Arben Dedja

Kur në qershor të vitit 1995 vajtëm për disa ditë në Ohër të Maqedonisë, në një konferencë mbi gruan që zhvillohej në një nga hotelet buzë liqenit dhe teksa gratë merreshin me atë konferencën e tyre e ne bënim banjë në gjolin e mrekullueshëm (çka për vite e vite e kishim bërë në anën shqiptare të liqenit), takuam, në ato orë relaksimi midis kredhjeve në ujë, leximeve dhe bisedave me fëmijët shqiptarë të fshatrave rrotull, zonjën e vjetër dhe të çuditshme serbe Jovanka S., që bënte edhe ajo banjë dielli dhe, e quajmë të çuditshme sepse, besojmë, është e vetmja serbe shqiptarofile që kemi njohur apo dëgjuar gjer më sot. Ne biseduam gjerë e gjatë, përveç (pashmangësisht) mbi raportet midis serbëve e shqiptarëve treguam edhe diçka nga jeta personale e gjithsecilit, kështu që edhe ajo na tregoi diçka nga e vetja, që na bindi përfundimisht që kishim të bënim me një personazh të çuditshëm dhe, bile, na u duk sikur e zbuluam se ku qëndronte ai element, të themi, krisjeje, çakërdie në jetën e zonjës e cila, sigurisht, më shumë se cilido që e njohim mirë, do ta meritonte kryetarllëkun e një tjetër shoqate të pritshme miqësie Serbi – Shqipëri. S’na kujtohen detajet, por me çiltërsi zonja rrëfeu që, kur para disa dhjetëra vitesh kishte pasë qenë lidhur me një burrë, një fakir nga stepat siberiane, nga ata që në gjendje transi shpohen me shtiza apo hanë shpata, një ditë të bukur, për t’i ngjarë, për ta impresionuar apo thjesht për t’i shprehur dashurinë, rrezikoi jetën teksa gëlltiti 10 thika nga servisi më i mirë i shtëpisë, të cilat pastaj, ndryshe nga ç’kujtonte, s’arrinte dot t’i nxirrte prapë, çka e detyroi, kësisoj, t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjike të gjatë dhe delikate.

Autobiografi

Një ditë, në një mot të butë shtatori të vitit 1967, një djalë, rreth 3 vjeç e gjysmë, me flokë të zeza dhe balluke të prera shtrembër, pak më shtatgjatë se mesatarja e moshës, i veshur me një përparëse të bardhë që në ditët në vazhdim do të ndotej gjithnjë e më shpesh, u paraqit me prindër përdore te porta e kopshtit nr. 16 të kryeqytetit. Megjithëse i kishte gjallë dhe me shëndet të plotë dy gjyshet, një gjysh dhe një stërgjyshe (me banim në një rreze jo më larg se 100 metra nga apartamenti i djalit) prindërit kishin vendosur ta fusnin në kopsht që “të rrihej” me jetën. Ishte nga ata fëmijë për të cilët thuhej që “nuk lë dy gurë bashkë” dhe, ndoshta, pikërisht në sajë këtyre gurëve që nuk i linte bashkë kish në ballë një çikatricë bërë nga një gur i mprehtë me të cilin e patën qëlluar (burrë, ajo krijoi një rrudhë që u përhumb në vizatimin e fytyrës) dhe një tjetër në çaçkë të kohës, krejtësisht e fshehur nga flokët (burrë, ndryshe nga çikatrica e parë, ajo do të dilte më fort në pah). Vinte i ndrojtur, ishte nervoz dhe mërzitej shpejt. Quhej Arben Dedja dhe nuk e dinte akoma që do të bëhej shkrimtar, edhe pse, ndoshta, nuk e meritonte.

Shqiponja

Vetëm kur edhe foshnja e tretë u zhduk nga djepi i vet në fshatin malor të Th., dyshimet erdhën e u përqendruan te një shqiponjë që kish kohë që fluturonte atypari. Dy të rinj të fshatit bile u kuturisën drejt faqes së malit përballë, ku mendohej se shpendi kishte folenë, me shpresë mos gjenin aty ndonjë pampers apo cullufe që t’ua vinte kapakun dyshimeve, por shkëmbi qe aq thikë dhe rrebeshi i pranverës së vonë që i zuri papritmas aq i rreptë sa u druajt gjatë për jetën e tyre. Ishte ky çasti kur nuset e fshatit rrëmbyen armët dhe filluan të qarkullojnë të armatosura (hedhur supit pushkën e shpinës djepin), por këto armë çvarur vjegash veç sa acaruan edhe më marrëdhëniet e tyre me gazetaret, që kishin marrë të tatëpjetën kur, pas zhdukjes më të fundit foshnjore, njëra sosh, me gjasë për t’i rritur jehonën lajmit, kish vënë në dukje si kjo thagmë pat ndodhur pikërisht më 1 qershor, Ditën e Fëmijëve. Atëherë edhe disa prej gazetareve, çuditërisht e veçanërisht ato që punonin për revista mode apo rozë, u armatosën nga ana e tyre dhe për do kohë të dyja palët qarkullonin ngjeshur gjer në dhëmbë, kur i thonë, ledheve të fshatit Th., por pa u fshikur, ama, aq sa duhet pohuar, për hir të së vërtetës, që zahiretë te Kulla e Ngujimit nuk u quajt e arsyeshme të shtohen atë vit, si për vit pas të korrave.

