“   Në Prizren takova anëtarët e Komitetit Vendor të Tetovës, Gostivarit e Kërçovës, të cilët kishin ardhur në Kongresin e Lidhjes II të Prizrenit. Anëtarët e pjesëtarëve të komitetit të Tetovës ishin këta personalitete: Baba Qazimi, Sherif Mina, Ahmet Efendiu dhe Nexhmedin Besimi si sekretar i Komitetit dhe Hysen Deralla si kryetar i Komitetit, kishin ardhur në cilësi të delegatëve në Prizren…. Me propozimin tim u pajtuan të gjithë që në mbrëmje të mbajmë një konferencë me pjesëmarrjen e të gjithëve në hotelin “Çajtore”. Në atë mbledhje ishin prezent, nga Tetova: Baba Qazimi, Sherif Mina, përndryshe deputet i Tetovës, hoxha Ahmet Efendiu dhe Nexhmedin Besimi, ndërsa vëllai im Hysen Deralla për shkaqe personale tregtare nuk mori pjesë, duke thënë se ai pajtohet me qëndrimin e Baba Qazimit dhe Sherif Minës; nga Gostivari: Kadri Saliu- përndryshe deputet nga Gostivari, Remzi Debreshi, gjithashtu deputet nga Gostivari dhe i riu Nexhmedini /mbiemri i të cilit nuk më kujtohet, përndryshe gostivaras, i cili kishte kryer shollën e mesme tregtare në ish Jugosllavi, asaj kohe shef i sektorit për financa, e tash diku në Amerikë/; nga Kërçova, Shaban Efendiu, njëkohësisht deputet në Tiranë, ndërsa nga Struga Remzi Beu, i quajturi ‘enciklopedia e kombit tonë shqiptar’. Atë (Remziun) e njihja shumë mirë që në kohën e luftës politike të partisë me forcë të emërtuar Xhemijet dhe e njihja si një mendimtar i Nexhip Dragës, Ferat Dragës, Halim Derallës, Hamdi dhe Inajet Ohri me shokët, të cilët që asaj kohe kërkonin kthimin e tokave shqiptare të konfiskuara me Reformën Agrare, të drejtën e shkollimit të shqiptarëve në gjuhën amtare fillore e të mesme, ndërprerjen e shpërnguljes për në Turqi. Kur në shtëpinë tonë, e cila tash është spital, e kritikoi në mbledhje bashkëmendimtarin e tij Ferat Dragën për paraqitjen e tij tepër të nervozuar kundër Ninçiçit /nëse nuk gaboj, me atë rast Ferat Draga iu përgjigj Ninçiçit me nervozë: “ne nuk do të presim derisa ju nuk i qetësoni shpirtrat në kuvendin kombëtar, gjendja e shpirtrave tuaj nuk na tangon neve, i kërkojmë të drejtat tona”, dëshmonin Ferat Draga së bashku me vëllanë tim/.  Sipas Remzi Beut: “në rastin e parë, shteti do të përpiqet që me çdo kusht t’i rrënojë, prandaj nuk është dashur atë ta bëjnë”. Ashtu edhe ndodhi, në zgjedhjet e vitit 1925, megjithëse përfaqësuesit tanë nëpër Kosovë e Maqedoni, fituan në zgjedhje, kjo e drejtë iu pamundësua, duku u thënë se ata nuk janë të dhëna të sakta, pastaj duke i përdorur bajonetat e xhandarmërisë me të vetmin qëllim t’i rrënojnë ata, njëri ndër ata ishte edhe Shaip Pirroku, kundër Halim Derallës. Prandaj dëshira ime ishte ta dëgjoj se çfarë do të thotë ai luftëtar i vjetër i kauzës kombëtare për situatën e atëhershme, aq më tepër se në atë takim të parë në mënyrë sistematike heshte dhe dëgjonte, dhe propozimin tim për mbledhje i pari e pranoi…”. (Nga rrëfimet e Gajur bej Derallës, Qerim Lita, “Tokat e liruara”, Vëllimi III)