Nëpër kohë, historianë dhe filozofë, studiues dhe shkrimtarë, me durim dhe ngasje, kanë rrëmuar në brazdat e figurimit të Teutës, ndonëse nuk kanë mundur me ia shterë nektarin

Nga Behar Gjoka

Libri Mallkimi i priftëreshave të llirisë, i Mira Meksit, shënon një nga romanet kualitativë, që na shpie në lashtësinë e largët, atëbotë kur ilirët ishin zot të detit, zot të vetes. Iliria, nëpër dokumente shpaloset e stolisur me mbretër dhe mbretëri. Me shumë gjasa, universi i botës së ilirëve pret që të hidhet dritë mbi rrënojat e këtij qytetërimi. Në mesin e mbretërve të Ilirisë, diku në krye, e pajisur me shkëlqimin e pazakontë, përherë rishfaqet mbretëresha Teutë, me hiret dhe misterin, famën dhe rrezatimin verbues që ia kanë fshehur shekujt, por nuk ia kanë zhdukur. Përndritja e mbretëreshës, joshja ndaj bukurisë femërore, frikëndjellëse për meshkujt, nëpër gjithë këto mote, kanë bërë për vete shumë njerëz të dijes dhe artit. Nëpër kohë, historianë dhe filozofë, studiues dhe shkrimtarë, me durim dhe ngasje, kanë rrëmuar në brazdat e figurimit të Teutës, ndonëse nuk kanë mundur me ia shterë nektarin. Megjithëse, secili sosh, sapo e ka thënë fjalën, me jo pak argumente, të sjella përmes tezash dhe hipotezash, sërish dhe pakuptueshëm, Teuta – mbretëresha e Ilirisë, vetvetiu ka kaluar në gjendjen fillimtare, e bukur dhe e ftohtë, enigmë dhe magji, që vazhdueshëm duhet shkundur nga pluhuri i kohës dhe harrimit, pra duke mbetur si një kujtesë e përjetësisë.

Edhe romani i M. Meksit, përmes një rebusi gjuhësor dhe hulumtues, ngërthen kërkimin në shtjellat e historisë që fle në arkiva, qëmtimin në memorien e njerëzimit, gjithnjë në shenjim të ëndrrës së mbretëreshës Teutë, me gjasë të vetë enigmës misterioze, që përçon nga shekulli në shekull kjo figurë simbolike e qytetërimit ilir. Me Teutën, transfigurimet e shumta, si njeri dhe mbretëreshë, gjarpër dhe luftëtare, një simboli të skalitur në kujtesën e njerëzimit, ndodh ajo që ngjet me simbolet e njerëzimit, ku shpjegimi i domethënies së tyre, shpalimi artistik edhe në tipologjinë e romanit historik, nuk cenon asgjë nga simbolika që shënjon figurën, përkundrazi rrezaton mbi kohën ku gjendemi, kur njerëzimi bashkëjetonte me mitet dhe misterin. Teuta, mbretëresha e Ilirisë, në gjithëherët që është vënë në fokus të verifikimit shkencor, ose të transfigurimit estetik, përsëri ka mbetur e ngurtë, një akull përvëlues, sapo avitesh më afër, por duke qenë edhe një gur kilometrik i qytetërimit të lashtë ilir.

