Jerida KULLA

Një grusht i vogël u ngrit dhe u ul disa herë me të njëjtë intensitet, me të njëjtën forcë në ajër. Goditi me tërë energjinë e fshehur në shpirt ajrin e elektrizuar si pas një shkreptimë rrufeje.

Të tmerruara molekulat u larguan nga njëra-tjetra dhe u fshehën diku, në një cep të hapësirës. Nxirrnin vetëm kokën të shikonin, pasi të preknin shoqen kishin frikë, se mos… dhe…

Nga ajo hapësirë e vogël largësie u fut qenia ime, pa ditur se kush e shtynte drejt atij misteri. Ndoshta kërshëria, ndoshta ekzistenca e jetës. Ka mundësi të jetë edhe ndonjë ndoshta e tretë, që qenia ime e merrte si të mirëqenë, po truri nuk arrinte ta perceptonte dhe ta deshifronte me tinguj, fjalë, pasi operacionet e të menduarit të kishin përfunduar. Pikat e sinapsit nuk arrinin të lidheshin me njëra-tjetrën, edhe pse zgjateshin e zgjateshin, sa thua mund të këputeshin në çast dhe i gjithë aksioni i të menduarit do të dështonte.

Një mister i vogël largësie për ata që ishin në anën tjetër, por një univers i tërë pa formë, pa skaje, pa kufij… një sipërfaqe e ngjashme me tokën time, po nuk ishte ajo. Ajo tokë ku ecja ishte e ashpër dhe njëkohësisht e butë si kadife, e ftohtë si Antarktida e njëherazi e zjarrtë si shkretëtira e Saharës.

Ç’vend ishte vallë ky, ku hapi i dytë nuk ngjante me të parin? Ku lojërat ishin nga më të çuditshmet?

Megjithëse barometri tregonte zero, unë përsëri arrija të merrja frymë, domethënë jetoja, jetoja. Kjo do të ishte “shpikja” ime e parë…

Prekja veten me duar për të parë se mos isha në ëndërr. Pasi truri im, kohët e fundit, në ëndërr, ku nuk më çonte, në planetë të zbuluara dhe të panjohura, që po t’i mbaja mend, kur hapja sytë, mund të ishte ndonjë planet i ri që priste ftesën për të ardhur për vizitë në Tokë. Pas çdo prekjeje, dridhej diçka në trup. Ndonjë qelizë do të ishte pa qejf. I kërkova ndihmë neuronit ta shëronte. Zgjati pak këmbën dhe me antenat e tij e preku lehtazi si një fllad ere. Një zhaurimë e zvargur u ndie, kapi veshi këtë rezonancë kaq të ulët. Nga ligjet e fizikës kisha një farë njohurie. Këtë gjë e dija se në asnjë mjedis pa oksigjen, asnjë qenie nuk jeton, asgjë nuk dëgjohet, jo se nuk duam ne, por nuk do oksigjeni. Çfarë kishte pësuar trupi im?

Unë a jam unë apo unë jam ti e ti kushedi kush je?

Kjo gjendje elektrizimi po më çmendte e po më kënaqte. Nuk po dija të reagoja para këtij fakti që truri vetëm e perceptonte. Ngushëllohesha me të vetmin fakt, se isha unë kudo, domethënë trurin e kisha timin. Ç’rëndësi do të kishin të tjerat!?

Po vetja ime, do të ishte e njëjtë me të parën? Apo edhe ajo ishte mërzitur e kishte dalë shëtitje? Në çfarë vendi apo sheshi nuk mund ta them, pasi gjithçka ishte e drejtë, më e drejtë se e drejta. E kisha zili këtë laborant, që kishte eksperimentuar këtë plan të drejtë.

Në asnjë vend s’kishte të instaluar asnjë prizë, llambë; asnjë yll nuk ishte lart mbi kokë a poshtë meje; as Dielli me Hënën nuk dilnin. E megjithatë, e tërë hapësira ishte dritë.

Isha në ajër e përsëri nuk bija poshtë; zog nuk isha e megjithatë fluturoja duke ecur. Një ecje fluturimi tepër e ëmbël.

Bëja çudi me veten se sa shpejt shkova aty ku njerëzimi ka mijëra vite që s’po ikën dot…