(Fragment)

Nga Ismail ARSLLANI

Për Durakun, ajo ditë ishte tepër e vështirë, e truar paksa, sikur shkordhej i tëri, rradakja i shkonte vrangull, një zabullimë e kishte ngufatur fytin, sytë e pulitur shihnin vagullt, tepja e kresë ishte gjithë e kërleshur…Në atë gjendje, me gjithë qenien e tij kishte mbërthyer me shikim nga distanca, një flutur të bardhë, me pika të zeza, në atë tavan të gdhendur prej rozetash. Ajo, me një pamje engjëllore, afrohet ngadalë, pa hetuar, ashtu siç afrohet një puhizë, erë bjeshke që ledhaton fytyrën, pastaj kridhet nga qafa. Ai hap jakën dhe shkopsit këmishën, flladi depërton nga shpatullat. Ai kthen pozitë, ndërkaq shtëllunga e freskët përfshin gjoksin. Pastaj, ai bën një rrotullim, si në vegim…

          Përpara syve i paraqitet lugina e lumit. Ai ecë e ecë, nëpër luginë. Një lagështi uji prej lumi freskon shalët. Ajo humb nga pamja e tij, sikur një perde e zezë e mëndafshtë i bën një terratisje. Ai humb kreshtën e kresë. Një gurgullimë uji i fuqishëm merr tatëpjetën, drejt te gurët e mullirit. Bluan-bluan, zhurmshëm, pastaj shteret uji. Gurët rrethorë ndalin atë rrotullim dhe, përnjëherë, gumëzhitja pushon në kraharorin e tij, për t’u mbërthyer nga një qetësi absolute. Një rropatje zemre dëgjohet pa pra…

          Në atë moment kishte mbetur pa frymë. Kur mori veten, brofi nga ajo pozitë e shtrirë, vuri përkresën te shpina dhe mbuloi fytyrën me të dy duart.

          “Ç’ishte kjo ëndërr e çuditshme, kush ishte ajo? Herë paraqitej si Flutur, herë si Rrona e herë si Azra…?”, belbëzoi më vete.

          Pastaj fshiu djersët e ballit me peshqir dhe doli në dhomën e madhe. Qëndroi më këmbë pranë dritësores, pa e ndezur llambën e gazit, hodhi një shikim të largët në atë pjesë të qiellit ndezur prej yjesh, mendimet i shkuan diku larg, ndërsa trupin e kishte lënë aty. Këtë e vërejti vetëm atëherë, kur lehu qeni i tij në kuvli të avllisë. Pas lehjes së qenit, një zë femre, drithëruese, kumboi me gjithë fuqinë e gurmazit, në atë errësirë nate.

          “Durak…Duraaak…!”

          Ishte Rrona, tepër e trishtuar.

          Duraku doli jashtë me fërtymë.

          “Ç’kërkon ti, këtu, Rrona!”

          “Ku je Durak, unë të prita gjithë kohës te Mulliri i Vjetër, ti nuk erdhe…!”, shpërtheu gati në vaj, Rrona, e cila e kishte humbur toruan.

          Azra, me të dëgjuar ato thirrje të zhurmshme, doli në dritare. Siluetën e saj e pa Rrona dhe gati se u tërbua.

          “Derisa unë pritja te Mulliri i Vjetër, ti paske qenë me këtë vajzë?”

          “Lëre ti atë punë…Ç’është kjo që ke në dorë?”

          “Pistoletë…është e Drenit. Po të vije ti në atë vend…do të shtinte mbi trupin tënd…!”

          “Po ti ç’bëre, Rrona, mos e ke vra…? Ku është Dreni…?”

          “S’e di, e lashë te Mulliri i Vjetër, ashtu të plagosur!”

          Duraku, gjithë i tmerruar, shaloi atin dhe me të katra mori shtegun e Mullirit. Rrona, çehrengrysur, me lot në sy, shikoi siluetën e asaj vajze në dritare dhe me një mllef shpirti u fut brenda.

          Në atë bregore të lumit, Dreni i plagosur në krahun e djathtë, pranë Mullirit të Vjetër, përpëlitej në kullosë nga dhembjet therëse.

          “Jo, jo, Rrona s’më do dhe asnjëherë s’më ka dashur…!”, pëshpëriti nën zë, mes dhembjeve, Dreni.