Roman historik apo imagjinar

Sjellja në vëmendje e formulimeve të autores, në këtë ligjëratë mbi prozën e endur, nëpër rrathët e historikes, është e pashmangshme. E para, në faqen shoqëruese të librit (të ripunuar) ndeshet ky formulim: Roman historik. Qysh në krye bie në sy përpjekja e autores, që me këtë libër të realizojë një roman të tipologjisë historike, e cila sjell pranë lexuesit figurën e Teutës. Në faqen vijuese, përkushtimi i autores: Në kujtim të Gabriel Garsia Marquez-it, mjeshtrit tim të shkrimësisë. Kur e mendon se Marquez-i është mjeshtri i realizmit magjik, i cili e ndërton botën letrare përmes fantazisë së ndezur, në horizont shfaqet kundërshtia e parë, që në fakt duhet marrë si një truk për të mos e humbur fillin, e thurjes së një vepre historike, mbi një figurë historike dhe mitike, siç është Teuta e Ilirisë. Lodërtia e hedhur rastësisht, më tepër si një parambulë paratekstore, krijon premisat për ta debatuar çështjen e tipologjisë shkrimore të romanit, të projektuar përmes përkujtesës së shumëfishtë. Përcaktimet, marrë në dhënie-marrjet e ndërsjella, i përkasin situatës paratekstuale të librit, të cilat formësojnë rrafshet kulturore. Ende nuk kemi hyrë në hapësirën tekstologjike ku faktohet mëtimi i autores, për llojin e romanit, me parapëlqesë të tipologjisë historike. Fill pas këtyre shënimeve hipotetike, kundërvënëse dhe pohuese, në libër është vendosur një hartë e botës ilire, ku emrat janë shënuar sipas grafisë antike. Harta është element ilustrues historik me domethënie. Po ashtu, pjesë e përbërësve historikë është edhe faqja pasuese që prezantohet: Shpjegimi i vendeve, ku shpjegohen shtatëmbëdhjetë emra vendesh të qyteteve të lashtësisë së Gadishullit Ilirik. Këto elemente, hapur shqiptojnë kredon e hartimit të një romani historik. Në faqen trembëdhjetë nis shtjellimi i materialit letrar të romanit me pikësynimin që të hedhë dritë mbi epokën dhe figurën madhore të Teutës. Hapësira e tekstit, që mëton figurimin historik të Teutës, është e ndarë në tetë episode, me një hapësirë të gjerë tekstore, të cilat ndahen me numra romakë. Në këto episode skicohet dhe lartësohet epoka e mbretëreshës Teutë, hijedritat e mbretërimit të saj. Një element tjetër, gjithnjë me lartsynimin për të shtuar argumentet e realizmit të një romani historik, është edhe prania e fusnotës në fund të faqeve të librit. Në këtë roman historik dhe mitik ndodhen të shpërndara njëqind e pesëdhjetë e katër fusnota, të cilat e vendosin tekstin në një kontekst historik. Nga sa konstatojmë, kuptojmë se janë fusnota të natyrës fiktive dhe kinse shkencore, vetëm për të hyrë në aureolën historike të figurës dhe kohës. Në tekstin romanor është e pranishme bota mitike, e cila vinte përballë njerëzoren dhe hyjnoren, tokësoren dhe qielloren, që e mbështjell mbretëreshën e Ilirisë me një vezullitje të mbinatyrshme. Kjo rrethanë e ndërthurjes së historikes me mitiken, krijon gjasat se në roman ka peshë imagjinarja, porse prania e Teutës, mbretëreshës hirplotë, është një dëshmi kokëforte e historisë së Ilirisë. Portretizimi i kësaj periudhe, në semantikën letrare, të sendërgjimit të romanit historik, shpaloset në dy linja:

A – linja e rrokshme e pushtetit, si një betejë e brendshme, së jashtmi, për çlirimin e Epirit, dhe në det me romakët.

B –  linja intime, ka vënë përballë njerëz, që për hir të pushtetit, e shkatërrojnë dashurinë, po kaq për shkak të dashurisë, ka rrezik që ta djegin botën.