Ornitologë të huaj u morën në pyetje për këtë hop cilësor në marrëdhëniet e shqiponjës, zogut kombëtar të shqiptarëve, me banorët e trojeve alpine të Th., sepse kurrë, të paktën sipas gojëdhënave, nuk ishte vërejtur një agresivitet i tillë i shqiponjës së atyre bjeshkëve, që qe mjaftuar me qengja pirës rrëmbyer tek-tuk barinjve të hutuar dhe me ndonjë breshkë të bëshme që e hidhte pastaj nga lartësia për t’ia thyer zhguallin mbi shkëmb, apo mbi kokën tullace – marrë gabimisht për gur – të dikujt që meditonte atypari (si rasti i ish-kryetarit të kooperativës malore të zonës, Rrok Sh., që, në fakt, nuk ngjante edhe aq i besueshëm, sepse një e tillë ngjarje pat ndodhur mijëra vjet më parë në Siqeli). Gjithsesi, përgjigjet e specialistëve, ndonëse të vagullta, e patën efektin e tyre anestetizues, se vera po zvarritej anonime, ashtu e gjatë dhe e qetë dhe me siguri do të ish shuar si e tillë për të hyrë pastaj si hajdute dyerve të vjeshtës, sikur nusja shtatëmbëdhjetëvjeçare e fisit të Zogajve, në zagushinë e një pasditeje gushti, të mos kish qëlluar me breshëri drejt qiellit, duke bërë të mjaftonte veç jehona e plumbave që i madh e i vogël të zaptohej në fyt nga makthi që i shkaktonte çdo hije, qoftë dhe e pafajshme e ikanake, që mund të fërfëllonte befshëm mbi një djep. Foshnja as e kishte kuptuar rrezikun dhe gugaste nën kurorën e mollës si përpara edhe pas breshërisë, teksa e reja, në ngërç e zbehtësi, aty për aty nuk ishte në gjendje ta rrëfente ndodhinë dhe pat filluar të belbëzojë vetëm pasi i zbrazën mbi kokë një vedër ujë të pusit aty pranë.

Buja e këtij rasti i zgjoi më në fund autoritetet, që dërguan në Th. një dedektiv me përvojë (banorët e atyshëm s’di pse e thërrisnin “kapucar”). Quhej Moll Gjika dhe vinte rrondokop. Ky vërtet që i vuri gjoksin punës dhe, pas një hetimi të shpejtë, arsyetoi me aq elegancë mbi çështjen, sa habitemi për turbullirën që solli e gjithë kjo në opinionin publik. E para gjë që bëri komisar Molli ishte marrja në pyetje një për një e me detaje e të gjitha grave me lehoní gjatë periudhës në fjalë, pavarësisht a kishin qenë sulmuar nga shpendi. Ja fragmenti kyç i raportit të tij përfundimtar:

“[…] Mund ta pohojmë me bindje që autore e këtyre rrëmbimeve është shqiponja (Aquila chrysaetos), autoktone prej shekujsh në trojet tona. Përpos kësaj, u përpoqa ta gjej arsyen e thellë që e shtynte zogun krenar ta linte folenë majë bjeshkësh të pakalueshme, për të mbërritur deri te kullat e fshatit Th. Isha i sigurt që shpendi ynë në këtë fluturim theqafës e në pikiatë tërhiqej nga një dëshirë e thellë, nga një gjakim. Rastet fatkeqe (plus i mbeturi në tentativë) i krahasova me të tjera, në të njëjtën kohë e vend, por ku asgjë nuk kish ndodhur. Është zakon i vjetër, buruar nga bonsensi, që lehonat, kur kanë për ta punuar bahçen, për të mbushur ujë, apo thjesht kur kapërcejnë pragun e kullës për mijëra andralla të tjera shtëpiake, t’i marrin foshjat me vete duke i rehatuar me kujdes nën hijen e ndonjë peme. Kështu i mëndin kur duhet dhe mund t’ua dëgjojnë të qarën [po qe se foshnjat mbesin brenda mureve të trasha me gurë të palatuar të kullave, e qara (siç e provova edhe vetë në simulimin që kreva me një lehonë që pati mirësinë t’i nënshtrohej eksperimentit) nuk ka gjasa të kapet]. Në stinën e bukur të vitit, dielli u bën fort mirë të porsalindurve, para se lëpetë e vjeshtës t’i detyrojnë prindërit t’i mbyllin brenda, pararendje për dimrin e gjatë.

