Në të katër skajet e globit, qytetërimet e lashta kanë lënë një trashëgimi të çmuar arkitektonike. Ngjarjet historike, po edhe koha, nganjëherë i dëmton këto monumente, apo i shkatërron pjesërisht, mirëpo mbetjet e tyre ende shumë shprehëse, qofshin kështjella, tempuj, apo ndërtesa të mistershme.

Ato mbeten ndërtesa magjepsëse për t’u zbuluar, duke na mësuar më shumë për jetën e njerëzve që kanë banuar në tokë gjatë shekujve të kaluar. Nga Evropa në Azi, përmes Afrikës, apo edhe Amerikës së Jugut, më poshtë gjeni 10 nga rrënojat më të bukura që mund t’i soditni ende sot.

1- Tempulli “Ta Prohm” në Kamboxhia

Ndërtuar në shekullin e 12-të, tempulli budist është nga më të mrekullueshmit në zonën Angkor. I ndërtuar nën sundimin e Jayavarman VII, ka shërbyer ndër të tjera edhe si manastir dhe universitet. Rrethuar nga një mur i madh, me një kullë të zbukuruar me 4 fytyrat tipike të Angkorit në çdo pikë kryesore. Korridoret, hendeqet, apo admiri i detajeve strukturore është një moment hyjnor, sikurse befasia nga natyra me të drejtat e saj, veçanërisht rrënjët gjigande të pemëve fromazhere, të cilat vende-vende zaptojnë monumentin.

2- Baalbeku në Liban

Në verilindje të Bejrutit, në qytetin Baalbek gjenden rrënojat gjigante të tempujve të ndërtuar gati 5000 vjet më parë nga fenikasit. Një qytet i lashtë libanez, që mirëpret vizitorë të shumtë për të shijuar shkëlqimin e tempujve të Muzave, Bakusit, një nga më të mirët ruajtur nga periudha greko-romake, apo edhe e Jupiterit me gjashtë kolona mbresëlënëse, pak më shumë se 22m i lartë.

3- Mesena e lashtë në Greqi

Dihet që Greqia është një nga shtetet e Evropës, ku sitet antike kanë një bukuri të jashtëzakonshme. Në jugperëndim të Peloponezit, në shekullin IV para Krishtit, lulëzoi qyteti antik i Mesenës. Sipas profesionistëve, gërmimet e ndryshme deri më sot kanë zbuluar një të tretën e mbetjeve, përfshi tempuj, statuja, faltore, një gjimnaz, një teatër dhe një agora (shesh publik).

4- Wat Ratchaburana në Tajlandë

Vendosur në parkun historik “Ayutthaya”, tempulli Wat Ratchaburana është nga tempujt më të bukur Khmer të zonës. Kjo faltore 600-vjeçare u ndërtua si vend adhurimi, por edhe një krematorium. Gjithmonë befasohemi nga bukuria e jashtëzakonshme e prang prej guri, që dëshmon epokën e artë të qytetit dhe sjell në mendje madhështinë dhe prestigjin e perandorisë së zhdukur. Mund të futeni në brendësi, të ngjitni shkallët që të çojn në dy dhoma gjumi ku dallohen ende në mure pikturat. Zakonisht, Wat Ratchaburana vizitohet së bashku me Wat Mahathat, që ndodhet përballë.

5- Shpellat Ellorâ në Indi

Ndodhet 30 km nga qyteti i Aurangābād dhe ka 34 manastire dhe tempuj të gdhendur në murin e një shkëmbi bazaltik. Një arkitekturë sublime e trogloditit e ndërtuar në fillim të shekullit të 7-të, vendet e shenjta i kushtoheshin kulteve të budizmit, xhainizmit dhe brahmanizmit, i cili evokon në përsosmëri frymën e tolerancës së Indisë antike. Detajet e gdhendura në gur janë të mrekullueshme, të ndërlikuara, kurse tempulli i Kailâsanâtha është sigurisht më i bukuri, i gërmuar në shkëmb, madhësia e të cilit është dy herë më i madh se Partenoni i famshëm i Athinës.

