Ky mund të jetë shkrimi ma i vjetër shqip që përmend kontinentin dhe vendet e saj. Dalë nga pena e rilindasit Naim Frashëri në një kohë kur librat në gjuhën tonë qenë të ndaluar, teksti përshkrun Shtetet e Bashkuara apo “Vëndet’ e bashkuare” si vendin më të zhvilluar të botës.

Njëherësh, poeti ynë kombëtar duket se e ka qujtë Kanadanë “Kanadë”, ashtu siç bëjnë sot kosovarët.

Tekstin e gjejmë në dy libra shkollorë: kapitullin “Dheshkronja” në Dituritë për mësonjëtoret e para (1886) dhe te Gjithësija (1895). Me germa të sotme del kështu:

Amerik’ e veriut ndahetë më katërë copë:

1. Anët’ e veriut, që janë shumë të ftohta, edhe më të shumëtë vënde janë t’Ingliterësë; kanë katërë miliunë njerës, m’i ditur’ i këti vëndi është Kanada dhe ka k. q. Kjebeknë.

2. Vëndet’ e bashkuarë, që janë prej 34 dhimokrative të bashkuara, dhe kanë 35,000,000 njerës: k. q. i gjithëve është Vashinktoni edhe më të mbëdhenjtë qytete janë Nevjorku me 800,000 njerës, Bostoni me 200,000, Filladhelfija me 560,000 etj. Ky vënt është më mbroth në dituri e në dritë dhe së gjithash nga gjithë bota.

3. Meksika, q’është një dhimokrati me 8 miliunë njerës, edhe ka k. q. Meksikënë.

4. Guatemalla dh’ Amerik’ e mezit, që kanë 2 miliunë njerës, edhe k. q. Guatemallënë: në këtë vënt është [kanali] Panama, që po e hapinë tani.

Se Naimi i veçon Shtetet e Bashkuara si vendin ma të zhvilluar të rruzullit është e qartë. Por, për se e ka fjalën kur thotë “në dituri e në dritë”? Shkencën dhe arsimin?

Burimi: N.H.F., Gjithësija (Bukuresht, 1895), f. 117, https://bit.ly/2XbLh6H (BKSh); shih dhe N.H.F., Dituritë për mësonjëtoret e para (Bukuresht, 1886), f. 107–08, https://bit.ly/2Kzf1r6 (BKSh); Naim Frashëri, Vepra 6 (Rilindja: Prishtinë, 1986), f. 70