Zadie Smith (1975) është autore e romaneve White teethThe Autograf Man, On Beauty, NW , Swing Time dhe The Fraud; përmbledhjeve me ese Changing My Mind dhe Feel Free dhe përmbledhjes me tregime Grand Union, prej nga është marrë tregimi Dialektika.

Do të doja të kisha marrëdhënie të mira me kafshët’, ia bëri me dije gruaja bijës së vet. Ishin ulur në plazhin ranor të Sopotit, me shikimin kah deti i ftohtë. Djali i madh kishte shkuar tek arkada. Binjakët ishin në ujë.  

‘Por ti nuk ke’, iu çor e bija. ‘Ti nuk ke fare!’.

Ishte e vërtetë. Ajo që gruaja kishte thënë ishte e vërtetë, në mëtim, por ajo që kishte thënë vajza ishte e vërtetë, po ashtu, në realitet. Gruaja, meqë përmbante veten nga mishi i lopës, derrit dhe qengjit, ha – me shumë shije – ca lloje të tjera të kafshëve dhe peshk dhe vë jashtë letër për kapjen e mizave gjatë verës në kuzhinën mbytëse të apartamentit të tyre të vogël në qytet dhe njëherë (duke qenë se vajza e saj s’e dinte këtë) i kishte rënë shqelm qenit të familjes. Gruaja kishte qenë shtatëzënë me fëmijën e saj të katërt, atëkohë, dhe me temperament. Në atë moment i ishte dukur se qeni ishte përgjegjësi e tepërt për të.

‘Nuk thashë se kam. Thashë do të ma kishte ënda të kem’.

Vajza qeshi torturueshëm.

‘Fjalë goje’, tha ajo.

Në të vërtetë, në atë moment gruaja mbajti një krah gjysmë të ngrënë pule në dorën e saj, të ngritur lart në mënyrë të çuditshme që të mos e linte të binte në rërë dhe qe forma e dukshme e eshtrave në krahun e pulës dhe pamja munduese e lëkurës së hollë të pjekur të nderë përreth atyre eshtrave, që ia kishte sjellë atë gjë në mendje.

‘Ky vend ma shpif’, tha e bija, në fund. Po e shikonte rojën bregdetare, i cili edhe njëherë duhej të ecte nëpër errësirë t’i thoshte personit të vetëm që po lahej – vajzës së vëllait të vet – të mos e kapërcente shenjën. Ato nuk po notonin – nuk mund të notonin. Në qytet nuk kishte ujë ku mund të merrnin mësime dhe shtatë ditët që i kalonin për çdo vit në Sopot nuk ishin të mjaftueshme për ta mësuar. Jo, ato po kërcenin në valë, përplaseshin prej tyre, nuk mund të mbaheshin në këmbët e tyre si krijesa të sapolindura, faqet e tyre të hirta me lym të çuditshëm që e vishte plazhin, si një njollë e madhe që Zoti e kishte përvijuar përreth vendit me gishtin e madh të përlyer.

‘Nuk ka kuptim’, vazhdoi e bija, ‘të ndërtosh një qytet rezort përreth një deti kaq të fëlliqur dhe jo mikpritës’.

Mamaja e saj u përmbajt. Ajo kishte ardhur në Sopot me mamanë e vet dhe mamaja e saj në kohën e saj me mamanë e saj. Në dyqind vjetët e fundit njerëzit kishin ardhur këtu për t’iu ikur qyteteve dhe për t’i lënë fëmijët e tyre të vrapojnë si t’ua ketë ëndja nëpër sheshet publike. Natyrisht lymi nuk ishte i fëllqitë, ishte natyror, sado që askush nuk i kishte thënë gruas kurrë se çfarë forme natyrore kishte. Ajo dinte vetëm të sigurohej që natën t’i pastronte të gjitha kostumet e tyre në sqollin e hotelit.

