Nga: Albana Deda (Ndoja)

Njoftimi për mbajtjen e një konference kushtuar profesorit tonë të fonetikës dhe fonologjisë Bahri Beci erdhi në një moment, kur ne sapo kishim bërë një artikull në lidhje me veprën e Arshi Pipës “Politikat e gjuhës në Shqipërinë socialiste (2002 në shqip, 1989 në anglisht), që është në proces botimi dhe në të cilën një nga referencat kryesore në lidhje me problematikat që ngrihen aty ishte pa diskutim prof. Bahri Beci.

Në fakt ka qenë një dilemë nga ana jonë nëse në këtë konferencë duhet të paraqisnim kontributin e çmuar të Becit në fushën e fonetikës dhe dialektologjisë, në të cilat, sipas nesh, ai ka kontributet kryesore, apo duhet të merreshim me qëndrimin e tij në lidhje me standardin, standardizimin e kështu me radhë.

Vendosëm të merreshim me këtë të fundit pikërisht pas leximit të veprë“Homo ideologicus” në shkencën shqiptare (2015). Ky libër përbën, sipas nesh, një shkarkim psikanalitik të autorit në lidhje me çështjen në fjalë, ndër të tjera. Ai gjithashtu paraqet dhe fatin e studiuesit të formuar, objektiv e antikonformist në ato ambiente, që ne i njohim mirë, dhe të cilat nuk kanë ndryshuar akoma dhe sot, qoftë në lidhje me çështjen që diskutohet, qoftë me trajtimin e individëve, që dallojnë për formimin dhe kurajon shkencore.

Kështu që në këtë artikull do të merremi me konceptin e Becit në lidhje me procesin e standardizimit në Shqipëri.

Në parantezë duhet të sqarojmë se debatet që i referohen këtij problemi kanë ravijëzuar tashmë dy kahe të kundërta. Njëra palë përfaqëson qendrimin zyrtar (marksist, siç e quan Beci,1999:35) me përfaqësues kryesor Androkli Kostallarin, kurse pala tjetër qendrimet Pipës dhe Becit (Beci, 1999:149) (Të ngjashme me shumicën prej tyre janë edhe tonat.). Xhenet Bajron-i përmendet vetëm nga Kostallari (1984), natyrisht me nota mjaft kritike, siç shprehet Beci (1999:40), po pas 90-ës nuk ka trajtime direkte në lidhje me të. (Theksojmë se Pipa thotë se në qendrimet e tij rimerr tezat e Bajronit, kështu që ajo është pranishme në palën e dytë, pavarësisht se nuk e emërtojnë direkt.).

Në këtë trajtim ne do të paraqesim qëndrimet e Becit dhe paralelisht me to do të dalin edhe ato të palës tjetër.

Duhet të shtojmë se materialet kryesore në lidhje me këtë çështje Beci i ka trajtuar pas viteve 90-të. Kjo jo pa arsye. Në parathënien e librit të tij “Probleme te politikës gjuhësore dhe panifikimit gjuhësor në Shqipëri” (1999) ai e pohon këtë fakt dhe arsyen se pse ka ndodhur kjo. Citojmë: “Libri që po i paraqesim lexuesit është një përmbledhje studimesh, artikujsh, kumtesash, diskutimesh dhe intervistash për problemet e shqipes standarde. Ato janë shkruar në periudhën pas viteve 1990, kur, si rezultat i vendosjes së pluralizmit në Shqipëri u bë e mundur të shfaqeshin “lirisht” pikëpamjet edhe për probleme të tilla si politika dhe planifikimi gjuhësor në periudhën e pasluftës në Shqipëri, që konsiderohej si tabu deri në atë kohë.”.

