Nga: John Self / BBC

Sa kohë ka jetuar Colette, edhe pas vdekjes së saj! – ka shkruar gazetarja Janet Flanner, në vitin 1967. Më shumë se gjysmë shekulli më vonë, Colette ende jeton dhe kjo javë shënon 150 vjetorin e lindjes së saj. Për ta shënuar këtë rast, NYRB Classics ka botuar përkthimin e ri të dy kryeveprave të saj, Chéri (1920) dhe The End of Chéri (1926), të përkthyera nga Paul Eprile – dhe kjo shihet si mundësi e mirë për të eksploruar jetën dhe veprën e shkrimtares franceze të dashur në mënyrë shumë të veçantë.

Fama e Colettes shtrihet në të qenit ndoshta e vetmja shkrimtare grua e njohur me mononimin e saj – është gjithmonë dhe e vetmja Colette, megjithëse në fakt ky emri më femëror ishte mbiemri i saj: lindi si Sidonie-Gabrielle Colette më 28 janar 1873, në fshatin francez të San-Sover-on-Pysai.

Puna e saj – kryesisht në formë novelash, të shkurtra dhe të mprehta – mbijeton sepse subjekti i saj kryesor është ai që nuk del kurrë nga moda. “Dashuria, buka dhe gjalpi i penës sime”, shkruante ajo, megjithëse e shprehu më troç në librin e saj The Pure and the Impure (1932): Trupi, gjithmonë trup, misteret dhe tradhtitë dhe frustrimet dhe befasitë e trupit. André Gide, ajo pika e shkëlqyer e lidhjes së letërsisë franceze të shekullit XX, u pajtua me këtë, duke lavdëruar veprën Chéri për inteligjencën, zotërimin dhe kuptimin e sekreteve më pak të pranuara të trupit.

Historia e Colettes dhe vepra e saj është një nga më të habitshmet në letërsinë moderne. Ishte pioniere e shkollës franceze të autofiksionit (fiksion autobiografik), duke shkruar për jetën e grave në mënyrat që hapën terrene të reja. Librat e saj ishin njëkohësisht të njohur dhe të vlerësuar – të lexuar nga kritikët dhe publiku – për të mos thënë edhe skandalozë. Dhe, e bëri jetën e vet projekt po aq magjepsës sa librat. Por, për ta kuptuar atë – produktivitetin e saj pjellor, paraqitjen e saj, ekspertizën e saj në misteret e zemrës njerëzore dhe oreksin për ta përfshirë veten në libra, paksa e maskuar ose aspak – fillimisht duhet të kuptojmë se në radhë të parë ajo gati sa nuk mbeti pothuajse e panjohur.

Katër librat e saj të parë ishin kronikat e nxënëses imagjinare franceze Claudine – Claudine at School (1900), Claudine in Paris (1901), Claudine Married (1902) dhe Claudine and Annie (1903) – të cilat i shkroi me porosi të burrit të saj të parë Henry Gauthier-Villars, gazetar dhe redaktor i njohur me pseudonimin më pak elegant Willy. Pasi i shkroi ato – herë-herë e mbyllur në një dhomë për ta nxitur veten për t’i përfunduar – u zbukuruan me disa sugjerime editoriale nga Willy (Ca energji vajzërore … e kupton çfarë dua të them?) dhe Willy kërkoi t’i botonte me emrin e vet dhe i ruajti të drejtat e autorit dhe honorarët.

Në raportet për jetën e Colettes, fjala e zakonshme për të përshkruar Willyn është “mjerim”, dhe kështu ishte, por ai ia dha Colettes një shije për jetën kulturore parisiene – e takoi Marcel Proustin, Maurice Ravelin, Claude Debussyn dhe të tjerë – dhe bëri të veten për të shtuar shitjet e librave “të tij”, të cilat ishin të ngadalta derisa nuk organizoi tre nga miqtë e tij që të shkruajnë komente të favorshme. Shpejt, Claudine at School merr veten dhe në kohën kur seria përfundoi, librat ishin aq të njohur sa u bënë inskenimet teatrale dhe u përdorën në një sërë mallrash, përfshirë cigaret Claudine.

Sipas definicionit, librat ishin punë trajnuese – Colette i shkroi në të njëzetat e saj, e detyruar – por, për një shkrimtare që nisi të lexojë Balzacun në moshën shtatëvjeçare, kjo nuk është kritikë. Claudine u bë ajo që biografi i Colettes, Judith Thurman, e quajti adoleshentja e parë e shekullit, me përthithjen e saj si sfungjer të sjelljes së të rriturve. Dhe, në libra ne shohim zhvillimin e mjeshtërisë së Colettes në përshkrimin sensual, si dhe kërkimin e saj të parë për jetën e vet si material (që mund ta bëjë leximin e skenës së natës së dasmës në Claudine Married si përvojë disi voajeriste). Pikërisht në këta libra, gjithashtu pamë trajtimin e parë të Colettes për dashurinë në letërsi – megjithëse Claudine in Paris është ndoshta libri i fundit ku Colette do të shkruajë për dashurinë në mënyrë jokritike, romantike, pa dinamikën e fuqisë dhe paqartësinë që e bëri pikante punën e saj të mëvonshme (Burrat janë të tmerrshëm – shkroi ajo një herë, duke shtuar: Edhe gratë)

Colette dhe Willy u ndanë më 1906, dhe vitin e ardhshëm botoi (nën emrin Colette Willy) Retreat from Love, që vazhdon rrëfimin e Claudine and Annie, dhe ku në parathënie dha këtë deklaratë: Për arsyet që nuk kanë të bëjnë fare me letërsi, kam pushuar bashkëpunimin me Willyn. Më në fund ishte e lirë.