6- Kështjella “Dunluce” në Irlandën e Veriut

Kështjella Dunlunce u ndërtua në shekullin e 13-të, majë një shkëmbi gjigant me pamje nga deti. Një pozicion strategjik asokohe, për të mbikëqyrur anijet e armikut që i aviteshin tokës. Pasi kaloi nëpër duart e familjes MacQuillan deri në shekullin e 16-të dhe më pas në duart e anglezëve, nën komandën e Sorley Bob McDonnell, monumenti u përfshi nga një stuhi e tmerrshme në 1639, duke shkatërruar shumë dhoma dhe duke lënë pas rrënojat aktuale. Mund të vizitohet pjesa e brendshme dhe e jashtme e një prej ndërtesave më të bukura të trashëgimisë së Irlandës veriore.

7-Qyteti i Jerashit në Jordani

Pas Petras, Jerashi është destinacioni i dytë turistik në Jordani, ku vizitorët soditin një nga pikat turistike më spektakolare dhe më të mirëmbajturit në botë. Jerashi u pushtua nga romakët për t’u braktisur rreth xhekullit XII. Më pas, mbeti i varrosur për shekuj nën rërë, para se të rizbulohej. Nuk duhen humbur veçanërisht ulëset e teatrit jugor, muri i skenës së teatrit, tempulli i Zeusit, rruga Maksimus apo sheshi oval. Jerashi është destinacioni kryesor për adhuruesit e arkitekturës antike.

8- Butrinti në Shqipëri

I ngritur vetëm disa kilometra nga qyteti bregdetar i Sarandës në Shqipëri, rrënojat e zonës arkeologjike të Butrintit padyshim që ia vlen të vizitohen. Për dashamirët e Antikitetit dhe mbetjeve greke dhe romake, zona zbulon elemente shumë interesante, si kolonat e pagëzimit të një kishe të shekullit të 6-të, vendpushimi, por edhe një teatër me ulëse dhe skenë të ruajtur jashtëzakonisht mirë. Ajo që i jep hijeshi kësaj pike turistike, përtej shkëlqimit arkitektonik dhe kuptimit të organizimit të jetës së qytetit antik, është vendndodhja e jashtëzakonshme në një kodër, në një gadishull midis Adriatikut dhe kanalit Vivari.

9- Siti arkeologjik i Tiwanakut në Bolivi

Tiwanaku ndodhet 3 850 m mbi nivelin e detit, rreth 15 km në jug të liqenit Titicaca në Bolivi. Një pikë referimi për të gjithë të interesuarit e arkitekturës para-kolumbiane, me një sërë ndërtesash të jashtëzakonshme që formojnë ansamblin ceremonial të civilizimit Tiwanaku. Monumenti më i bukur midis mbetjeve është tempulli Akapana, një piramidë e lartë 18metra e përbërë nga shtatë platforma, pa harruar portën e Diellit dhe motivet e saj sublime, piramidën Puma Punku, si dhe monolitet e ndryshme…

10- Piramidat Meroe në Sudan

Nuk ka vetëm Egjipti dhe Amerika e Jugut piramida të bukura. Në shkretëtirën e Sudanit, piramidat dhe rrënojat Meroe janë më të ruajturat e mbretërisë antike të Kushit. Ato datojnë prej shekullit të 3-të para Krishtit, por u zbuluan vetëm në 1822 nga dy eksplorues francezë. Kryeqyteti antik i Nubisë qëndron krenar mes dunave ngjyrë okër dhe i fton vizitorët të bredhërijnë midis varreve dhe rrënojave të tij. E veçanta e këtyre piramidave qëndron tek shpatet e thepisura, janë më pak imponuese se piramidat e Egjiptit dhe kanë vetëm një dhomë të destinuar për të akomoduar kufomën mbretërore. Prej vitit 2011, zona është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. /konica/