          Pushoi paksa dhe vazhdoi të flasë më vete:

          “Duraku s’erdhi këtu, ndonëse e kishte ftuar Rrona, ish e dashura e tij, me atë letër që më ra në duar…S’erdhi, sepse atë e kam vëlla, vëlla të vërtetë…nuk deshi të më tradhtojë, të më prishë punë…për shkakun tim s’erdhi, e dija…!”

          BALLAFAQIMI…!

          Azra ndezi llambën e vajgurit, derisa Rrona shëtiste andej-këndej nëpër dhomë, tej mase e shqetësuar. S’dinte ç’të mendojë: Drenin që e la të plagosur, Durakun që shkoi pas tij apo këtë vajzë në dhomën e Durakut, të cilën e kishte takuar vetëm një herë në jetë, në çarshinë e kasabasë.

          “Mos u shqetëso, Duraku do ta gjejë Drenin!”, i tha me zë të mekur, Azra, e cila pasi u largua një çik herë, u kthye me një gotë çaji prej lulesh që i ofroi Rronës, e cila  shikoi mbi vetulla.

          Dreni vagabond kishte gjetur strehim te një mik i tij, i cili solli mjekun që t’ia lidhte plagën. Ai nuk deshi që këtë ndodhi ta përhap, aq më shumë kujdesej që ky lajm mos arrinte në konakun e tij dhe te veshët e babait të vet, satrap. Në ndërkohë, dikush trokiti te dera. Miku e hapi derën dhe e njohu Durakun, të cilin Dreni e konsideronte si vëlla.

          “Durak, si më gjete këtu?”

          “Leri ato muhabete…hajde shkojmë në shtëpi!”

          “S’mund të vij me ty…unë të kam tradhtuar, por ti jo! Ti nuk erdhe në takim me Rronën te Mulliri i Vjetër, shkaku im!”

          Duraku kishte kyçur gojën. Shikonte mjerimin e Drenit, drejt në sy. Ai priste një reagim, ndonjë fjalë, por Duraku ishte bërë memec. Dreni priste që ta qortojë, që t’i thotë fjalët më të këqija që i di për të, por jo…heshtje, heshtje që vret.

          “Fol diçka, të lutem, më qorto, thuaj çka të duash, vetëm mos rri ashtu, në heshtje, mbi kokën time!”

          Dreni doli nga lëkura e vet, u ngrit në këmbë, përgjërohej…

          “Fol diçka, Durak, ne jemi vëllezër…çka do thuash ti atë do e bëj, të lutem…nëse më thua, lëre Rronën, do ta lej…!”

          “Mos fol gjepura…Ti mendon se nuk erdha te Mulliri i Vjetër për shkakun tënd? Jo! Nuk erdha se nuk i besoj më Rronës…!”, shkrepi, më në fund, Duraku.

          Në konakun e Durakut, në atë çiflig, në atë dhomë të madhe, zhvillohej një dramë tjetër jetësore. Rrona e mbante në dorë çajin prej lulesh mali. Diçka po përziente në rradaken e saj.

          “Ajo xhaketë në trupin tënd a është e Durakut?”

          “Po, ma dha atëherë kur dolëm nga uji dhe unë kisha ethe…! Unë isha hedhur në ujin e lumit…!”

          “Për çfarë shkaku?”

          “Ika nga babai, i cili donte të më martojë me një njeri plak dhe thash, më mirë vdes…!”

          “Mirë, ç’lidhje ka kjo punë me Durakun?”

          “Ai më ndihmoi…deshi të më çojë te shtëpia, unë e kundërshtova, ndaj dhe u hodha në ujë…Duraku u hodh pas meje dhe më shpëtoi nga mbytja…pastaj më solli këtu!”

          Ky rrëfim i Azrës e trishtoi Rronën, e cila u kridh aq thellë në mendime, sa që humbi e gjitha nga kjo botë, s’dinte pse kishte ardhur aty dhe pse nuk largohej prej aty, s’dinte të përgjigjej më tej në pyetjet që i bënte Azra dhe nuk reagonte as kur e trandi trupin e saj. I kishte zgurdulluar sytë, ndërsa shikimin e kishte lënë diku larg, tej atyre dritareve, tej asaj errësire nate.