Michael Morpurgo (novelist, poet dhe dramaturg anglez) në bisedë me gazetaren Amy Fleming / The Guardian
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Kur isha i ri, leximi fare nuk më pëlqente. Si mësues, e doja, edhe tash si lexues e dua. Por, shumë herët idenë e fjalëve e lash prapa.

Disa vjet më parë u detyrova ta bëj testin e anglishtes të Fazës 2 (për 7-11 vjeç). As që dua t’ju tregoj se si dola, por nuk ishte mirë. Më duken shumë abstrakte dhe të vështira për t’u kuptuar shprehjet si “ndajfoljet e përparme” dhe “lidhëzat nënrenditëse”. Por, kemi ngecur në epokën e Michael Gove-it (ish sekretar i Edukimit në vitet 2010-2014 – v.p), në të cilën fëmijët janë trajnuar në analizimin e gjuhës në mënyrën që, në vend se ta inkurajojë kreativitetin, më duket se kufizon dhe pengon. Kështu që isha i lumtur kur zbulova se dikush ka bërë disa kërkime të duhura për këtë pjesë të reformave arsimore të Gove-it; UCL dhe Universiteti i Jorkut kanë zbuluar se vënia e theksit te gramatika, nëpër shkolla fillore, nuk e përmirëson shkrimin e fëmijëve gjashtë dhe shtatë vjeç.

Kur isha mësues i shkollës fillore në vitet 1970, në një fshat të quajtur Uikembru – jo shumë larg Kentërbërit – ishim të lirë prej ngarkesave të tilla. Isha në gjendje të përqendrohesha në inkurajimin e fëmijëve, që ata ta gjenin zërin e vet. Për këtë është shkrim-leximi – për t’i shprehur mendimet tuaja, për ta zbuluar muzikën në gjuhë, kënaqësinë e leximit dhe gjithë interesin, njohurinë dhe mirëkuptimin që mund ta fitojmë përmes kësaj. Nuk është analiza e një fjalie – që vjen më vonë.

Teksa e lexojnë një tregim, e marrin një libër nga i njëjti autor ose një libër të ngjashëm me temë të ngjashme dhe e zgjerojnë kulturën e leximit. Dhe, unë ua zgjeroja shkrimin duke u thënë: “Shiko, Roald Dahl ishte dikur në moshën tuaj. U ul dhe e shkroi tregimin e tij të parë. Pse nuk ia nisim t’i shkruajmë tregimet tona?” Nuk i lija kurrë të ulur me një fletë të bardhë që pastaj t’ju thosha: “Bëje”, gjë që ndodh herë pas here në teste – deri sot, rreth e rrotull vendit. Është detyrë e pamundur për një fëmijë. Duhet t’i frymëzoni ata; duhet të dalësh dhe ta nxitësh këtë frymëzim disi.

Shkonim për shëtitje të gjata, deri në rezervatin natyror, i shikonim çafkat që rrinin në kallamishte dhe ishim të qetë. Pastaj ktheheshim dhe shkruanim atë që kemi ndier për atë që kemi parë. Disa fëmijë ishin përshkrues; shumica ishin shumë të zhytur në mendime. Por, secili prej tyre nisi ta gjente zërin e vet si shkrimtar. Nuk ndiheshin keq për asgjë që përpiqesha t’i mësoja ata.

Kjo është e kundërta e asaj se si më mësuan mua në Shkollën Fillore “St Matthias” në Londër, e cila së tepërmi drejtohej përmes ndëshkimit. Kishim frikë në klasë dhe gramatika dhe shenjat e pikësimit ishin pjesë e kësaj. Tashmë është shkollë e mrekullueshme, ku mirësia dhe kreativiteti shkojnë krah për krah.

Vija nga një familje që ishte e dhënë pas librave. Çdo natë më lexonte diçka nëna ime, që ishte aktore. Udhëhiqej nga instinkti se nëse i pëlqen një poezi apo një tregim, donte të ma rrëfente atë tregim ose të ma lexonte atë poezi. Kështu që nëna ime ma dha dashurinë për tregimet, por më pas shkova në shkollën fillore ku mësova se fjalët nuk ishin për të rrëfyer, për muzikë apo për argëtim. Ato kishin të bënin me drejtshkrimin dhe me shenjat e pikësimit, dhe nëse i kishe gabuar gjërat, do të ishe në telashe.

Nuk doja të dënohesha, por kalova shumë kohë si i dënuar, sepse sa më shumë vërejtje të kuqe merrja, aq më shumë trembesha. Dhe, kur jeni të frikësuar, hiç mirë nuk i bëni gjërat. E dija se isha shumë i mirë kur tregoja gënjeshtra, por deri vonë, kur u bëra mësues, nuk e dija se mund të bëhem tregimtar.