Pas marrjeve të hollësishme në pyetje ia dola ta qëmtoj dallimin thelbësor midis lehonave që u ishte rrëmbyer foshnja dhe atyre që kjo nuk u kish ndodhur. E pra, dallimi ishte vetëm një: flamuri. Foshnjat e sulmuara qenë vënë të preheshin nën një pemë (zakonisht pema më e vjetër dhe e dendur e kopshtit) që kish në majë flamurin tonë me shqipen e zezë dykrenare, ndërkohë që ky flamur mungonte përmbi foshnjat e tjera. Tash supozimi im është që shqiponja zbriste aty e tërhequr seksualisht nga shqiponja e flamurit, me dëshirën e ndrydhur për t’u çiftëzuar me të dhe sulmi ndaj foshnjave vinte vetëm si efekt anësor i këtij akti, mbasi çiftëzimi ish kurorëzuar, ose si pasojë e mohimit të tij. Siç pohojnë ornitologët, shqiponja është shpend i besës: mashkulli dhe femra lidhen njëherë e përgjithmonë dhe i qëndrojnë besnik gjer në vdekje njëri-tjetrit. Supozimi im, pra, është që shqiponja në fjalë është e dashuruar marrëzisht me shqiponjën e flamurit dhe e ndjek atë pa prâ nëpër fshat, duke e parë të replikuar nëpër flamurët e kullave. Gjëja që nuk arrij dot të përcaktoj është gjinia e shqiponjës vrastare (më lejoni ta përdor këtë term, që nuk kërkon të jetë aspak fyes). Folenë e ka ngritur mbi shkepa të paarritshëm dhe, përpos kësaj, ky lloj është i mbrojtur me ligj. Por në qoftë se supozimi im është i drejtë, për ta përcaktuar gjininë e kësaj shqiponje mjaft të përcaktojmë gjininë e shqiponjës së flamurit. Kjo të mos iu duket e thjeshtë se, megjithëse i ktheva parë e prapë të gjithë flamujt e fshatit me ndihmën e një heraldisti, prapë nuk munda t’ia përcaktoj dot gjininë shqipes së flamurit. Mendoj dhe jam i bindur që, megjithëse fakte të tjera hëpërhë mungojnë, ky çiftëzim i shqiponjave të bjeshkëve tona me shqiponjat e flamurit është një dukuri mbarëkombëtare e përtejkohore që e ka shoqëruar shqiptarin, zot të trevave të veta, nëpër shekuj”.

Kaq raporti. Duhet thënë që kur shtypi shqiptar bëri të ditur botërisht këto përfundime, opinioni publik ndërkombëtar u tregua i vakët, skeptik, teksa opinioni i brendshëm i përqafoi me interes dhe u ndie i mikluar, do të thoshim krenar, që shqiponja e bjeshkëve tona dhe ajo e flamurit hykëshin në një të tillë kontakt intim. Dikush nga të paktët veteranë të luftës mbetur gjallë tregoi, i intervistuar ad hoc, që e kish ditur prej kohësh këtë, duke sjellë ndër mend ngjarje të vjetra kinse të ndodhura që gjatë çlirimit të vendit, që askush nuk ishte në gjendje t’i konfirmonte, pos ndonjë sivëllai të vet të currufjepsur. Ishte kur Partia Kombëtariste Shqiptare po përpiqej, nën valën e entuziazmit shkabor, të fitonte ndonjë bashki në zgjedhjet e atëbotshme vendore, që opinioni publik mbi këtë çështje u copëzua në rryma, nënrryma e grupe me kundërshtí pikëpamjesh mes tyre. Ndërhyrja e një eksperti gjenetist u bë shkaku. Ai e la mënjanë debatin paralel që raporti i Moll Gjikës ndezi me pamundësinë (do të thosha teknike) e përcaktimit të seksit të shqiponjës së flamurit dhe, si pasojë, edhe të shqiponjës në fjalë (u përjashtua a priori mundësia që shqiponjat të ishin gay) dhe u përpoq të bënte një analizë sa më shkencore, për të kuptuar se cilët mund të ishin pasardhësit e një bashkimi të tillë seksual (i mëshoi, pra, faktit që në natyrë çiftëzimi ndodh për arsye riprodhimi dhe jo si te njeriu, për sport). Problemi kryesor që shtrohej ishte ai i numrit të kokave të pasardhësve dhe për t’u përballur me këtë çështje, gjenetisti po përpiqej të arsyetonte nëse dykrenësia e shqiponjës së flamurit duhej cilësuar si një tipar në homozigozë, apo heterozigozë. Vetë ishte për të dytën kur folësit e tjerë në debat, të ashtuquajtur ekspertë, me zanate nga më laryshanet (folklorist, shtangist, ndonjë kirurg, mjek vërtet, por me njohuri efemere nga lënda e gjenetikës) ndërhynë për ta theksuar bindjen e tyre të pakundërshtueshme se dykrenësia e shqipes së flamurit të shqiptarëve nuk mund të ishte veçse tipar në homozigozë.