Figura të tilla, si: mbreti Agron, Triteuta, mbretëresha Teutë, Demetër Farosi, Skerdilajdi, përbëjnë një pesëshe të personazheve, që ngërthejnë të dyja linjat e romanit, me të gjithë kurbën e vet. Megjithatë, qendër e universit është mbretëresha Teutë. Në kuptimin letrar, jemi në tipin e romanit historik, që ka në qendër një figurë historike, që përfshin burime historike. Merr vlerë pohimi i Gjergj Llukashit: … personazhi qendror i biografisë është i rëndësishëm për lidhjet e veta me botën e idealeve që ngritën përmbi të, mirëpo ajo botë njëkohësisht realizohet vetëm me jetën e vet përbrenda atij individi dhe me veprimet e asaj jete (1983: 74, Teoria e Romanit, Rilindja). Po ashtu, nisur nga shtjellimi i marrëdhënieve dashurore të Teutës dhe Demetrit, mund të përcaktohet edhe si roman dashurie. E vërteta e arkivave apo ajo gojore, e vënë përkitazi me të vërtetën e figurimit në hapësirat e librit, ndërkohë përbën edhe çështjen thelbësore të zbërthimit të romanit, me gjasë të natyrës së tekstit, që endet në binarët historikë dhe imagjinarë, të cilët ecin paralelisht, por në hapësirën e romanit, pavarësisht shenjëzimeve imagjinare, mbizotëron toni historik ku, gjithsesi, faktikja mbetet një sfond parak dhe i pandashëm. Teuta e librit të përkujton mbretëreshën e Ilirisë, madje e përmbush idenë fillestare mbi këtë figurë historike dhe mitike të lashtësisë.

Struktura lineare e veprës

Pjesë unike e veprës është marrëdhënia e pashmangshme me strukturën kompozicionale. Ky tekst historik, në qasje dhe parashtrimet e ndodhive, ka këto ndarje strukturore:

Së pari, lënda romanore, me material historik, është e përbërë nga tetë pjesë kryesore, të cilat shtjellojnë ngjarjet dhe plazmojnë figurat kryesore të tekstit. Në këto tetë episode të librit, që rrokin fatin e mbretëreshës Teutë, aktet e dashurisë për Demetrin, njohja dhe martesa me mbretin Agron, kulmon me kalimin e detyrës në formën e regjencës te Teuta. Pastaj vijnë betejat heroike si mbretëreshë, e deri në fikjen e saj prej tradhtisë së Demetër Farosit. Endja e fatit të mbretëreshës Teutë, me atë forcë karakteri, me bukurinë përrallore, mendjemprehtësinë legjendare, për të ecur në aspiratat e Agronit, madje edhe duke shtruar shinat e një vizioni të mbretërimit ilir, të pranëvënë me lektisjet dashunore, është pjesa mbizotëruese e librit, ku përplasen faktet historike dhe mitike që e lartësojnë figurën e Teutës mbretëreshë.

Së dyti, pjesë integrale e rrjedhës subjektore, që mëton figurimin e heroinës, e strukturës kompozicionale të romanit, ndërkaq janë nënndarjet më të vogla. Kështu, pjesa e parë e librit përbëhet nga gjashtë pauza të tilla. Në pjesën e dytë ndeshen nëntë nënndarje gjithsej. Në vijim, në pjesën e tretë të romanit, kemi të pranishme shtatë ndarje, në të katërtën janë nëntë, në të pestën, shtatë të këtilla, në të gjashtën, tetë nënndarje, e shtata, gjashtë, ku, madje, kemi edhe formën ligjërimore të letrës, e teta përbëhet nga dhjetë ndarje. Në hapësirat e këtij romani, me thadrim historik, ndeshen gjashtëdhjetë e tre episode më të vogla, të integruara në pjesët e mëdha të librit.

Në pikëpamje strukturore, romani për Teutën e Ilirisë është kompozuar duke ndërthurur dy teknika shkrimore, shkrimi me ndarje në pjesë më të plota, përkatësisht këtu janë tetë pjesë të mëdha, episode të zgjeruara, gjë që përkon me një përvojë klasike të prozëshkrimit. Nga ana tjetër, grimcimi i secilës prej këtyre pjesëve të romanit, me fragmente më të copëtuara, në pauza rastësore, i përket më së shumti strukturës bashkëkohore.

