Tetraptik

Mendimin tuaj,
që ëndërron në trurin e butë,
si lakeu i dhjamur mbi kanapenë me zdral,
do ta tall me zhelen e përgjakur të zemrës;
gjersa të ngopem, idhnak e brutal.

Nuk kam në shpirt fijeflok të thinjur,
dhe as brishtësi plakushi – kurrfarë!
Duke trandur botën me fuqinë e zërit,
kaloj i bukur,
njëzetedyvjeçar.         10

Delikatë!
Ju dashurinë në violinë e shfreni.
Egërshani me tupan e shpreh këtë muzë.
Por veten, si unë, së prapthi s’e ktheni,
ku të ketë vetëm buzë!

Ejani të mësoni pra –
nga dhoma e pritjes veshur basma,
e rangut engjëllor ti, nëpunëse sublime
që qetazi shfleton buzët paprâ,
si gjellëbërësja faqet e një libri kuzhine.      20

A doni –
të jem prej mishi të tërbueshëm
– mandej, si qielli, duke ndërruar tone –
dëshironi –
të jem i brishtë, i paqortueshëm
jo burrë, por re me pantallona!

Nuk besoj, se ekziston Nica floreale!
Por me mua rish do të lëvdohen soje
burra të ndenjur si spitalet,
dhe gra si proverba dalëboje.     30

1

Ju mendoni se po flet përçart malaria?

Kjo ndodhi,
ndodhi n’Odesë.

“Do vij në katër”, – tha Maria.

Tetë.
Nëntë.
Dhjetë.

Ja dhe mbrëmja
me ankthin e natës
shkau dritaresh,     40
e zymtë,
e dhjetortë.

Rrëgjuar në shpinë hingëllijnë shandanët
e qeshin fort.

Kështu s’do më njihnit kurrsesi:
bina dejkërcyer
rënkon,
shkëpurdhet.
Ç’mund të dëshirojë një shkëmb si ky?
Po shkëmbit shumë gjëra i duhen!            50

Se për veten s’ka rëndësi
as që je bronz i rëndë,
as për ftohtësinë – hekur të zemrës.
Natën ke qejf që gulçimin tënd
ta ndrysh në butësinë
e femrës.

Dhe ja,
stërmadh,
kërrusem në dritare,
ngjesh ballin në qelq.            60
Do të vijë dashuria apo jo?
Cila –
e madhe apo imcake?
një trup i tillë të madhen ç’e do:
duhet të jetë një e vogëlth fare,
një e qetë dashurizë.
Që ta tromaksin boritë e makinave.
Që të pëlqejë zilkat e kuajve.

Sërish e sërish,
zhytur me fytyrë në shi,        70
në fytyrën lije vrarë,
pres,
i stërpikur me gjëmimet e fortunalit qytetar.

Mesnata shiut me thikë iu qep,
e arriti,
e theri, –
e humbi atje!

U këput ora dymbëdhjetë,
si koka e të ekzekutuarit përdhe.

Shirat e hirtë u përpoqën,         80
sajuan të tilla grimasa
pas xhamit,
a thua se vunë kujën kimerat
e Katedrales së Notrë-Damit.

E mallkuara!
Edhe këtë mangut kisha?
Goja saora do të shqyhet në klithma.

Dëgjoj:
pa bëza,
si i sëmuri nga shtrati,           90
kërceu një nerv.
Dhe ja, –
tepara u çapit
mezi-mezi,
mandej nisi të rendë,
i trazuar,
i përpiktë.
Tashmë ai dhe dy të tjerë pothuaj
rrahin dëshpërimthi dyshemenë me shuaj.

Suvaja në katin përdhes u shemb.        100

Nervat –
të mëdhenj,
të vegjël,
mizëri! –
kërcejnë të tërbuar,
dhe ja
nervat nuk mbahen në këmbë tani!

E zvarget e zvarget nata në dhomë, –
prej llurbës s’del dot syri i rënduar.

Dyert befas gërvinë me tërsëllëmë,              110
mu sikur hotelit
t’i dërrmoheshin dhëmbët.

Hyre ti,
e prerë, si “na, pra!”,
kamoshin e dorezave duke ndukur
tha:
“e dini –
do martohem”.

Epo, martohuni,
S’ka gjë.           120
Do duroj.
E shihni? Kurrfarë firome.
Ashtu si pulsi
i një kufome.

Ju kujtohet?
Ju thonit:
“Xhek Londoni,
paratë,
dashuria,
pasioni”, –          130
po unë veç një gjë shihja:
ju ishit Xhokonda,
të cilën duhej ta vidhja!

Dhe ma vodhën.

Sërish i dashuruar do të hyj në lojë,
me zjarr tek ndriçoj të vetullave hark.
Epo mirë!
Edhe në shtëpinë e djegur plojë,
herdokur gjejnë strehë endacakët!

