Nga: Ilirjan Gjika

Vendi ynë, Shqipëria, ka vetëm një hero kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun, për të cilin çdo shqiptar ndihet krenar. E çuditshme është se akoma historia e Shqipërisë nuk e ka zgjidhur origjinën e vërtetë të Kastriotëve.

Në librin “Historia e popullit shqiptar”, botuar në vitin 2002 nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, thuhet se për prejardhjen dhe vendorigjinën e Kastriotëve dihet shumë pak, prandaj për këto çështje mendimet e historianëve janë të ndryshme. Më pas libri parashtron idetë e të gjithë shkrimtarëve humanistë dhe historianëve të huaj dhe shqiptarë, të kaluar dhe të tashëm, idetë e të cilëve për origjinën e Kastriotëve ndahen në katër variante, të cilat do ti paraqesim një e nga një në rubrikat e këtij shkrimi.

Debatet

Deri në vitin 1974 mendimet e historianëve për origjinën e Kastriotëve ndaheshin më dysh. Një pjesë argumentonin se Kastriotët ishin me origjinë nga Mati, ndërsa pjesa tjetër mendonte se kjo familje ishte me origjinë nga Hasi.

Të dy kampet argumentonin tezat e tyre, duke sjellë në mënyrë të pavarur faktet të ndryshme. Ndërkohë që vjen viti i fillimit të polemikave, viti 1974, ku tribunë e tyre bëhet gazeta mësuesi. Kështu do të ishte historiani Kristo Frashëri, i cili shprehu tezën e tij në publik, duke u bërë pikënisja e një debati të madh shkencor që vazhdon edhe sot të zhvillohet me “ashpërsi”.

Teza e Matit

Është mendimi më i vjetër i shprehur për origjinën e Kastriotëve. Atë e shprehu qysh në vitin 1510 humanisti shqiptar Marin Barleti në Librin e tij: “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”, ku midis të tjerave ai thotë se “Krerët e fisit të Kastriotëve kanë rrjedhur nga Mati prej një dere fisnike (Historia e Skënderbeut, botimi i vitit 1983, fq.65)”.

Një tjetër bashkëkohës i Barletit dhe i Skënderbeut, ishte humanisti Dhimitër Frangu, i cili si bashkëpunëtor i heroit, e shoqëroi këtë të fundit në vitin 1466-1467 në vizitën e tij në Romë (Historia e Popullit Shqiptar, fq.448). Frangu shkroi në Latinisht librin “Komentar për punët e turqve dhe të zotit Gjergj Skënderbe, Princ i Epirit”, botuar në Venedik në vitin 1539.

Në faqet e tij ky autor thekson se Kastriotët janë nga Mati. Jo më vonë, por në vitin 1553, Andrea Engjëlli, nipi i Dhimitër Frangut, botoi në Romë veprën “Gjeneologjia e Perandorëve Romanë dhe Kostandinopolitë”. Libri, i cili i është kushtuar gjenealogjisë së familjes Ëngjëlli,(po aty fq.490) i mëshon tezës se Kastriotitët ishin nga Mati. Më vonë pro kësaj teze u shprehën edhe historianë të tjerë. Kështu në vitin 1729 historiani francez Dy Kanzhe (Dy Cange), duke ju referuar Andrea Engjëllit thekson se “Costantinus Castriotus që mban edhe mbiemrin Mazrek (Meserechus) ka qenë princ i Aemathias (Matit) dhe Castoriae (Kosturit)#.Reklama

Ndërsa, në vitin 1921 Fan. S. Noli në veprën e tij “Historia e Skënderbeut, Mbretit të Shqipërisë”, botuar në Boston, bashkohet me mendimin e Barletit që Kastriotët ishin me origjinë nga Mati.

Në mbrojtje të tezës se Kastriotët ishin nga Mati doli edhe studiuesi Dilaver Sadikaj. Në vitin 1974, duke polemizuar me tezën e Kristo Frashërit, solli të tjera argumenta mbi origjinën Matjane të Kastriotëve. (D.Sadikaj, Trashëgimni iliro-arbërore. Tiranë 1999. fq.305-314).

Teza e Hasit

Kjo tezë u formulua nga kronisti i Raguzës Pietro Lukari në vitin 1605 (P. Luçari, Annali di Rausa, Venezia 1605, Lib II, fq.80). Midis të tjera ai thotë se: “Gjon Kastrioti ishte Zot i Krujës nga një familje që doli nga Kastrati, fshat nën juridiksionin e Hasit në Shqipëri pak larg nga lumi Drin.

