Në mëngjesin e 5 shtatorit (1912), treni u ndal në stacionin e Bujanocit… pastaj u nis me ngadalë. Në kupenë tonë hyri një burrë mbi të pesëdhjetat.
– Keni një vend të lirë?
– Po, urdhëroni! – i thashë dhe i ndihmova ta vendoste një arkë druri mbi rrjetin që ishte në pjesën e sipërme të kupesë. – Ku kështu? – e pyeta.
– Në ushtrime ushtarake! – më tha.
– Çfarë ushtrime, ore njeri!
– Pse jo? Ja ku e kam letrën që më është dërguar nga komanda.
– Ma jep ta shoh!
E lexova. Ishte njëfarë Stojko Trajkoviq.
– Po ti qenke i vjetër, o njeri. Ti nuk je për ushtrime ushtarake…! – i thashë duke e shikuar me habi. – Prej nga je? – e pyeta.
– Jam prej Parallovës, prej komunës Parallovë rrethi i Gjilanit.
– Po ti qenke i vjetër, or burrë!
– Unë i vjetër, është e vërtetë, por gruan e kam të re. Kryetari i komunës më ka futur në listën e pjesëmarrësve në ushtrime ushtarake. Për inati më ka caktuar.
Bashkërisht me Stojkon dhe doktorin arritëm në stacionin e Shkupit. U përshëndetem me doktorin, kurse Stojkut i thashë se, më tutje, do të bashkudhëtonim. Ai më shikoi miqësisht, pa fjalë. E kuptova se i erdhi mirë, meqë, gjatë bisedës deri në Shkup, kishte një lloj shtrëngese, natyrisht nga frika. Rrugën prej Shkupit e tutje drejt Kaçanikut, por edhe në vazhdim nga Prizreni, ia kishin përshkruar si shumë të rrezikshme. Kur e mendonte se duhej të kalonim edhe në Shqipëri, i humbnin të gjitha shpresat se do të kthehej ndonjëherë. Kjo vërehej nga qëndrimi i tij, nga heshtja e vazhdueshme. Dukej i harruar krejtësisht. Derisa e shikoja ashtu të humbur, e kisha parasysh takimin në tren, dyshimin e tij ndaj gruas së re, që e kishte lënë, dhe vendimin e kryetarit të komunës së tij, për ta dërguar në ushtrimet ushtarake. Mosha e tij mbi pesëdhjetë vjeçe nuk ishte për ushtrime, kurse bashkëshortja e tij e re, e bukura Svetlana, kështu më tha se e kishte emrin, sipas dyshimit të Stojkut e kishte joshur kryetarin e komunës. Më dukej rast i çuditshëm, veprim bastard i kryetarit, po qe se ishte e vërtetë çfarë thoshte Stojku. Edhe nëse ishte e vërtetë simpatia e kryetarit të komunës ndaj gruas së tij, Svetlanës, ishte i pakuptimtë pranimi i Stojkut për atë lloj imoraliteti. Më interesonte të dija se a ishte siç thoshte apo ndoshta bënte shaka. E pritja momentin ta pyesja sa ishte i vërtetë rrëfimi i tij për kryetarin. Kur hipëm në trenin që çonte prej Shkupit drejt Ferizajt, ku na priste një makinë të na përcillte deri në Prizren, e pyeta:
– A ishte shaka ajo që the për kryetarin e komunës, i cili të ka caktuar për ushtrime ushtarake vetëm pse e ke gruan e re?
Stojku për pak çaste më shikoi pa lëvizur qerpikët, pastaj m’u drejtua:
– A po të dukem njeri që bëj shaka në këtë moshë?
–  Jo! – i thashë, – por motivi i caktimit tënd për ushtrime ushtarake më duket i poshtër.
Ai qeshi dhe më shikoi prapë me ngulm:
– Mirë e the, motiv i poshtër, por kjo është e vërteta, sado që është e hidhur. Unë jam viktimë e kësaj të vërtete…
Treni doli prej Shkupit në drejtim të Kaçanikut, Ferizajt dhe tutje. Ishte plot udhëtarë të moshave të ndryshme. Më thanë se ai tren gjithherë ishte i ngarkuar; kishte shumë lidhje mes Shkupit dhe qendrave të Kosovës, e sidomos ato lidhje ishin me Kaçanikun. Ishte edhe tregtia ajo që i bënte njerëzit të udhëtonin, meqë Shkupi ishte dhe mbetej qendër furnizimi me mallra. Shumica e Njerëzit zinin vend në korridor të trenit, ndërsa për të arritur në kupe ishte punë e vështirë, duhej bërë hapat me kujdes, që të mos shkeleshin udhëtarët, shumica e të cilëve ishin pleq dhe plaka, të ngarkuar me strajca.
– Këta të gjithë duhet të jenë shqiptarë? – pyeti Stojku, sapo me vështirësi arritëm te kupeja jonë.