Më tallni?         140
“Më pak se ç’ka një lypës kopekë,
smeralde çmendurie ju keni”.
Por mbajeni mend!
Pompeu vdiq,
kur Vezuvin tallën pompeasit!

Hej!
Zotërinj!
Amatorë
sakrilegjesh,
luftërash,              150
krimesh në jetë –
po më të tmerrshmen
e keni parë
fytyrën time,
kur
jam
absolutisht i qetë?

Dhe e ndjej –
“uni”
për mua është pak.        160
Dikush prej meje po rreh të dalë doresh.

Alo!
Kush po flet?
Mama?
Mama!
Yt bir u sëmur mrekullisht!
Mama!
Ka zjarrin e zemrës si duket.
Thuaju motrave, Ljudës dhe Oljas, –
se vend nuk gjen ku të futet.            170
Çfarëdo fjale,
dhe shaka makar,
nga goja e tij e përflakur,
hidhet si prostitutë lakuriqe
prej shtëpisë publike që ka marrë zjarr.

Njerëzit nuhasin –
kundërmon shkrumb!
Ia behën disa.
Me kaska!                180
Shkëlqime
Mos hyni me çizme!
U thoni zjarrfikësve:
në zemrën që digjet hyhet me ledhatime.
Ia dal vetë.
Sytë me lot i tund si dy voza.
Më lini të mbështetem pas brinjësh.
Hidhem! Hidhem! Hidhem! Hidhem!
U shembën.
Nga zemra dot nuk hidhesh!

Në fytyrën që digjet          190
prej të çarës së buzëve
një puthje e përcëlluar shtat hodhi.

Mama!
Nuk mund të këndoj.
Në kishën e zemrës ka zënë vend kori!

Figurina të përzhitura fjalësh e numrash
nga kafka,
si fëmijët nga godina që digjet ranë.
Kështu me tmerrin
që kapej për qiell            200
lartonte
duart e djegura “Luzitana”.

Njerëzve që dridhen
apartamentesh të qeta
shkëlqimi nga moli u hyn me qind sy.
O britmë e mbrame, –
që unë po digjem
rrënko të paktën në shekuj ti!

2

Lëvdomëni!
Të mëdhenjve s’ua kam vaktin.          210
Mbi gjithçka që është krijuar,
“nihil” shënoj.

Kurrë
asgjë s’ia vlen të lexoj.
Libra?
Ç’libra!

Më parë mendoja –
librat bëhen kështu:
erdhi poeti,
hapi pak buzët,            220
dhe këndoi sakaq kuturu –
ju lutem!
Por tjetër na qenkësh –
para se të këndosh
rropatesh sa kallo dalin prej fërkimit,
gjersa heshtur llapashitet në llurbën e zemrës
peshku budalla i përfytyrimit.
Derisa të ziejnë, duke cicërirë me rima,
prej dashurish e bilbilash një çorbë me gjasë,
rruga kutullohet e pagjuhë –            230
ajo s’ka me se t’vikasë e të flasë.

Kullat e Babelit në çdo qytet,
sërish do t’i ngremë, krenarë
ndërsa zoti vetë
qytetet me plug
do rrafshojë,
duke përzier fjalët.
Rruga duroi në heshtje mbytaz.
Bishti i një klithme u ngrit kas.
Taksitë topolake iu furën kryqas          240
dhe karrot skilepece i ngecën në gurmaz.
Kraharori i rrugës.

Kalimtarët – bacilë.

Qyteti udhët me terr po i mbyll.

Dhe atëherë –
gjithsesi! –
e volli në shesh trafikun plojë
duke flakur portikun e ngecur në grykë,
të dukej se:
në koret e koralit të kryengjëllit            250
zoti i grabitur po vjen të ndëshkojë!

Ndërsa rruga u ul e piskati:
“Shkojmë të dendemi!”

Grimojnë qytetet Krup dhe Krupth
me rrudha vetullash që kanosen,
ndërsa në gojë
kalben kufomat të vdekura fjalësh bosh,
vetëm dy jetojnë tek dhjamosen –
“bastard”
dhe prapë,          260
diç si – “borsh”.

Poetët,
qullur me të qara e ngashërime,
u lëshuan rrugëve, duke ndukur flokët e kresë:
“si t’u këndojmë të dyjave bashkë
dhe zonjushës,
dhe dashurisë,
dhe lulëzës me vesë?”

Dhe pas poetëve –
mizëria e rrugëve          270
studentët,
prostitutat,
kontraktorët.

Zotërinj!
Ndaloni!
Ju lypës nuk jeni,
mos guxoni të shtrini dorën!

