Albanë Mehmetaj

Ernest Koliqi është ndër të parët autor që solli shenjat e modernitetit në letërsinë shqipe. Kësisoj, ai u bë ndër theme­luesit e prozës moderne shqipe. Prandaj edhe kursi dhe dis­kursi lidhen me shenjat e modernitetit, që do të thotë hetohet gjithë vepra letrare e nismëtarit modern në letërsinë shqipe dhe diskursi modern i këtij autori për të parë se si krijohet vepra letrare moderne duke pasur objekt kulturën e shkruar, po ashtu edhe atë edhe orale.

Honet letrare të Koliqit, si dhe loja me gjuhën e stilin në funksion të ruajtjes së autenticitetit përmes përdorimit të strukturave dhe formulave orale, nëpërmjet lidhjes intertek­stuale, me monumente të kulturës dhe identitetit letrar, Kanuni i Lekë Dukagjinit, përrallat, baladat, këngët e kresh­nikëve, kanë bërë që ai të veçohet si autor i rëndësishëm në planin artistik dhe estetik.

Koliqi, si njohës i letërsive dhe i shkollave moderne evro­piane, njohës dhe zbulues i kulturës tradicionale shqiptare, krijoi një model të ri letrar si në formë ashtu edhe në ide, duke i kombinuar këto dy premisa në një diskurs personal përmes semantikës simboliste dhe narracionit simbolik dhe metoni­mik.

Koliqi mendon se vepra letrare duhet të burojë nga trashë­gimia etnike, pasi ngjarjet e vogla të përditshme janë brumë për tema të mëdha letrare. E nga këtu buron motivimi i tij për veprën letrare duke e mveshur me një sensibilitet të ri dhe modern.

Koliqi i kishte sistemuar shkollat letrare shkodrane me orientim jezuit dhe françeskan, duke e renditur veten në të parën për shkak të poetikës moderne, frymëzimit në libra dhe kërkesës së përqendrimit në figura stilistike. Por, edhe si nxënës i dalë nga shkolla jezuite dhe i formuar kështu kulturalisht, veprat e tij letrare burojnë nga fryma vendase, duke pasur objekt temat e Malësisë e të Shkodrës ashtu sikurse Fishta i shkollës françeskane shkodrane. Koliqi edhe në punimin e doktoratës kishte trajtuar temën e epikës popu­llore shqiptare, këtë kulturë të rëndësishme shqiptare, por me një stil të pastër e modern, në një dimension të ri e krejt personal.

Koliqi, pra, shquhet si themelues i prozës moderne shqipe. Pikë së pari këtë e paraqet me nënvizimin që ua bënë tregi­meve të veta Novella e poemtha në prozë, për të lexuar ndryshe si në planin diskursiv ashtu edhe në atë formal, por duke pasur objekt autenticitetin e vendit. Librat me tregime Hija e malevePasqyrat e Narçizit dhe Tregtar flamujsh, të cilat do të trajtohen veç e veç në këtë kapitull, janë ata që i kanë dhënë Koliqit këtë epitet të shkrimtarit modern. Po ashtu, me stil të ri letrar karakterizohen edhe poezitë e tij, dramat, si dhe romani. Në anën tjetër, sistemi dhe kodi tematik që e përbëjnë veprën e Koliqit fund e krye janë shenja të tjera të moder­nitetit, ndërsa atdhedashuria që përthyhet në veprat e tij, si fenomen individual e pastaj zgjerohet etnikisht, për të shënuar moralitetin e vendit në të gjitha dimensionet, e zgjeron këtë plan modernist.

Të gjitha këto elemente të përmendura këtu nuk do të kishin marrë formën e dëshiruar pa fokusimin krye­sor të Koliqit në “psikikën” e personazhit për ta hetuar atë nga brenda si zbulim e rrëfim që buron nga bota e letërsisë së tij. Koliqi i heton problemet individuale si më të rëndësishmet duke i rrëfyer ato me një ndjeshmëri të re nëpërmjet formës dhe strukturës artistike dhe trajtës estetike. Prandaj zgjedhja e tij që të trajtojë frymën shqiptare e shpirtin shqiptar në një shije të re letrare konside­rohet si shenjë e estetikës dhe e modernitetit. Sepse një shkrimtar si Koliqi e di se moderniteti dhe e reja burojnë nga kultura dhe nga tradita e vendit e lidhen me të si dega me trungun. Vetëm se dega është manifestim i ri, që ka vetëdijen se një ditë do të jetë trashëgimi e do t’i ketë degët e veta[1]. Në këtë kontekst, topikat e ambientit shqiptar janë të zakonshme për Ernest Kolqin si një shkrimtar i rritur në gjirin e shkollës letrare shkodrane. Veprat si Hija e maleve apo tjetra Tregtar flamujsh trajtojnë tematika dhe topika shqiptare në ambiente tipike, njëra ambient tradicional shqiptar, kurse tjetra urban dhe modern.[2]

