Shkruan: STEFAN TETOLLARI

 Një nga rrymat e mendimit që pati hov të madh gjatë fundit të viteve ‘20 dhe përgjatë viteve ‘30 të shekullit XX ishte edhe “Neoshqiptarizma”, e cila mori jetë në shkrimet e Branko Merxhanit e Vangjel Koçës. Synimi i tyre ishte të çrrënjosnin sistemin lindor (oriental) dhe të vendosnin sistemin perëndimor (oksidental) në Shqipëri. Në një karakterizim më përgjithësues, neoshqiptarizma përfaqëson një tërësi pikë- pamjesh me natyrë demokratike, e cila kishte si përparësi rolin ndriçues të dijeve, të shkencës, të kulturës etj. Branko Merxhani ishte erudit dhe njohës i mirë i kulturës dhe i filozofisë europiane e botërore, si edhe i disa gjuhëve të huaja, sidomos asaj franceze. Ai, në studimin e sistemeve filozofike e sociologjike kërkoi t’u jepte përparësi doktrinave europiane. Neoshqiptarizma në shpjegimin e dukurive shoqërore dhe të zhvillimit historiko-shoqëror u udhëhoq nga metoda idealiste. Ajo mori për themel të filozofisë së saj transformuese pozitivizmin e filozofëve francezë Ogyst Kant dhe Emil Durkheim. Krahas këtyre ai u mbështet edhe tek idetë shumë të njohura të Dekartit, të Renanit, të Brylit, të Strosit, të Lë Bonit, të Lev Brulit, të Niçes etj., të cilat i përhapi gjerësisht në vend. Ajo mori nga pozitivizmi atë ide që pohonte se zhvillimi historik kryhej me anë të ideve që pohonin se zhvillimi historik arrihej me anë të kulturës dhe moralit, të cilat ishin përcaktuese.

Branko Merxhani erdhi në Shqipëri në fund të viteve ‘20 me kërkesë të Vangjel Koçës. Ai hyri menjëherë në jetën intelektuale shqiptare dhe në vazhdim, gjatë viteve ‘30, u bë një nga figurat kryesore të debatit rreth së ardhmes së Shqipërisë dhe modelit që duhej ndjekur. Me përzierjen e ideve të tyre ai krijoi “Neoshqiptarizmën”. Pikëpamjet e tyre ata i parashtruan te gazeta “Demokratia” e Gjirokastrës, si dhe në një varg organesh të shtypit që botoheshin në Tiranë, si “Illyria”, “Minerva”, “Neoshqiptarisma” e në mënyrë të veçantë në revistën e përmuajshme kulturore “Përpjekja shqiptare”, organ kryesor i “neoshqiptarëve”. “Përpjekja shqiptare” ishte një ndër revistat më cilësore të shtypit shqiptar, e cila u hap në tetor 1936 me drejtor-pronar Branko Merxhanin. Numri i parë i kësaj reviste do fillonte me një shkrim të Branko Merxhanit “Duke filluar nga puna” me moton “Politikë s’ka! Vetëm kulturë!” Kjo revistë qëndroi e hapur deri në vitin 1939. Revista “Përpjekja Shqiptare” do të vazhdonte në gjurmët e “Demokratisë” të hapur më 1928 në Gjirokastër nga Vangjel Koça dhe Branko Merxhani. “Demokratia” në Gjirokastër u mbajt hapur rreth 4-5 vjet. Lëvizja mendore ka qenë motoja e asaj reviste të përjavshme dhe mikroskopike, që dilte vetëm një faqe çdo të shtunë.

Neoshqiptarizma kundërshtonte sistemin oriental dhe punoi për krijimin e një Shqipërie me fytyrë perëndimore. Armën e saj të vetme neoshqiptarizma kishte kulturën, ku me anë të saj duhet të kryheshin të gjitha shndërrimet sociale e politike. Parulla kryesore që kishte Branko Merxhani ishte “Politikë s’ka, vetëm kulturë”. Rreth këtij parimi të pastër dhe të ndershëm, – shprehej ai, – zhvilluam një veprimtari të tërë dhe provuam të hedhim gurët e parë që të kontribuojmë edhe ne diçka në formimin e një doktrine nacionaliste-demokrate shqiptare të përshtatshme për nevojat reale të kombit dhe sipas mundësisë së epokës sonë. Ndër të tjera ai thoshte se krijuam një lëvizje, ku hartuam vijat e përgjithshme të saj dhe i dhamë një përmbajtje dhe një emër, “Neoshqiptarisma”.