Ne, të shëndetshmit,
hapa viganët,
s’ka pse t’i dëgjojmë, por t’i shqyejmë me zor –        280
ata,
që i janë ngjitur si një shtojcë falas
çdo shtrati dopio bashkëshortor.

A mos duhet t’i pyesim me drojë:
“Më ndihmoni dot!
T’u lutemi për himnin
këtyre oratorëve!
Ne vetë jemi krijuesit e himnit flakëritës –
zhurmës së fabrikave dhe laboratorëve.

Ç’punë kam unë me Faustin,        290
me fishekzjarrët-raketë
që rrëshqasin me Mefistofelin në të qiellit parket!
Unë e di –
një gozhdë e këpucës sime
ka fantazi më të tmerrshme se Gëtja vetë!

Unë,
më gojëmbli,
çdo fjalë e të cilit
trupin ta feston,
rilind shpirtin të tërë
po ju them:            300
dhe më e imta grimcë pluhuri e të gjallit
ka më vlerë nga gjithë sa bëj e kam bërë!

Dëgjoni!
Predikon,
duke u shkëpurdhur e rënkuar,
i ditëve të sotme Zarathustra britmëçjerrë!
Ne
me fytyrën si çarçafë i palarë,
me buzë të varura si llambadarë,          310
ne,
të dënuar të qyteteve-lebrose,
ku ari dhe pisllëku përhapën ndragat e lebrës, –
ne jemi më të pastër se laboratori venecian,
prej detesh e diejsh të larë njëherësh!

Më plasi, pse s’gjen
te Homerët dhe Ovidët
njerëz si ne,
me li e blanë.
Unë e di –            320
dielli do të zbehej po të shihte
xixat e arta të shpirtrave tanë!

Dejtë dhe muskujt janë më besnikë se lutja.
Ne vallë do t’i lypim lëmoshë kohës!
Ne –
secili –
mbajmë në pëllëmbë
frerët e drejtimit të botës!

Kjo në Golgotë auditorët do t’i ngjiste –
të Petrogradit, Moskës, Odesës, Kievit,        330
dhe nuk do të kishte as edhe një,

të mos bërtiste:
“Kryqëzojeni,
kryqëzojeni atë!”

Por mua –
njerëz,
edhe pse fyer më keni –
të shtrenjtë e të afërt ju kam.

E keni parë          340
dorën që e rreh, si e lëpin qeni?!

Unë,
i përqeshuri i brezave të sotëm,
si një anekdotë
e gjatë dhe e ndyrë,
shoh çfarë kalon përmes maleve të kohës,
të cilën askush s’mund ta këqyrë.

Atje ku vështrimi i njerëzve pritet cubel,
krye hordhish të uritura, zbret
me kurorë gjembash të revolucionit          350
viti gjashtëmbëdhjetë.

Ju më keni paraprijës të tij;
jam kudo ku ka dhimbje;
në secilën pikë loti
kam gozhduar në kryq veten time.
Tashmë asgjë s’duhet falur.
I dogja shpirtrat ku rritej brishtësia.
Kjo është më e vështirë se të marrësh
mijëra e mijëra Bastija!

Dhe atëherë,            360
ardhjen e tij
duke e pritur me rebelim,
shpëtimtarit t’i bashkoheni turr –
shpirtin
do t’jua nxjerr,
t’jua rropos,
që të madh! –
e t’përgjakur t’jua jap, si flamur.

3

Ah, po përse,
ç’deshën            370
në këtë hare të ndritshme
grushtet e të pagdhendurve!

Erdhi
dhe me perde dëshpërimi më veshi
mendimi për shtëpitë e të çmendurve.

Dhe –
ashtu si kryqëzori kur mbytet
nga spazmat e asfiksisë,
në baxhën e hapur vërvitet –
përmes kapakut            380
me syrin e zhvoshkur deri në britmë
Burluku, i luajtur mendsh.
Me qepallën e përgjakur, të nxirë,
doli,
u ngrit,
iku
dhe me butësi të papritur për një obez
mori e tha:
“Mirë!”

Mirë, kur nën pulovër të verdhë          390
shpirti di si të struket!
Mirë,
është në teh gijotine,
të klithësh:
“Pini kakao Van-Guten!”

Dhe këtë çast të vështirë
bengalez,
të lartë,
s’do ta ndërroja me asgjë më të mirë,
me asgjë më të…        400
Prej tymit të puros
si gotë likeri u zgjat
fytyra e Severjaninit e pirë.

Po si guxoni të quheni poet
dhe si thëllëzë të cicëroni më kot!
Sot
duhet
kastetë
t’i bëhemi kafkës së botës!

Ju,            410
të shqetë vetëm prej mendimit –
“a kërcej vallë me hijeshi”, –
shihni, si argëtohem
unë –
një kodosh
rrugësh, kumarxhi batakçi!