Të njëjtën ide shpreh edhe humanisti shqiptar Frang Bardhi në vitin 1636 (F.Blancus, Georgius Castriottus etc. Venezia 1636, fq. 70-71). Të dhëna të tjera në favor të kësaj teze janë edhe ato të disa autorëve të tjerë, si: E. Fermenxhin, Athanas Gegaj, Aleks Buda, Shefqet Hoxha, Kasem Biçoku, etj.

Historiani boshnjak E. Fermenxhin, në një korpus dokumentesh për Bosnjën mesjetare (E. Fermendzin, Acta Bosnae, Monumenta Spectantis Historam Slavorum Meridionalium, vol XXIII Zagreb 1892, fq. 132), të gjetura në një manastir françeskan në Hungari, zbuloi të dhëna mbi familjet fisnike boshnjake dhe shqiptare. Aty në një pjesë të veçantë thuhet: “Kastriotët ishin nga fshati Kastriot në krahinën e Hasit”. Pro kësaj ideje është shprehur edhe Athanas Gegaj, i cili në vitin 1937, në librin e tij “Shqipëria dhe invazioni turk i shekullti të XV”, theksoi se: “Kastriotët ishin nga Mazreku i Hasit, por emrin Kastriot e kishin marrë nga pronat që kishin në Mirditë”.

Edhe një nga studiuesit dhe historianët më të njohur shqiptar, ish kryetari i Akademisë së Shkencave, Prof. Aleks Buda, ishte shprehur në vitin 1951 se Kastriotët ishin nga Hasi.

Me këtë ide u pajtuan edhe autorët e tekstit zyrtar të historisë së Shqipërisë, botuar në vitin 1959, siç ishin historianët Selim Islami dhe Kristo Frashëri. Më vonë për këtë ide u shpreh edhe Kasem Biçoku një historian i njohur shqiptar dhe tezën e tij në mbështetje të origjinës hasiane të Skënderbeut ai e parashtroi në gazetën “Mësuesi” më 18 Dhjetor të vitit 1974.

Ndërkohë që më parë kjo tezë ishte shprehur edhe nga studiuesi Shefqet Hoxha, i cili në vitin 1969 (Konferenca e II-të e studimeve Albanologjike, I, Tiranë 1969. fq.629-631), doli si përkrahës i kësaj teze. Kohë më pas, përsëri ky historian solli fakte të tjera në favor të kësaj ideje duke e vazhduar debatin përsëri siç bëri.Reklama

Teza e Mirditës

Këtë ide e hodhi i pari historiani austriak Falmerajer (Elementi shqiptar në Greqi. Tiranë 2003, fq.167) në fillim të shekullit të XIX-të. Edhe ai nuk mbeti jashtë debatit mbi origjinën e Skënderbeut. Falmerajeri theksonte në tezën e tij se: “Kastriotët ishin nga fshati Kastri i Mirditës”. Në këtë pikë me Falmerajerin bashkohet edhe Athanas Gegaj, por jo plotësisht, duke theksuar vetëm se Kastriotët emrin e morën nga fshati Kastri në Mirditë.

Teza e Dibrës

Këtë tezë e hodhi për herë të parë në gazetën “Mësuesi” të datës 4 shtator 1974, Kristo Frashëri.

Sipas tij Kastriotët ishin një familje shqiptare nga Dibra e Poshtme. Emrin Kastriotët e morën nga fshati Kastriot në krahinën e Çidhnës, që ndodhet pranë Drinit të Zi (Peshkopi) (K.Frashëri, Nga ishin Kastriotët, ku lindi Skënderbeu, Mësuesi, Tiranë 1974, Nr. 35-36).

Si argument kryesor Kristo Frashëri jep të dhënat e Gjon Muzakës. Midis të tjerave në kujtimet e tij ai thotë se: “Gjyshi i zotit Skënderbe quhej Pal Kastrioti dhe ky nuk kishte në zotërim më tepër se dy fshatra të quajtura Sinja dhe Gardhi i Poshtëm”. Të dy këto fshatra, thotë Kristo Frashëri (Shkenca dhe Jeta, Tirane 1988, I, fq.28-31), ndodhen ballë për ballë fshatit Kastriot, në të cilin ndeshim edhe një toponim interesant që lidhet me emrin e Gjon Kastriotit, si: Kulla e Gjonit, Kopshti i Gjonit, Pusi i Gjonit, Ograja e Gjonit, etj.

