Në rregull, nuk është argëtuese të shohësh filma me maskë në fytyrë. Apo të ulesh në sallën që nuk mban aromë pupagjelash, por erë dezinfektuesish. Ama për qindra kritikë të filmit, gazetarë dhe profesionistë të filmit të cilët shkuan në edicionin e sivjetmë të Festivalit të Filmit në Venecia – festivali më i madh që pas karantinimit për shkak të pandemisë – masat e reja për kujdes janë një çmim i vogël që duhet paguar për të parë filma sërish, raporton “Deutsche Welle”.

Duke e mbajtur edicionin e sivjetmë të festivalit, Venecia ka rrezikuar fort. Cannes, Telluride dhe festivalet e tjera të mëdha janë anuluar. “Toronto Film Festival” që do të mbahet në fund të kësaj javë, do të jetë më shumë një ngjarje lokale, me shumë pak njerëz që nuk janë kanadezë që do të marrin pjesë për shkak të rregullave strikte në lidhje me pandeminë.

Kështu që i takon Venecias që të jetë një bartës standard për industrinë ndërkombëtare të filmit.

“Venecia është gjithçka. Venecia është Karlovy Vary, është Cannes, është Berlini, Venecia është gjithçka tani”, ka thënë regjisori hungarez Kornél Mundruczó. Filmi i tij i parë anglisht “Pieces of a Woman” në të cilin luajnë Vanessa Kirby dhe Shia LaBeouf ka pasur premierën në Venecia të shtunën. “Mendoj se të gjithë e ndiejnë këtë. Nëse mund të flas në emër të të gjithë filmbërësve, mendoj se të gjithë pajtohemi se mbajtja e Festivalit nënkupton që ne jemi përsëri në vijë. Kemi nevojë për këtë”.

Shumica e teatrove rreth botës, të mbyllur për muaj për shkak të karantinës së pandemisë, kanë filluar që të rihapen. Çdokush që shkoi në Venecia këtë vit është duke u mbështetur në Festival që ai të kthejë entuziazmin e njerëzve për të shkuar e për të parë filma./koha.net/