Prej jush,
të përqullur nga dashuria,
të cilët
në shekuj derdhët lot,          420
po iki unë,
diellin duke ngjeshur monokël
në syrin e hapur fort.

I veshur siç nuk bën vaki,
po i bie dheut mbarë,
që të pëlqehem, të djeg – rrëshirë,
dhe përpara mu si një kone
Napoleonin mbaj me zinxhirë.

Toka do shtrihet si grua,
mishrat do të tundë, megjithëse do jepet;          430
sendet do të ngjallen hata –
buzët e gjëzave
do përthëthisin:
“caca, caca, caca!”

Befas
dhe retë
dhe çdo gjë e vranët
ngritën t’pagjasë qiellit një trandje,
mu sikur shpërndahen punëtorët e bardhë,
tek i shpallin qiellit një grevë idhnake.          440

Bubullima zbriti ç’prej resh e tërbuar,
flegrat gjigande i shfryu hareshëm,
dhe qiellit fytyra sakaq iu shtrembërua
me grimasën e ashpër të Bismarkut të hekurt.

Dikush,
ngatërruar në rrugët e reve,
zgjati dorën në kafene –
dhe ashtu femërisht,
dhe brishtësisht ashtu,
dhe krejt si topat lafet.          450

Ju mendoni –
qe dielli, që aq brishtësisht
ia ledhi faqen kafenesë?
Që t’pushkatojë kryengritësit serish
vjen trupa e gjeneral Galifesë!

Nxirrini duart nga xhepat kalimtarë –
rrëmbeni gurë, thika, bomba vallë,
dhe nëse ka ndonjë të paduar –
godisni me ballë!

Ejani, të uritur,          460
të djersitur,
të nënshtruar,
në llomhanen me pleshta thartuar!

Ejani!
Të hënat dhe të martat
me gjak t’i ngjyejmë në festa!
Toka nën thika ta kujtojë prore,
se kë desh t’poshtëronte!
Toka
e dhjamur, si një dashnore,          470
që Rotshildi dashuronte!

Që flamujt të drithërojnë nga bataretë,
Si në çdo kremte oborresh –
Ngrijini më lart, shtyllat e fenerëve,
Me mishrat t’përgjakura thertoresh.

U sha,
u lut,
theri,
iu hodh në ije dikujt,
kafshoi nga tërbimi.            480

Në qiellin e kuq, si Marsejeza,
U drodh e ngriu perëndimi.

Tash veç çmenduri.

Asgjë s’do të ndodhë.

Nata do të vijë,
të kafshojë mezet
e të hajë.

Shihni –
qielli është judë përsëri
me një grusht yjesh spërkatur me tradhti?        490

Erdhi.
Në gosti si Mamaj,
duke i hipur mbrapshtas qytetit.
natën e zezë, si Azef të paskaj,
s’e përshkon dot syri i poetit!

Strukem cep taverne, në banak
laj shpirt e mbulesë me verë, i bëj pis
dhe këqyr:
si në qoshk – me sytë rrumbullak, –
ma sëmbojnë zemrën sytë e Shën Mërisë.          500

Ç’t’i dhurosh, një model t’pikturuar
me shkëlqimin e tavernës së pështjellë?
E sheh? Prapë
para golgotianit, pështyrë e poshtëruar,
Вarnabën parapëlqejnë.

Ndoshta, unë jam zgjedhë me kast
në njerëzorin mesianizëm
me fytyrë jo të re të askujt.
Jam këtu,
ndoshta,            510
më i bukuri
nga të tre bijtë e tu.

Jepu atyre
të mykurve në gëzime,
vdekjen e shpejtë të kohës,
që fëmijët të rriten të mbarë,
djemtë të bëhen burra,
dhe vajzat të mbeten me barrë.

Të sapolindurit jepi të rritet
deri tek sprova e thinjës së magëve,          520
dhe do të vijnë ata –
dhe do t’i pagëzojnë fëmijët
me emrat e vargjeve të mia.

Unë që kam kënduar makinat dhe Anglinë,
ka gjasë që vërtetë,
të jem në më të rëndomtin ungjill
apostulli i trembëdhjetë.

Dhe kur zëri im,
pervers do të shfryjë –
me ditë-net,            530
papushim,
ndoshta Jezu Krishti do të nuhasë
lulen “mos më harro” të shpirtit tim.

4

Maria! Maria! Maria!
Lërmë, Maria!
Mos më lër të flakur rrugëve!
Nuk do?
Pret
kur faqet e tua të rrufiten gropë,
të thithura prej gjithë buzëve,          540
kur i zgërlaqur krejt,
të vij
të të pllaquris pa dhëmbë në gojë,
që sot jam
“çuditërisht i sinqertë”.

Maria,
e sheh –
qysh tash fillova të kërrusem.