“Neoshqiptarizma” ishte një lëvizje e re mendore, një ideologji e re kombëtare, që do përgatiste si turmat ashtu edhe drejtuesit e vendit për të përballuar sfidat e vështira të ndërtimit të interesave të shtetit të ri shqiptar, si dhe të formimit të një ndërgjegjeje kombëtare, për ta nxjerrë këtë popull nga varfëria dhe errësira e padijes. Kjo lëvizje që lindi në Gjirokastër më 8 dhjetor 1928 u organizua dhe mori karakterin e një shkolle. Brako Merxhani do shkruante se punën që kishim filluar këtu e 8 vjet përpara i kemi qëndruar besnikë gjer në palcë dhe do të përpiqemi me gjithë fuqitë tona të ndjekim rrugën tonë pa ndonjë lakim dhe shtrembërim edhe këtej e tutje. Për ne ideja është gjëja më kryesore dhe përmbi të gjitha qëndron karakteri, por këtë do ta tregojë koha. Qëllimi i revistës “Përpjekja Shqiptare”, – shkruan Merxhani, – është një përgatitje e thellë me durim dhe me sistem. Puna jonë është një punë studimi e gjurmimi, një punë formimi mendor. Këtë punën tonë të rëndë vetëm me anë të revistave mund ta plotësojmë. Na duhen revista që të kenë si qëllim kryesor një sistem adaptimi mendor dhe mendimi pozitiv-radikal, një përpjekje krijuese dhe sintetizuese. Nga puna që bëjnë shkollat e sotshme nuk del ndonjë gjë e madhe, pasi duke luftuar vetëm analfabetizmin problemi ynë nuk zgjidhet, madje në disa raste ngatërrohet dhe vështirësohet edhe më tepër. Branko Merxhani iu bën thirrje të gjithë intelektualëve të bashkohen rreth përpjekjes shqiptare që ka si qëllim të transformojë Tiranën e sotshme, këtë kryeqytet të thatë dhe pa shpirt të Shqipërisë administrative, në një kryeqytet të ndritur, qendër të kulturës dhe lëvizjes sintetike kombëtare, jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të tërë Shqiptarizmës anë e mbanë, kudo e në çdo kënd të dheut ku tingëllon folja shqipe. Ai nuk e duronte dot revolucionin dhe revolucionin modern e quante një shpikje të dëmshme bolshevike që po shkatërronte botën. Brankoja e cilësonte atë një prirje të “përtacisë ruse” për ta ndryshuar botën me dhunë. Kultura sipas Brankos ishte e rëndësishme për formimin e kombit, i cili ishte ende sipas tij në fazën “protoplazmike”. Ajo do të shërbente për ndryshimin e mendësisë së shqiptarëve nga ai lindor (oriental) në atë perëndimor (oksidental).