Një tjetër ide në të cilin u mbështet Kristo Frashëri ishte edhe libri i humanistit Italian Rafael Volaterrano botuar në vitin 1506. (R.Volaterrano, Comentari). Në shënimet e tij autori cilëson Gjon Kastriotin me mbiemrin Dibra ose Dibrani.

Të tjerë autorë që janë shprehur në favor të kësaj teze kanë qenë edhe historianët Hazis Ndreu dhe Ali Hoxha në vitet 1970.

Hazis Ndreu mbështet idenë e Kristo Frashërit, duke na vënë në ndihmë toponiminë e Dibrës dhe veçanërisht atë të fshatrave Kastriot, Sinjë dhe Gardhi i Poshtëm (Gazeta “Mësuesi”, 14 Janar 1976). Ndërkaq, në favor të kësaj teze u shpreh edhe historiani tjetër Ali Hoxha i cili përpiqet të argumentojë origjinën dibrane të Kastriotëve (A. Hoxha. Studime historike, 3, 1979, fq.229-236). Ndërsa argumentet e fundit rreth kësaj ideje së fundi u shpreh edhe Fatos Daci, i cili në gazetën Tema e (17-18 tetor 2005) u shpreh jo vetëm kundër dy tezave të tjera (Matit dhe Hasit), por me tone të ashpra u përpoq që të na bindte se “Skënderbeu lindi dhe luftoi në Dibër” … Midis autorëve të tjerë Daci i referohet edhe argumenteve të Haki Stërmillit, shkrimtarit të shquar të shekullit XX.

Mati si vendorigjina e Kastriotëve?!

Mati është një nga krahinat më të bukura të Shqipërisë, i cili ndodhet midis kufirit ndarës të Shqipërisë veriore dhe asaj qendrore (të mesme). Si krahinë etnografike ai kufizohet me Mirditën, Dibrën, Librazhdin, Tiranën, Krujën etj. (Dilaver Kurti, Trashëgime iliro-arbërore, Tirane 1999 fq.15), duke krijuar një origjinalitet të veçantë të traditës kulturore.

Kufijtë e vjetër të këtij rajoni ishin natyrisht më të gjerë se sot duke përfshirë në vetvete trevën nga lumi Drin i Zi në lindje e deri në bregdet në perëndim.

Në periudhën e antikitetit rajoni në fjalë banohej nga fiset Ilire të albanëve dhe abrejve. Ndërsa ,me pushtimin romak në vitin 167 p.e.s., treva e Matit u përfshi në provincën romake të Maqedonisë. Më vonë me reformat e perandorit romak Dioklicianit, treva e Matit u përfshi në provincën e Epirit të Ri, që shtrihej nga lumi Drin deri në Vjosë.

Gjatë mesjetës, Mati ashtu si pjesa më e madhe e trevave shqiptare ju nënshtrua pushtimeve: bizantine, bullgare, serbe, etj. Gjithashtu, gjatë shekujve XII-XV ai ishte pjesë përbërëse e principatave shqiptare të Arbërit (1190-1257) dhe asaj të Kastriotëve gjatë shekullit të XV.

Në burimet historike për herë të parë kjo krahinë ndeshet në shek. e XIII-të, në dokumentet bizantine me emrin Mates (G. Akropolitis. LXVI-LXXX, tek Burime II. Tirane 1562 Dok. 43.fq.90). Këtë term e përmend pikërisht në vitin 1258 gjenerali Bizantin Akropoliti, i dërguar nga Perandori Bizantin Theodhori II-të Laskaris për shtypjen e veprimeve kryengritëse në territorin e Arbërisë. Në shënimet e tij Akropoliti shkruan se: “Nga Durrësi shkova në viset e Matit dhe arrita në Dibër”. Ndërkohë që në shekullin e XVI-të Humanisti Marin Barleti e përmend Matin me termin, Ematia (Marlin Barleti, Historia e Skënderbeut, Tirane 1967, fq.480). Gjatë luftës shqiptaro-turke të shekullit të XV-të Mati u kthye në një prej bazave më të rëndësishme të Skënderbeut. Në të gjendeshin kështjellat e Stelushit dhe Gurit të Bardhë, ku heroi zhvilloi një pjesë të veprimtarisë së tij.