  1. Topika

Topika, së paku që nga retorika dhe poetika e Mesjetës, u bë kategori me shtrirje dhe përdorim të gjerë, kështu që është e nevojshme që të trajtohet edhe në rrafshin teoriko-letrar. Në të vërtetë, që nga Retorika e Aristotelit topika ka mbetur një ndër nocionet themelore që është përdorur për t’i konceptuar vendet e përbashkëta. Topika, thotë Aristoteli, është vend për t’i kujtuar gjërat, është element ku shoqërohen idetë, rajon ku mund të gjenden argumentet. Me një fjalë, vend ku bashkohet ideja me hapësirën. Për Ciceronin argumentet që vijnë nga vendet, për kauzën që do të trajtohet, janë “si germat për fjalët që do të shkruhen”[3], vendet pra formojnë një rezervë të veçantë që përbën alfabeti: një trup formash pa kuptim më vete, por që konkurrojnë për kuptim përmes përzgjedhjes, vendosjes, aktu­ali­zimit. Aristoteli e shtronte për diskutim raportin e topikës me vendin, duke menduar se topika duhet të jetë një metodë më praktike se dialektika, e cila nxjerr përfundime nga arsyet e të vërtetëdukshmes dhe që, më vonë, në historinë e retorikës ka dalë si art i të gjeturit të argumenteve. Kuptimi i dytë që i jep Aristoteli topikës është ai i “një rrjeti formash, i një udhe gjysmëkibernetike, së cilës i shtrojmë materien që duam ta shndërrojmë në ligjëratë bindëse”. Ndërsa kuptimi i tretë është topika si rezervë stereotipash, temash të konstatuara, “pjesërisht të mbushura që vendosen gati në mënyrë të obligu­eshme në trajtimin e çdo subjekti; prej nga del dysia historike e shprehjes vende të përbashkëta: 1. Janë forma të zbrazëta të përbashkëta për të gjitha argumentet (sa më të zbrazëta të jenë, aq më të përbashkëta janë); 2. Janë stereotipa, fjali të përsëritura[4]. Këto përcaktime u kanë hyrë shumë në punë poetikave, por më vonë ky fenomen është njësuar me temën. Kështu, ky koncept në studimet letrare shqipe na lidh detyri­misht me studiuesin Sabri Hamiti, i cili nënvizon toposin si përsëritje të së njëjtës apo të së ngjashmes në të folur dhe në të shkruar, duke menduar se ky fenomen ka kaluar nga diskursi në substancë dhe duke rrezikuar të përzihet me temën. Kategorizimi i tillë motivohet nga pikëpa­mja se toposi më ngadalë kalon nga fusha formale në fushën e domethënies dhe këtu, pikërisht këtu, lind konfrontimi me temën[5]. Në shqyrtimet e Hamitit prania dhe ndryshimet në kohë janë karakteristikë e temës letrare, përsëritja e ‘vendit të përgjithshëm’ në kohë të ndryshme është karakteristikë e toposit[6]. Kjo e justifikon mendimin përfundim­tar të tij, se toposi është një temë e bartur nëpërmjet përpuni­mit formal.

