Pragmatisti mbërthehet pas fakteve dhe konkretes, e zvogëlon të vërtetën në raste të veçanta dhe pastaj përgjithëson

PRAGMATIZMI

Kush për çka / William James: Pragmatizmi

Pragmatisti mbërthehet pas fakteve dhe konkretes, e zvogëlon të vërtetën në raste të veçanta dhe pastaj përgjithëson

PRAGMATIZMI

Lexo Edhe:

Përfundoni me dhimbjen e kyceve në një kohë të shkurtër me këtëShkëndijë mes kaosit mendor shqiptar – Gazeta Express

Pragmatizmi përfaqëson një qëndrim plotësisht të njohur në filozofi: qëndrimin empirist, por sipas meje e përfaqëson në formën më radikale, më pak të qortueshme që ka marrë ndonjëherë. Pragmatizmi u kthen kurrizin njëherë e mirë shumë zakoneve të ngulitura, që u kushtojnë shtrenjtë filozofëve profesionistë. Ai u braktis abstraksionin dhe pamjaftueshmërinë, zgjidhjet verbale, arsyet e këqija a priori, parimet fikse, sistemet e mbyllura dhe absolutet e origjinat e rreme. I drejtohet konkretësisë dhe përshtatjes, faktit, veprimit, fuqisë. Kjo e shpall fitimtar temperamentin empirist, kurse temperamentin racionalist, të humbur, pra kemi fitoren e hapësirës dhe mundësive të natyrës mbi dogmën e artificialitetitin dhe të së vërtetës mbi përfundimet e rreme. Në të njëjtën kohë nuk paraqet ndonjë rezultat. Është thjesht një metodë.

Në metodën pragmatike nuk ka absolutisht asgjë të re. Sokrati ishte mjeshtër në të. Aristoteli e përdorte me mençuri. Me anë të saj, Locke-u, Berkeley dhe Hume-i i dhanë kontribute serioze të vërtetës. Shadworth Hodgson këmbëngul se realitetet s’janë gjë tjetër veçse ‘ashtu siç njihen’. Por këta pararendës të pragmatizmit e përdorin atë vetëm pjesërisht: ata bëjnë vetëm parathënien. Vetëm në kohën tonë ai arriti të përgjithësohej, të ndërgjegjësohej për një mision universal, paracaktuar nga fati për të triumfuar. Unë besoj tek ai fat dhe shpresoj që deri në fund të arrij t’ju ngjall edhe juve të njëjtin besim.

Metafizika ka rendur zakonisht pas gjëegjëzash shumë primitive. Ju e dini se si i ka tërhequr gjithmonë njerëzit magjia e jashtëligjshme dhe e dini se ç’rol të rëndësishëm kanë luajtur FJALËT në të. Nëse i di dikujt emrin e shpirtit ose formulën e magjepjes që i bën efekt, atëherë mund t’i kontrollosh intelektin, ndjenjat, çfarëdolloj fuqie. Solomoni i dinte emrat e të gjithë shpirtrave, ndaj i bënte ata t’i nënshtroheshin vullnetit të tij. Pra, universi për mendjene zakonshme ka qenë gjithmonë një lloj enigme që e ka çelësin në formën e ndonjë fjale apo emri të ndritur e fuqidhënës. Ajo fjalë është PARIMI i botës dhe ta zotrosh, do të thotë të zotrosh vet universin. ‘Zot’, ‘Lëndë’, ‘Arsye’, ‘Absolute’, ‘Energji’ janë shumë nga emrat që japin zgjidhje. Po t’i kesh, mund të flesh i qetë. I ke dhënë fund gjëegjëzës tënde metafizike. Por, po të ndjekësh metodën  pragmatike, nuk mund të gjesh fjalë për ta zgjidhur atë. Nga çdo fjalë mund të nxjerrësh vlerën e saj të mëvetësishme, ta gjurmosh në përvojën e përftuar.

Pragmatizmi na i shtendos teoritë, na i ushtron, i vë në punë. Meqë nuk është diçka krejt e re, mund të gjenden ngjashmëri të tij me shumë tendenca antike filozofike, p.sh., me nominalizmin, për faktin se u drejtohet gjërave në veçanti, me utilitarizmin, që thekson aspektin praktik, me pozitivizmin, që përbuz zgjedhjet verbale, çështjet e kota dhe abstraksionet metafizike. Ndryshe nga racionalizmi si metodë dhe supozim, pragmatizmi është agresiv.  Por si zgjidhje, nuk ofron rezultate të caktuara. Nuk ka as dogma, as doktrina që ta mbrojnë.

Kështu, metoda pragmatiste nuk ofron rezultate të veçanta, por vetëm një tendencë orientuese. Tendencën për të mos u përqendruar te gjërat fillestare, parimet, “kategoritë” që konsiderohen si të nevojshme, por për t’iu drejtuar gjërave përfundimtare, fytyrave, pasojave, fakteve.

Pragmatisti mbërthehet pas fakteve dhe konkretes, e zvogëlon të vërtetën në raste të veçanta dhe pastaj përgjithëson. Për të, e vërteta bëhet emër klasifikues për gjithë vlerat e caktuara që veprojnë në përvojën e tij. Për racionalistin ajo mbetet thjesht abstraksion tek emri i thatë i të cilit duhet të mbështetemi. Teksa pragmatizmi merr përsipër të tregoj  imtësisht PSE duhet të mbështetemi, racionalisti nuk është në gjendje të përshkruaj konkreten nga ku merr nismë abstraksioni i tij. Pastaj na akuzon për MOHIM të së Vërtetës; ndërsa ne vetëm përpiqemi të kuptojmë sa më qartë pse njerëzit e ndjekin dhe duhet të vazhdojnë ta ndjekin. Ultraabstraksionisti tipik i hynë dridhmat para konkretes: mbi të gjitha, ai preferon të zbehtën, fantazmagorinë. Po t’i ofroheshin në dy universet, do të zgjidhte gjithmonë përvijimet kockë e lëkurë në vend të shkurrnajës së shëndetshme të realitetit. Është shumë më i pastër, më i kthjellët, më fisnik.             

/Marrë nga William James ‘Pragmatizmi’, me përkthim të Manjola Nasi, “Plejad”, Tiranë 2005/