Në moshën 90-vjeçare ka vdekur këngëtari i njohur Rudolf Stambolli. Artisti i  vlerësuar si mbreti i tangos, deri në vitet 1960 regjistroi mbi 35 këngë në Rumani, Bullgari, Çeki, Lituani dhe Rusi, që do të trashëgohen brez pas brez

I lindur në Tiranë dhe i rritur në Shkodër, fillesat e tij i pati me këngën satirike të Pjetër Gacit, “Kënga e Salepit”.

Ka qenë pjesë e grupit të parë shqiptar të muzikës së lehtë, “Havajana”. Ndërsa, me ritmet e tangos ka incizuar një nga këngët më të bukura shqiptare, “Kur gjethet bien në vjeshtë”.

Karriera aktive e Stambollës që nisi më 1946, nuk zgjati shumë. Në vitin 1963 mori pjesë në edicionin e dytë të Festivalit të Radio Televizionit Publik Shqiptar me këngën “Për dashurinë do këndoja”, duke heq dorë më pas nga muzika për të vijuar punën si teknik për centralet telefonike në Uzinën e Post-Telegraf Telefonave.

Ndonëse karriera e tij muzikore mbaroi herët, regjistrimet e 35 këngëve, si “Një natë në det”, “Flutur” (në duet me Anita Taken), “A të kujtohet”, “Përsëri ke me u afru”, “Këndo kitara ime”… do të bëjnë që pasuria që Stambolla ka lënë pas të trashëgohet brez pas brezi. /Shqiptarja/