Në rrugë
njerëzit do shpojnë gushat me katër kate dhjamë,        550
do nxjerrin sytë,
të lodhur nga bjerrja dyzetvjetëshe, –
do hargalisen,
që në dhëmbë
– kam prapë –
bukën e ftohtë të dheles së djeshme.

Shiu i qau trotuaret –
si brac i regjur ndër pellgje,
lëpin kufomën e rrugëve sfilitur në çakull
por në qerpikët e thinjur –          560
po! –
prej qerpikësh heje-akull
lot pikojnë prej syve –
Po! –
nga sytë e ulur të qyngjeve.

Të gjithë këmbësorët i thithi turiri i shiut,
pajtonësh feksnin të dhjamur atletët, çdo vetë i dytë:
pëlcisnin njerëzit,
të dendur gjer në fyt,
pikonte salloja përmes plasave pa prâ,          570
nga pajtonët lum i turbullt rridhte
tok me simiten e mbllaçitur
përtypja e kotoletave të ra.

Maria!
Si mund t’i shti në veshët e tyre të dhjamur fjalët e mia?
Zogu
rron sajë këngës,
këndon,
i uritur e fërshëllyes,
po unë jam njeri, Maria,          580
i thjeshtë,
gëlbazur natës së veremtë në duart e pista të Presnjës.

Këtë do ti, Maria?
Më lër, Maria!
Me ngërçin e gishtave të shtrëngoj grykën metalike të ziles!

Maria!

Tërbohen kullotat e rrugës përbri.
Plagomë në fyt kanë lënë gishtat.

Hape!

Më dhemb!          590

E sheh – janë ngulur në sy
prej kapelave të grave karficat!

Më la.

Vogëlushe!
Mos u tremb,
që mbi qafën time tarake njëlloj
mal i lagësht rrinë gratë barkdjersitura, –
kështu përmes jetës vallëzoj
me miliona Dashuri të pastra,
dhe miliona të vogla, të pista.        600
Mos ki frikë,
që sërish,
në motin e lig të tradhtisë,
kapem pas mijëra fytyrash të bukura, –
“adhuruese të Majakovskit!” –
kjo është dinastia pra
e mbretëreshave në zemrën e një të krisuri.

Më afër, Maria!

Në paturpësinë e zhveshur vallë,
a me drithërimë lemeritëse,          610
veç jepmi buzët e tua me hir të pavdirë:
unë dhe zemra kurrë s’e kapëm majin gjallë,
ndërsa në jetën e shkuar
vetëm prilli i njëqindtë ka ngrirë.

Maria!
Poeti sonete i këndon Tianës,
po unë –
i tëri prej mishi,
i tëri njeri –
vetëm trupin tënd kërkoj,          620
si lusin kristianët –
“bukën e përditshme
falna perëndi”.

Maria – jepma!

Maria!
Emrin tënd kam frikë ta harroj,
siç ka frikë mos harrojë një poet
flatruesen fjalë
të lindur mundimshëm ndër net,
me madhështi të barabartë me zotin.        630

Trupin tënd
do ta ruaj, ta dua,
siç ushtari në luftë ka mujtë,
të ruajë këmbën e tij të prerë
të vetme,
që s’i duhet askujt.

Maria –
nuk do?
Nuk do!        640

Ah!

Pra sërish sot
terrin e pikëllimin
marr në zemër,
e duke e larë me lot,
do ta bart,
ashtu si qeni,
shpie
në kolibe
putrën e këputur nga treni.        650

Rrugën me gjakun e zemrës e gëzoj,
ngjitet uniforma me lule për pluhur t’oborrit.
dielli rreth tokës
njëmijë herë do vallëzojë
si Herodiada rreth kokës së Pagëzorit.

Dhe kur sasia e viteve së paku
do ta shterë timin vallëzim –
gjurma do mbulohet miliona pikash gjaku
për në shtëpinë e atit tim.

Do zbres          660
i zhyer (nga netët e kaluara llogoresh),
do t’i avitem përbri,
t’i përkulem
e në vesh t’i them:

  • dëgjomëni, zoti perëndi!
    si nuk mërziteni
    mbi retë reçel
    duke ngjyer përditë sytë e tukequr?
    E dini çfarë? – ejani –
    të ngehim një karusel        670
    mbi pemën e kërkimit të së Mirës dhe së Keqes!

Do të jesh në çdo dollap, i pranishëm gjithku
dhe verëra të atilla do shtrojmë, patjetër,
sa të hidhet të kërcejë ki-ka-pu
dhe i ngrysuri, apostulli Pjetër.
Sërish në parajsë i vendosim Evushkat:
ti veç urdhëro, –
bash sonte natën
bulevardesh vajzat, ku janë më të bukurat,
t’i sjell nëse do.        680

A do?

Nuk do?