Dhe në fakt, nëse shikojmë produktin e tij shkencor pas viteve 90, mund të dallojmë fare qartë se problemet e planifikimi gjuhësor si në artikuj, si në botime, zënë një vend të konsiderueshëm, për të mos thënë përbëjnë numrin më të madh të punimeve. (Veçojmë në lidhje me këtëProbleme të politikës dhe planifikimit gjuhësor, Dukagjini, 2000; Historia e shqipes standarde, ShBLSHeRe, 2010; “Homo ideologicus” në shkencën shqiptare, princi, 2015; “Përjetimet”, UET Press, 2021).

Një produkt i tillë tregon edhe shqetësimin real në lidhje me këtë problematikë të Becit.

Po shtrohet pyetja si ka mundësi gjithë ky interesim për një trajtim që për vite me radhë është prezantuar si një proces “i mirëstudiuar” dhe që i është induktuar përdoruesit në të gjitha regjistrat, duke sjellë kështu edhe kultivimin e tij, sipas qendrimit zyrtar të kohës?

Citojmë: “Formimi i gjuhës letrare kombëtare të njesuar ëstë një fitore e madhe e popullit shqiptar e arritur vetëm në 60 vjet pas Shpalljes së Pavarësisë dhe më pak se 30 vjet pas vendosjes së pushtetit popullor. Kjo gjuhë letrare e përpunuar dhe e zhvilluar, shprehje e gjallë e kulturës së popullit tonë, e forcës së tij jetësore dhe historike, është frut i përpjekjeve të shumë brezave që kanë punuar e luftuar me vetmohim e me bindje të thellë për rëndësinë e suksesin e çështjes së tyre.” (Drejtshkrimi i gjuhës shqipe, 1973, f.12), apo “Punimet e Kongresit të Drejtshkrimit dhe diskutimi popullor i zhvilluar para tij kanë qenë një mbështetje e sigurtë për të ecur me guxim në rrugën e njesimit sa më të plotë të drejtshkrimit të gjuhës sonë…” (Drejtshkrimi i gjuhës shqipe,1973, f.13, e plot të tilla si këto.).

Mund të mirëkuptojmë demagogjinë pjesë e retorikës së diktaturës, po është e pakonceptueshme dhe duhet të ishte e palejueshme që sot të hasen përsëri struktura dhe qendrime të tilla, natyrisht më të kamufluara në kanal, po që paraqesin të njejtin të shenjuar si në atë kohë. Më poshtë do të argumentojmë këtë qendrim nëpërmjet qasjes që na sjell edhe prof. Beci.

Beci vazhdimisht ka theksuar se procesi i standardizimit në fakt ka qenë një proces i mirëorientuar politikisht dhe jo një proces që ka kaluar në një fazë normale studimi, eksperimentimi, diskutimi të lirë, ku të lejohej debati konstruktiv me argumente .

Kemi parasysh që prof. Bahri Beci[1] ishte sekretari i Androkli Kostallarit në atë kohë. Ai thekson: “Mendoj se duhet pranuar që në zgjidhjen e problemit të gjuhës letrare shqipe ka pasur që në fillimet e pasluftës ndërhyrje nga partia-shtet dhe zgjidhja e këtij problemi nga përfaqesuesit e shkencës zyrtare është politizuar. Si e argumentojmë këtë pikëpamje. Më 1945 gegërishja letrare filloi të hiqej nga shtypi, kurse më 1946 edhe nga librat shkollorë. Më 1951 Ministria e Arsimit mori vendimin që në klasat e para të shkollës fillore në veri mësimi të bëhej në toskërisht. Po kjo vërtetohet edhe përmes pohimeve të bëra në Konferencën e vitit 1952 ku, ndër të tjera, thuhej se me ndërhyrje nga lart u vendos që fjalorët, përkthimet marksiste-leniniste, tekstet, gjuha e administratës e shtypit e radios etj. të beheshin në dialektin jugor.” (Beci, 2010:174-175).

