Gladiola Busulla

Duart i mbusha me lot.

Për gjithçka humba në shakullinë e jetës.

Të dashurit, ëndrrat, pjalmin e zemrës.

Mos më pyet për lotët që rrjedhin,

as për parajsën e zbehur eliziane.

Buzëmbrëmje vetmitare …

Lule Bahu, qirinj flakëvagëllues,

pakëz muzikë dhome në sfond,

një shtrat i trishtë,

i hijeshuar me mbulesa kadifeje luksi.

Në vargje vegimesh më shtillen

Meduzat ngurosëse.

Gjarpërinjtë e tyre dredhues

të pangopur me dashuri.

Dhe pikëllimi endet në ajër

si një brerore e shndritshme,

që përqesh lumturinë.