Në një artikull të datës 1 korrik 1930 te “Neoshqiptarizma”, me titull “Organizimi i kaosit” ai e nis me një thënie të Niçes: “Çdo njeri, çdo popull, që të rrojë dhe të tregojë veten, më parë nga të gjitha duhet të organizojë Kaosin, që gjendet brenda në “Unin” e tij”. Shqipëria jonë e sotme,- thotë Brankoja,- është një botë kaotike e vogël. Trazimi dhe anarkia që mbretërojnë sot janë një fazë e prishjes sonë historiko-shoqërore. Ajo çka kërkon Neoshqiptarizma nga Djalëria është të ndjekë format shkencore në gjurmime e përkufizime, si edhe një kuptim filozofik të plotë në idealizmën kombëtare. Pika e drejtimit tonë, – thoshte Brankoja, – duhet të jetë krijimi i një Shqipërie dhe përmbi gërmadhat e Shqipërisë së djeshme të krijojmë një Shqipëri të nesërme, të ndritur e të qytetëruar, një Shqipëri jo historike, po qytetronjëse . Misioni i brezit të sotëm thoshte ai është që të na shpjerë nga errësira në dritë dhe këtë mund ta arrijmë nëse kuptojmë se duhet të mundim rrezikun duke e parë në sy. Tek “Illyria” në qershor 1934 Merxhani do të botonte artikullin me titull “Jo mballoma”, ku thoshte se jemi shtrënguar me dashje a pa dashje të ecim drejt oksidentit, por kjo ecje nuk nënkupton imitim. Nga oksidenti duhet të marrim vetëm metodat e punimit, vetëm qytetërimin, por kurrë kulturën. Një cilësi të përgjithshme e domosdoshme dhe bazale e europianit është mendimi sistematik, që do të thotë fitimi i një zotësie mendore të vazhduar pa kurrfarë ndërprerjeje. Jetë sistematike do të thotë jetë e rregullt, e pastër, e thellë, që nuk harxhon kot as kohën, as fuqinë, as talentin dhe brenda në të çdonjëri nga ne përpiqet me vullnet e me dashuri të sigurojë një pozitë të tillë që të bëhet një element i dobishëm, jo vetëm për veten e tij, por edhe për ata që rrojnë rreth e rrotull nesh. Morali i njeriut të oksidentit është i lidhur drejtpërdrejt me mendimin sistematik të tij. Punët që kanë krijuar kapitalet e mëdha, veprat madhështore që janë në shesh, janë përfundimet e një punimi dhe mendimi sistematik, që nuk lë kurrë të shkojë kot as edhe pjesa më e vogël e energjisë njerë- zore. Gjithashtu, edhe vetë monumentet kulturore të oksidentit s’janë gjë tjetër veçse rezultatet e mendimit sistematik. Këto monumente përbëjnë një tok të “vërtetash” që nuk janë gjetur në udhë, por janë nxjerrë nga themelet e shëndosha të diturisë së shekujve. Prandaj, detyra jonë dhe detyra e djalërisë neoshqiptare ,- thoshte Merxhani, – është të kuptojmë dhe të predikojmë ndryshimet radikale që ekzistojnë në mes të jetës e mendimit oriental dhe të jetës e mendimit oksidental. Ky zë le të dalë nga goja e të gjithë të rinjve me kulturë e me ndërgjegje: Kemi nevojë për punë sistematike, nuk na pëlqejnë Mballomat! Branko Merxhani në vitin 1934 te gazeta “Demokratia”, me titull “Mobilizimi për pushtime morale”, do shkruante se atdheu ynë i sotëm i shëmbëllen një gërmadhe mendimi dhe ideali. Po qe se nuk krijojmë në shpirtin e kombit tonë ideale shoqërore, vlera kombëtare, entuziazëm politik, nuk mund të themi se e bëmë Shqipërinë. Një atdhe pa ideal dhe pa dije kurdoherë është i ekspozuar e në rrezik, prandaj duhet të përgatitemi për pushtime morale. Vendet e punimit tonë për këtë gjë duhet të jenë shkollat, revistat, gazetat, konferencat popullore. Dhe të vetmet pushkë tona: librat, penda, letra… Përpara, pra ! Te një shkrim i botuar tek “Illyria” më 7 shtator 1935 me titull “Problematiciteti shqiptar”, ai do shkruante: “Kemi trashëguar thonë, një të shkuar kaotike; po kalojmë thonë një të tashme kaotike dhe e ardhmja paraqitet si një zero matematike”. Më tej shtonte se, një djalë i ri me karakter të ndritur dhe me përgatitje kulturore të mbaruar, përkrahës i teorive shkencore i shkruante Merxhanit: “Kalbësirën e kemi brenda në veten tonë. I ka rrënjët kaq të thella, që nuk do t’i gjejmë dot kurrë sado që të gërmojmë. Mbi këto rrënjë qëndrojnë stavë shekujt. Kur njerëzit, si anëtarë të një shoqërie, arrijnë në këtë pikë sa që të mos mendojnë gjë tjetër veç si të shpëtojnë shpirtin njëri edhe si të sigurojë një jetë më të mirë tjetri, pa ndonjë lidhje të brendshme për vendin e tyre, pa ndonjë dozë vetë- mohimi, vullneti dhe ideali, atëherë kjo shoqëri e ka humbur çdo bazë qenieje dhe çdo shpresë jetese, edhe vrapon me hapa të shpejtë për në buzë të greminës të zhdukjes historike. E vetmja rrugë shërimi për të dalë nga kjo gjendje, – thoshte ai, – është shkenca, pasi ajo nuk jep premtime, por atë që e jep e jep me të vërtetë. Ajo është besnike në fjalët e veta. Vetëm ajo di të shërojë plagët tona mendore. Është arma më e mirë për të luftuar Fatalizmin dhe për të injektuar pak kurajë e shpresë në zemrat tona të thyera… Branko Merxhani shprehej se asnjë reformë sociale nuk mund të kryhej pa ndryshuar mendësinë dhe moralin e këtij vendi. Ai theksonte se rolin parësor në zhvillimin kulturor të shoqërisë duhet ta kishin intelektualët dhe jo “xhahilët levantinë”, siç ndodhte në Shqipëri. Nuk duhet të pranoheshin tronditje shoqërore bolshevike dhe vendi duhej të ecte qetë- qetë në rrugën drejt progresit. Luftës shkatërrimtare të klasave ai i kundërvinte solidaritetin kulturor shoqëror, që do të krijohej me anë të zhvillimit kulturor e shpirtëror. Solidariteti për të ishte themeli i gjithçkaje, madje edhe i progresit, ku ky i fundit mund të arrihej vetëm me mjete kulturore. Doktrina “neoshqiptare” do t’u hapte rrugën reformave sociale perëndimore dhe çdo ndryshim me dhunë ishte i paracaktuar të dështonte. Branko Merxhani shprehej se Shqipëria kishte hyrë tashmë në rrugën e zhvillimit borgjez, por ky zhvillim ishte ende mjaft i dobët. Ai e cilësonte marksizmin si një doktrinë të gabuar, joreale e destruktive. Me botimet e tij te revista “Përpjekja shqiptare” dhe jo vetëm në të, Brankoja bëri një punë të madhe për përhapjen e kulturës. Ai botoi kryesisht idetë e filozofëve përparimtarë racionalistë, si dhe të shkrimtarëve më në zë. Gjatë kohës kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste, Branko Merxhani u largua për në Turqi dhe punoi si gazetar. Branko Merxhani dhe neoshqiptarizma ishin si një thirrje për një rilindje shpirtërore, si një thirrje për identitet kombëtar në Shqipërinë e pavarur, për një vetëdije shqiptare për ta nxjerrë vendin nga errësira dhe injoranca,- shkruante studiuesi gjerman i letërsisë shqipe, Robert Elsie.