Rebusi gjuhësor i pazakontë

Materia e romanit Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë, në rrafshin gjuhësor të befason, madje me larminë e vet ligjërimore shpërfaqet si një rebus gjuhësor. Fjala, si ligjërimi rrëfimor dhe përshkrues, krijon hapësira të pamatshme, të shumë stileve, të stilemave gjuhësore, të pazakonta që krijon atmosferën e kohës, të figurimit të heroinës, deri në skalitje të plotë. Rrafshet ligjërimore, në hapësirën tesktologjike, janë:

–  Endja e fjalorit të epokës, të hyjnive, të fjalorit detar, të fjalorit të betejave në tokë dhe në det, që vjen me tri mënyra, me shpjegimin e emrave të vendeve, të shpjegimit të termave, në formën e fusnotës, si dhe të pranisë së fjalorit rrëfimor, që ruan aureolën e kohës. Sjellja pranë e situatës së ligjërimit: Kishin kaluar vite që kur përbindëshi i detit i pati shpëtuar jetën vajzës pirate trembëdhjetëvjeçare të Elidesë, duke bërë që mes të dyve të krijohej një lidhje aq e fuqishme, sa ilirët i shihnin si një qenie e vetme (2015: 23), e cila evokon ndërthurjen e botës historike me atë mitike.

–  Stilemat rrëfimore të ngjyresave të përmbysjeve rrëfimore, të shkërbimit të pozicioneve të rrëfimit të autores, të gjarprit dhe të personazheve të ndryshme. Stilemat: Ilirët besuan fort se Teuta e rikthyer, në trupin e së cilës nuk ndodhej as shenja më e vogël e plagës së thikës, ishte, në të vërtetë, mishërim njerëzor i Gjarprit të detit (2015: 29), ku zë fill metamorfoza e njeriut-gjarpër. Për të ardhur te momenti: Teuta i ish nënshtruar, së pari, ritit të sakrifikimit pastrues dhe mistifikues nëpërmjet skalitjes së gjarprit të detit, totemit të Ilirisë, mbi lëkurën e trupit të saj, shenjë që e mbanin të tëra faltaret e faltores së Gjarprit, të cilat ishin faltare luftëtare, mbrojtëse të totemit (2015: 41). Në formën e dialogut, bashkëlidhur me rrëfimin e autores, kur shkruan: – Faltare e madhe, – i foli me një lloj ndroje Teutës Demetër Farosi, duke nderë krahun e djathtë, përpara, në hyrje të detit të Helleut, ndodhet Ilioni, Troja e lashtë. Në shpinë të kësaj skele ku po ndalim, rrëfen gojëdhëna, prijësit grekë fshehën anijet, pasi lanë kalin e drunjtë në prag të Trojës (2015: 51), ku epoka vendoset në kontekstin e qytetërimit antik. Në një pasazh vjen fjala e heroinës, vetë Teutës: – Në Iliri, – i pëshpëriti ajo theoresit që kishte pranë dhe që kërkonte të dinte për këtë temë, – gratë dhe burrat festojnë së bashku dhe pinë e dehen njëlloj së bashku (2015: 64), ku përtheksohen diferencat e dallimit të qëndrimit ndaj femrës në Iliri dhe Greqi. Në një episod tjetër, ndeshim këtë situatë: – Tamam kështu, – ia priti Eunike, – dashuria është nektari me të cilin ushqehen perënditë, por kur e pi njeriu, pi pathosin, dhe atëherë ai kthehet, për vete dhe për qenien e dashur, në një gjysmëperëndi; pasojat janë shkatërruese: mendja e tij dehet, gjykimi errësohet, njëlloj si nga vera, nuk ka dritë në të, është zemra që mendon, e pas saj vrapon e tërë qenia e tij (2015: 85), që shkakton një vonesë në rrëfim, teknikë e njohur në lavrimin e romanit historik. Për të ardhur në hapësirën: – Kam dëgjuar, – foli, – se ilirët i falen hyut gjarpër dhe faltorja e Gjarprit është po aq e famshme sa Dodona me fatthirrëset e saj (2015: 88), e cila vendos një ekuilibër në mes qytetërimit ilir dhe atij antik. Një episod tjetër, ku spikatet ligjërimi i përzgjedhur: – Asnjë mashkull i rritur s’mund të pijë tamblin e Rozafës, – foli roja, – të helmon. Veç nënat gjishterpëta lyejnë gjinjtë me të që t’u vijë qumështi. Ka edhe prej tyre që sjellin foshnjat për t’i mëndur me “qumështin e gurit”, siç e quajnë, por këtë e kam me të dëgjuar, – përfundoi roja. – Pra, gojëdhëna është e vërtetë! – mundi të belbëzonte navarku (2015: 203), ku zbulojmë një sfond legjendar.

