Rrëfenjë kineze
Përktheu: Bajram Karabolli

Tregojnë se shumë kohë më parë, në Kinë na ishte një perandor i egër dhe i frikshëm. Ai sulmonte vende të tjera, bënte luftëra dhe përherë kapte robër. Robërit nuk i vriste, por i çonte në burg dhe, para se ta fuste secilin në qelinë e tij të tmerrshme, i fuste të gjithë në një sallë të madhe, përballë së cilës ndodhej një derë prej hekuri, mjaft e çuditshme. Në atë derë qenë vizatuar figura njerëzish me kafka të mbushura me gjak dhe vizatime të tjera të frikshme.

Perandori urdhëronte që robërit të grumbulloheshin para kësaj dere dhe pastaj u thoshte:

– Po jua jap mundësinë të zgjidhni midis qëndrimit në qelinë tuaj ose kalimit nëpër atë derë të mistershme që nuk e di se ku të çon. Zgjidhni dhe merrni!

Ngaqë kalimi në atë derë i frikësonte shumë, të gjithë të burgosurit zgjidhnin të qëndronin në qelitë e tyre.

Lufta kishte mbaruar dhe perandori me një oficer, të cilin e mbante gjithnjë pranë, u ndodhën rastësisht pranë derës së mistershme. Oficeri merr guximin dhe e pyet perandorin:

– Perandori im, a mund t’jua bëj një pyetje?

– Bëje – i thotë shkurt perandori.

– Përherë kam qenë kureshtar të di se çfarë ka matanë kësaj dere. A mund të më thoni?

Dhe sovrani i përgjigjet:

– Afrohu te dera, hape dhe shikoje vetë se çfarë ka.

Oficeri shkon te dera e mistershme dhe, me shumë frikë, fillon ta hapë. Sa u hap dera, gjithë hapësira brenda sallës u ndriçua nga rrezet e diellit.

Pra, ajo derë “e tmerrshme”, atë që do të guxonte ta hapte, e çonte në një rrugë të madhe ku ishte plotësisht i lirë.

Oficeri, i befasuar jashtë mase, kthehet nga perandori pa ditur çfarë t’i thotë. Dhe perandori, i qetë, i shpjegon:

– Ata vetëm duhej të zgjidhnin. Unë ua dhashë këtë mundësi, por nga frika e hapjes së derës misterioze, ata preferuan sigurinë e burgut, sigurinë e asaj çka njeriu njeh.