Trashëgimia jonë kulturore, që nga vendet turistike, deri tek etnografia erdhi sot për publikun shqiptar në Muzeun Historik Kombëtar e pasqyruar përmes ekspozitës “Trashëgimia jonë kulturore në penelin e Eduart Lear”.

Këto piktura sjellin për publikun shqiptar qytete të ndryshme të vendit tonë si Berati, Lezha, Kruja, Tirana etj në një panoramë mjaft interesante vlerat tona kulturore të cilat i kanë lënë mbresa Eduart Lear para 150 viteve.

Në penelin e tij Eduart Lear ka shpalosur peizazhe të disa prej qyteteve tona, monumente të kulturës si dhe kostume tradicionale të zonave të ndryshme.

Këto piktura janë realizuar gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri gjatë shekullit XIX në vitin 1848.

Gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dorian Koçi shprehet se, “në këtë ekspozitë ne synojmë të sjellim në vëmendje disa qytete dhe site të rëndësishme të trashëgimisë tonë kulturore të cilat janë pikturuar 150 vite më parë nga piktorë europian që kanë vizituar qytetet e vendit tonë”.

Koçi tha se, “kjo ekspozitë gjithashtu zgjon dhe kureshtjen e vizitorëve të huaj të cilët janë të shumtë në muze për tu njohur me vlerat e trashëgimisë tonë kulturore që nga monumentet e kulturës e deri tek etnografia. Trashëgimia kulturore tashmë nuk është term po është kthyer në ndjesi”.

Gjithashtu drejtori Koçi shprehet se qytetarët tani janë më të ndjeshëm ndaj trashëgimisë kulturore dhe kjo gjë u vërteta gjatë ditëve kur ndodhi tërmeti ku të shumtë ishin ata që u shqetësuan për institucionet kulturore.

“Kur ndodhi tërmeti kam marr telefonata të shumta nga njerëz të cilët interesoheshin për Muzeun Historik Kombëtar dhe jo vetëm, por dhe për site të tjera kulturore. Kjo është një dëshmi që në vendin tonë trashëgimia kulturore është një shqetësim dhe detyra jonë është ta kthejmë atë në një tërheqje për vizitorët e huaj dhe për popullin shqiptar”, përfundoi drejtori Koçi.