Vështirë se mund të hysh në një rrjet social pa qenë i bombarduar me thënie motivuese. Mirëpo pas çdo fjalie të zakonshme është një njeri që e ka shkruar atë- dhe me sa kuptohet thëniet motivuese janë shndërruar në një industri fitimprurëse, shkruan sot Koha Ditore. 

“E sotmja është një dhuratë, prandaj edhe quhet e tashme/dhuratë”.

“Udhëtimi ka rëndësi, jo destinacioni”. “Jeto, dashuro dhe buzëqesh. (Dhe mos harro ta ndash me të tjerët e të na ndjekësh!).

Thëniet motivuese janë endemike në rrjetet sociale, veçanërisht në Facebook dhe Instagram të mbushur me mesazhe “të thella”, shpeshherë të vendosura në një prapavijë interesant. Ju i dini ato llojet e fotografive – me një ujëvarë apo perëndim dielli që thotë “Nuk mund të shihni ylberin pa rënë shiu”, që tezja/halla i shpërndan me komentin “Shumë e vërtetë”.

Këto thënie mund t’i bëjnë shumë njerëz të përulen, mirëpo aq të famshme janë këto thënie online saqë mund të jenë një biznes i madh – pëlqimet, shpërndarjet, dhe kthimi i tyre në para krijon një industri të tërë me thënie inspiruese.

Shawn, 45- vjeçar nga Kanadaja, posedon disa llogari me thënie motivuese në rrjetet sociale dhe njëkohësisht edhe një ueb faqe të mbushur me thënie. Llogaria e tij në Twitter, @motivational, ka 669 mijë ndjekës; llogaria e tij në Facebook @quotesandsayings ka mbi 4 milionë. Interesimi i tij në thënie motivuese ka dalë të jetë fitimprurës, dhe derisa ai mban një punë të zakonshme në industrinë e teknologjisë, ai thotë se sjell në shtëpi dy apo tri herë më shumë të ardhura se paga e tij përmes të ardhurave nga faqja.

“Unë mund të lë punën time të përditshme falë të ardhurave që po marr”, thotë ai.