumenteve nga anëtarët është mjaft në nivel të lart. Këngët e “Jericho” trajtojnë temat për dhimbjet, vuajtjet dhe ngjarjet e ndryshme që i kanë ndodhur Kosovës dhe popullatës së saj. Prandaj këngët bëjnë thirrje për një aktivizim më të madh qytetar.

Emrin “Jericho Walls” e mori më 1996, e që më 2001 u shndërruar në “Jericho”. Shfaqja e parë në publik u bë më 1997, kur edhe u inçizua kënga dhe u filmua video spoti i parë. Anëtarët e grupit ishin Petrit Çarkaxhiu apo Rrusta (këngëtar dhe kompozitor), Nderim Ramadani (solo kitarist), Luan Osmani (bas kitarist), Visar Rexha -daulle Leonard Canhasi -solo kitare si dhe i ndjeri Suad Jamini.

Muzika e “Jericho” është një kombinim i rockut, alternativ, elektronik dhe traditës muzikore shqiptare. Kjo muzikë është e të rinjve por shpesh e urryer dhe fyer nga të vjetër. Pse? Jo thjesht sepse kjo muzikë ishte e papëlqyeshme për të rriturit. Armiqësi kundër rock-ut ka qenë shumë më thellë se kaq. Mbase, rock-u tronditi themelet e vlerave dhe besimeve të mbajtura me zili nga të rriturit. Kështu, rock-u ka bë më shumë se vetëm të kontribuojë në trashëgiminë muzikore tek ne.