Rrëfimtaria te Hija e maleve realizohet me gjuhë të figuruar, duke ndjekur trajtat dhe formulat siç e kërkojnë temat e Kanunit, por me një stil të ri autorial, të shtruar mirë dhe që prodhon efekte estetike të veçanta. Me këtë stil, gjuhë të figuruar dhe këto efekte estetike ndërtohet rrëfimtaria te Tregtar flamujsh, por pa trajta e formula kanunore, por universale. Rrëfimet burojnë nga toposi, për t’u strukturuar në formë letrare, e kësaj i ndihmon shumë forma e shkurtër e tregimit, në të cilën shquhet Koliqi, duke bërë që situatat, ideja dhe diskursi të dalin më të koncentruara. Kjo strategji rrëfimore bën që lexuesi ta ketë më të qartë pamjen e dhënë dhe të koncentrohet më lehtë tek ideja autoriale. Në këtë formë ligjërimi letrar prodhon kuptim të ri dhe emocion të ri përkrah konvencës kanunore dhe jetës qytetare, duke krijuar edhe rrëfim të ri letrar, ndryshe nga format dhe nga diskurset popullore dhe letrare. Ky stil modern letrar u jep një hije e hapje të veçantë estetike tregimeve të Koliqit.

Tregimet e Hija e maleve dhe Tregtar flamujsh shtrihen në histori rrëfimore me hapësirë dhe kohë të përcak­tuar, vijë narrative, shtjellim deri në hollësi dhe zgjidhje të problemit ideor. Narratori rrëfen ngjarjen duke ditur dhe njohur gjithçka imtësisht, duke i dhënë frymë strukturës narrative nëpërmjet veprimit që përfaqësohet nga një linjë narrative dhe nga fabula klasike, fakt që e esencializon temën e tekstit.

Karakteristikë e tregimeve të Koliqit janë: shkurtësia e tekstit (përveç tregimit Gjaku e Diloca te Hija e Maleve, dhe Bylbylat e Plepishtit dhe Djepi arit te Tregtar flamujsh), emocionaliteti auto­rial shumë i theksuar, krijimi i figurave poetike, duke zotëruar metafora, simboli dhe krahasimi, rrëfimi dhe për­shkrimi i saktë dhe i hollë­sishëm, duke u kombinuar shpesh me dialog, paraqitja e gjendjes së brendshme dhe e pamjes së jashtme të ambientit. Pothuajse të gjitha tekstet dalin si paraqitje e gjen­djes së brendshme shpirtërore qofshin ato situata të mira apo të këqija, që nganjëherë përcillen edhe me të ndodhurën dra­matike.

Duke hetuar topikat në librin Hija e maleve duhet veçuar topikën e “besës shqiptare” si simbol i vendit dhe i traditës lidhur me mikpritjen dhe me kultin e mikut në traditën tonë, ashtu siç del në jetë dhe ashtu siç e përshkruajnë veprat e tipit të Kanunit të Lekë Dukagjinit. Këtë simbol dhe topikë e hasim në disa prej tregimeve kryesore të Hijes së maleve, në trajta të veçanta formale dhe diskursive, por si topikë kryesore shfaqet te tregimi Miku, i cili është “çelësi” që hap derën për t’i lexuar tregimet e Koliqit të topikave shqiptare, të koncen­truara në një situatë të vetme dhe të thjeshtë tregimtare, në të cilën thuhen idetë e autorit për disa kategori tradicionale të jetës shqiptare. Besa e shqiptarit, si kod i madh moral dhe etnik i traditës sonë, është një ndër fenomenet e shpeshta që është formuluar dhe është bërë topikë letrare. Kështu që stu­dimet që duan ta interpretojnë trajtën e saj në letërsi duhet të fillojnë nga Kanuni i Lekë Dukagjinit, nga kodi i ligjësive tradicio­nale shqiptare dhe, për më shumë, i psikologjisë shqiptare.

Besa është një ndër kapitujt më të veçantë të Kanunit, në kontekstin e të cilit ajo përkufizon një lloj lidhje apo pakti të paprekshëm në mes të dy personave apo palëve, për arsye të ndryshme, dhe mbart në vete kategorinë e nderit dhe të burrërisë. Ky konceptohet si një raport autentik që ka pikë kryesore fjalën e dhënë. Fenomeni i besës shoqërohet nga nderi dhe burrëria dhe formula që miku ndër shqiptarë është i paprekshëm.