– Fjalori, përgjithësisht është krijuar nga autorja: rrugën e përqumësht, çalashe, shkretanie, poçezë, gjirthet, parrugë, zigzagonte, buthtoi, vdekatarët, gjarpërinjtë fatpërgjues, hollërinash, barbitosin, gostarët, një rrëkajë erëmjalti që të dehte në çast, thymjantarët, lagu buzët e zjarritura, fatthirrëse-fatthënëse, sagarisin, karvankusarëve, afërmesdita, lemboi, rapsodos, urtarët, limaksje, pikthi, skllupnin, lidhabesë, ndezullinë, tumbllazi, helepolisi, fariani, dashurori etj., të cilat e pasurojnë ligjërimin.

Stilizimi i fjalës, deri në skajin e semantikës, gjuhësore dhe letrare, që të deh dhe të merr në kthetrat e maksimumit të vet, që ndriçon dhe terron fjalën dhe narrativën e bën shumëngjyrëshe. Narrativa diturake, me tone mbizotëruese në roman, ku ngjarjet më tepër ngrijnë dhe merr rol parësor informacioni, dija mbi epokën dhe simbolin e saj, mbretëreshën Teutë, e përthekon dukshëm tipologjinë e romanit historik.

Figurimi së brendshmi i mbretëreshës

Teuta e Ilirisë, vetvetiu zbulohet si epiqendër e universit shkrimor. Nëse emri, mbretërimi shkëlqimtar, po kaq figurat e tjera të mbretit Agron, Demetër Farosi, Triteuta, Skerdilajdi, janë të rrokshme në arkiva, përveç pranisë gojëdhanore. Poetika e romanit, Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë, sjell lashtësinë e Ilirisë, shkëlqimin e mbretëreshës Teutë. Në libër vjen bota e përplasjes së pazakontë në mes Romës dhe Ilirisë, që zbulon politikën e vjetër, “përça e sundo”, një shpikje e Romës. Kjo dëshmi e historisë, ky mit i lashtërisë, i mbretërimit të Teutës, formësohet në substancën e librit me magjinë e rrëfimit. Pra, rrëfimtarja autore, bart peshën e të ndodhurave historike, mitike dhe letrare. Përveç tipologjisë së zakontë që, në poetikën e rrëfimit, shpesh shpërfaqet si metamorfozë e rrëfimit të gjarprit, tipologjia e ndërthurjes shpërfaq natyrën e fantastikes, që përcillet nga studimet e Rosmary Jackson-it: Narrativa fantastike përzien elementet e të mrekullueshmes me elementet e imitueses. Pohon se është reale ajo çfarë po rrëfen – për të cilën mbështet në të gjitha normat e trillimit realist – dhe atëherë vazhdon për të thyer këtë realizëm të supozuar, duke e futur atë që – në të tilla terma – është qartësisht joreale  (Fantasy: literatura y subversion, Catalogos Editora, Buenos-Ajres, 1986, faqe 31-32). Rrëfimtare e gjithëdijshme, që shndërrohet në pikë referenciale për ndërlidhjen kohore, lashtësia ilire dhe shkëlqimi i mbretëreshës, atmosfera e modernitetit, ku rimerret figura dhe epoka, dhe risemantizohet. Fjala e rrëfimtares, përpos dialogut dhe përshkrimit, skalit portretin e Teutës, duke e parë si mbretëreshë dhe njeri. Rrëzimi nga froni, në fund të romanit, është çmitizim sublim i figurës, sjellje më pranë në kohë, e kësaj figure mitike dhe historike. Kjo paraqitje e dyzuar, e shkëlqimit të pazakontë, me zbulesën e dritëhijeve njerëzore, na vjen përmes narrativës së gjithëdijes. Në libër ndeshen disa rrafshe ligjërimore:

– Prania e gjurmëve historike.