Këtë vit, në Ditën Botërore të Librit, një nxënës më pyeti: “A bëni ndonjëherë gabime?” Sigurisht se bëj gabime. Kur punoj në librat e mi, shpesh rrëshqas në mënyrën e shthurur të rrëfimit të gjërave – për të qenë më i saktë, kaloj në formën orale. Për këtë me këmbëngulje ma kanë tërhequr vërejtjen redaktorët e mirë, dhe kjo është në rregull – është mënyrë për ta përmirësuar atë që tashmë është atje dhe për ta pastruar atë. Edhe drejtshkrimi im nuk është aq i mirë; për këtë ndonjëherë më vjen shumë turp. Nipi im mund t’i shkruajë gjërat më mirë se unë. Por, edhe kjo është në rregull. Është vetëm një anë e imja që ka nevojë për përmirësim. Në moshën 78-vjeçare, ende më ka mbetur shumë kohë për këtë.

U them fëmijëve që t’i shikojnë dorëshkrimet e shkrimtarëve shumë më të mëdhenj se unë, dhe sasinë e korrigjimeve që ata bëjnë. Fëmijët shqetësohen kur nuk i bëjnë gjërat saktë, dhe kjo është pjesë e problemit. Por, në fakt, është shumë argëtuese ta tregosh një rrëfim. Këtë mëngjes punova në një tregim të ri. E nisa ditën duke menduar se do të ishte një lloj tregimi. Nisa me tri-katër fjalitë e para të cilat dukej se nuk shkonin aq mirë, kështu që i korrigjova. Kjo është ajo që bëni – dridheni dhe dridheni derisa ta gjeni tonin e duhur për tregimin dhe një rrugë që duket se hapet si shkurret para jush, dhe e gjeni një mënyrë për të shkuar tutje. Por, nuk ndihmoheni nga shqetësimi i vazhdueshëm se fjalia që sapo keni shkruar nuk është e saktë.

Jam rritur me njerëzit që më thonë: kurrë, kurrë mos e nis asnjë fjali me “dhe”; e nisi një numër të madh fjalish me “dhe”. Nuk po synoj të kthehem te ndonjë mësues i Anglishtes që kisha kur isha 10 vjeç. Mund ta kuptoj se mund ta teprojnë, e ndonjëherë ka arsye vërtet të mira për ta bërë këtë. Por, ndonjëherë ka arsye shumë të mirë për ta pasur një presje dhe jo një pikë. Është çështje gjykimi, jo vetëm rregullash. Mendoj se rregullat e sotme janë keqkuptim i gjuhës. Gramatika, shenjat e pikësimit dhe drejtshkrimi janë udhëzime për mënyrën se si e kornizojmë gjuhën tonë, dhe janë shumë të rëndësishme sa i përket komunikimit, për ta pasqyruar me saktësi atë që duam ta themi dhe si të kuptohet ajo. Por, nuk duhet të na lidhin në nyje.

Është e rëndësishme që fokusi ynë të jetë që çdo fëmijë të bëhet lexues dhe ta ketë përvojën e rënies në dashuri me Philip Pullman-in dhe Jane Austen-in dhe Shakespeare-in. Nuk ka të bëjë me mësimin e diçkaje që më pas duhet të testohet. Nëse e bëni këtë, ajo që do të ndodhë – dhe ajo që ka ndodhur gjithmonë në sistemin tonë – është se ata që kanë sukses në atë nivel janë të mirë dhe vazhdojnë rrugën drejt universitetit. Ndërsa, ata që nuk ia dalin nisin të mendojnë se janë të dështuar dhe se gjuha dhe librat nuk janë për ta, sepse nuk janë të mirë, sepse vazhdojnë të marrin nota të këqija në teste. Problemi me testimin është se ka fitues dhe humbës, ndërsa ne e kemi një sistem arsimor që shumë herët i ndan njerëzit. Çdo herë e më shumë, ajo që ka munguar në shkollat tona fillore është hapësira për kreativitet në kurrikula, për ta eksploruar potencialin e fëmijëve në aspektin e përdorimit të gjuhës.

Shpesh marr letra nga mësuesit dhe nga fëmijët që e korrigjojnë gramatikën në librat e mi dhe kanë shumë të drejtë. Por, njerëzit mund të jenë tepër të fiksuar pas kësaj. Nëse i shikoni disa nga shkrimtarët tanë të mëdhenj dhe nisni t’i analizoni fjalitë, poezia është ajo që ka rëndësi, tingulli, kuptimi. Gramatika supozohet të jetë ajo që i shërben kësaj. Nuk është ajo me të cilën e filloni rreshtin e parë.