Zija Cela

I dashtun mik, patjetër do ta ruaj intimitetin që më besove dhe anonimatin tend. Por ti deshiroje një përgjigje prej meje.
Me sa kuptova, kjo eshte pyetja qe te mundon: Perballe realitetit ekonomik, politik e social, qytetari i thjeshte a duhet te gjeje menyren per t’u shprehur, apo t’i gelltise ne heshtje pakenaqesite e veta?
Une po them se njeriu e ka gjetur një rrugë, ku shumëçka vetasgjësohet. Dhe ky krematorium është harresa. I bën mirë harresa njeriut? Ka lloj-lloj harresash, prandaj veshtrimi shkencor u lihet specialisteve, ndersa ne japim thjesht opinion.
Sipas meje, njëfare makinë e gjallë është njeriu. Dhe kjo makinë e gjallë që prodhon lëvizje, mendim, fjalë, sekrecione, kollitje, krime të përbindshme, ka skapamentot e saj për të shkarkuar fëlliqësitë fiziologjike, por jo pisllëkun shpirtëror. Kam nje lutje per ty, mos pandeh se ngaqë nuk shihet me sy, gjithe çfarë është e kalbshme kalbet menjëherë, prandaj nuk kemi përse të alarmohemi. Po te mendosh keshtu, gabohesh. Repartit të kalbjes në varreza, i paraprin këtej reparti i ndotjes ne te gjalle. Thone se asnje cikël nuk mund të mbyllet ndokund, nëse nuk ka filluar diku tjetër.
Të ndalemi pak këtu.
Nga pandeh, zotrote, se i vjen ndotja shoqerise? (Per te mos thene ne pergjithesi njerëzimit.) Në krahasim me fajet që përfundojnë në gjykatë, ndotja më e madhe i vjen nga fajësitë që kurrë nuk paditen. Nuk paditen sepse fshihen. Aq fshihen e fshihen, sa nuk ka burre nane ta thote sa shume dhe sa llahtarshem fshihen ne vendin tone! Dhe për nga përhapja, këta janë shumëfish në numër. Sepse, pervec autoreve te drejteperdrejte, per interesa te pista, ndervaresi korrupsioni e qellime pushteti, ne fshehjen e fajesive implikohen politikane, prokurore e gjykates, deputete e zyrtare te larte, miku e shoku, gjithfare berlloku. Shkurt fjala, duke e perpunuar e sterholluar, kete fshehje e kemi ngritur ne rang institucioni.
Pa qenë prift as unë e as ti, çdo figurë krimi mbart edhe kuptimin religjioz, atë të mëkatit dhe të mëkatarit. E ky kuptim na zbret në burim. E pyeti Zoti dikur Adamin, përse e hëngre mollën e ndaluar? Më tha Eva, u pergjigj shpejt e shpejt ai. E pyeti Zoti atëherë Evën, përse e hëngre mollën? Më tha gjarpri, ia priti po aq shpejt ajo.
Mos valle cifti i botes se ardhshme u ndodh ne trevat tona, kur i dha keto pergjigje?!.. Sidoqofte, kaq iu desh Hyjit që të vinte në provë dobësinë e krijesës së vet. As burri, as gruaja nuk e kthyen gishtin nga vetja, por nga tjetërkush. A thua qysh atëherë njeriut nuk i pëlqen të mbajë përgjegjësi?! A thua qysh atehere e kultivoi dalengadale Harresen, ate krematoriumin ku asgjesohet berlloku shpirteror, pergjegjesite e fajesite kriminale, por edhe pakenaqesite e gelltitjet e qytetarit qyqar?!.. Nuk jam i sigurt, me përjashtim të një urtësie: Kur hyn ujku në vathë, mbyt disa dele njëherësh, megjithëse për të ngrënë vetëm njëra do t’i mjaftonte. Ja perse po heshte shpesh, vjen koha qe kthehesh ne dele, dita kur te perpijne me mish, me eshtra e me lesh. Sa per alternativen ose ujk ose dele, kuptohet se eshte jashte gjykimit te shendoshe.
Tani është radha jote të flasësh. E fol pra, se mbyllja e gjate ndjell kalbezimin. Aq më tepër që, po mungoi dialogu, nuk mjafton kurrë një përgjigje e vetme. Sa here te vertetes i vihet cak me autokraci, ka shanse qe ajo te behet pluhur e hi.