Artit ia kushtoi tërë qenien dhe jetën, në kuptimin më të plotë të fjalës.  Ai gjendet në majat më të larta jo vetëm të artit pamor kosovar, por edhe të atij mbarëshqiptar.  Kur zihet në gojë emri i këtij krijuesi, duhet ditur se flitet për pishtarin e grafikës kosovare dhe për njërin nga pedagogët e parë të pikturës sonë.  Është i madh, i shumënduarshëm e temëgjerë opusi artistik i Gjelosh Gjokajt.  Gjatë shtegtimit kreativ, të thuash gjysmëshekullor, ai realizoi një numër të madh veprash, duke i sistemuar nëpër cikle e tërësi të veçanta tematike.  Kështu, simbolizmi sintetik (grafiket e fazës së parë), metafizika (robotët, kokat, torzotë, gjësendet ndryshme), pastaj ciklet e pikturave ‘’Ditari nga Roma’’, ‘’Zogjtë’’ e deri te pikturat abstrakte dëshmojnë se kemi të bëjmë me një artist të njëmendtë, i cili artin e kuptoi si aventurë, dashuri, si zjarr e sfilitje, në të njëjtën kohë.  Në këtë aventurë të rrezikshme, në këtë dashuri të zjarrtë, ai do të vetëmohohet dhe do të vetëndërtohet, do të bjerë dhe do të ngrihet, sepse vetëm kështu, duke u dëshmuar pareshtur, në dilema e ankthe, ndërtohet arti i vërtetë, i tillë çfarë krijoi dhe krijon artisti nga Mileshi shkëmbor.  Veprat e realizuara sipas frymës metafizike janë ato që më së miri e legjitimojnë identitetin e lartë krijues të Gjelosh Gjokajt, që provojnë se ai është artist i ndjeshëm, mendimtar e poet.  Metafizika e tij nuk është si ajo e De Kirikos, me buste e arkitekturë antike, të zbrazët dhe pa jetë, por është e sajuar nga peizazhi i gjallë i vendlindjes së piktorit, nga malësorët e paepur, shkëmbinj këta me dy këmbë, siç do t’i quante poeti ynë, Migjeni.  Qëndrimi i Gjeloshit në Itali (1969-1983) është koha e meditimeve të tij të thella për jetën, njeriun në botën e kundërthënieve dhe të katandisjeve ndër më të ndryshmet.  Në këtë drejtim, ai e krijon ciklin ‘’Robotët’’, në të cilin njeriu, si subjekt trajtues, ka ngjyrën e metalit, ngjyrën e gurit, strukturën e llamarinës.  I projektuar kështu, pra në mënyrë metaforike, e si groteskë, njeriu i metaltë i Gjeloshit vete diku pa qëllim, pa cak, pa kokë e pa gjymtyrë, i përcjellë me muzikën e Vagnerit, gjithashtu të metaltë.  Ky cikël grafikesh, vizatimesh e pikturash, pa dyshim, është ndër më të realizuarit dhe më poetikët.  Imazhet e pikturuara rrjedhin nga imagjinata e piktorit, por edhe nga vetëdija dhe mbamendja e tij.  Të sendëzuara me anë të ngjyrës, formës dhe ritmit linear, ato ngjallen, rrëfejnë, akuzojnë, klithin.  Piktori ynë herët e mësoi domethënien e klithjes, kuptimin e dhembjes së mbytur në heshtjen e metafizikës shkëmbore.  Herët i ra ta përjetojë peshën e rëndë të migrimit, të shpërnguljes së malësorëve të tij, të cilët e morën botën në sy për motive ekonomike e më shumë për shkaqe të politikës shkombëtarizuese që me shekuj u ushtrua ndaj tyre.  Këtë tragjikë, e cila shqiptarin po e përcjell që nga Moti i Madh, Gjeloshi e fiksoi në pikturën e tij ‘’Eksodi’’ (1975).  Është kjo vepër arketipore dhe e atdhesimit të qenies shqiptare, është për më tepër monument historik, që në mënyrë dramatike flet për eksodin e përdhunshëm të njeriut tonë nëpër bulevardet e ftohta të metropoleve botërore, nëpër shkretëtirat e Anadollit.  Ndër tërësitë e realizuara bën pjesë edhe cikli i portreteve, kokat e gozhduara, që rrëfejnë për shumëçka, por më tepër për katrahurat njerëzore, për martirët e rënë nëpër beteja, për gjeneralët e ushtrive të vdekura.  Pas Italisë, Gjelosh Gjokaj kaloi në Gjermaninë Jugore dhe u vendos në Augsburg piktoresk.  Ky shtegtim i oshënarit tonë nuk duhet kuptuar ndryshe, veçse si fluturim të shqiponjës nëpër lartësitë e bardha, si reagim të temperamentit të tij të rrëmbyeshëm krijues, si etje e dëshirë për pushtimin e caqeve të reja kreative.  Realizimet e pikturave, konkretisht cikli i zogjve, ai i abstraksionit, do të komunikojnë me kërkesat e estetikës të kohës moderne.  Erdhi, pra, në Gjermani shqiptari nga Mileshi për të ekspozuar para evropianëve burrërinë e Malësisë së Madhe, bukurinë e surme të vendlindjes së tij me lumin Cem, filozofinë e qëndresës, madje edhe në shkëmbin e thatë.

Image result for gjelosh gjokaj