– Dëshmi të kohës mitike.

– Shenjëzimi letrar, si prani e autores/gjarpër/rrëfimtare, që sendërton botën e romanit historik.

Mbretëresha Teutë, heroina e librit, epoka e ilirëve, përlinden nga rrëfimi, që shpesh vjen me fraza të gjata, nga shtjellat subjektore që krijon autorja. Rrjeta narrative, endur në pjesët e romanit, bashkë me dëshmimin e ngjarjeve, figurimin e personazheve, bart një proces tjetër, që fanitet si nëntekst bashkëshoqërues. Është fjala për një rrëfim të lidhur me aktin e shpluhurosjes dhe metamorfozën, më tepër si rrëfim/pastrim i një kohe të largët, si dhe të vetë figurave historike, duke mbledhur copa-copa të vërtetën e shpërndarë në shekuj. Po kaq, të rrëfimit të metamorfozës së autores në gjarpër dhe anasjelltas, të simbolit të gjarprit, perëndisë së Ilirive (ouroboros) gjarprit dragua që kafshon bishtin, një simbol i kohës dhe pafundësisë. Kjo rrethanë e pazakontë e kreatives së epokës, që zbulohet me mendjen e rrëfimtarit të gjithëdijes, nga njëra anë e subjektivizon epokën e Teutës, nga ana tjetër zgjeron praninë e hapësirës së letrares dhe të ofron një situim të shkrimit fantastik, ku: Fantastikja është hezitim që përjeton një qenie njerëzore, e mësuar vetëm me ligjet natyrore, përballë një fenomeni në dukje të mbinatyrshëm (2015: 32, në librin Hyrje në letërsinë fantastike, Shtëpia Botuese “Pika pa sipërfaqe”, Tiranë, 2015, faqe 32), duke zgjeruar shënjimet romanore.

– Zbulesa e dëshmive historike, mitike dhe të aspiratës për ta skicuar figurën simbolike të Teutës përmes syrit të arkeologut dhe shqiptimit të gjarprit, që ecën nga e sotmja për në hershmëri, diçka si një “zhvarrosje” epokale e figurës, e cila shoqërohet me shkundjen e pluhurit të harresës. Prania e rrafsheve narrative mundëson të tria cilësitë në tekst.

Megjithatë, ndeshen gjurmë të sfondit historik, të toneve të mitikes, por ato vijnë përmes rrëfimit dhe zbulesës së gërmimit në histori nga ana e rrëfimtares/arkeologe/gjarpër. Me atë lopatëzën e vogël, rrëmon në artefaktet që ndeshen në udhëtimin imagjinar nëpër reliktet e dikurshme dhe na i sjell në dritën e diellit. Në një përhumbje meditative i kundron me shumë mall dhe admirim, mandej me smeraldet që ka zbuluar në procesin zhvarrimit të tyre, prej aty nis dialogu i rrëfimtares me historinë, me gjasë me lashtësinë antike, duke plazmuar universin e botës ilire, në mënyrë të veçantë të simbolit të saj, mbretëreshës Teutë.