Deduksioni është i qartë, pra praktikisht nuk ka pasur një proces të lirë, objektiv, të mbështetur në të dhëna e argumente shkencore, po një ndërhyrje direkte të politikës, e cila ka imponuar edhe infrastrukturën e nevojshme për të aplikuar variantin që ajo donte. Citimet në lidhje më këtë janë të pafundme në literaturën e kohës, ndaj dhe Beci pohon dhe frymën orintuese që sundonte në kuadrin e imponimit diktatorial të çdo aspekti të jetës si në vijim: “E vërteta është se diskutimet për Rregullat e drejtshkrimit të shqipes, që ishin botuar më 1967, kishin hyrë në fazën e fundit të tyre. Pra, kishte dalë nevoja e organizimit të një veprimtarie që do të finalizonte diskutimet e bëra dhe t’i jepte një formë përfundimtare drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Kjo ide, me sa duket, u përcoll në organet e larta të shtetit dhe të partisë. Kuptohet që në atë kohë pa aprovim nga lart nuk mund të bëje asgjë.”[2]

Nëse akoma kjo vihet në diskutim mjafton të lexosh referimet e Kostallarit (ndër to edhe SF, 1985, 68-75), dhe është lehtësisht e kuptueshme dhe nga auditori i gjerë që ky fakt ishte direktivë direkte partiake dhe individë të caktuar të fushës u vunë në punë, që ta shisnin këtë si një proces, që i kishte kaluar shkallët e studimit, analizës, debatit të hapur dhe testimit te përdoruesi, madje duke marrë dhe përkrahjen e këtij të fundit (masave punonjëse, siç cilësohet në Manualin e drejtshkrimit, 1973).

Në këtë kontekst Beci hedh dritë edhe mbi mënyrën se si u arrit të shuheshin zërat kundër brenda për brenda territorit (se për ato jashtë e kishin më të lehtë etiketimin si armiq të popullit, siç është rasti i Arshi Pipës që vazhdon të injorohet edhe sot e kësaj dite.):“Në referatin zyrtar të paraqitur në sesionin shkencor 1952 deklarohej se “të pohosh tezën e mosndërhyrjes nëçështjen e zhvillimit të gjuhës do të thotë se Partia e shteti nuk paskan të drejtë të udhëheqin edhe zhvillimin e gjuhës sikundër udhëheqin zhvillimin e gjithçkaje…” (Beci, 2010:175)

Beci, duke sqaruar këtë citat, po dhe të tjerë që reflektonin ndikimin e politikës në procesin e standardizimit, thekson” Përfaqësuesit e politikës gjuhësore zyrtare me qëllim që të evitonin çdo qendrim opozitar në zgjidhjen e problemit u përpoqën dhe ia arritën qëllimit ta politizonin problemin, duke shpallur zgjidhjen si të realizuar nga pozitat e materializmit dialektik a historik ose në dritën e teorisë marksiste -leniniste mbi gjuhët letrare, kurse pikëpamjet e kundërta si “mohim” i zhvillimit konvergjent të popullit tonë. Qëndrime të tilla i mbyllën përfundimisht rrugën çdo diskutimi mbi ecurinë e formimit dhe bazën dialektore të gjuhës letrare shqipe. Të gjithë ata që nuk pranonin idenë e bashkëveprimit ose ndërveprimit të dy dialekteve të shqipes etiketoheshin si antikombëtarë dhe reaksionarë.” (Beci, 2010 :175)

Sqarojmë se pjesa e parë e citatit të mësipërm është perifrazim nga Kostallari (SF, 1985: 7-10).

Natyrisht që mund ta kuptojmë dhe ndjejmë se çdo të thoshte ky fakt për një foneticien e dialektolog si Beci, kur dihet se debatet kryesore atëhere dhe sot kanë të bëjnë pikërisht me bazën dialektore të përzgjedhur dhe parimin fonetik si parim kryesor i drejtshkrimit.