Gjergj Fishta mendonte se besa dhe nderi përfaqësojnë qytetari dhe kulturë shqiptare, duke i konsideruar si rregullatorë të jetës së popullit shqiptar. Theksonte se pa parime morale, siç janë nderi dhe burrëria, njeriu s’mund të jetë i qytetëruar. Këto parime konceptohen si norma juridike dhe si shprehje të psikikës së një populli, që ndërtojnë edhe shtetin si shoqëri të organizuar. Kurse për Krist Malokin besa, nderi dhe burrëria përbëjnë idenë shqiptare dhe e nënvizojnë kombin si një ndjesi që vlon në zemrat e një grumbulli njerëzish që përbejnë atë komb, një ndjesi që është apo nuk është.[7] Pra, derisa për Fishtën besa e miku shpallen si kategori që shënjojnë kulturën tradicionale shqiptare përballë kulturave të huaja, për Malokin besa, nderi e burrëria përbëjnë idenë shqiptare. Kjo trini, sipas tij, e ka bazën në Kanunin e Dukagjinit, të cilin ai e quan amanetin më të ndritshëm të shpirtit shqiptar që e pas­qyron lartësinë morale dhe etnike të shpirtit shqiptar.

Kërkimi i identitetit shqiptar si etikë dhe kultivimi i kulturës kombëtare përmes heroit Uc Lleshi është pika kyçe e tregimit Miku. Këtu, pra, shpalimin e etikës së moralitetit të vendit ka në plan të parë heroi letrar i Mikut. Kjo, mbi të gjitha, është një ideologji autoriale, në të cilën besa dhe mikpritja temati­zohen si kategori të veçanta kulturore, me vlerë monumentale dhe si themele të botëkuptimit të jetës së malësorëve. Kurse të dyja bashkë janë kategori të sjelljes në botën e veçantë të malësorëve që shenjat shqiptare i kanë mbi fenë e, mbi të gjitha, që është formulë kanunore: “Shpia është e mikut dhe e zotit”, si dhe “secili që shkel pragun është mik, qoftë më parë dhe armik”, përbëjnë esencën e jetës me nder.

Në këtë dimension etik e rëndësishme është të vihen përballë dy heronj të Koliqit, Uc Lleshi i tregimit Miku dhe Gaspër Tragaçit i tregimit Tregtar flamujsh, për të parë se si ndryshojnë normat e sjelljes në shoqëri të ndryshme dhe çka prodhojnë topikat e vendit (Malësia dhe Shkodra).

Derisa te heroi i parë provohet moraliteti i vendit deri në thellësi e norma e kanunit provohet në jetë, duke qenë ndjesia më e madhe e tij, te heroi i dytë ky moralitet dhe kjo etikë dalin tërësisht ndryshe, të determinuara nga një ambient ndryshe. Pra, kemi dy personazhe që vijnë nga dy ambiente të ndryshme, njëri malësor e tjetri qytetar, të cilët ndryshojnë në bazë të normave të sjelljes, të kulturës dhe të botëkup­timit në tërësi. Kështu takohen dy personazhe letrare që me veprimet e tyre japin shenjat e vendit e që motivueshëm na shpien te dallimi i Malësisë tradicionale dhe i Shkodrës qytetare. Kon­trasti këtu është realizuar përmes veprimeve të tyre: Uc Leshi, toger, i lë detyrat shtetërore, ambicien për t’u ngritur në detyrë dhe detyrimin për t’u hakmarrë vetëm për të ruajtur mora­litetin, ndërsa Gaspër Tragaçi, tregtar, nuk lodhet për atdheun dhe për poezinë, por si ambicie të parë ka përfitimet mater­iale. Personazhi i parë përmbushet shpirtërisht dhe psikolo­gjikisht kur ruan etikën, ndërsa personazhi i dytë, si rob i parasë, përmbushet vetëm me anë të saj. Në këtë plan, nëpërmjet një vështrimi krahasues, mund të vihet në pah ideja autoriale e cila shënjohet përmes dy pamjeve të ndryshme, të dy kulturave të sjelljes krejtësisht të huaja për njëra-tjetrën, të moralitetit dhe të idealitetit shqiptar dhe të sjelljes tregtare dhe universale të njeriut të qytetit. Kështu, dy personazhet e Koliqit sprovohen në dy situata të ndryshme: Uc Leshi balla­faqohet me malësorët e tij, me të cilët ka një mentalitet, ndërsa Gaspër tregtari takohet me idealistin e poetin Hilush Vilza i cili e do identi­tetin ideal shqiptar. Drama shkon më tej, sepse për tregtarin flamuri kuq e zi nuk nënkuptohet si shenjë nacionale apo si simbol i atdhedashurisë, por si mall përfitimi i cili vlen kur shitet dhe nuk ka asnjë vlerë nëse nuk shitet.