Megjithatë, me Willyn që ruante ende të drejtat nga librat me personazhen Claudine, Colette ishte pa para dhe për të fituar u bë interpretuese në skenat muzikore. Kjo i shkonte për shtat ndjenjës së saj të performancës dhe i mundësoi të luante me rolet gjinore: një minutë e veshur si burrë me kostume, tjetri duke pozuar me gjoks të zhveshur në pantomimën seksuale The Flesh. Përvoja e saj në skenat e muzikës e frymëzoi për romanin e saj të vitit 1910, The Vagabond, histori shumë autobiografike e interpretueses Renée Néré dhe një dashnori që ajo e quan “The Big Noodle” – vepër që shtron pyetje moderne rreth ndarjes mes dashurisë dhe seksit dhe se si shoqëria kërkon t’i kontrollojë të dy këto nëpërmjet institucionit të martesës (një institucion për të cilin, natyrisht, Colette dhe për rrjedhojë Renée, kishin skepticizëm të madh). Ishte Vagabondi që e katapultoi Coletten drejt vlerësimit letrar, për herë të parë, dhe libri fitoi tri vota për çmimin prestigjioz Prix Goncourt.

Koha e saj në skenën muzikore mund ta ketë nxitur interesin e saj për ta vendosur veten në qendër të skenës të veprave të saj. Një nga shembujt e saj më të mirë për këtë është romani i mëvonshëm Chance Acquaintances (1940), në të cilin rrëfimtarja Colette viziton një institucion shëndetësor ku gratë e pasura (me flokët sipas modës) u nënshtrohen kurave të dyshimta: dushi i hundës, dhomat me avull, shpëlarja e veshkave. Atje takon një burrë e grua, Haumesët. Zonja Haume nuk është mirë, ndërsa M Haume ka pamjen e “dikujt me shumë pak mend në kokë”. Megjithatë, Colette zbulon se M Haume ka një lidhje dhe se e dashura e tij, e kthyer në Paris, rri e heshtur për të. Natyrisht, ky është territori ideal i Colettes, dhe ajo pranon të vizitojë të dashurën e tij në Paris për të zbuluar historinë e vërtetë. Komploti tregon oreksin e Colettes për të keqen, si dhe interesin e saj të qëndrueshëm për trillet e zemrës njerëzore, ndërsa M Haume zbulon se kur futet në lojë intriga, një grua kurrë nuk harron se instinkti femëror është më i vjetër në hile.

Pas Willyt, burri i dytë i Colettes, Henry de Jouvenel, mund të ishte veçse një përmirësim, dhe si redaktor i gazetës kryesore Le Matin, ai ishte gjithashtu në gjendje të botonte punën e gruas së vet. Por, as kjo nuk e çliroi, meqë u detyrua të braktiste botimin e serisë së libri të ri, Ripening Seed (1923), për shkak të tronditjes që u shkaktoi lexuesve, dhe ai e pyeti atë se pse nuk mund të shkruajë romane që nuk janë imorale.

Ripening Seed ishte romani që zgjeroi interesin e Colettesë për dashurinë, fuqinë dhe seksualitetin në periudhën e lulëzimit të adoleshencës, përmes miqve adoleshentë Philip (i paduruar për t’u rritur) dhe Vinca (me sytë e saj të bardhë dhe të kaltër si mëtriku). Kanë qenë 15 vjet së bashku, si binjakë të pastër dhe të dashur dhe duket se do të zhvillojnë miqësinë, megjithëse Philipi do të zbulojë se zotërimi është mrekulli që nuk realizohet aq shpejt, Por, marrëdhënia e tyre e thjeshtë ndërlikohet kur Philipi joshet nga një grua e moshuar: dhe edhe kjo erdhi nga jeta, pasi në moshën 47-vjeçare Colette pati një lidhje me djalin 16-vjeçar të burrit të saj, Bertrand de Jouvenel. Ripening Seed është roman shumë sensual, që nuk zbavitet vetëm me kënaqësitë trupore (buzët e pjekura si frutat e djegura nga vapa e ditës), por në aromat dhe pamjet e peizazhit bregdetar të Bretanjës.

