Të përmendësh Viktor Hygonë është njëlloj si të flasësh për një forcë natyrore trallisëse, për një energji krijuese kolosale, që për më shumë se një shekull, nuk ka reshtur së flladituri botën mbarë.

Një vullkan në shpërthim të përhershëm, duke vjellë pareshtur në shekullin e tij poema, romane, drama… pavarësisht pengesave ose ndoshta, falë tyre, pavarësisht tallandive të historisë dhe politikës, të një mërgimi të detyruar 17-vjeçar në Jersey, më pas në Guernsey, frymëzuar nga një aktivitet i palodhshëm. Udhëheqës, personalitet emblematik i romantizmit, një nga poetët më të mëdhenj që ka njohur historia, mbresëlënës për guximin që tregoi gjatë ngjarjeve të dhjetorit 1851, një staturë vërtet historike, Viktor Hygoi ishte pa dyshim një vizionar, një gjeni i përshkuar nga vizioni i brendshëm, nga një fantazi e patëdytë, – mirëfilli gjeni në krijimin e imazheve, imazhe që ai rrekej t’i përkthente në fjalë.

Nuk është për t’u habitur që ai ishte, fare pak e njohim, një projektues i shquar (disa nga librat e tij të udhëtimit, si “Franca dhe Belgjika” ose “Alpet dhe Pirenetë”, ilustrohen nga përkujdesi i tij).

Aspekti “vizual” i Viktor Hygoit është çelësi magjik për të kuptuar punën e tij, ku gëlojnë përshkrime plot gjallëri: për shembull nëse lexojmë kapitullin e pestë të “Katedralja e Parisit”, është si të zhytesh në një univers, një festë të marrësh plot larmi që merr jetë në sytë tanë – dhe me ç’talent!

Këtë karakteristikë vizionare, thuajse profetike të poetit, ai e ka formuluar në mënyrë të përkryer tek “Funksioni i poetit”, çka e lejon që ai t’i parashikojë gjërat, të shohë para të gjithëve atë që do lindë dhe për rrjedhojë veprimi vihet në shërbim të këtij vizioni. Për Viktor Hygonë angazhimi politik është një shtrirje e drejtpërdrejtë e krijimit, prandaj ai do të jetë gjithashtu një “burrë shteti” në kuptimin modern të termit. I emëruar Per i Francës nën sundimin e Lui-Filipit, nga viti 1845 deri në 1848, më pas deputet 1848-1851, në 1871, sërish senator nga 1876 deri në vdekjen e tij në 1885.

Të tilla janë faktet e lavdishme, që tregojnë se deri në çfarë mase veprat korrespondojnë me këtë artist të jashtëzakonshëm, me parimet e ngritura, me fjalët madhështore.

Ekziston një vazhdimësi e përsosur midis artit dhe jetës, fjalës dhe gjestit, të cilat shpërfaqen dhe ndikojnë njëri-tjetrin. Shumë nga betejat e tij mbeten të rëndësishme (edhe nëse duhet t’i shtrijmë në perspektivë, për të shmangur anakronizmin): lufta në favor të shfuqizimit tek “Dita e fundit e një të dënuari” është botuar më 1829, ligji i heqjes së dënimit me vdekje të shpallur në Francë në… 1981), demokratizimi i arsimit, përmirësimi i pagave dhe kushteve të punës, lufta për emancipimin e gruas dhe barazia gjinore, sistemi i mbrojtjes sociale, mbrojtja e fëmijëve, mbrojtja e kombësive të shtypura dhe ideali i një republike universale… të gjitha këto tema trajtuar nga një shpirt universal, i shqetësuar për njerëzimin dhe vlerat më të larta si drejtësia, liria, paqja… gjejnë aty-këtu, sipas kontinentit ose vendit, një rezonancë ende shumë të fortë.

“Të duash, do të thotë të veprosh” do të jenë fjalët e fundit shkruar nga gjeniu i letërsisë, tri ditë para vdekjes së tij, më 22 maj 1885.

Sigurisht, nëse ka krijuar mrekulli të atilla, Viktor Hygoi ka vepruar shumë, ka jetuar shumë dhe pa dyshim ka dashur shumë.