Tund kokën, o kaçurrel?
Ngrys vetullën e thinjur me fjalët e mia?
Ti mendon
se ai
flatrori prapa teje, ka haber,
se ç’është dashuria?

Dhe unë engjëll jam, a më sak, kam qenë –
dash i sheqertë dukesha njëherit,        690
po s’dua më t’u dhuroj pelave
vazo të derdhura me mundimet e Sevrit.
O i gjithëfuqishëm, ti që ke sajuar dy duar,
që sajove
secili të ketë një kokë, –
përse vallë nuk mendove,
që pa u munduar
të putheshim, të putheshim, të putheshim?!

Mendoja se je i gjithëfuqishëm perëndi,
po ti qenke gjysmak, perëndizë buburizë.       700
Ki mendjen, po përkulem tani
të nxjerr nga qafa e çizmes
një thikë.

Ju horra me flatra!
Mbathjani në parajsë!
Shpuplisni pendët në tmerr e panik!
Ty që kutërbon temjan, do të të vërvis
këtu e gjer në Alaskë!

Lërmëni!

Nuk më ndalni dot.      710
Rrej vallë,
a flas troç,
por i qetë s’mund të jem më prore.
Shihni –
yjeve sërish ua prenë kokat
dhe qiellin e përgjakën – thertore!

Hej, ju!
Qiell!
Hiqeni kapelën!
Po kaloj unë!        720

S’pipëtimë.

Gjithësia flen,
duke vënë veshin gjigand
mbi putrën me këpusha yjesh.

[1914-1915]

Shënime të domosdoshme për leximin:

Vargu 212. Shënoj “nihil” – nihilo nga latinishtja, asgjë.
Vargjet 83-84. Kimerat e Katedrales së Shën Mërisë së Parisit – kihen parasysh statuja dhe statueta me monstra mitologjike në ndërtesën e katedrales.
Vargu 132. Xhokonda – tabloja e famshme e Leonardo Da Vinçit – portret femre. Në vitin 1911 piktura qe vjedhur nga Luvri; po me 1913-n u kthye në muze.
Vargjet 144-145. Pompeu – qytet, që shtrihet në rrëzë të vullkanit Vezuv, qe shkatërruar gjatë shpërthimit të Vezuvit në shekullin I para erës sonë.
Vargu 202. “Luizitiana” – një anije pasagjerësh, e goditur nga një nëndetëse gjermane më 7 maj 1915 dhe që u dogj në det të hapur.
Vargu 307. Zarathustra – krijuesi mitik i religjionit zaraostrik në Persinë (Iranin) e vjetër. Te Majakovski emri i tij është përmendur në kuptimin pezhorativ – lajmëtar, predikues.
Vargu 312. Lebrozori – strehë e izoluar për lebrozët.
Vargu 314. “ne jemi më të pastër se laboratori venecian” – Loborator në Venecia që merret me studimin dhe analizën e sëmundjeve epidemike.
Vargu 329 …Në Golgotë auditoret… – Majakovski ka parasysh turnetë e udhëtimeve të tij nëpër qytetet e Rusisë në fund të vitit 1913 – fillim të vitit 1914. Shtypi i pati pritur performancat leximore të Majakovskit me sharje dhe tallje.
Vargu 380-381. Përmes kapakut me syrin e zhvoshkur deri në britmë / Burluku, i luajtur menç… – David Burluk, një ndër poetët e piktorët e grupimit “Kubofuturizmi” ishte i verbër në njërin sy.
Vargu 395. Pini kakao Van Guten… – Majakovski ka pasur parasysh një fakt, për të cilin shkruanin asokohe gazetat: i dënuari me vdekje binte dakord me kontratë (shumën e parave e merrte familja e të ekzekutuarit) që të bërtiste në momentin e ekzekutimit: “Pini kakao Van Guten!”.
Vargu 455. Galife – gjeneral, që shtypi ashpërsisht komunarët parsienë në vitin 1871.
Vargjet 492-493. Në gosti si Mamaj/duke i hipur mbrapshtas qytetit… – Këtu është fjala për ngadhënjyesit, të cilët gostiteshin duke u ulur në dërrasa që i shtronin mbi trupat e të mundurve. Në realitet kështu ka festuar gostinë jo hani i Hordhisë së Artë Mamaj, por komandantët e Çingiz khanit pas betejës në Kalkë në vitin 1223.
Vargu 495. Azefi – një provokator, që punonte në ilegalitet me eserët. Emri i tij u bë sinonim i tradhtisë.
Vargu 505. Barnaba – sipas gojëdhënës ungjillore, ishte një kriminel, që u gjykua në të njëjtën ditë me Krishtin. Turma iu lut gjyqtarëve të falnin Barnabën dhe të kryqëzonin Krishtin.
Vargu 582. Presnja – rrugë në Moskë, ku jetonte Majakovski.
Vargu 616. Tiana – emër femre sipas një poezie me këtë titull të Igor Severjaninit, poet rus i grupimit gjithashtu futurist “Egofuturizmi” ose futuristët e djathtë.
Vargu 653. Herodiada (Irodiada). – Sipas gojëdhënës ungjillore, ajo që vallëzoi rreth tepsisë me kokën e ekzekutuar të predikuesit Gjon Pagëzorit nuk ka qenë Herodiada, por e bija, Salomeja.
Vargu 674. Ki-ka-pu – një kërcim estrade i modës asokohe, në vitet 1910-1915.
Vargu 692. Vazot e Sevrit – vazo të famshme nga fabrika e porcelanit/fajancës në Sevër të Francës.

