(Fragment)

Ismail Arsllani

          Me zbritjen e ngadalshme e të pahetueshme të muzgut në atë Kasaba, mbretëronte një kolovatje e këndshme; me atë puhi vere përcëlluese merrej në prehje lodhja ditore e atij mileti prej arnautësh, turqish e të krishterësh, që jetonin bashkë e të ndarë mes mëhallësh, lagjesh dhe lumit të vetëm, me ujë të pastër bjeshke; të gjithë të strukur në konakët e tyre që kishin dymijë e pesëqind oxhaqe, të kthyer nga shtatë xhami e dy kisha, një hamam e dy çarshi tregu, një pasha dhe pak më shumë agallarë e bejlerë. Aty, në atë Kasaba, ku deri atëherë bëhej sa për sy e faqe një jetë e rehatshme, rastisi edhe një i dërguar i Sulltanit, të cilin e pagëzuan Baba Dijetari. Ende nuk dihej gjithaq nëse ky ishte një ndjellamirës apo ishte i larë dhe i shpërlarë.

          Kasabaja ndjente në shpirt një trishtim, por ky trishtim sikur ishte çarë më dysh me një shpatë vigani. Trishtimi kishte mbetur vetëm në anën e majtë të lumit, ndërsa në anën e djathtë, një aheng që po përgatitej kishte ngazëllyer zemrat. Kishte një kohë që, me rënien e muzgut, në pjesën e epërme të Kasabasë, aty ku puqen shtëpitë e para të saj dhe vreshtat e kodrës, po lëviznin drunjtë edhe kur s’frynte erë, herë-herë paraqitej një vorbull që s’dihej prej nga vinte dhe që s’i linte rehat njerëzit e asaj ane. Në atë rrëzë mali, sikur muzgu merrte gojë e fliste me një zë jehone: “Një dorë e zezë po zgjatet…po bëhet lak në gurmazin tuaj…! Parandaloni, parandaloni!” Njerëzit, të trishtuar luteshin, dilnin e shikonin në qiell, numëronin yje, por gjë të gjallë s’shihnin. Ktheheshin në shtëpitë e tyre po aq të trishtuar.  

          Atë natë, në konakun e Hafës aga Hajrizit, më i njohuri ndër agallarë të Kasabasë, që gjendej në anën e djathtë të lumit, po bëhej një përgatitje e pazakontë. Ai kishte fituar një respekt jo vetëm pse ishte pronar i Bujtinës më të madhe në atë qytezë, por edhe shkaku i sjelljes së tij prej zotërie, i cili kishte kandar kur  bëhej muhabeti në odë burrash, pastaj ndihmonte të përvuajturit që zgjatnin dorën e mëshirës. S’ishte prej atyre agallarëve të egër, hundë-ngritur, xhep-ndrydhur e shpirt-katil, por prej të tillëve që njerëzit krenoheshin kur flitnin apo përshëndeteshin me të. Mëhalla, ku e kishte shtëpinë, u bë sy e vesh se ç’po ndodhte: disa, madje, thoshin se po e fejon të bijën, Hanifen, ndryshe nuk bëhej kot gjithë ky telash që shihnin; të tjerë përcillnin vesh më vesh se vetëm që paskësh dhënë fjalë për të bijën, atij fatlumi, Baba Dijetarit,  misionarit të sulltan Abdylhamidit të Dytë, i cili, ngadalë e pa hetuar, kishte marrë rripin e dizgjinëve të Kasabasë.

          Nata sapo kishte marrë errësirën në prehër, gjithçka ishte qetësuar në atë konak. Atëherë kur sytë kureshtarë ishin tërhequr nëpër shtëpitë e veta, te dera e aga Hajrizit kishin zënë do trokitje të pareshtura dere. Hynin brenda disa burra me mustaqe, e disa të tjerë pa mustaqe. Në odën e madhe të pritjes ishte shtruar një tavolinë e madhe, me dymbëdhjetë karrige mbështjellë me lëkurë. Mysafirët kishin zënë vendet e tyre, në ato mindere me mbulesë prej leshi, me jastëkë gjysmë të mbuluar me ojme të bardha. Nikoqiri i derdhte cigaret bri këmbëve të mysafirëve të ulur këmbëkryq dhe ishin si të fabrikës, ngase i kishte mbështjellë me dorë të tij nga duhani më i mirë i nahijes. Atmosfera në dhomë ishte disi në pritje. Pritej të vinte edhe dikush tjetër, më i rëndësishëm se këta që ishin, ndonëse aga Hajrizi mendoi shumë derisa i zgjodhi për mysafirë të tij prijatarët e Kasabasë.

          Në anën tjetër të lumit, në një shtëpi pranë Kishës, llamba e vajgurit hidhte do hije njerëzish në perdet e dritareve. Aty ishin një grumbull njerëzish, që identifikoheshin se ishin komitë për nga hija e flokëve të gjata që i mbanin. Ata hartonin një plan ogurzi për Kasabanë e tyre. Donin t’ia hedhin velin e zi njerëzve, për disa ideale të tyre që i kishin parë në ëndërr. Muzika e kompozimit të tyre tek pritej të dëgjohej.

          Kishte kaluar një kohë bukur e mirë që kur Baba Dijetari kishte shpaluar dëshirën dhe qëllimin që Hafëz aga Hajrizi, si një qytetar i denjë dhe i respektuar, të shtronte një sofër, ku i dërguari i Sulltanit do të zgjeronte rrjetin e njerëzve që do t’i njohë, për të kuptuar më shumë jo vetëm për jetën e këtij mileti në këtë Kasaba, por edhe për shpirtin e tij, për mynxyrat, mjeshtëritë, nderin dhe karakterin e njerëzve. Të gjitha duhej t’i raportonte në Stamboll.

