“Si e verdhë e sëmurë” i regjisores Norika Sefa, që shfaqi premierën në festivalin e Roterdamit këtë janar, është shpërblyer me çmimin filmi më i mirë i shkurtër në Festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar “Beldocs” në Beograd të Serbisë.

Këtë e ka bërë me dije Qendra Kinematografike e Kosovës përmes një njoftimi në rrjetet sociale.

“Ky film është një thurje nga materialet arkivore të video kasetave të tregimeve familjare që nuk janë më. Ai zhytet në kujtesën e Norës, ku realitetet shkrihen, hapësira e jetës bëhet skenë e rutina performancë”, thuhet në njoftimin e QKK-së.

Ndryshe, “Si e verdhë e sëmurë” (23′) është realizuar me mbështetjen e QKK-së dhe është prodhuar nga shtëpia filmike CMB, me producent Mentor Shalën e bashkëproducent Besnik Krapin dhe Norika Sefën.