– Po. Këndej shumica e banorëve janë shqiptarë, madje edhe në Shkup numri më i madh i banorëve janë shqiptarë. Kështu na kanë thënë në orët politike oficerët e ushtrisë sonë, duke kërkuar të jemi sa më të kujdesshëm ndaj tyre. Meqë ra fjala, po të ndodhte diçka e ngjashme te shqiptarët, sikur të ka ndodhur ty me kryetarin e komunës, tragjedia do të ishte afër. Siç na kanë thënë, për moral shqiptari e lë kokën ose ia shkurton jetën tjetrit.
– Sa kisha pasur dëshirë të isha shqiptar dhe të veproja si ata. Do të çlirohesha shpirtërisht. Nuk do të bëhesha viktimë e shqetësimit tim, sepse nuk më hiqet mendsh Svetlana, pafytyrësia e saj ndaj meje dhe afria me kryetarin.
– Këtë e thua nga thashethemet, apo ke fakte?
– Sikur të mos kisha fakte nuk do të vuaja. Më herët pëshpëritjet e të tjerëve i kuptoja si thashetheme. Më vonë vetë isha dëshmitar. Një mbrëmje kryetari ishte mysafir imi. Ai, e vërteta, mbrëmjeve shkon mysafir te shtëpiakë të ndryshëm. Më kishte ardhur radha mua. Përmes shërbëtorit të vet më lajmëroi se vinte në darkë. I tregova Svetlanës. E vërejta se i erdhi mirë, kurse mua më vete mendja te thashethemet. Kënaqësia e saj për ardhjen e mysafirit ishte vreri im, por nuk kisha se si të kundërshtoja. Kryetari Simeun Jovanoviq erdhi në mbrëmje. Svetlana e kishte përgatitur darkën. Ngritëm dollinë, pastaj Svetlana shtroi tavolinën. Unë nuk e dija çka kishte përgatitur. Kur e solli tepsinë me një gic të pjekur në të, mbeta pa fjalë, sepse ne nuk kishim gica. Simeuni ishte me humor të mirë. E përcillja çdo lëvizje të tij dhe të Svetlanës. Buzëqeshjet që ia dhuronin njëri-tjetrit ishin domethënëse. Më vinte të bërtitja, të shaja; po të kisha pasur forcë dhe trimëri menjëherë do ta nxirrja jashtë kryetarin Simeun, por ai më nxori mua. Në të vërtetë kërkoi nga unë që të shkoja deri në ndërtesën e komunës. Ma dha çelësin e zyrës së tij, më tha të merrja një dhuratë që e kishte blerë për shtëpinë tonë, por, siç tha, e kishte harruar. Unë, budallai, në vend se t’i thosha që dhuratën ta merrnim të nesërmen, dola prej shtëpisë të shkoja te komuna, e cila ishte pak si larg nga shtëpia ime. Atje takova rojën e natës dhe i thashë për porosinë e kryetarit. Ai nuk hezitoi, por fillimisht qeshi. Në fillim ajo qeshje e tij m’u duk pa lidhje. Por kur më tha: edhe për juve ka dhuratë? Nisa të dyshoj. E konsideroja vetën si gomarin kur mbetet në baltë. Sigurisht, thashë me vete, derisa ngjiteshim shkallëve të komunës për të arritur në zyrën e kryetarit, që gjendej në katin e dytë, kjo qenka mënyra e kryetarit për të bërë qejf. E mora dhuratën e mbështjellë mbi tavolinën e kryetarit. Pa ia hequr mbështjellësen, dola prej zyrës së tij dhe shkova drejt shkallëve të zbrisja. Mbrapa meje ecte i heshtur roja e natës. Në dalje nga ndërtesa e dëgjova të më thoshte: Natën e mirë. Nuk di a ia kam kthyer përshëndetjen, apo jo. Të më vrasësh nuk më kujtohet. Vazhdova me hapa më të shpejtë një copë rruge, duke e mbajtur dhuratën e mbështjellë nën sqetull. U ndala ta shikoja çka ishte ai send. Ia hoqa mbështjellësen. Ishte një kuti me këpucë femrash brenda. U nevrikosa, meqë pritja ndonjë dhuratë për shtëpi, e jo për gruan time. Sinqerisht të them mendoja se brenda asaj kutie ishte ndonjë enë kuzhine, por… E mbështolla prapë dhe vazhdova rrugën. Kur hyra në oborr, dëgjova qeshje brenda shtëpisë sime. Zëri i Svetlanës dallohej, sepse shpërndahej si me psherëtimë. Uh, nënën e rrospisë, shava me vete. Para se t’i afrohesha derës së shtëpisë, u ndala te dritarja. U tmerrova. Simeun kryetari ia kishte ulur kokën e ngritur fustanin nga mbrapa. I mëshonte idioti, herë më shpejt, herë më ngadalë, kurse ajo lëshonte zërin e kënaqësisë, bre nënën e rrospisë.
– Nuk më tregove moshën e Svetlanës?
– Çka po të duhet? Ajo e ka moshën më të mirë të saj, tridhjetë e dy vjeçe. Nuk bën fëmijë apo nuk dëshiron të bëjë, nuk e di. I kam thënë se shtëpia duhet të ketë trashëgimtarë, kurse ajo a di çfarë përgjigje më pat dhënë?