Për t’i veçuar etikën e Ucit dhe të Gasprit, Koliqi thekson kategoritë esenciale të njeriut, te njëri e përcaktuar nga “hija e maleve” dhe etika e Kanunit, që shtrihen dhe e zotërojnë qenien e tij, tjetri i përcaktuar për jetën urbane të Shkodrës dhe jetën materiale. Në këtë kuptim, Uci dhe Gaspri janë të huaj për njëri-tjetrin. Duke mos pasur të njëjtën kulturë e të njëjtën etikë, Gaspri harron Shqipërinë për paranë, kurse Uc Leshi mposht lakminë dhe dëshirën përpara nderit. Këtu secili realizohet sipas mënyrës së tij, Uci duke ruajtur burrërinë dhe moralitetin, Hilushi duke ruajtur idealitetin, ndërsa Gaspëri duke fituar paratë nga malli që për Hilishun është shenjë idealiteti e për Gapsrin markë përfitimi. Prandaj, duke dashur që të ruajë e të kujtojë traditën e kulturën e “palcës etnike”, Koliqi shënjon dy lloj personazhesh, si dy botë që ndeshen fuqishëm mes vete në rrafshin etik të jetës, në letërsi, të dëshmuara si dy topika tipike.

Derisa hetojmë normat e sjelljes në shoqëri të ndryshme, duke parë se çka prodhojnë topikat e vendit, pra Malësia dhe Shkodra, është e rëndësishme që të vështrohet në këtë aspekt edhe tregimi Diloca te libri Hija e maleve sepse këtu, në njëfarë mënyre, bëhet krahasimi i drejtpërdrejtë i jetës së Malësisë e Shkodrës. Diloca, që është personazhi më tragjik i Koliqit, vdes për së gjalli duke pësuar nga hija e “kodit”, zhvendoset në Shkodër duke u strehuar te disa shkodranë. Dhe ajo që duhet theksuar këtu te dallimi i këtyre mendësive është që Koliqi le të vërehet qartë dallimi në gjërat ekzistenciale, për shembull, kur Dilocën vijnë e kërkojnë malësorët në Shkodër, djali që e strehon atë e lajmëron “xhandarmërinë e vendit”:

– Ai Malsori, Dilocë, s’ka me të mundue mâ. Kam folë në hyqmet e më kanë premtue se, po e panë tue u sjellë edhe nji herë këndej pari, do t’a kapin.[8]

Aq shumë e kërkonte Doda i tregimit Gjaku (Hija e maleve) këtë “xhandarmëri”, e funksionin që do të duhej ta kryenin ata, por ishte krejt e pamundshme në Malësi, derisa në Shkodër ishte krejt e zakonshme. Që malësorët nuk e njohin këtë mendësi vërehet edhe te Diloca, kur thonë që “malsorët janë si dreqën”, prandaj shkodranët e zbatojnë ligjin.

Në këtë kontekst, jeta e personazheve gra malësore e shko­drane dallon tërësisht në plan të dashurisë. Derisa të parat përfundojnë tragjikisht si Mina, Mrika, Diloca, Nusha, të cilat sprovohen me situata të rënda jetësore etj., të dytat preoku­pohen me realizimin e ëndrrave të tyre dashurore e me mani­festimin e hireve të tyre. Të kujtojmë Çiljetën e tregimit Bylbylat e Plepishtit e cila del e bashkëbisedon me djem, vallëzon dhe darkon si zonjë e vërtetë, pa kompleksin e kodit. Ose të persona­zheve të tjera që ua shfaqin dashurinë djemve, ose e pranojnë hapur dashurinë duke biseduar për të, e mos ta përmendim Linën e tregimit Rrokull e cila tradhton hapur të shoqin e ka raporte intime me burra të tjerë.

