Tirana çel këtë të mërkurë, aktivitetin kulturor më të madh të librit – panairi “Tirana 2019”, daton këtë vit prej 13 deri më 17 nëntor.

Këtë vit në Pallatin e Kongreseve në Tiranë botuesit, shkrimtarët, librarët e dashamirët e fjalës së shkruar mblidhen për edicionin e 22-të të kësaj ngjarjeje. Për mediet, Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, ka bërë të ditur se të gjitha përgatitjet po shkojnë ashtu siç duhet dhe se Tirana është gati për këtë festë të librit.

Gjithçka po shkon mirë me përgatitjet. I kemi mbaruar të gjitha planifikimet, njoftimet, marrëveshjet me bashkëpunëtorët e shumtë me të cilët lidhet puna e Panairit. Të gjithë botuesit janë përgatitur më së miri, që nga titujt e rinj ose ribotimet e librave më të kërkuar dhe këto ditë janë tashmë ethet për librat e fundit, që janë nëpër shtypshkronja. Pra pengjet e fundit. Kështu që mund të themi se mezi po presim të vijë e mërkura. Shpresojmë se Tirana të jetë pa shi ato ditë, e vetmja gjë që nuk varet nga ne”, – tha, Ymeri.

Edhe ky edicion i Panairit të Librit të Tiranës sjell një numër të madh të titujve të rinj, që prezantohen nga botuesit pjesëmarrës. I pari i botueseve shqiptarë tregoi se numri i titujve të rinj që do të prezantohen sivjet sillet rreth 800, kurse sa i përket ekspozuesve do të jenë rreth 100 sosh. “Numri i ekspozuesve janë si zakonisht rreth 100, sepse sikurse edhe ju e dini, në Panairin e Librit të Tiranës marrin pjesë botues, që janë shumica sigurisht, por edhe librarë e distributorë të librit, por edhe institucione të vendit e të huaja. Për titujt e rinj mund të them që janë mjaft dhe me cilësi, autorë e vepra të rëndësishme. Besoj se do të jenë mbi 800 tituj të rinj, të botuar gjatë vitit 2019”, ka theksuar Petrit Ymeri, duke shtuar se si gjithmonë pjesëmarrës do të jenë edhe botuesit nga Kosova. “Me botuesit nga Kosova bashkëpunojmë mjaft mirë, me korrektësi dhe me profesionalizëm. Më pëlqen të them që ka ardhur koha të bëjmë edhe më shumë veprimtari të përbashkëta libroro-kulturore qoftë në rrafshin kombëtar, qoftë edhe në atë ndërkombëtar”, është shprehur ai.

Dhjetëra promovime librash, si dhe debate e konferenca do të organizohen në kuadër të kësaj ngjarjeje

E krahas shitjes së librave në kuadër të këtij Panairi do të mbahen edhe disa aktivitete, në të cilat do të përfshihen promovime librash, seminare e diskutime. Këtu përfshihet seminari i organizuar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, me temë “Romani triller, një prirje e re edhe në letërsinë shqipe”, konferencat njohëse si “Përvoja në përkthimin e letërsisë më të mirë evropiane”, nga shtëpia botuese “Dituria” e të tjera. “Do të promovohet libri ‘Dëmtuar gjatë rrugës’, i shkrimtarit të njohur Besnik Mustafaj, romani ‘Atë natë pashë’ i autorit slloven Drago Jançar, që do të jetë në ditët e Panairit bashkë me përkthyesin Nikollë Berishaj. Do të bëhet gjithashtu prezantimi i librit ‘Paqja e nevojshme’ i përgatitur nga Paolo Rago, i përkthyer nga Diana Çuli, si dhe prezantimi i romanit të shkrimtares suedeze Sara Strisberg ‘Pesha e dashurisë’. Do të ketë gjithashtu një bisedë me përkthyesin Erion Kristo, me temë ‘Bullizmi në letërsinë artistike’, si dhe një bisedë me përkthyesen e njohur Margalina Sina me temë ‘Letërsia klasike, vlerat dhe ndikimi i saj te fëmijët’ dhe shumë të tjera”, ka treguar kështu Ymeri.