(Shtojmë këtu se mënjanimi i zërave kundër ishte [dhe vazhdon të jetë] arrogant dhe i hapur sa p.sh. prof. Selman Riza që kishte kontribute paraprirëse në këtë fushë nuk u ftua fare në Kongres. Po kështu kujtojmë se në Konferencën e Durrësit “Shqipja në etapën e sotme: politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit të Këshillit ndërakademik” (2010), u lejuan referues vetem ata që kishin titullin doktor e lart. Është e kotë të përmendim pohimet e flamurtarëve të standardit, të cilët në Konferencën e mbajtur nga Fakulteti Histori- Filologji, Departamenti i Gjuhës Shqipe, në lidhje me shqyrtimin e materialeve të Këshillit Ndërakademik (2014) ju drejtuan gjuhëtarëve gegë, duke u thënë, perifrazoj, që ata nuk kishin pse të përziheshin në këtë proces. Dëshmi të tjera gjenden edhe te “Homo ideologicus”.).

Le të hidhemi tani te koncepti i Becit mbi rrugën që ishte ndjekur për të arritur te rezultati në fjalë, standardi. Sipas tij, deri në atë kohë (1972) shqipja ishte zhvilluar paralelisht në dy variante atë të gegërishtes letrare dhe toskërishtes letrare. Ai vlerëson punën e Komisisë Letrare, e cila kishte arritur në një variant të pranueshëm shkrimi të gegnishtes letrare, “pavarësisht larmishmërisë më të madhe të përthyerjeve fonetike që paraqet ajo”. Një gjë e tillë, sipas tij, shtroi rrugën drejt uljes së ndryshimeve deri diku në nivelin fonetik të paktën në të shkruar me variantin tosk. (Beci, 2010:176).

Nga ana tjetër, dy variantet furnizoheshin nga gurra popullore dhe kishin produkte në letërsinë artistike me vlerë. Beci thekson se “Pikërisht përpunimi dhe pasurimi i tyre i mëtejshëm duhej të ishte problem themelor i politikës gjihësore të pasluftës që pretendonte se ishte shkencore e kombëtare” (Beci, 2010:176).

Ky qendrim pohon atë fakt të cilin gjuhëtarë të njohur si Çabej[3] kishin vënë në dukje edhe gjatë diskutimeve në Kongres dhe që kishte të bënte me nevojën e studimit dhe përshkrimit të hollësishëm të dy varinteve, si punë paraprirëse për përzgjedhjen e variantit me prestigj më vonë.

Kemi parasysh se në atë kohë nuk kishim as gramatika të plota deskriptive gjithëpërfshirëse dhe të kodifikuara e të pranuara nga auditori shkencor (pavarësisht kontributeve të autorëve të veçantë që datonin para 1944, po dhe ajo e Cipos që u hartua në kuadrin e orientimit, nuk ishte e tillë pra gjithëpërfshirëse). Po kështu nuk ishte botuar as Atlasi Dialektologjik (i cili përfundoi në 1989, po u botua vetëm në 2008), dy vepra, të cilat do të përbënin bazën e të dhënave, ku të argumentohej shkencërisht përfundimi i zgjedhur.

Dhe në vijim të kësaj analize ai thotë: “Pra problemi që lind është ky: në ç’ masë faktori subjektiv e administrativ mbështeteshin nga faktorë objektivë gjuhësorë e jashtëgjuhësorë që favorizonin toskërishten letrare. Po dhe në qoftë se ka pasur (e unë mendoj se ka pasur) nuk kanë qenë këto që kanëçuar në ndërhyrjen e partisë-shtet në “zgjidhjen” e problemit të shqipes letrare.” (Beci, 2010: 177). Sarkazma profesionale është therëse dhe nuk lë vend për sqarime të tjera.

Në lidhje me pretendimin se standardi i sotëështë një koine letrare sui generis (Kostallari, 1984: f.35) si foneticien dhe dialektolog i mirëfilltë ai shprehet prerë “…bazën e strukturës fonetike dhe morfologjike të saj e përbën toskërishtja letrare. (Beci, 2010: 179).