Kur jemi te topikat e Kolit, si topikë përfaqësuese del topika e gjakmarrjes, kod i cili trajtohet me gjuhën e letërsisë, por duke iu referuar Kanunit të Lekës. Pra, gjakmarrja është kod i madh i Kanunit dhe i librit të Koliqit Hija e maleve përderisa, siç theksuam, kjo hije nuk vërehet te Tregtar flamujsh. Ky lloj i letërsisë së Koliqit ka objekt që përmes këtij kodi të madh të ilustrojë moralin etnik të traditës sonë duke e shtrirë tema­tikisht nëpër tregime si GjakuKe tre lisatSe qofsh pleqnofsh. Lidhja e rrëfimit letrar me këtë kod këtu del si bosht tematik duke prodhuar efekte estetike pasi që tregimet moti­vohen nga Kanuni. Kemi theksuar se lidhjet e një pjese të letërsisë shqipe me Kanunin e Lekë Dukagjinit janë ndër më të rëndësishmet. Duke i pasur temë kodet e Kanunit në këto tregime, hetohet përpje­kja që të shpjegohet jeta tradicionale e malësive shqiptare në rrafshin e imagjinatës letrare meqë Kanuni ndër shekuj ka qenë kushtetutë e shqiptarëve në ato ambiente.

Gjakmarrja te tregimet e përmendura të Koliqit shtrihet si histori rrëfimore, në shtrirje kohore e hapësinore konkrete, duke i bërë të njohura të gjithë mekanizmat e funksionimit të këtij kodi të lashtë. Gjakmarrja këtu zbërthen tërë nyjën e fortë të Kanunit të moçëm, duke parë se si jeta funksionon brenda kodit dhe se si njerëzit e maleve i binden atij. Kjo rrëfehet në botën imagjinative të veprës e cila i ka specifikat e veta dhe manifeston qenësinë e Kanunit në çdo sferë të historisë narra­tive. Kështu kodi i gjakmarrjes si kod zakonor fokuso­het në këtë vijë të fiksionit, me ligje të pashkruara dhe zanafillë të lashtë, rrëfehet si fenomen i jetës së shqiptarëve. Bartës i veprimeve dhe i efekteve të kodit në rrëfimet e Koliqit janë Doda, Mina, Mrika e Diloca të cilat ilustrojnë gjendjen personale, por tragjedia e tyre bëhet simbol për tragjedinë e malësorëve shqiptarë.

Derisa në tregimet e librit Hija e maleve dashuria dhe vdekja rrëfehen si sinonime, te Tregtar flamujsh ky dis­kurs ndërron rrënjësisht për t’u fokusuar te dashuria për jetën e për mënyrën e jetesës. Koliqi nën hijen e Kanunit shpjegon jetën shqiptare, por duke qenë i vetëdijshëm se jo të gjitha normat e tij arkaike janë të dobishme. Kjo tendencë vërehet te Tregtar flamujsh, duke u theksuar zëri i vet personazheve si vetëdijesim për ndryshi­met e disa zakoneve të vjetruara. Por, përsëri edhe këtu dhe në çdo tekst të Koliqit shënjohet qenësisht ideja se parimet më të larta e me plot fisnikëri njerëzore gjenden te Kanuni.

Koliqi në gjithë krijimtarinë letrare, si në poezitë që i shkroi së pari, pastaj në tregime, roman e në dramë, edhe në studime, trajton rrënjët e etnisë dhe të historisë sonë kombëtare. Shenjat shqiptare dhe shqiptarizmi në përgjithësi, kërkimi i identitetit, ruajtja e “palcit etnik”, përvojat reale dhe shenjat autobio­grafike janë temat e përhershme të Koliqit të cilat shpalosen si prodhim kulturor i ideve dhe jetësohen artistikisht dhe este­tikisht.