Ripening Seed u botua gjatë arritjeve më të mëdha artistike të Colettes, Chéri dhe The End of Chéri. Libri i parë flet për një kurtizane të moshuar, Léa de Lonval, dhe Chéri, burri shumë i bukur, shumë i ri me flokë si pendët e një zogu të zi dhe me gjoks me muskuj të fortë, të cilin prej vitesh ajo e ka edukuar në fushën e dashurisë. Komplikimet, si gjithmonë, lindin kur Léa vendos se është koha që Chéri i saj të vazhdojë. Romancierja Amy Bloom e quajti Chéri-n si libër për rëndësinë e dashurisë, dështimin e dashurisë, [dhe] për mënyrën se si njerëzit e dashuruar shpeshherë arrijnë të zhgënjejnë veten dhe të dashurit e tyre. Në rreshtat përmbyllëse të Chéri-t, heroi ynë mbush mushkëritë me ajër si një i arratisur. Por, nuk ka mbaruar ende me të: pjesa shoqëruese, The End of Chéri, na paralajmëron për paqartësinë që në rreshtat e hapjes, teksa Chéri largohet nga shtëpia e vet, duke mos menduar prej vitesh për Léan (Ah! Është bukur jashtë. Ai menjëherë ndërroi mendje. Jo nuk është). Dhe, kur hyn në një apartament të shokëve, duke hasur në një plakë me mbipeshë me krahët e trashë si kofshët, e njeh të qeshurën e saj – dhe ne e dimë se gjithçka nuk do të përfundojë mirë këtë herë.

Kur botohet The End of Chéri, Colette ishte 53 vjeçe, me shumë vepra të shkëlqyera që do të vijnë. The Pure and the Impure, të cilin e konsideronte se një ditë do të çmohet si libri i saj më i mirë, ishte vepër kujtimesh për temën e gjinisë dhe seksualitetit: Colette kishte marrëdhënie me gratë dhe me burrat, përfshirë mbesën e Napoleonit, Mathilde de Morny. Libri eksploron marrëdhëniet mes burrave dhe grave, grave dhe grave dhe mbulon transvestizmin dhe homoseksualitetin (ose, siç e thotë Colette në përshkrimin e saj për shoqen Pauline Tarn, këtë poete që nuk pushoi kurrë së pretenduari lidhjen farefisnore me Lesbosin).

Por, vepra për të cilën u bë më e njohur në botën anglishtfolëse ishte Gigi (1944), që kishte elemente të njohura – historia e një gruaje të re dhe një burri më të moshuar (e kundërta me Chéri), me gruan e re që trajnohet si kurtizane. Ishte një nga librat e fundit që shkroi, në moshën 70-vjeçare dhe e gjymtuar nga artriti. Dhe, si reagim ndaj rrethanave të saj e bëri atë më të lehtë, më pak cinik dhe më optimist se shumicën e veprave të saj të mëparshme (janë ndoshta këto cilësi që e kanë bërë kaq popullore). Gigi u bë mjuzikël dhe film i famshëm; prodhimi skenik e bëri yll Audrey Hepburnin dhe për rol ajo u zgjodh personalisht nga Colette.

Fantastika e Colettes në Francë nuk ishte gjithmonë, në atë kohë, njëjtë e krahasueshme jashtë vendit. Revista Time në vitin 1934 i referohej Colettes si shkrimtare nën mesatare, pasi kishte shkruar më parë se ishte furnizuese për ata që pëlqejnë afrodiziakët e lehtë në shtyp (ndërsa pranoi se kjo kategori përfshinte 99.44 për qind të të gjithë lexuesve ). Megjithatë, lexuesit e mprehtë e adhuruan atë, përfshirë shkrimtarin Truman Capote i cili i tha mikut të tyre të përbashkët, Jean Cocteau, se Colette është shkrimtarja e gjallë franceze që ai admiron më shumë (përfshirë këtu, natyrisht, Cocteaun). Cocteau e krijoi me guxim një takim në vitin 1947, megjithëse Capote – i cili e përshkroi takimin në esenë e tij The White Rose – ishte aq i mahnitur saqë kaloi pjesën më të madhe të kohës së tij me Coletten duke admiruar koleksionin saj të peshave antike të kristalit që mbajnë fletët.

Në vendin e saj, në Francë, Colette ishte yll. Ishte gruaja e dytë që u bë oficere e lartë e Legjionit të Nderit dhe e para për të cilën u organizua funerali shtetëror pas vdekjes së saj më 1954, në moshën 81-vjeçare. Puna e saj nuk e shqetësoi lexuesin me politikën apo me çështjet botërore. Kanavaca e saj ishte ajo që Tolstoi e quajti tragjedia më torturuese e njeriut – tragjedia e dhomës së gjumit. E eksploroi fushën e saj pa u lodhur dhe pa e përsëritur veten, duke ndryshuar qasjen e saj: sa më shumë piqej në më shumë eksperiencë, këndvështrimi ndryshonte si hije kur dita afrohet. Intensive dhe sensuale, letërsia i saj është plot jetë dhe të qeshura, teksa vazhdoi të tregojë historinë e jetës së një gruaje nga fëmijëria në moshë të shtyrë. Kjo është arsyeja se pse, 150 vjet pas lindjes së saj, Colette ende jeton. /Telegrafi/