Ky fakt është artikuluar hapur që herët. Në 1952 Shuteriqi deklaronte se “…pas çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit fashistë toskërishtja u bë gjuhë zyrtare e gjithë popullit, e u afirmua në mënyrë të plotë si dialekti bazë i gjuhës sonë të vetme letrare, se gjuha letrare e shkruar në bazë të dialeketit jugor ishte gjuha jonë letrare edhe pse një pjesë e letërsisë artistike nuk shkruhej në atë gjuhë.” (Beci, 2010: 178).

Këtë fakt e pohon edhe prof. Xhevat Lloshi në shkrimin polemikë prej 25 faqesh “Kultura shqiptare para shqetësimesh të reja” (Sot, 1992). Ky punim është një trajtim polemikë në lidhje me veprën e Arshi Pipës “Politikat e gjuhës në Shqipërinë socialiste” (1989). Pavarësisht se mbrojtësit e stadardit aktual e mbajnë si një nga recencat me tonet më të ashpra për këtë vepër të Pipës, autori, me objektivitetin shkencor që e karakterizon, pranon rolin imponues të Kostallarit në proces dhe bazën dialektore të toskërishtes në të . Citojmë “Tani po themi dy fjalë për tezën e Kostallarit. Po flas në numrin shumës, sepse ky ka qenë kurdoherë mendimi i shumicës dërrmuese të gjuhëtarëve shqiptarë. Për ne ishte fare e qartë se si GS po ngrihej varianti letrar me bazë toskërishten, kjo ishte e qartë edhe në gjithë inteligjencën, njerëzit e kulturës, të shkencës, të arsimit shqiptar.” (Lloshi, 1992:21).

Kurbani kryesor i kësaj kush qe? Natyrisht gegnishtja letrare, artistike veçanërisht, që deri tani vonë pushoi se qeni e së lëvruari brenda kufijve, duke krijuar një vakum të jashtëzakonshëm në zhvillimin normal letrar e gjuhësor njëkohësisht, po që për fat të mirë pati vazhduesit e vet jashtë kufijve.

Së dyti ajo që preku direkt përdoruesin geg ishte fenomeni që ne e quajmë diskriminim social- gjuhësor, që në fakt vazhdon të ndihet akoma dhe sot. Kemi parasysh se flitet për një variant me një korpus të niveleve të ndryshme që ka numrin më të madh të përdoruesit.

Në këtë kontekst, fakti që na shqetëson më së shumti është se induktimi i standardit të përdoruesi geg (dhe toskë) u bë dhe bëhet si diçka e detyrueshme në të gjitha regjistrat, pa u sqaruar se ky i fundit është i detyrueshëm për disa regjistra, po jo për të gjithë. Përdoruesit, veçanërisht atij geg, i krijohet ndjesia se varianti i vet është i parregullt, kurse standardi është i rregullt. Pra standardi u imponua si varinti me prestigj, pa u shpjeguar në gramatika nxënësve gegë e toskë akoma dhe sot se dhe variantet fonetike, morfologjike etj. që dëgjonin e përdornin në ambientin ku jetonin ishin alternativa fonetike, morfologjike, sintaksore përdorimi të përdoruesve të zonave të ndryshme që nuk duhen parë si të parregullta, po si mundësi të ndryshme artikulimi të kanalit në regjistra të caktuar. (Vini re përdorimin e mbiemrave formë e rregullt/formë e parregullt në këtë lloj diskursi, komplet përjashtuese në lidhje me variantet dialektore dhe që nuk mund të justifikohet nga pikëpamja sociolinguistike).