Dikur vajza e gruas e kishte shijuar detin e Sopotit dhe gjithçka tjetër. Pambuksheqeri dhe makinat e ndritshme imituese me bateri – ferrari dhe mercedes – të cilat mund t’i ngasësh me hir a me pahir rrugëve. Ajo e kishte, si të gjithë fëmijët që vijnë në Sopot, shijuar t’i numëronte hapat e vet teksa ecte buzë oqeanit, përgjatë shtegut të famshëm me dërrasa. Sipas pikëpamjes femërore, gjëja më e mirë sa i përket qytetit rezort si ky ishte se ti bën çkado që bëjnë të tjerët, pa e vrarë mendjen, duke shkuar e ardhur si kope. Për një familje pa baba, siç ishte e tyrja tash, ky aspekt kolektiv ishte kamulfimi i përsosur. Nuk kishte njerëz me vete aty. Në qytet, gratë ishin e kundërta dhe me vete, një lloj i veçantë i pafat me vete, me barrën e katër fëmijëve pa baba. Këtu ajo ishte vetëm një tjetër grua që po blinte pambuksheqeri për familjen e saj. Fëmijët e saj ishin si të gjithë fëmijët e tjerë, fytyrat e tyre të nxira nga retë e mëdha të sheqerit të tjerrur rozë. Veçse këtë vit, për aq sa vajza e saj ishte e shqetësuar, kamuflimi s’pinte ujë më.  Se ajo ishte në rrugë të bëhej grua vetë dhe nëse hyn në njërën prej atyre makinave lodra luksoze gjunjët e saj mund t’ia prekin mjekrën. Në vend të kësaj ajo kishte vendosur të ishte e neveritur nga gjithçka në Sopot, me nënën e vet dhe me botën.

‘Është një aspiratë’, tha mamaja, qetësisht. ‘Do të doja të shihja në sytë e një kafshe, të çfarëdo kafshe, dhe të jem në gjendje të mos ndihem fajtore për çkado’.

‘Mirë de, atëherë kjo s’ka asgjë të bëjë me vetë kafshën’, tha vajza me prapësi, duke hequr më në fund peshkirin e saj dhe duke ia zbuluar trupin e saj të çmueshëm prej adoleshenteje diellit dhe ngordhalaqëve që ajo tash besonte se po e përgjonin ngado, mbrapa çdo qoshku. ‘Gjithçka sillet rreth teje, si zakonisht. Prapë e zeza! Mama, kostumet vijnë me ngjyra të ndryshme, ti e di. Ti e shndërron gjithçka në funeral’.

Barka e vogël prej letre në të cilën e kishte mbajtur pulën e pjekur mund të kishte fluturuar. Dukej se nuk kishte rëndësi sa nxehtë bëhej Sopoti, se aty gjithmonë do të fryjë kjo erë verilindore, valët do të ngrihen lart si ‘kuaj të bardhë’ dhe shenja parandaluese e rojës bregdetare do të ngrihet lart dhe kurrë s’do të ketë kohë të sigurt për t’u larë. Është zor të bësh jetën që dëshiron. Tash ajo ua bënte me dorë fëmijëve të saj, të cilët po ashtu po ia bënin me dorë asaj. Por ata ia kishin bërë me dorë thjesht që ta tërhiqnin vëmendje e saj, kështu që tash ajo mund t’i shihte si i përdredhin gjuhët në buzët e tyre të poshtme, se si i rrasin duart e tyre nën sqetullat e tyre dhe rrëzohen nga të qeshurat kur ndonjë valë e madhe përplaset për tyre. Babai i tyre, i cili fare lehtë mund të kishte qenë – për aq sa i përkiste çdonjërit në Sopot – pas qoshkut të radhës, duke blerë më shumë pije freskuese për familjen e vet, në të vërtetë kishin emigruar në Amerikë dhe tash po ndreqnin dyer makinash në makinat e ndonjë ferme gjigante, në vend se të jenë ko-menaxherë të ndonjë garazhi të vogël, siç e kishte pasur njëherë fatin të ishte, para se të ikte.

Ajo nuk kishte thënë fjalë të këqija për të as s’e kishte sharë për budallallëkun e tij para fëmijëve. Në këtë kuptim, ajo nuk mund të qortohet për thartësinë e bijave të saj as për pamaturinë dhe pakujdesinë e bijve të saj. Por, privatisht ajo shpresonte dhe imagjinonte se ditët e tij ishin të këqija, të errëta dhe se jetonte në një lloj të veçantë mjerimi që ajo kishte dëgjuar se mund ta ofrojnë qytetet amerikane. Derisa bija e saj po vinte atë që dukej vaj kuzhine mbi lëkurën e nderë të barkut të saj, gruaja e rrasi në mënyrë diskrete krahun e pulës në rërën përpara, shpejt e shpejt, tinëz, duke hedhur më shumë rërë përmbi të, si të ishte një copë muti që po e groposte. Dhe zogjtë e vegjël, me qindra mijëra, mbase me miliona, kalojnë nëpër linjën e grumbullimit, për çdo ditë të javës, dhe seksdalluesit e pulave i kthejnë mbrapshtë dhe i palosin të gjithë meshkujt në tinarët e mëdhenj të bluarjes ku grihen për së gjalli.

/Zadie Smith ‘Grand Union’, Penguin, 2020

/Përkthimi Gazeta Express