Fotolegjenda: “Ophelia” nga John Everett Millais (1851-2) është një nga pikturat më të njohura të lëvizjes para-rafaelite – modelistja ishte Siddali (Fotografia: koleksion privat)

Lucinda Hawsely

Në dimrin e viteve 1849-1850, artistët Dante Gabriel Rossetti dhe William Holman Hunt po pikturonin së bashku, kur miku i tyre Walter Howell Deverell hyri në studio. Vizitori thirri i ngazëllyer, “Miq nuk mund ta merrni me mend se çfarë alamet krijese të bukur kam gjetur…ajo është posi mbretëreshë, madhështisht e gjatë”. Me këto fjalë, bukuria e pabesueshme e Elizabeth Siddalit nisi të bëjë histori.

Sot, fare pak njerëz e kujtojnë artistin Deverell – i cili vdiq nga sëmundja e veshkave në moshën 27-vjeçare – por ai ishte një anëtar vibrant i grupit të artistëve dhe shkrimtarëve që vërtiteshin rreth të sapoformuarës Vëllazëri para-rafaelite. Kjo shoqëri sekrete po ashtu ngërthente modele, artiste dhe shkrimtare. “Lizzie” Siddal filloi si modele, paskëtaj mësoi të pikturonte dhe shkroi edhe poezi, transmeton KOHA shkrimin e BBC.

Në kohën e Deverellit, Siddal punonte në një dyqan kapelash pranë sheshit Leicester, në Londrën qendrore. Ajo punonte për orë të tëra në kushte të rënda, dhe familjen e hante meraku për shëndetin e saj, tashmë të hajthëm. Mbase kjo ishte arsyeja pse e ëma mori vendimin e papritur që ta lejonte të bijën të punonte si modele për artistë – diçka që shihej si çnderuese, madje edhe si sinonim për prostitucionin.

Fillimisht, Siddali filloi të punonte pjesërisht si modele, e kohën e mbetur në dyqanin e kapelave. Pasi Deverelli e pikturoi atë si Viola në “Twelfth Night”, Holman Hunti e pikturoi atë për “A Converted British Family Sheltering a Christian Priest from the Persecution of the Druids (1850), si dhe si Sylvia në “Valentine Rescuing Sylvia from Proteus” (1850-1851). Ajo modeloi për Rossettin për herë të parë më 1850, për një nga pikturat e tij më pak të njohura, Rossovestita.

Sipas patronit të tij, John Ruskin, gjatë gjithë lidhjes, Rossetti e vizatoi dhe pikturoi me mijëra herë Siddalin.

Megjithëse sot trupi shtathedhur i Lizzie Siddalit, tiparet eshtake dhe flokët e saj me ngjyrë bakri konsiderohen si shenja bukurie, në vitet 1850 të ishe tepër e hollë nuk shiheshe seksualisht tërheqëse, dhe flokët e kuq u cilësuan nga një gazetare femër si “vetëvrasje shoqërore”. Përmes punës së saj si modele dhe suksesit të pikturave, Lizzie ndihmoi të ndryshonte opinioni publik sa i përket bukurisë.

Brenda pak vitesh, Lizzie po fitonte mjaft sa për të braktisur punën në dyqan. Si modele për të vlerësuarën “Ophelia” të Millaisit, fytyra e saj u bë e famshme. Të tjerë artistë gjakonin ta pikturonin atë, por Rossetti, që në këtë kohë njihej si dashnori i saj, u bë xheloz dhe i kërkoi asaj të modelonte vetëm për të./koha.net/