Ylber Hysa

Veziri i famshëm me prejardhje nga Luma e Shqipërisë, Koxha Sinan Pasha, ka ndërtuar në Kaçanik, përveç kalasë, edhe një xhami (e cila ekziston edhe sot), një shkollë, dy hane dhe një imaret. Në fakt, djali i Sinan Pashës, Mehmed Pashë Kaçanikliu, vazhdoi me ndërtime në këtë vend, duke e shndërruar kështu Kaçanikun rreth viteve 1600 në një vendbanim të zhvilluar me një varg institucionesh publike. Mehmed Pasha i vuri në dispozicion edhe tre mullinj në Lepenc që t’i mirëmbanin e t’i financonin ndërtimet e tij në shfrytëzim publik dhe me këtë rast mbi Nerodime ndërtoi urën që e lidhte kalanë me pjesën tjetër të qytetit, si dhe një çezmë publike dhe katër hane të tjera, “të cilat gjenden në mëhallën e të pafeve në kasabanë e përmen­dur”.

Mirëpo, para së të formësohet një ide më e plotë mbi tërë këtë projekt, ia vlen që ajo të qartësohet përmes vakëfnamesë, e cila në mënyrë impozante dëshmon për një mbështetje gjithëpërfshirëse në krijimin, mirëmbajtjen, detyrat, financimin dhe karakterin e këtij institucioni bamirësie.

Ndarja e pasurive

-Për nevojat e këtyre ndërtesave publike në Kaçanik, funksionimin dhe mirëmbajtjen e tyre, ishin ndarë pasuritë si vijon:

-Dymbëdhjetë dyqane në afërsi të “Kafe hanit” në Shkup, te hamami i njohur.

-Katër bujtina të ndryshme në “Çitlluk” në Akbash, në kadillëk të Shkupit, së bashku me robërit, skllevërit dhe me bagëti; bujtina tjetër e njohur si e Hasan begut nga fshati Jenixhe me pasuri përcjellëse, si dhe bujtina tjetër “Çifllik” në Tabanovc të kadillëkut të Kratovës me të njëjtat pasuri përcjellëse, si dhe bujtina në Jezerc, në kadillëk të Prishtinës me gjithë pasurinë tjetër përfshirë bagëtitë.

-Njëzet e një mullinj: një mulli në Lepenc dhe pesë të tjerë në Jenixhe në Vardar, gjashtë mullinj në Orman, si dhe tre mullinj të tjerë në fshatin Ismixhe, në kadillëk të Shkupit dy mullinj të tjerë në “Jajllak” (kullosa verore), së bashku me vetë kullosën si dhe dy mullinj të tjerë në Dumova, si dhe dy mullinj në Kamenicë të Novobërdës.

-Pastaj, pasuritë në 3 fshatra – Çajlla në kadillëk të Gorës, fshati Janoshtica në kadillëkun e Vranjës, në san­xha­kun e Qystendilit; pasuria e fshatit Orman, në pje­sën e quajtur Dejlan, në afërsi të lumit Dollova.

-Dy kullosa të mëdha, një në Tikvesh e njohur si kullosa dimërore e Ullam Pashës dhe tjetra në Sharr e njohur si kullosa e Jahja Pashës. Pos kësaj, edhe vendi “Këshlla” në kadillëkun e Ulqinit.

-Një hamam – ai i Prishtinës.

-Përveç kësaj, edhe 12.000 krerë dele në Kamenicë, në Kosovë. Këtu duhet shtuar edhe bagëtinë tjetër në fshatrat ekzistues ku janë dhuruar hanet/bujtinat.

-Një pasuri e këtillë, që nga Ulqini e deri në Maqe­doni, i shërbente vakëfit në Kaçanik, që shërbehej po ashtu nga një numër impresiv funksionesh, që në mënyrë shumë të rregullt dhe precize janë specifikuar në vakëfname që mban datën 23 korrik 1586. Për funksionimin e vakëfit të Sinan Pashës ishin paraparë 37 profesione me 60 të punësuar:

Mutevliu, i cili është mbikëqyrës i përgjithshëm i vakëfit, që duhet të ketë kualifikime, ndërmarrësi dhe të jetë njeri shumë i shquar, i virtytshëm dhe i njohur për ko­mu­nitetin, që t’i besohet i tërë menaxhimi i vakëfit. Pagesa e tij, varësisht nga funksionalizmi i detyrave të financimit dhe të hyrave, është 30 dërhemë, që njëherësh është edhe paga më e madhe./koha.net/