Ylber Hysa

Sir Arthur Evans, pionieri i arkeologjisë dhe hulumtimeve të para të civilizimit të Egjeut të periudhës së bronzit, i njohur me zbulimin e tij të pallatit të famshëm të Knossosit në Kretë dhe kulturës minoike, që bëri dallimin mes shkrimeve lineare A dhe B, nga të parat në truallin evropian, është marrë edhe me gjurmët ilire në Kaçanik.

Ai, në veprën e tij të njohur e shumëpërfshirëse, “Antiquarian Researches in Illyricum” (London, 1883-1885), ndër të tjera, sjell një zbulim për fiset ilire dhe Dardaninë, kur e vë në pah tek opinioni shkencor perëndinë dardane, Andinin (të gjetur në Runjevë), të cilin ai përveçse e cilëson si zot ilir, e kuptimëson me shpjegimin se i takon listës së emrave të njohur ilirë edhe nga gjetiu, shkruan KOHA.

Evans me këtë rast sjell edhe monumentin e gurit mileniar romak, i cili është gjetur në shtrat të lumit Lepenc dy kilometra tutje Kaçanikut, që është i veçantë sepse përmend perandorin romak Emilian, që sundoi vetëm 4 muaj, dhe është i rrallë ndër monumente.

Evans po ashtu përmend Kaçanikun e vjetër si stacion romak me plot shenja arkeologjike.

Përshkrimi i Evansit për këtë hapësirë dhe logjikën gjeografike është monumental:

“Nga Ulpiana, nëpër këtë udhë maqedonase kah gryka e Kaçanikut, kalon si një aveny natyrore rruga në mes të fushës së Kosovës dhe pjesës më jugore të fushës dardane, që shkon në qytetin metropolitan Scupi, Shkupi i tanishëm”.

Evans vazhdon vështrimin e tij të hollë: “Disa milje përtej Elez-hanit hapet kalimi kah fusha e gjerë e Vardarit të Epërm, nëpër të cilën kalon rruga romake te Shkupi i sotshëm, metropoli i moçëm dardan, ndërsa rruga e tanishme kthehet duke lënë djathtas vijën e moçme që të çon kah harqet e akuaduktit të vjetër të qytetit bashkëkohor Skopia, apo Üskup./koha.net/