Bienalja ndërkombëtare e artit bashkëkohor “Autostrada Bienale” ka publikuar programin e saj të edukimit formal dhe joformal. Bienalja u konsiderua si njëra nga ngjarjet më të rëndësishme në skenën e artit bashkëkohor, duke sjellë artistë nga e gjithë bota, përmes të cilëve u synua të tregohet se arti është gjithmonë bartës i risive, i hapjes, i ndryshimit dhe mbi të gjitha i lirisë.

Së fundmi Bienalja ka paraqitur publikisht edhe programin e edukimit përgjatë datave 2 deri më 20 shtatorit të vitit 2019.

Në një komunikatë për medie nga organizatorët, “Autostrada Bienale” u konsiderua si një rrugëtim që bashkon njerëzit pavarësisht përkatësisë nacionale, fetare e kulturore. “‘Autostrada Bienale’ nuk është vetëm një rrugë, është udhëtim që i bashkon njerëzit. ‘Autostrada Bienale’ e ka bërë qytetin dhe qytetarin pjesë tejet të rëndësishme të organizimeve të saj, duke i përfshirë ata, pavarësisht përkatësisë nacionale, fetare e kulturore, sepse ky ka qenë edhe vetë qëllimi i këtij organizimi, thyerja dhe zhdukja e kufijve, si dhe gjithçka që konsiderohet të jetë tabu në shoqërinë tonë”, vlerësohet në komunikatë që kanë përcjellë organizatorët.

Organizatorët kanë vlerësuar se përmes partnerëve të tyre strategjikë është arritur të stimulohet liria e shprehjes dhe e këmbimi kulturor, që kjo i ka drejtuar kah promovimi i mendimit demokratik. “Ne me qytetarët dhe me partnerët tanë strategjikë krijuam hapësira të reja ekspozimi, edukimi joformal, diskutimi dhe hapësira të reja reflektimi, duke stimuluar në këtë mënyrë lirinë e shprehjes, këmbimin kulturor, mendimin kritik dhe ruajtjen e tolerancës ndërkulturore e ndëretnike, me qëllim të promovimit të mendimit demokratik, të ruajtjes së mjedisit dhe të vlerësimit të trashëgimisë kulturore”, u tha mes tjerash.

Kur bëhet i ditur programi sqarohet se “Autostrada Bienale” vepron nëpërmjet tri programeve kryesore: Ekspozita Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor, Programi i Edukimit dhe Projektet në Bashkëpunim.

Edicioni i dytë i Bienales përfshin performanca, videoprojeksione, skulptura, instilacione arti, piktura, vizatime, ligjërata, punëtori, konferenca rajonale dhe shumë aktivitete të tjera edukative. Shumë nxënës nga shkollat fillore e të mesme, si dhe universitetet do të vizitojnë ekspozitat, të cilat do të jenë të shpërndara në gjithë qytetin. “Fëmijët, të rinjtë dhe studentët gjatë këtyre vizitave do ta kenë mundësinë të bëjnë pyetje, të reflektojnë rreth qytetit dhe trashëgimisë kulturore, barazisë gjinore, të drejtave të njeriut dhe konceptit të hapësirave të gjelbra”, përcjellin organizatorët.

Tutje deklarohet se programi i edukimit joformal i “Autostradës Bienale” si qëllim kryesor ka edukimin e brezave të rinj në frymën e artit bashkëkohor, duke e nxitur mendimin kritik, ndërsa parim kryesor ka gjithëpërfshirjen, pra një program i cili është për të gjithë. Po ashtu mësohet se të gjitha aktivitetet do të udhëhiqen nga ekspertë të fushave e që kjo konsiderohet të jetë edhe përparësi për Bienalen. “Të gjitha aktivitetet do të udhëhiqen nga ekspertë të fushave dhe ofrohen falas për të gjithë. Një program i ri gjatë edicionit të dytë quhet ‘Ditët e familjes’ ku prindërit inkurajohen të vizitojnë ekspozita dhe të marrin pjesë në programin edukativ së bashku me fëmijët e tyre”, thuhet në komunikatë.

Edicioni i dytë i Bienales po ashtu përfshin edhe realizimin e ligjëratave, të debateve dhe të punëtorive, njoftohet se studentët do ta kenë Bienalen si një pikënisje për krijimin e kontakteve të reja, bashkëpunimeve të reja me kuratorë dhe me artistë të ndryshëm ndërkombëtarë. Organizatorët vlerësojnë se që nga edicioni i parë Bienalja ka nxitur debate e lëvizje dhe përmes kësaj forme ajo ka ngritur ndikimin e saj në shoqëri. “Nga edicioni i parë Bienalja nxiti shumë debate dhe lëvizje që kanë për qëllim përdorimin e artit si formë të shprehjes dhe të artikulimit të debateve shoqërore. Në këtë formë bienalja e rriti edhe ndikimin e saj duke u shndërruar në një lëvizje të gjerë shoqërore për emancipim dhe edukim”, vlerësojnë organizatorët.

Ekspozita e “Autostrada Bienale”, kuruar nga Giacinto di Pietrantonio, profesor i historisë së artit në Akademinë e Breras (Milano) dhe kurator i rezidencave artistike “BoCs Art”, “Cosenza”. Di Pietrantonio, në fjalën e tij kuratoriale muaj më parë pati theksuar se “‘La Rivoluzione Siamo Noi’ e bën të mendojë jo aq shumë për revolucione politike, por për ato personale dhe në rastin e artit për ato gjuhësore. Ai pati vlerësuar se arti është gjithmonë bartës i risive, i hapjes, i ndryshimit dhe mbi të gjitha i lirisë. Kuratori e sheh artin si një shërbim estetik ndaj etikës.

Ekspozita e “Autostrada Bienale”, e kuruar nga Giacinto di Pietrantonio, është e hapur deri më 21 shtator dhe mund ta vizitoni atë çdo ditë, përveç të hënave, nga ora 12:00 deri në orën 18:00.