Beci replikon natyrshëm si foneticien dhe dialektolog me Kostallarin që pretendon se “baza fonetike e shqipes standarde ka karakter mbidialektor, pasi ka zgjedhur elemente të sistemit fonetik të dy varianteve” (Kostallari, 1970: f. 3-5), duke thënë “Vlerësime të tilla… nuk marrin parasysh teorinë e sistemit. Është e vërtetë se mikro dhe makrosistemet dialektore të gjuhës shqipe kanë tipare të përbashkëta dhe dalluese, po secili prej tyre hyn në mikrosistemin dhe makrosistemin që bën pjesë në marrëdhënie të caktuara që përcaktohen nga lidhjet brenda sistemit, të cilit i përket. Në këto rrethana sistemi fonematik i gjuhës letrare standarde ose i shqipes standarde nuk mund të jetë rezultat i zgjidhjes së elementit të përbashkët, po i zgjedhjes së një mikrosistemi a makrosistemi që në rastin tonë përputhet me sistemin e toskërishtes veriore, që në të vërtetëështë sistemi më i thjeshtë dhe për pasojë ka në përbërjen e tij fonemat bazë karakteristike edhe për mikro dhe makrosistemet e tjera dialektore të shqipes (Beci 2010:183).

Sipas tij, kjo përzgjedhje nuk ka lehtësuar ndërveprimin dialektor, por ka përshpejtuar kristalizimin e shqipes letrare, mbi bazën e toskërishtes. Pra me pak fjalë Beci argumenton se kjo tezë nuk merr parasysh ligjësitë normale të zhvillimit të sistemit fonetik të një kodi të caktuar, që me larmishmërinë që shfaq, veçanërisht gegnishtja, nuk mund të realizohet dhe nuk është realizuar praktikisht nga përdoruesi.

Duke iu referuar kriterit morfologjik (në fakt sintaksor) e përkatësisht në lidhje me mënjanimin e infinitivit, Beci debaton pohimin komplet subjektiv të Kostallarit se “jeta vërtetoi se i ashtuquajturi problem i infinitivit ose i paskajores në polemikat gjuhësore të mëparshme ka qenë mbivlerësuar” (Kostallari, 1970: 36-37).

Sipas Becit, “Do të ishte më e drejtë të thuhej që, në pajtim me bazën dialektore toske të gjuhës letrare edhe në fushat e tjera u mënjanua nga përdorimi i gjuhës letrare edhe paskajorja…(Beci, 2010:184).

Gjithsesi nga pohimi i Kostallarit është fare e letë të kuptosh se sa të argumentuara e objektive kanë qenë përzgjedhjet e niveleve të ndryshme që u ngritën në normë.

Në këtë kontekst duhet të shtojmë dhe një fakt që e vë re dhe Beci. Veç pohimeve që i gjithë procesi ishte në frymën marksiste -leniniste dhe të materializmit dialektik, në literaturën zyrtare të kohës, po dhe sot në qendrimet e pasuesve të saj, nuk gjen asnjë referim të titullarëve të sociolinguistikës si Fishman, Ferguson, Haugen etj., të cilat janë referencat e zakonshme te Bajroni, Pipa edhe te Beci (natyrisht pas 90-ës).

Në lidhje me korpusin leksikor që gjithashtu paraqitet si pasqyra më e plotë e bashkëveprimit dialektor nga Kostallari, Beci duket se bie dakord me qendrimin zyrtar se “struktura leksikore është e hapur në çdo gjuhë standard kjo është e vërtetë dhe pikërisht për këtë çështja e bazës dialektore në fushën e leksikut nuk shtrohet” (Beci 2010 184). (Tërheqim vëmendjen këtu se Pipa mban një qëndrim komplet tjetër në lidhje me këtë nivel).

Trajtimi i mësipërm dhe tematika e kësaj konference kushtëzojnë faktin që numri i referencave të jetë i madh. Megjithatë duam të shtojmë se të paktën ato që shprehin qëndrimet e Becit janë të gjitha të argumentuara me shembuj në artikujt dhe veprat e tij. Mjafton të kemi parasysh spektrogramet fonetike të pasqyruara hollësisht me matje laboratorike nga ai i të gjithë varianteve fonetike, për të evidentuar saktësisht e në mënyrë shkencore qendrimet e tij. Këtë gjë nuk e gjen të pala tjetër.

