Festivali Ndërkombëtar për Artiste dhe Aktiviste ka shënuar ditën e tretë kryesisht me filma e diskutime. Nëpërmjet projekteve filmike e pamjeve të regjisorëve me nam, por edhe të rinj që po shënojnë suksese në kinematografi, ka shfaqur misionin e vet, herë duke reflektuar mbi patriarkatin, e më shumë duke kërkuar aktivizëm derisa ka theksuar fuqinë e grave

Historia e kinemasë është kapitull i veçantë jo vetëm i kulturës dhe fuqia e një filmi për t’u zhvendosur përtej ekranit duke ndikuar në jetën reale – për të mirë apo për të keq – është një reflektim i frymëzimit artistik. Regjisorët zgjedhin ide, imazhe, emocione nga njerëzit e tjerë, dhe pastaj ato i kthejnë në film me shpresë se ndikimi i tij do të çojë peshë tek audienca.

Diçka të tillë ka bërë edhe “FemArt”, të dielën në ditën e tretë. Nëpërmjet disa filmave të përzgjedhur ka ndezur ekranin në “Kino Armata” me të njëjtën shpresë që njashtu si regjisorët, në çfarëdo formë të nxisë aktivizmin për respektimin e drejtave të njeriut e veçanërisht të grave.

“The Eichmann Project – terminal 1” nën regji të Lilach Dekel-Avneri nisi maratonën e filmave të së dielës. Filmi ka në fokus gjyqin Eichmann dhe stuhinë publike që pasoi. Publiku i rehatuar në karrige, i shpërndarë në sallë për ta mbajtur distancën për shkak të masave për parandalimin e koronavirusit, nga një prej ngjarjeve kryesore në historinë e Izraelit u kthye në Kosovë te temat që e preokupojnë vendin, veçanërisht të rinjtë kosovarë, transmeton Koha.net.

Nëntë filma të përzgjedhur nga Venera Ismaili, sollën një përmbledhje të disa prej filmave të realizuar në kuadër të “Neo_School” të “Kino Armatës” por që ndërlidhen me misionin e festivalit dhe temën e sivjetme: “F*** seksizmit”. Sa për t’i dhënë një shkëndijë të përbërjes, Anisa Krasniqi e Bardha Kryeziu nëpërmjet ekranit sollën vëmendjen te dhuna që ndodh në familje. Por, disa ishin kapur pas temave më abstrakte.

Filmi “Shtojzovallet” e Flutura Balajt ka në qendër gratë dhe këndvështrimet e tyre krahas bukurisë dhe superfuqisë. Janë pikërisht këto dy veti kryesore të këtyre figurave përrallore.

“E mbështes idenë që ne si aktiviste, por edhe të gjithë të tjerët duhet të jemi të bashkuar, të vallëzojmë së bashku si shtojzovallet”, thotë në filmin e shkurtër një nga personazhet e Balajt.

Dokumentari “Askush nuk ka nevojë për të” (Nikome ona ne treba) është dokumentari që sjell një reflektim mbi gratë serbe që në forma të ndryshme e kanë gjetur veten të përfshirë në luftën në Siri dhe kërkesën e familjarëve të tyre që ato të kthehen në shtëpi dhe që fëmijët e tyre të mos i vuajnë pasojat e vendimeve të prindërve.

Regjisorja e këtij dokumentari, e cila ishte pjesë e “FemArtit” që nga viti i parë, Maja Mitiq, ka thënë se beson në thënien ‘çdo rrahje e krahëve të fluturave mund të ndalë një luftë’.

“Në këtë rast edhe luftën në Siri, sepse çdo vepër në jetë që ne e bëjmë mund të ndikojë në ndaljen e luftërave”, ka thënë ajo.

E, Xheneta Agoviq, e cila e ka ndihmuar regjisoren në realizimin e skenarit të këtij dokumentari, pasi që kishte parë të gjithë filmat në kuadër të ditës së tretë, ka thënë se beson që këto projekte filmike mund të kenë pasur ndikim tek audienca.

“Filmi ndikon që secili së paku të fillojë të mendojë për çështjet të cilat i ka parë”, ka thënë Agoviq, që njihet edhe si aktiviste e të drejtave të njeriut derisa ka shtuar se të bashkuar njerëzit arrijnë më shumë në kauzat e tyre.

Dita e diel u përmbyll me filmin “Zgjoi” nën regji të Blerta Bashollit, kandidatin e Kosovës për “Oscars”. Filmi shpalos rrëfimin e Fahrije Hotit dhe grave nga Krusha e Madhe. Dramë e jashtëzakonshme e bazuar në ngjarje të vërteta të grave që kanë mbetur të veja për shkak të luftës, e të cilat luftojnë kundër patriarkatit. Tregon rrëfimin e një gruaje që me gjithë pengesat krijon një jetë të re për veten e saj dhe gratë e tjera.

Regjisorja Zana Hoxha, njëherësh edhe drejtoreshë e Festivalit, ka thënë se sot e ka pasur një ditë me emocione të përziera për shkak të tematikave të ndryshme të filmave që janë shfaqur. Ajo ka potencuar edhe rolin e artit karshi aktivizmit shoqëror.

“E kam marrë një shpresë që arti është definitivisht duke bërë ndryshime në shoqërinë tonë dhe kudo në botë pasi që unë e bëj këtë punë dhe besoj në të, por ndonjëherë mund të jem e verbër në këtë drejtim timin. Sot e kam parë që nuk jam e verbër dhe që ka shumë ndryshime që kanë ndodhur e që po ndodhin dhe me këto nëntë vjet ‘FemArt’ kemi një shoqëri tjetër në aspektin e respektimit dhe në validimin e kontributit të grave”, ka thënë ajo.

Festivali Ndërkombëtar për Artiste dhe Aktiviste nga shfaqjet, poezitë, vallëzimet, diskutimet, konferenca deri te ndejat e punëtoritë për të mësuar vetëmbrojtjen, do të trajtojë të drejtat e grave, si dhe të drejtat e njeriut. Edicioni i nëntë i “FemArtit” nisi të premten dhe do të zgjasë deri më 6 tetor. /Koha.net/