Rreth poemës “Re me pantallona”

Në projektin tim përkthimor, poeti Vladimir Majakovski përfshihet vetëm me poezitë e shkruara gjatë periudhës së Futurizmit, kësaj lëvizje të avangardës ruse e botërore, lider i spikatur i së cilës ishte poeti. Pse? Sepse poezitë e kësaj periudhe të Majakovskit artist janë në kërkim të formave dhe mjeteve shprehëse, në kërkim të artit të ri. Në këto përpjekje plot dashuri e sinqeritet shohim nervin e vërtetë artistik të Majakovskit, ende pa ia shitur shpirtin propagandës ideologjike e politike të shtetit bolshevik, fill pas triumfit të revolucionit komunist të tetorit. Dikujt mund të mos i pëlqejë gjykimi im, por fakti mbetet i pandryshueshëm: Majakovski, me gjithë talentin e padiskutueshëm, e vrau artin e vet në mënyrën më banale e më tragjike, duke e vënë atë në rendin agjitativ të propagandës. Tek-tuk ende shkëlqen nervi i poetit, por poezia e tij tashmë u ngjan pllakateve të mërzitshme. Si duket këtë e kuptoi dhe vetë mirëfilli poeti. E përjetoi tragjikisht, shfaqi madje notat e para të pakënaqësisë dhe jam i prirur të mendoj se natyra e tij rebeluese do të shpërthente. Po pikërisht në këtë fazë pakënaqësie del në skenë vetëvrasja apo skenarët e mirëmenduar, që e vetëvranë.
Krejt tjetër është trashëgimia e tij poetike e para revolucionit në kornizat e lëvizjes futuriste. Këtë periudhë fort të çmuar të Majakovskit po e përgatis për një rinjohje të lexuesit shqiptar me Majakovskin e papolitizuar, shpesh të sjellë keq në përkthime aberrative nga gjuhë të dyta. Poema “Re me pantallona” (1914-15) ka pasur fat në shqip, pasi është sjellë në një përkthim brilant nga Ismail Kadareja në vitet ’60. Megjithatë, për shumë arsye që kanë të bëjnë më kontekstin ideologjik të kohës kur është përkthyer, shumë shenja të tekstit poetik të poemës janë lënë pa u përfshirë në përkthim ose janë përshtatur maskueshëm për t’iu shmangur simbolikave fetare.
Të përkthesh gjuhën e Majakovskit të kësaj periudhe, okazionalizmat, neologjizmat, leksikun e rrugës e sidomos metaforën e tij, është një vështirësi për të gjitha gjuhët e mëdha. E mbi të gjitha, efektet e formës, ritmit, muzikës së papërsëritshme të rimave apo më saktë jo rimave, por asonancave. Kjo është një metafizikë më vete, tejet e vështirë për përkthyesit e Majakovskit.
Me këtë përkthim të ri, kam synuar besnikërinë e origjinalit dhe deri ku është e mundur për aftësitë e mia të përafroj variantin shqip me muzikalitetin e origjinalit. Shpjegimet gjithashtu janë të domosdoshme, sepse qartësojnë kontekstet mbi të cilat ngrihen asociacionet dhe metaforat. Bashkë me poemën binjake “Flauti i shtyllës kurrizore”, që e kam përkthyer më parë, “Re me pantallona” përbën majën e artit futurist të poezisë së Majakovskit. Jo më kot poeti e quante këtë poemë “katekizmin e artit të sotëm”.
Le të rendisim disa nga momentet faktografike që e shoqërojnë këtë poemë nga ideja deri në rrugën e vështirë të botimeve.
Fillimi i punës mbi poemën nis në gjysmën e vitit 1914. Në autobiografinë e Majakovskit “Unë vetë” ai thotë: “Fillimi i vitit 1914. Ndjej mjeshtërinë. Ia dal ta zotëroj temën. Plotësisht. Ngre pyetje mbi temën. Mbi revolucionin. Mendoj mbi poemën “Re me pantallona”. Poema qe mbaruar së shkruari në korrik të vitit 1915 në Kuokalla (rrethinat e Petrogradit). “…Dje po bridhja përgjatë plazhit. Po shkruaj “Re me pantallona” (“Unë vetë”).”.