– Thuaje.
– Ti kërkon trashëgimtarë, kurse unë dua… Nejse, s’po e vazhdoj më tutje. Fort mirë po ma bën, se unë u vonova me martesë dhe, në vend se të gjeja ndonjë të moshës sime, u ngatërrova me moshën e saj të re.
– Ti ishe te dritarja dhe e shikoje, a nuk hyre brenda?
– Po, po. Hyra. Por para se të hyja m’u ngrit tensioni. Besa, për çudi, derisa i shikoja më kaploi një ndjenjë e papritur; një etje për seks. Po turpërohem të tregoj, por, merre me mend, desh u çmenda nga dëshira që edhe unë të bëja seks. Kur e shihja atë pisin e komunës se si me dy duar ia mbante belin dhe, nga mbrapa, punonte në ritëm, mua më hipi gjaku, më kaploi dëshira e papërmbajtshme për seks, m’u turbullua mendja e sytë. Me atë rast, po të tregoj, kam bërë siç bëja kur isha më i ri dhe i pa martuar. Jam zbrazur duke ndjerë një kënaqësi të madhe. Po më duket se ajo kënaqësi ishte edhe më e madhe sesa kur bëja punë me Svetlanën. Ti nuk mund ta marrësh me mend. Beso, kur Simeuni i zgjaste duart dhe ia shtrëngonte sisët dhe në të njëjtën kohë e shtynte prapanicën drejt prapanicës së saj, më dukej se edhe unë i rehatoja ndjenjat…
Rrëfimin e Stojkos e ndërprenë disa të shtëna, derisa treni kalonte Grykës së Kaçanikut. U ngrita të shikoja në dritare, të merrja vesh se çfarë po ndodhte. Desha të hapja dritaren, por u pengova. Në derë u duk konduktori, i cili më tha se ishte rrezik të hapja dritaren. Jemi të sulmuar nga kaçakët. Kështu na ndodh shpesh, por treni nuk ndalet. Mos keni frikë. E kapërcejmë këtë telash.
– Mandej çfarë ndodhi? A prite ende në dritare derisa ta kryente ai?
– Jo, ore. Por mbeta i trullosur dhe në dilemë: të merrja një sëpatë dhe t’i preja të dy, apo të bëhesha sikur nuk kisha parë asgjë. U largova nga dritarja, meqë kryetari kreu punë, por sigurisht edhe Svetlana u kënaq. Kur u drejtuan, Svetlana, e cila e lëshoi fustanin te poshtë, bile pa i veshur fare të brendshmet, u kthye me fytyrë nga kryetari dhe ia kapi me dorë. Nuk e kuptoja, a ia fshinte, apo luante me të që të vazhdonin. Kryetari e puthte me afsh. Bëra një shëtitje nëpër oborr. Shkova prapa shtëpisë, ku i kisha drurët dhe sëpatën. E mora sëpatën me njërën dorë, kurse me tjetrën e mbaja dhuratën e mbështjellë. Iu afrova derës së shtëpisë. Isha krejtësisht i shpërqendruar. Shikova edhe njëherë te dritarja, ishte një pamje krejtësisht tjetër. Ishin ulur ballë për ballë, Svetlana me një anë, Simeuni në tjetrën, thuajse s’kishte ndodhur gjë. He bre nënën, më erdhi një psherëtimë. Sëpata më dukej më e rëndë se herëve të tjera. E parafytyrova vetën me sëpatë në krah përball të dyve. Më erdhi një e dridhur, mbase edhe djersitje. Shkurt, u frikësova nga parafytyrimi…
Prapë e ndërpreu rrëfimin. Kësaj radhe fishkëllima e trenit paralajmëronte hyrjen në stacionin e Ferizajt. Që të dy u ngritën përballë dritares të shikonin jashtë. Treni ngadalësoi shpejtësinë. I njëjti konduktor që pak më parë kishte ardhur te dera, prapë e futi kokën brenda:
– Ju zbrisni në këtë stacion, a po?
– Po! – i thashë.
– Merrni sendet që keni me vete dhe dilni. Treni nuk ka ndalje të gjatë në këtë stacion. Menjëherë nisemi.
– Mirë, – i thashë atij dhe iu ktheva Stojkos, që rrinte i hutuar. – Çka po pret? Merri sendet që i ke me veti, të dalim shpejt.
Në stacionin e trenit priste ai që kishte dalë të më merrte.
– Dëgjo, – iu drejtova Stojkos, – mos harro ku e le rrëfimin. Më tregon më vonë, sepse tashti do të zëmë vend në kabinë të kamionit, me të cilin do të udhëtojmë drejt Prizrenit. Aty është edhe shoferi, nuk mund të flasim në prani të tij. Dakord!
– Po, more burrë, vazhdojmë kur të arrijmë në Prizren.
– Vetëm dua ta di çka bëre me sëpatën.
– Sëpatën e hedha atje ku e kisha marrë.
– Ec tash, të ngutemi. Kamioni, siç më kanë thënë, na pret prapa stacionit.

(Fragment nga romani “Misioni rus”)