Koliqi dëshiron që rrëfimet e tij në planin e sensibilitetit t’i projektojë si Libër jete (siç thotë ai për ‘Lahutën e Malcís’ të Fishtës), si libër që të paktën e aspiron frymën e jetës vendçe, frymën e vulës së fisit[9]. Nxënës i shkollës letrare evropiane të Italisë, kërkues dhe zbulues i traditës autentike nga fillimi, përshkrues i bashkëkohësisë në hapjen e imagjinatës e të projeksioneve autoriale, Koliqi e provon modernitetin si ontos të sotëm, që del nga trungu i djeshëm dhe i përhershëm dhe që sprovohet (sot) në jetën e gjallë, të lidhur në situatë apo në psikikën e individit, përkthyer në gjendje.[10] Do të thotë, i gjithë programi narrativ dhe poetik i Koliqit lidhet si një lloj semioze që gjithçka lidhet me gjithçka për t’u projektuar autentikja nëpërmjet situatave personale të personazheve të krijuara. Në këtë vështrim e në kuptimin e shenjave autobiogra­fike, tekstet më të lidhura brenda hapë­sirës tekstore të tij janë: romani Shija e bukes mrûme (1960), cikli i poezive Bijës sime (1964) dhe drama Rrâjët lëvizin (1965). Në dramë dhe në poezi Koliqi krijon mundësinë që të vijë në vendlindje, në Shkodër e në shtëpi, me anë të syve të së bijës, Izës. Pikën kulminante në këtë vështrim e kap çasti kur Iza njeh çdo cep të shtëpisë falë rrëfi­meve dhe poezive të babait që i kishte shkruar në shtëpi. Iza realizohet si simbol i idesë e trashëgimisë, kulturës dhe rrënjëve shqiptare e cila bën që në dramë të theksohet ideja e Koliqit që rrënjët e vjetra të Shkodrës lëvizin në themele të shtëpisë, ndërsa në poezi Iza ringjallë Shqipërinë e shtëpinë si figura të identitetit.

  1. E reja dhe trashëgimia

Koliqi do ta ndërtojë Shqipërinë e re, brezin e ri e kohën e re përmes trashëgimisë të rrënjëve të vjetra, jo duke e shuar dhe zhdukur atë, por duke e jetësuar. Në këtë mënyrë mendon se ndërtohet e ardhmja, fryma e re kombëtare shqiptare, prandaj nëpërmjet vajzës si personi më i dashur ringjall kohën e vjetër, dashurinë dhe mallin për shtëpinë e vjetër.

Kjo frymë shqiptare aktualizohet edhe përmes Djanës së romanit Shija e bukës mbrume, por tash ajo, për dallim nga Iza, misionin e vet e kryen në Amerikë, për ta forcuar shqiptari­zmin e për t’i lidhur shqiptarët bashkë kudo që janë. Idenë për t’i shërbyer Shqipërisë ajo e mëson dhe e trashëgon nga babi i saj, prandaj ky raport ideologjik e ndan, por edhe e bashkon me Jorgjin, të dashurin e saj. Kjo romancë finalizohet kur dy perso­nazhet e zbulojnë njëri-tjetrin edhe në pikëpamje ideo­logjike.

I gjithë ky koncepcion artistik e kuptimor realizohet përmes shenjave autobiografike që krijon Koliqi me raportin babë e bijë, por theksohet edhe më dukshëm te romani kur Koliqi që në paraqitje jep inicialet H. V., dmth. Hilush Vilza, pseudo­nim me të cilin njihet si autor. Këtu Hilush Vilza kryen dy funksione edhe si komentues për historinë e botimit të veprës, edhe si autor i rrëfimit. Këtë pseudonim autori e ka shënuar në tekstet e veta kur ishte në mërgim, fillimisht te libri me tregime Tregtar flamujsh. Në disa prej këtyre tregimeve Hilush Vilza del edhe personazh kryesor për t’i shënjuar idetë për trashëgiminë dhe autentiken e vendit me gjuhën e letërsisë. Hilushi del personazh poet dhe dijetar që e di më së miri se trashëgimia mësohet dhe admirohet nëpërmjet poezisë, prandaj e kultivon atë.

Shqipëria dhe poezia janë objekt edhe i librit poetik Gjurmat e stinve në të cilin botëkuptimi i subjektit lirik realizohet me këtë ide në hapësira lirike. Poezia si frymëzim e kërkim i ekzistencës kombëtare që nga Iliria e nga historia e deri në kohët e reja për të dëshmuar ekzistencën shqiptare, del edhe te Symfonija e Shqipevet dhe te Kangjelat e Rilindjes.