Në një fjalë të mbajtur në vitin 1930 në shtëpinë e komsomolit të rajonit Krasnaja Presnja, Majakovski kujton: “Ajo (“Re me pantallona”) ka nisur në letër në vitet 1913/14 dhe në fillim quhej “Apostulli i trembëdhjetë”. Kur kam shkuar me këtë vepër në censurë, më pyetën: “Ç’patët kështu, mos ju mori malli për katorgën (burgun)?”. U thashë se në asnjë mënyrë, që kjo gjë nuk më pëlqen aspak. Atëherë më ranë vizë në gjashtë fletë, ndër to edhe titullin. Kjo kish të bënte me pyetjen, se nga është marrë titulli. Më pyetën: “Si bën që i lidh bashkë dhe lirikën, dhe arrogancën e madhe?”.
Atëherë thashë: “Mirë, do të bëj, nëse doni, si një i tërbuar e nëse doni do të jem dhe më i ëmbli, jo burrë, por re me pantallona”.
Deri në daljen e poemës në dritë disa fragmente nga prologu dhe çereku i saj u shfaqën në faqet e almanakut “Streljec” (shkurt 1915.) dhe disa strofa nga pjesa e dytë dhe e tretë kanë qenë cituar në artikullin e Majakovskit “Mbi Majakovskët e ndryshëm” në “Revistën e revistave” (gusht 1915). Si në almanak, ashtu dhe në revistë, poema qe cilësuar “tragjedi”, por mandej, në botimin më vete, Majakovski i dha nëntitullin “tetraptik” (d.m.th., kompozim me katër pjesë).
Dalja e vëllimit “Strjelec” u shoqërua me një mbrëmje poetike, që u mbajt në bodrumin artistik “Brodjaçaja sobaka” më 25 shkurt 1915. Në këtë mbrëmje, ku ishte i pranishëm dhe M. Gorki, Majakovski lexoi një fragment nga poema.
Ia vlen të përmendim gjithashtu leximin e fragmenteve të poemës nga Gorki në korrik të vitit 1915.
Botimi i parë i poemës u krye nga О. М. Brik, në shtator 1915.
Ajo mbante më shumë fatura censure. “Retë” doli i cunguar.
Cenzura ndërhyri fort. Rreth gjashtë faqe me rreshta me pika ( “Unë vetë”).
Qenë hequr nga censura vargjet e pjesës së dytë: 250-253, 323-335, 348-355,
360-363; në pjesën e tretë u hoqën vargjet: 456-459, fjala “nën thika” në vargun 467
(“Toka nën thika le ta kujtojë prore”), 474-475, 501-505; dhe në pjesën e katërt –
vargjet 620-623, 630, 668-708. Përveç kësaj, në një radhë vargjesh qenë hequr fjalë të veçanta: “shën Mëri”, “ungjill”, “apostull”, “Jezu Krisht”, “zoti perëndi”.
Në vitin 1916, poema u rishtyp në vëllimin “E thjeshtë si bulërima”, botimet “Parus”, që udhëhiqej nga М. Gorki, me më pak, por prapë me pjesë të shumta të hequra nga censura. Pas rrëzimit të pushtetit, Majakovski e botoi sërish në revistën “Novij satirikon”, në mars 1917, ku përfshiu pjesët e palejuara më parë nga pjesa e dytë dhe tretë e poemës nën titullin “E rivendosur” dhe me një parathënie ku thotë: “Libri im “Obllako v shtanah/Re me pantallona” qe dërguar në censurë me titullin zanafillor “Apostulli i trembëdhjetë”. Po përfshij nga ky botim i gjymtuar në herën e parë dhe i kastruar në botimin e dytë plot 75 vargje”.
Krejtësisht e plotë me ripërtëritjen e të gjitha vendeve të hequra nga censura, poema u botua në fillim të vitit 1918 në Moskë, nën markën e organizuar nga Majakovski të një shtëpie botuese “Asis” (Associacija socialistiçeskogo iskusstva/Shoqata e Artit Socialist). Në parathënien e këtij botimi të ri, Majakovski shkruante: “Re me pantallona” (titulli i parë “Apostulli i trembëdhjetë ” i shuar nga censura, të cilin nuk po e rikthej më), pra këtë poemë e quaj katekizmin e artit të sotëm; “Poshtë dashuria juaj”, “Poshtë arti juaj”, “Poshtë
sistemi juaj”, “Poshtë religjioni juaj” – janë katër klithma në katër pjesët e poemës.

Përktheu nga origjinali
Agron TUFA