“Jo vetëm dykrenësia e shqipes është një tipar në homozigozë, – ndërhyri prerazi kirurgu, – por është edhe dominues”.

Në këtë pikë gjenetisti shpjegoi me qetësi që, nëse do ta merrnim të mirëqenë këtë fakt, plus faktin, tashmë të përqafuar katërçipërisht nga opinioni publik, që çiftëzimi i shqiponjës së flamurit me shqiponjat e bjeshkëve tona ishte një akt që riprodhohej prej shekujsh, homozigoza dominuese do të çonte pashmangshëm në pasardhës të këtij çiftëzimi vetëm shqiponja dykrerëshe çka, me kalimin e kohës, do t’i bënte të gjitha shqiponjat e bjeshkëve me dy kokë. Për atë diell, nëse kjo ishte e vërtetë! Mundësitë ishin dy: ose shqiponjat që çiftëzoheshin me shqiponjën e flamurit ishin “të huaja”, ardhur, pra, nga përtej kufirit, serbe me pak fjalë, që, pavarësisht nga kokat që u dominuakëshin, po themi, nga shqipja e flamurit, sillnin sigurisht me vete një bagazh gjenetik të tyrin që transmetohej te pasardhësit, shìgur duke ua trazuar këtyre shqiponjave autenticitetin (pëshpëritje në sallë; zhurmë, kërkëllimë hekurash nën stolin ku qe ulur shtangisti), ose, siç e donte një logjikë e shëndoshë: tipari i dykrenësisë ishte dominues vërtet, por në heterozigozë. (Në këtë pikë bashkëbiseduesit filluan të përcillen dhe ta kafshojnë gjuhën). Gjithsesi, tre skenarë hapeshin, sepse aq ishin tipat e dominancës në heterozigozë. Në rastin e parë dominanca e thjeshtë, mendeliane, do të sillte: 25% e zogjve = me dy koka (homozigozë), 50 % e zogjve = me dy koka (heterozigozë) dhe 25 % e zogjve = me një kokë (homozigozë). I binte që në ¾ e rasteve shqiponjat e lindura nga ky bashkim të kishin dy koka, një përqindje kjo mjaft e lartë, në kontrast me ç’ishte shkruar rreth florës e faunës shqiptare në shekuj dhe me raportet e kopshteve zoologjike. Skenari tjetër ishte ai i bashkëdominancës (shih grupet e gjakut te njeriu), por për këtë gjenetisti u shpreh mjaft skeptik, përndryshe duhej të vërtetonim praninë (në natyrë, në heraldikë), ndonëse në masë të vogël, edhe të shqiponjave me tri koka (dy plus një, “dy koka e një kuzhinë”, siç tha nëpër dhëmbë shtangisti), gjë e paparë dhe e padëgjuar. Edhe tipi i tretë i dominancës, dominanca e paplotë, bëhej problematik në shpjegim, sepse jepte zogj me një kokë e gjysmë, pra të papajtueshëm me jetën. Sipas gjenetistit, kjo ishte ajo që ndodhte nga çiftëzimi i shqiponjës së bjeshkëve me atë të flamurit: lindja e zogjve të dështuar, që nuk mund të jetonin dot dhe ishte ky momenti kur folkloristi ynë u ngrit nga stoli i tij dhe me një varé të zezë, të stërmadhe, filloi të shkatërronte studion televizive ku po zhvillohej debati.

I vetmi që doli i larë nga kjo ngjarje tragjikomike ishte dedektiv Molli që, në fakt, u vlerësua nga të gjithë, edhe nga ata që nuk ia pëlqyen konkluzionet, duke bërë kështu që të përfshihet në të tjera hetime interesante për të cilat, ndoshta, do të kemi rast t’ia dëgjojmë zulmën.

(Marrë nga revista “Akademia”, nr. 7)