Benjamin Keough, djali i Lisa Marie Presleyt dhe nipi i ikonës së muzikës, Elvis Presley, ka vdekur në moshën 27-vjeçare. Kështu kanë bërë të ditur disa media të huaja.

“Lisa Marie Presley është zemërthyer nga ky lajm, e pangushëllueshme dhe më se e shkatërruar emocionalisht, por po mundohet të qëndrojë e fortë për binjakët e saj 11-vjeçar dhe vajzën e saj, Riley. Ajo e adhuronte djalin e saj, Benjamin. Ai ishte dashuria e jetës së saj,” ka deklaruar zëdhënësi i Presleyt për portalin “The Hollywood Reporter”.

Benjamin Keough gjithashtu njihej si vëllai i aktores 31-vjeçare, Riley Keough, dhe djali i muzikantit Danny Keough, i cili u shkurorëzua nga Lisa Marie Presley në vitin 1994, transmaton Koha.

Sipas mediave amerikane, Benjamin Keough, në një pikë të jetës kishte provuar t’i ndjekë hapat e gjyshit të tij të famshëm, Elvis Presley, duke e nënshkruar një kontratë 5 milionë dollarësh me studion incizuese “Universal”. Kjo marrëveshje ishte arritur në vitin 2009 e cila e obligonte këngëtarin t’i incizojë rreth pesë albume me këtë studio. Por, deri më tani nuk është publikuar asnjë këngë apo album nga Keough.

Duke i cituar disa burime të paidentifikuara, uebfaqja për të famshëm “TMZ” ka bërë të ditur se 27-vjeçari, Benjamin Keough, ka vdekur nga lëndimet e marra nga një e shtënë me armë zjarri, që besohet të jetë shkaktuar nga vet ai. Ngjarja ka ndodhur të dielën në shtëpinë e tij në Calabasas të Kalifronisë.

Deri më tani, policia e Los Angelesit nuk e ka konfirmuar shkaktarin e vdekjes së tij.

Një prej postimeve të fundit të Lisa Marie Presleyt në rrjetet sociale, ishte një fotografi e postuar në muajin qershor në Twitter, ku shihej këngëtarja bashkë me katër fëmijët e saj: Riley, Benjamin, Finley dhe Harper.