          Era e flladshme që rrëshqiste lehtë nga shpatet e kodrës përmbi atë kasaba, po i tundte perdet e dritareve të dhomës, që ishin hapur krah më krah. Tymi i duhanit ishte shndërruar në një plaf të tejdukshëm në dhomën e pritjes. Në pjesën lindore të murit dukej një sahat i përmasave pak më të mëdha, ku, po të mos ishin akrepat, do të kujtoje se është ndonjë dollap për mbulesa. Në atë çast, sahati ra tetë herë dhe zëri i rrahjes u pleks me trokitjen e derës. Pas pak, në dhomë hyri Baba Dijetari, me truprojën e tij, Malësor Dedën. Këta i gjetën në këmbë mysafirët që kishin ardhur para tyre. Të gjithë u qetësuan në vendet e veta. Një kohë mbretëroi një heshtje, nuk dinte kush ta kallë muhabetin. Pas pak mori fjalën nikoqiri: “Thuaj një fjalë që ndez muhabetin, o aga Nuredin”, iu drejtua njërit prej mysafirëve, i cili ishte paksa më hokatar dhe që kishte parë e dëgjuar në dyqanin e armëve muhabete joshëse.

          “Unë e di që ky, mysafiri ynë nga Stambolli, do peshq pa i lagur shallvaret, por, hajde mos ia rëndojmë fort rradaken e tij, që ta ruajë për ditë më të vështira…Ne, arnautët, nëse doni ta dini, jemi si dhentë!”…

          “E pse, si dhentë?!” pyetën të tjerët.

          “Ja pse, kur dikush i trazon dhentë nga jashtë, ato mblidhen turr e bashkohen, sa s’ka kush i ndanë…eee, po ndodhi që të trazohen nga brenda, vaj medet, atëherë bëhen pikë e pesë dhe s’ka njeri që i bën bashkë, as për t’i futur në torishtë…!, shkrepi fjalë aga Nuredini, pa kujtuar nëse i kishte rënë dikujt në samar.

          Të pranishmit shikuan për pak njëri-tjetrin dhe pastaj gjithë së bashku mezi u përmbajtën të mos shkriheshin në gaz e të lëshonin zëra të pa artikuluar: “Auuu…ha ha ha…!”

          E bija e Hafëz aga Hajrizit, që e kishte shkundur zemrën për atë mysafir nga Stambolli, kishte sa kohë që s’vinte gjumë në sy. Tash kur i kishte ardhur në konak, dridhej e tëra nga një ngashërim të pashpjegueshëm dhe të pa përjetuar, edhe pse nuk ishte rendi që babai i saj ta kishte hapur muhabetin e të bijës në atë mexhlis, jo se jo, por gjakonte një dëshirë e brendshme dhe e pashuar.

          Muhabeti në odë mori rrjedhë, kur mësuan se kush ishte Baba Dijetari. Zunë njëri pas tjetrit të ankohen, dikush për mungesë malli, dikush për mungesë allishverishi, dikush për haraçe të mëdha, dikush për të bijtë që i merrnin ushtarë dhe i humbnin pa nam e nishan…Mysafiri nga Stambolli i dëgjoi mirë e mirë dhe pastaj mori fjalën, kur heshtën të gjithë:

          “Kishin rrethuar njerëzit e hallit një njeri të urtë dhe i qanin dertet e tyre. Njeriu i dëgjoi me vëmendje. Por ata zunë t’i qanin hallet për çdo ditë, derisa nuk u mërzit ky njeri. Prandaj i mblodhi një ditë njerëzit e halleve dhe derteve, për të kumtuar se kishte një përgjigje për të gjithë…! Të gjithë u gëzuan dhe pritnin se çka do t’u thoshte ky njeri i urtë. Ky pastaj tregoi një shaka për të qeshur shumë dhe ata s’u përmbajtën, qeshën gjatë e me zë. Por nuk ishin të kënaqur, ngase s’dëgjuan ndonjë përgjigje për hallet e tyre. Kam përgjigje, kam! Vetëm pak durim, kishte thënë ky”.

          Oda e burrave ishte bërë sy e vesh. Baba Dijetari vazhdoi:

          “Njeriu i urtë filloi përsëri të flas, por vetëm e përsëriti shakanë e mëparshme, por njerëzit qeshën më pak se herën e parë. Të njëjtën shaka e përsëriti edhe njëherë. Kësaj radhe qeshën edhe më pak! Ai e përsëriti shakanë edhe për herë të katërt. Kësaj radhe askush nuk qeshi!” Burrat kishin reaguar, po ku është përgjigjja për hallet tona? Njeriu i urtë u kishte dhënë përgjigje: “Përderisa nuk mund të qeshni për të njëjtën shaka katër herë, atëherë pse po ankoheni për të satën herë për këto vuajtje që i keni dhe që i kam dëgjuar sa e sa herë në çarshi?!”, kishte përfunduar Baba Dijetari.

          Aga Hajrizin e mbuluan djersët, kur, burrat që i kishte zgjedhur vetë, mërrolën turinjtë. Atëherë, për ta ndërprerë atë atmosferë të ngrysur, ftoi mysafirët të uleshin në tryezë të ngrënies, ku muhabeti me pirunë të ngulur në mish ishte më i këndshëm.

          Atë natë, Baba Dijetari u kridh në mendime të thella dhe shënoi gjëra shumë me vlerë në defterin e tij, për karakterin e kësaj kasabaje.