Monumentet më të veçanta të trashëgimisë kulturore të qytetit të Prizrenit u ekspozuan mbrëmjen e djeshme në Pazarin e Korçës

Ekspozita “Trashëgimia e Prizrenit në Korçë” u organizua në kuadër të ditëve europiane të trashëgimisë nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren dhe Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, Korçë percjell atsh.

Në zemër të Pazarit të Korçës, shembull i rijetëzimit dhe restaurimit të trashëgimisë kulturore u prezantuan Kalaja e Prizrenit, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, shtëpitë tradicionale të shekullit XIX-XX e deri te krojet karakteristike të qytetit, etj.

Ky aktivitet u inspirua nga kalendari i përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë më qëllim prezantimin e vlerave dhe sfidave të përbashkëta pasi qytetet e Korçës dhe Prizrenit i kanë dhënë kombit shqiptar data shume të rëndësishme historike, simbole të atdhedashurisë dhe qytetarisë dhe bashkëjetesës fetare.

Kjo ekspozitë është një ftesë për të njohur më tepër Prizrenin dhe trashëgiminë e tij kulturore dhe historike.

Ekspozita u çel edhe në në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturorë Kosovë-Shqipëri.

Qyteti i Prizrenit shtrihet në pjesën jugore të Rrafshit të Dukagjinit, në rrugën që lidhte me parë bregdetin verior të tokave shqiptare dhe qendrat e tij qytetaro- tregtare me rajonet e brendshme të Kosovës dhe të Ballkanit.

Ndër monumentet më të rëndësishme kulturoro -historike janë : Kompleksi i Shatirvanit, Nënkalaja, Marashi, Kalaja, Kisha e Shën Premtës, Kisha e Shën Shpëtimit, Xhamia e Bajraklisë, Xhamia e Safi Sinan Pashës, Hamamet e qytetit, krojet e qytetit, ura e gurit dhe një numër i madh i shtëpive folklorike të qytetarëve të trashëguar ndër shekuj.

Qyteti i famshëm i zambakëve, qyteti i aktorit të famshëm Bekim Fehmiu dhe i shumë njerëzve të shquar të artit ndër shekuj ka se çfarë të ofrojë nga krenaria e tij për ata mijëra e mijëra vizitorë të huaj dhe vendas.