Sipas legjendës popullore (D. Kurti, Petralba. Drita, 19 Mars 1967), në Kështjellën e Petralbës (Gurit të Bardhë), kalonte pjesën më të madhe të kohës Gjon Kastrioti së bashku me familjen e tij. Gjithashtu sipas legjendës, këtu mund të ketë lindur edhe Gjergj Kastrioti. Ndërkohë që pas kryengritjes çlirimtare të vitit 1443 Skënderbeu rikrijoi Principatën e Kastriotëve dhe i kushtoi Petralbës një rëndësi të veçantë për pozitën e saj. (Dilaver Kurti, Trashëgime iliro-arbërore, Tirane 1999 fq.188). Këtu Skëndërbeu duhet të ketë ndjekur traditën familjare të strehimit të familjes, sepse Barleti na njofton se “Atje ai kishte lënë të shoqen që në fillim të verës, gjë që pastaj e bëri gjatë gjithë mbretërimit të tij”.

Ndërkohë që tjetër legjendë e mbledhur nga historiani Dilaver Kurti na njofton se këtu lindi edhe i biri i heroit Gjoni i Ri, i cili pas vdekjes së të atit emigroi në Napoli në vitin 1468. Ndërkohë një tjetër kështjellë mesjetare e shekullit të XIV në Mat ishte edhe Stelushi. Ajo ishte ndërtuar në një pikë strategjike për të kontrolluar rrugën Mat-Dibër. Gjatë shekullit të XV Stelushi u shndërrua në një qytezë të vogël, ku ushtrohej një farë aktiviteti ekonomiko-shoqëror.

Lidhur me origjinën e Kastriotëve mund të dëshmojmë se deri në vitin 1900 në fshatin Shtjefën (Shqefën) të Matit jetonte familja e fundit e këtij fisi. Ajo e konsideronte veten vendase dhe lagja ku banonte quhej lagja e Kastriotëve. Ndërkohë që në këtë fshat ruhen edhe sot me dhjetëra legjenda dhe elementë etnografikë që lidhen me Kastriotët dhe figurën e Skënderbeut.

Interesante për historinë e Shqipërisë është edhe fakti që, pavarësisht se nuk ka të bëjë me problemin e mësipërm dëshmon se, në kufi me Shqefnin ndodhet Burgajeti. Pikërisht këtu ka origjinën familja Zogolli në shtëpinë e së cilës lindi në 8 tetor 1895 Ahmet Zogu, mbret i Shqipërisë në vitet 1928-1939. Pikërisht nga kjo krahinë duhet kërkuar origjina e Kastriotëve, duke u bazuar tek dëshmia e Barletit, i cili pavarësish nga qëndrimi skeptik që mbajnë historianët ndaj veprës së tij, mbetet biografi kryesor dhe më i besueshëm i Gjergj Kastriotit, heroit kombëtar të Shqipërisë.

Në vend të mbylljes

Mendoj që si pjesë e këtij debati të mos parashtroj argumentet e mi, por të shprehem duke gjykuar në optikën time se: Teza më e saktë mbi origjinën e Kastriotëve është ajo e Barletit dhe Dhimitër Frëngut mbi origjinën e tyre matjane.

Këtu shtroj pyetjet: Përse të mos na bindë Barleti për këtë fakt? Përse e besojmë atë për të tjera argumente? Në veprën e tij “Histori e Skënderbeut”, Barleti përmend këtë frazë: “Ja kushtoj Pjetër Engjëllit”, i cili ishte vëllai i Pal Engjëllit, njërit prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Skënderbeut. Megjithë kufizimet dhe problemet që ka vepra e tij, ai mbetet biografi që ka jetuar më pranë Skënderbeut në kohë dhe hapësirë. Ju kujtoj të nderuar lexues dhe studiues se Shkodra ku ka jetuar Barleti në të njëjtën kohë me Skënderbeun nuk është larg nga Kruja, Mati, Dibra apo Hasi, nga ku mund të ishin Kastriotët? A do t’ia mohojmë Barletit edhe faktin se ai i njohu botës Skënderbeun dhe Shqiptarët? Mendojeni vetë. /GSh/