Teatri Metropol prezanton së shpejti “Dasma shqiptare”. Artistët e ansamblit folklorik “Tirana” do të sjellin me interpretimet e tyre dasmat shqiptare të veriut, Shqipërisë së mesme dhe jugut.

Teatri shprehet se ky projekt ka për qëllim prezantimin e vlerave më të mira kombëtare nëpërmjet institucionit të dasmës, duke kombinuar me finesë dhe një qasje totalisht moderne vizuale, ritualet e dasmave shqiptare me këngë e valle tradicionale, të performuar nga ansambli folklorik “Tirana”.

Projekti “Dasma shqiptare” ku në qendër të tij është identifikimi i 3 riteve martesore të trevave kryesore të Shqipërisë, si “Dasma e Veriut”, “Dasma e Jugut” dhe “Dasma e Shqipërisë së mesme”, qëllimi ishte krijimi i tre shfaqjeve filmike në një album/film që dokumenton ritualet, traditat, kostumet dhe repertorin e këngëve dhe valleve të trevave të Shqipërisë së mesme, jugut dhe veriut. Materiali, përveç shfaqjeve filmike në rrjetet sociale, RTSH dhe festivale, do të përshtatet dhe për shfaqje “live” të repertorit të ansamblit folklorik “Tirana”. Tre shfaqje të veçanta filmike janë regjistruar në studio televizive dhe një spektakël që kombinon të treja do të shfaqet “live” si pjesë e repertorit të ansamblit “Tirana”, si brenda godinës së institucionit, ashtu edhe në ambiente të hapura në terren.

“Dasma shqiptare” është produksion i teatrit Metropol, një projekt audio-vizual, i cili bën bashkë artistët e talentuar të ansamblit folklorik “Tirana” me studiues, regjisorë, aktorë, muzikantë popullorë, dizajnerë të kualifikuar, teknikë dhe kostumografë, për të sjellë një produkt përfundimtar, i cili do të transmetohet online në rrjete sociale dhe televizion, por dhe si pjesë e repertorit “live” të ansamblit Tirana./ Diaspora Shqiptare /