Andrew Savoia, violonçelisti 24-vjeçar nga Arlingtoni i Virxhinias, ka tërhequr vëmendjen e shumë njerëzve me videot që ka postuar në TikTok duke interpretuar muzikë pop dhe hip-hop. Një nga videot e tij të para virale, një interpretim instrumental i këngës “Come Get Her” të artistit Rae Sremmurd, mori mbi 3 milionë klikime.

Andrew Savoia, violonçelisti 24-vjeçar, i cili është bërë një sensacion në mediat sociale, krijoi llogarinë e tij në TikTok me emrin Savoiboi në korrik. Brenda disa muajve ai mori miliona klikime.

“Në aplikacion pashë një video me një këngë shumë tërheqëse, e cila ju bën të kërceni! Pastaj më lindi ideja ta rikrijoja këngën me violinçel. E bëra dhe një shok filmoi interpretimin tim. U befasova nga reagimet pozitive që mora. Nuk mendoja se do të pritej aq mirë!”

Një varg ngjarjesh të pakëndshme e shtynë violonçelistin Savoia drejt suksesit të tij në rrjetet sociale. Një ndarje e dhimbshme, dështimi për të hyrë në një shkollë mjekësore dhe depresioni, në mënyrë të çuditshme kontribuan në arritjet e tij.

“Muzika më ka ndihmuar të merrem me emocionet, përvojat, dhe kujtimet e mia. Ajo ka një aftësi për të shëruar sepse mund të bëjë të njëjtën gjë për njerëzit e tjerë, është një element unifikues”, thotë ai.

Procesi i tij është i thjeshtë: gjetja e një kënge që i pëlqen dhe interpretimi i saj në violonçel.

“Dëgjoj shumë lloje të ndryshme të muzikës, hip-hop, rok, kantri, muzikë klasike dhe zhanre të tjera. Mundohem të gjej këngë që përshtaten mirë me këtë instrument. Ky instrument ofron një larmi tingujsh!”

Por Andrew Savoia nuk do të zgjedhë muzikën si karrierë të tij. Ai ka mbaruar studimet në Universitetin Teknologjik të Virxhinias në degën e neurobiologjisë dhe dëshiron të bëhet neurolog.

Por dy pasionet e tij, muzika dhe mjekësia, janë të pandara. Këtë e ka vërejtur edhe një nga ish-mësueset e tij.

Suzan Campbell, Profesore e Neurobiologjisë, Universiteti Teknologjik i Virxhinias

“Një pjesë e popullatës që vuan nga një sëmundje e caktuar mund të përfitojë dhe të qetësohet nga muzika. Nëse shikoni interpretimet e tij, mund ta kuptoni se ai është shumë i pasionuar! Duke marrë parasysh se si filloi të interpretonte me violonçel, mendoj se kjo e shëroi,” thotë Suzan Campbell, profesore e neurobiologjisë në Universitetin Teknologjik të Virxhinias.

Interpretimi i këngës “Come Get Her” nga Andrew Savoia mori mbi tre milionë klikime! Ai shpreson që njerëzit që pëlqejnë muzikën e tij do të fillojnë të mësojnë një instrument muzikor.