Po ku jemi sot në lidhje me trajtimin e kësaj problematike. Mendojmë se vazhdojmë në të njejtin realitet, që përshkruan Beci. Natyrisht që nuk kërkojmë të bëhen revolucione dhe të zhbëhet gjithçka, po që ky diskutim të futet në kuadrin e diskutimit shkencor dhe jo mllefeve e patologjive individuale, si dhe klimës përjashtuese të mendimit ndryshe.

Nëse u referohemi fazave të hartimit të një standardit të pashikuara nga sociolinguistët, pavarësisht gjithçkaje që ka ndodhur, i bie të jemi në fazën e pranimit, sipas Haugen-it (1. përzgjedhja; 2. kodifikimi në tekste si fjalorë, gramatika etj.; 3. përhapja në institucione, admistratë, shkollë etj.; 4. pranimi nga komuniteti[4]). E kjo fazë shoqërohet me testimin e rregullave të përdoruesi. Në varësi të problematikave bëhen dhe ndryshimet përkatëse.

Për hir të së vërtetës edhe në këtë aspekt ka pasur mjaft trajtime individuale, që argumentojnë me statistika mungesën e përdorimit të ë-së së patheksuar dhe asaj fundore, që venë në diskutim parimin kryesor të ngrehinës së standardit, parimin fonetik. Mjaft të kujtojmë referencat kryesore të diskutimeve në lidhje më materialin që këshilli ndërakademik solli për nivelin fonetik (E kemi fjalën për kumtesën e Buxhelit dhe Jorgaqit në këtë konferencë, të cilat duke debatuar propozimet e Këshillin Ndërakademik, japin edhe konceptin e tyre mbi procesin e standardizimit në tërësi, dhe problematikave në nivel fonetik në veçanti.), po dhe për nivelet e tjera.

Natyrisht që testimi i përdoruesit tashmë është më i thjeshtë dhe ka infrastrukturë të nevojshme për të na ofruar të dhëna të sakta.

Paralelisht me këtë proces duhet që të mblidhen korpuset e niveleve të ndryshme të sistemit gjuhësor dhe nga këto korpuse të merren të dhëna, jo vetëm për standardin, po për shqipen në përgjithësi. Nga ky proces të hartohen pastaj gramatika deskriptive e jo vetëm preskriptive si kjo aktualja.

E kuptojmë se këto procese kërkojnë financime dhe grupe specialistësh të kualifikuar dhe jo thjesht me tituj, po nuk shohim në horizont asnjë lloj tentative as për t’i hapur për diskutim këto çështje. Nga pikëpamja shkencore nuk arrijmë ta kuptojmë këtë fakt.

Nga ana tjetër, vepra të tilla si këto të prof. Becit mbeten dëshmi e gjallë se si secili prej nesh duhet të punojë e të këmbëngulë në qendrimin e tij të mbështetur në argumente shkencore dhe jo në mllefe, ofendime, denigrim. Ato janë pjesë e trashëgimisë sonë profesionale që kanë krijuar mundësitë e duhura të orientimit shkencor në lidhje me zgjidhjet e mundshme të problematikës në fjalë.

Shpresojmë që në fund të përfundimit të karrierave tona profesionale t’ju kemi lënë brezave të përdoruesve produkte reale shkencore me vlerë e jo ta kemi mbyllur karrierën me “Libra që nuk do të kishim dashur t’i shkruanim”, si ai i Becit. /Gazeta “ExLibris”/