I pyetur se cilat janë pritshmëritë e organizatorëve për fluksin e vizitorëve, Ymeri shprehet i bindur se edhe sivjet lexuesit e vizitorët nga shumë qytetet shqiptare e jo vetëm nga Tirana, nuk do të mungojnë. “Jam i bindur në besnikërinë e lexuesve tanë nga Tirana dhe nga e gjithë Shqipëria, por edhe shumë lexues, sidomos të rinj, që vijnë ato ditë të Panairit të Librit në Tiranë, posaçërisht edhe të organizuar nga Prishtina e nga qytete të tjera të Kosovës, nga Tuzi e Ulqini, nga Tetova e kështu me radhë. Panairi i Librit është një gëzim për të gjithë lexuesit, për të gjithë autorët e përkthyesit dhe sigurisht për botuesit, që shohin të vlerësohet puna e tyre pasionante e një viti të tërë”, përfundoi kështu kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë.

Në kuadër të Panairit të Tiranës do të jepen katër çmime

Këtë vit në kuadër të Panairit të Librit në Tiranë do të jepen katër çmime. Një çmim për “Veprën më të Mirë Letrare Origjinale”, një çmim për “Përkthimin më të Mirë në Gjuhën Shqipe”, si dhe një çmim për “Veprën më të Mirë të Letërsisë Dokumentare ose Memorialistike”. Si zakonisht do të jepet edhe një çmim i veçantë për “Përkthimin e një Vepre nga Gjuha Frënge në Gjuhën Shqipe”. Ky çmim jepet nga Ambasada e Francës në Tiranë. Të gjithë këta çmime, përveç vlerësimit profesional dhe certifikatës, shoqërohen edhe me një vlerë monetare. Juria e Panairit kryesohet nga prof. Lili Sula, drejtore e Departamentit të Letërsisë në Universitetin e Tiranës, poetja Adriatike Lami, që është edhe drejtore e një shkolle të njohur në Tiranë, studiuesi Agim Baçi, përkthyesi Agim Doksani dhe poeti Parid Teferiçi.

Pasurimi i bibliotekave publike dhe gjallërimi i tyre, botimi i letërsisë së mirë evropiane dhe njohja e letërsisë së Gadishullit Ballkanik janë disa nga temat që do të diskutohen kësaj radhe në kuadër të Panairit të Librit të Tiranës. Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, duke theksuar se këtë vit nuk do të ketë vetëm një temë të caktuar. “Nuk kemi zgjedhur një temë të caktuar e të vetme, por në mjaft aktivitete që do të zhvillohen edhe në mbledhjen ceremoniale të hapjes më 13 nëntor do të flitet e do të diskutohet për pasurimin e bibliotekave publike dhe për gjallërimin e punës në to. Gjithashtu në disa veprimtari, si seminare ose prezantime do të ketë tema të veçanta si: botimi i letërsisë më të mirë evropiane ose njohja e autorëve dhe e veprave letrare nga gadishulli ynë ballkanik etj”, ka thënë Ymeri.

Rikujtojmë se Shoqata e Botuesve Shqiptarë është organizatore e Panairit Kombëtar të Librit në Tiranë që prej vitit 1998 dhe e mjaft aktiviteteve të tjera kombëtare e rajonale. Kjo Shoqatë merr pjesë rregullisht, që prej vitit 1993, në panairet më të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare të librit, si Panairi i Lajpcigut, i Frankfurtit, i Prishtinës, i Shkupit, i Ulqinit, i Torinos etj., si dhe në panairet universitare e rajonale etj. Shoqata e Botuesve Shqiptarë e themeluar në vitin 1992, me seli në Tiranë, zhvillon aktivitetin e saj në të gjitha qytetet e Shqipërisë, por edhe jashtë saj./konica/al/