1

Një parashikues më tha:

– Më falni që ju gënjeva.

Duke ia dhënë edhe një mundësi vetes, po shkoj të bëj edhe një bisedë me djallin.

Ende nuk e di ç’mendim ka Zoti për ne.

Duhet t’ia lëmë kohës.

Unë nuk e prisja këtë ditë.

Për sekretet e bisedës do të flasim kur të kthehemi.

Tani kam frikë nga ajo që nuk e di.

Psehu lyp durimin dhe kohën e vet.

Sot nuk u besoj as njerëzve, as fjalëve.

Pa u ndalë po marr frymë:

– Jo vetëm si kërkesë.

– Jo vetëm si takim.

As fundi nuk e di a ka fund.

Të humbur nga gabimet shpejt e shohim se kënd e kemi dashur dhe kush na ka dashur.

Me asnjë fjalë më shumë, vonë e kuptuam se çka duhet të harrojmë.

Kur historia përsëritet për ta humbur edhe një luftë!

2.

S’dua dashuri!

Dashuritë i kemi të mbushura me gënjeshtra.

S’dua as gjakime, gjakimet i kemi për t’u takuar me djallin.

As tokë nuk dua, gjysh pas gjyshi tokën e kemi me histori që përsëritet.

Nëse më pyesni se kush jam, ju them se jam një gozhdë e ngulur në murin e Muzeut të Njeriut.

Pa turp, pa kripë, e pa kokë, ky shekull nuk do të jetë i lehtë.

Për ta humbur edhe një luftë ku shkuan shekujt e shqiptarëve?

Më falni, kush jeni, më kapi frika ç’do të ndodhë?! Ku do të arrijmë.

Jemi ngulur si hu gardhi.

Shesim mend, shesim mend.

Kush beson, beson.

Për njeriun që e ka shitur shpirtin, çmenduria është gjë fisnike.

3.

Për shpëtimin e kohës së ardhshme, çfarë fati është duke na pritur?

Mendja e djallit ka zbritur mes njerëzve.

Komunikimin do ta kemi me nota të larta muzikore.

Humbi kush humbi, fitoi kush fitoi.

Ditën e mirë, njerëz të mirë.

Ndoshta jeni të prirë për të bërë gabime që nuk i kuptojmë.

Shkel e shko veten e pyeta: Si shkohet në luftë dhe si kthehemi nga lufta?

Për ta djegur Romën, me djallin e mbylla.

Po kënd ta kërkoj.

Fama e shejtanit ka zbritur në tokë.

Punë leshi.

E turpshme, për të thënë ka kohë që s’e kuptojmë. Ka kohë që s’ka shpjegime.

Për të thënë, më fal, nuk do të kemi kohë.

Me një po, me një jo, e plakim ditën dhe gjysmën e jetës.

4.

Aty ku nuk ka armiq, ka frikë.

Kush do të na mbrojë.

Jemi afër.

Duhet të harrojmë se jemi larg.

Nuk po e kuptoj pse?

As koha s’ka asgjë për të thënë.

Marifetet e djallit po na pëlqejnë.

Kush do të na mbrojë nga paturpësia.

Erdhi koha të mos kemi kohë.

Edhe kur nuk kemi asgjë për të thënë, avullohet uji, zbutet gjaku, zhduket sekreti.

Dita vishet me mjegull.

E nata – kërratë, kërratë…

Një profesor universiteti i cili para lufte ka qenë çoban më pyeti:

Kah të shkojmë?

Unë me ironitë e fatit, për një ëndërr përtej ëndrrës sot për sot, nesër për nesër: gjeje ditën i thashë:

Me gënjeshtra e falënderime, çfarë të bëj nuk po e kuptoj.

Jemi afër ta humbim edhe një rast.

Na ka zënë terri.

Duhet të harrojmë se jemi larg.

Viti i kthimit është metaforë.

Nuk inspirohem nga humanizmi, por nga autoportreti i nisur e i pakryer.

Për këtë hall që po na kthen në Mesjetë, as koha nuk ka asgjë për të thënë.

Kur e shohim Djallin, e harrojmë Zotin.

E harrojmë Njeriun.

E harrojmë edhe Vdekjen.

E harrojmë edhe Frikën.

5.

Histori për histori.

Kur nuk kemi asgjë për të thënë, historia mezi pret të përsëritet.

Nuk po e kuptoj pse?

Kjo botë ndoshta është lodhur nga vetvetja.

Pa asnjë lloj besimi.

Me të njëjtat gabime.

Zoti nëse na sheh, na kupton.

Për të arritur deri te maja e botës, ku zemra bëhet mal jeta na vjen si kërcënim i bukur.

Kur ndalemi e pyetim se çka të bëjmë me suksesin.

Pa kuptuar asgjë na pëlqen të besojmë.

Të gjitha marifetet kontaktet i humbëm si gurin në lumë.

Të kaluarës ia lemë të kaluarën.

Të ardhmen nuk e dua.

Na është e panjohur.

Në parajsën e bardhë Njeriu i mire vdes me dy gishta fytyrë në ballë.

6.

Kam dëgjuar dhe kam njohur shqiptarë që kanë jetuar dhe kanë vdekur për ta bërë shtetin shqiptar.

Edhe kur historia hesht, në këngën popullore fjala i takon jetës.

Jeta ëndrrës.

Ëndrra magjisë.

Magjia legjendës.

E legjenda zemrave që i ndezin zemrat për jetën.

Për jetën e popullit.

Në fushën e mendjes.

Në fushën e mejdanit ku nuk shihet asgjë si vlerë.

Kujdes.

Drita e zezë është më shumë se ngjyra e zezë.

Kur drita e bardhë s’bën punë.

Ma jepni ta shikoj.

Ngjyra e zezë përfaqëson kohën që na shikon se ku po shkojmë.

Ka të drejtë të jeton me rrezikun.

Duhet ta kuptojmë.

Lufta bëhet për të fituar.

Kur e bëjmë të njëjtin gabim deri ku shkon e keqja.

Dikush mund të mos e kupton.

Ku shkoj fati i njeriut.

A e pa kush se ku shkoi?

Kush i fiki dritat?

Më mire të fiken se sa të shohin dritën e zezë.

E të mbetemi vet.

7.

Nuk po e kuptoj pse e bëjmë të njëjtin gabim.

As koha nuk ka asgjë për të thënë.

Për të shpëtuar nga mëkati është fat i rrallë.

Për t’ia thyer vetes qafën, patriotët mashtrues na e prekin zemrën.

Për largpamësinë e tyre s’kemi asgjë tjetër për të thënë.

Po ndodhi edhe një ndryshim, ata prapë do të shkojnë deri në fund të historisë.

Brenda e jashtë kufijve njerëzorë të popullit që pret, të popullit që kërkon.

Për fatin e njeriut lind mungesa e besimit.

Me maskat e interesit kuptohet urrejtja.

Ky ndryshim, edhe pse ende nuk është ngritur në këmbët e veta, ku e ka shpirtin?

Famën e rrallë askush nuk e çmon.

Për një palë sy, për një palë fjalë, bari do të rritet mbi ne dhe do të na tregojë nata a është me hënë apo pa hënë.

Me durimin e dashurisë, ku ta gjejmë zjarrin që e ruan sekretin;

Që shkon në një takim për të dhënë diçka dhe për të thënë diçka si pjesë e tretë e iluzionit.