Koncepcioni i mendimit që e reja letrare, kulturore e histo­rike të ndërtohet mbi të vjetrën, pra mbi rrënjët e shqiptarisë, vërehet kudo në veprën e Koliqit, duke u bërë edhe një udhërrëfyes i leximit të veprave tij, edhe në format më të shkurtra e në titujt figurativë, siç shfaqet te tregimi Ăndërr e mbasditje vere, p. sh.: Kishem me dashtë, veç, qi jeta e juej të zhvillohet mbi themelin e asaj s’onës. Mos bieni prej se jahtmi zakone qi a’bâjnë për né, por përtrîni, tue qortue e mirsue, ata qi ju kena lânë na. Mos e lëshoni rugën qi ju kena kallzue, por vijonje.[11]

Koliqi, përveç që karakterizohet si mjeshtër i formës së shkurtër rrëfimore, dallohet edhe si mjeshtër i traj­timit psiko­logjik të personazheve duke hyrë thellë në botën e tyre. Tregimet moderne të Ernest Koliqit janë shembulli më përfa­qësues i tendencave për t’i gjurmuar personazhet përbrenda qenies psikike të tyre. Kjo tendencë vërehet në të tre librat me tregime të tij, por më haptas duket te Pasqyrat e Narçizit. Fuqia psikologjike e veprës, e dhënë në monolog të brendshëm, duke pasur objekt ëndrrën e kahershme të dëshirave të ndry­dhura për ta rrëfyer identitetin, tematizon gjithë veprën. Tregimet dalin me elemente psikanalitike pasi realizohen si kërkesë e shfaqjes së brendshme të vet shkrimtarit duke pasur objekt hapësirat etnike, traditën tipike dhe zbërthimin e identitetit autorial.

Gjithë vepra letrare e Koliqit veçohet për gjuhën e folklorit në tekst, për të dhënë sa më shumë efekt estetik duke e futur folklorin në lojën strukturale të rrëfimit pa u bërë vetë pre e folklorit[12]. Në këtë kontekst, gjuha orale pasurohet estetikisht duke u funksionalizuar nëpërmjet teknikave të intertekstualitetit. Pra edhe tema e identitetit shqiptar, po ashtu edhe gjuha orale marrin fuqi artistike, krijojnë sensibilitet letrar dhe motivohen nga teksti estetik që krijon Koliqi.

Intertekstualiteti te tregimet e Koliqit realizohet duke shfry­tëzuar letërsinë orale për ta shpërfaqur autentiken dhe etninë shqiptare, pra botën dhe frymën shqiptare me të gjitha shenjat, si dhe shfaqet nëpërmjet simboleve mitike dhe historike për të shënjuar identitet e për të krijuar efekte letrare. Kështu, Koliqi, duke përdorur këtë filozofi të gjuhës orale, e duke përdorur këto fraza idiomatike, krijon një rrëfim të ri semiotik, duke e projektuar që nga fillimi ekzistencën shqiptare e duke e bërë tekstin të komunikojë me lexuesin në këtë plan. Këtij proje­ksioni shijeje të veçantë letrare i jep figurshmëria, duke bërë që figurat të ndërtojnë një nënrrjet tek i cili fokusohen qenësia emocionale, formale dhe ideore.

(Marrë nga numri i 13-të i revistës “Akademia”.)

[1] Kujtim Shala, Ernest Koliqi : authentica et Urbana, Buzuku, Prishtinë, 2015, f. 60

[2] Po aty f. 60

[3] Roland Bart, Aventurat semiologjike, Rilindja, Prishtinë, 1987, f. 270

[4] Po aty f. 270

[5] Sabri Hamiti, Tematologjia, AShAK, Prishtinë, 2005, f. 20

[6] Po aty f. 20

[7] Krist Maloki, Ideja shqiptare në refleksione, Faik Konica, Prishtinë, f. 127-140

[8] Ernest Koliqi, Tregtar flamujsh, Faik Konica, Prishtinë, 2003, f. 147

[9] Kujtim Rrahmani, Intertekstualiteti dhe oraliteti: E. Koliqi, M. Kuteli, A. Pashku, Prograf, Prishtinë, 2002, f. 44

[10] Kujtim Shala, Ernest Koliqi : authentica et urbana, Buzuku, Prishtinë, 2015, f. 18

[11] Ernest Koliqi, Tregtar flamujsh, Faik Konica, Prishtinë, 2003, f. 18

[12] Kujtim Rrahmani, Intertekstualiteti dhe oraliteti: E. Koliqi, M. Kuteli, A. Pashku, Prograf, Prishtinë, 2002, f. 47