__________

Bibliografi
Bajron, J. (1976). Selection among Alternates in Language Standartization : The case of Albanian”, Mouton, Hage & Paris.
Beci, B. (2010). Historia e shqipes standard. ShBLSH e Re.
Beci, B. (2015). “Homo ideologicus” në shkencën shqiptare. Princi.
Beci, B. (2021). Përjetimet. UET Press.
Boriçi, L. (1991). Studime filologjike. N. 1.
Boriçi, L. (1991). Studime filologjike. N. 1.
Buxheli, L. (2014). Studime albanologjike. N.1.
Crowley, T. (2003). Standard English and the Politics of Language.
Ferguson, Ch. (1959). Diglosia.
Dodi, A. (1972) Studime filologjike. N.4.
Haugen, E. (1966). Language conflicts and language planning. Haëard University Press.
Haugen, E. (1972). Language planning, theory and practice. In E. Haugen (Ed.), The ecology of language: Essays (pp. 287–295). Stanford: Stanford Unversity Press.
Haugen, E. (1987). Blessings of Babel. Bilingualism and language planning. Problems and pleasures. Berlin, New York: Mouton de Gruyter.
Hickey, R. (2012).“Standard English and standards of English.” Standards of English: Codified Varieties around the World, edited by Raymond Hickey, Cambridge UP.
Ismajli, I. (2005). Drejtshkrimet e shqipes, Prishtinë.
Jorgaqi, K. (2014). Studime albanologjike. N.1.
Kostallari, A. (1970). Studime filologjike.
Kostallari, A. (1984). Studime filologjike.
Kostallari, A. (1985). Studime filologjike.
Lloshi, Xh. (1992). Kultura shqiptare para shqetësimesh të reja.Sot.
Milroy, J.& Milroy, L. (1985). Authority in language. Routledge.
MILROY, J. (2006), The ideology of the standard language. Routlege.
Pipa, A. (1989). Politikat e gjuhës në Shqipërinë socialiste.
Totoni, M. (1973). Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe. II.
Drejtshkrimi i gjuhës shqipe, 1973, Tiranë.
Fjalor drejtshkrimor i gjuhës shqipe, 1973, Tiranë.
Studime albanologjike, 2014. Tiranë.
http://www.panorama.com.al/le-te-kujtojme-porosine-e-cabejt-per-standardin/
https://www.researchgate.net/publication/324469698_Language_standardization_in_sociolinguistics_and_international_business_Theory_and_practice_across_the_table_Interactions_and_Policies_English_in_Europe_Volume_5
http://www.panorama.com.al/kujtimet-e-gjuhetarit-bahri-beci-si-u-shnderrua-konferenca-e-drejtshkrimit-ne-nje-kongres-partie/
Madje edhe emërtimi si kongres i veprimtarisë në 1972 u bë jo me paramendim gjuhësor, por në kuadrin e arritjeve të padiskutueshme të vendit e shkencës në Shqipërinë komuniste të kohës. Beci shprehet “Dhe askujt nuk i shkonte në mend në atë kohë se, shumë shpejt pas saj, do të organizohej një tjetër veprimtari shkencore që do të bënte të harrohej konferenca e organizuar nga Instituti i Historisë. E ky do të ishte Kongresi i Drejtshkrimit që është vlerësuar si “një fitore e vijës marksiste të PPSH-së për zgjidhjen e problemit të gjuhës sonë letrare kombëtare” https://liberale.al/perjetimet-e-nje-akademiku-si-bahri-beci/
http://www.panorama.com.al/le-te-kujtojme-porosine-e-cabejt-per-standardin/
Në lidhje me procesin e standardizimit gjuhëtari, të cilit i referohen gjerësisht është Einar Haugen. Ky përcakton katër faza në lidhje me këtë proces:
– selektimi i normës (përzgjedhja)
– kodifikimi i formës (gramatika, fjalorë etj.)
– elaborimi – përhapja (përhapja në shkollë, administratë, media)
– pranimi nga komuniteti
https://www.researchgate.net/publication/324469698_Language_standardization_in_sociolinguistics_and_international_business_Theory_and_practice_across_the_table_Interactions_and_Policies_English_in_Europe_Volume_5