Bota hyjnore dhe njerëzore

Krahas figurimit historik, plasimit estetik të tekstit, përmes narrativës së gjithëdijes, ndeshim praninë e frymës mitike. Kjo botë rrëzëllitëse e antikitetit me qendër Ilirinë, ku kufijtë ndarës dhe përbashkues ishin qytet-shtetet, si mendësi e qytetërimit grek, dhe fare pranë qëndronte shënjimi unik perandorak, ide madhore e Romës. Iliria, gjendur në mes dy shtjellave të qytetërimit të hershëm, regëtin në vizionin e mbretërive dhe mbretërve të shumtë, ku si pikë e horizontit është shkëlqimi i Teutës mbretëreshë. Qytetërimi antik/ilir, marrëdhënien e tokësores me qielloren, e njerëzores me hyjnoren, i pati thelb ekzistencial dhe pjesë të mitologjisë. Marrëdhënia e kohëve të ndryshme, sidomos sjella në bashkëkohësi e kohës mitike dhe historike, në formën e risemantimizimit, që nga dija teorike është emërtuar postmodernizëm. Hans Bertensi, në librin Koncepti i postmodernes, nënvizon: Letërsia postmoderne, të cilën ai e shqyrton, nuk është tallëse apo paraqitëse, nuk është erotikisht çliruese e as nuk ofron ndonjë mit të ri; përkundrazi, ajo i është përkushtuar të vërtetës, të zbusë historicitetin e njeriut dhe të rastësisë së historisë (2015: 34, Shtëpia Botuese OM, Prishtinë, 2015).

Prania e marrëdhënies së njerëzores me hyjnoren, tokësores dhe qiellores, përpos ndërthurjes ndërkohore, tregon se vepra është vendosur në një sfond të qartë mitologjik, për figurimin e mbretëreshës së Ilirisë. Duke qenë figurë tipike, që vjen prej thellësisë antike, pavarësisht figurimit letrar, të përthyer nëpër shtjella metamorfozash të befta, heroina do të vendosej domosdoshmërisht në ato rrethana specifike të frymës së antikes. Pjesë e konteksteve të veprës së Teutës, të lartësimit të mbretërimit të saj, është edhe prania e miteve dhe mitologjisë së lashtësisë, që shpaloset si një mbështjellë e kohës mitike. Iliria, universi i këtij qytetërimi, bashkë me treguesit mitikë dhe historikë, pandarazi me të, shkëlqimi i mbretëreshës Teutë, si njëra nga simbolikat e Ilirisë antike, madje as nuk mundet që të kuptohet larg mitizimit. Pjesë e përjetimeve është edhe dyzimi i mbretërimit, që shqipton betejën e ashpër për pushtet. Në materien e romanit Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë, është figurimi i mbretërimit, që shpërfaqet:

A – si dëshmi e mbretëreshës Teutë, e cila merr përsipër që të realizojë ëndrrën e Agronit, por edhe ëndrrën e saj, ambicien për pushtet, në mënyrë që të rrisë lavdinë e Ilirisë.

B – si një hije që ka synuar mbretërimin, Triteuta, ku emri fsheh jo pak nga misteri i lashtë i luftës së matriarkatit për pushtet.

Varësisht, figurimit të Teutës dhe Triteutës, hapave që bëjnë drejt fronit të Ilirisë, kemi të shqiptuar betejën e ashpër për pushtet, një betejë e verbër. Nëse Teuta, bashkë me ambicien për pushtet dhe dashuri, simbolizon mbretëreshën, idealin e shënjimit të botës ilire, nga ana tjetër, Triteuta e do fronin për ta rrëzuar Ilirinë, në këmbët e Romës dhe Greqisë, pra është vetëm se e nginjur me mllef për pushtet. Dyzimi mbretëror, një fakt biografik dhe historik, është shndërruar në një lente zmadhuese, për të parë secilën prej tyre, në përballje dhe kontrastin e pranëvënë. Materia e romanit, me epiqendër Teutën, të shpie në mugullimat e qenies, në lashtërinë e largët, duke skicuar figurën e mbretëreshës, për të përplotësuar shtigjet ekzistenciale të botës iliro-arbënore, që kulmohen me Gjergj Kastriot Skënderbeun, Heroin tonë Kombëtar. Romani për Teutën vjen pas disa romanesh të M. Meksit, që kanë vënë në qendër figura të grave me emër në histori, si dhe që kanë tërhequr vëmendjen e lexuesit dhe të kritikës, duke shënuar një cak të ri të kumteve letrare të autores, të cilat në këtë libër shijohen vetëm në lexim, por vatrat historike, mitike dhe imagjinare zbulohen në rileximin e distancuar në kohë.