Nën hijen e shtëpisë, në diell të breglumit pranë kaikeve, nën mriz të ajdësit e të fikut, u rrit Siddharta, pinjoll i bukur i brahmanëve, djaloshi syshqiponjë, bashkë me Govindën, mikun e tij, një tjetër bir brahmani. Dielli ia nxinte shpatullat e zbardhulëta në breg të lumit, teksa lahej, merrte abdest e dhuronte flijime të shenjta.

Hije i shkisnin mbi sytë e zinj në korije mangosh, në lojëra fëmijësh, në të kënduarit zëbilbil të së ëmës, në flijimet e shenjta, në mësimet që merrte prej të atit e prej të diturve, në bisedat me të urtët. Prej kohësh tashmë, Siddharta merrte pjesë në kuvendimet e të urtëve, kalitej me Govindën në beteja ligjërimi, ushtrohej me të në vëzhgime, stërvitej duke u thelluar në meditime.

Tashmë, ai dinte të thoshte Omin, fjalën e fjalëve; dinte ta shqiptonte atë pa zë, në brendësi të vetes, me ajrin që thithte, siç dinte ta shqiptonte edhe jashtë, përsëri pa zë, me frymën që nxirrte, me shpirtin të mbledhur, me ballin të qarkuar nga ndriçimi i shpirtit që mendonte kthjellët. Tashmë ai kuptonte se, në brendësi të qenies së vet, kishte njohur Atmanin, të parrënueshëm, një me gjithësinë.

Herman Hese ka lindur më 2 korrik 1877 në Calv të Vuertembergut në Gjermani. Bir i një misionari gjerman dhe i një vajze të indologut të njohur vuertembergas. Hese vdiq si një nga shkrimtarët më të njohur gjermanë të të gjitha kohërave, më 9 gusht të vitit 1962 në Montanjola të Luganos, në Zvicër.

Pas mësimeve të tij si bibliotekar, ai që nga viti 1904 kishte jetuar si shkrimtar me profesion të lirë, së pari në Gainhofen të Bodensesë dhe më pas edhe në Tesin e Zvicrës. Hese, i njohur edhe për romanin “Ujku i Stepës”m në vitin 1946 mori Çmimin Nobel për Letërsi. Herman Hese vazhdon të jetë një ndër shkrimtarët më të lexuar të botës.