Lasgush Poradeci

Vijnë vashat valle-valle,

gushë-e-gji-stolisura,

Një pëllumb, një sy sorkadhe

Seç vjen m’ e mbollisura.

Ç’m’i ka hije shtat’ i hedhur,

Hije kraharuari,

pa fillon me zë të dredhur

motra së kënduari:

Ju që niseni për lule,

Shoqe, moj, të mijëza,

merr-më-ni as edhe mua

ndër pyje korijëza;

Pritni, moj, të vij dhe unë

maleve, lëdinave

ndaj shkëlqen pa të përdhunë

filli i trëndelinave.

Në mos diça të bëj tufë,

shoqe ju dëgjo-më-ni:

bëni moj, një tog me lule

dhe ndër to mbulo-më-ni.

Në ju pyeçin për mua:

Ç’u bë flokbanusheja?

Thoni, se në një përrua

e zu gjarpërueshja.

Thoni se ndaj një burimi

më-te patë fluturën:

thoni se ç’e zuri trimi

atë bel-këputurën.