E përditshmja britanike “The Times” vlerëson librin autobiografik “Të Lirë” nga Lea Ypi, në majën e librave më të vlerësuar të vitit 2021.

“Këto kujtime mbresëlënëse, shfaqin optikën e një regjimi komunist, në sytë e një fëmije”.

Disa kanoçe boshe “Coca-Cola” të glorifikuara në formë suveniresh dekorativë, gurë që caktonin vendin në radhët e bukës apo një statujë e bronztë e një Stalini të dekapituar.

Të gjithë këto detaje, sipas të përditshmes britanike “The Times”, meritojnë ta vendosin “Të Lirë” nga Lea Ypi, në majën e librave më të vlerësuar të 2021-shit, duke e cilësuar atë madje si titulli i vitit.

Në botëkuptimin e shfaqur në artikullin e “The Times”, është pikërisht fundi i fëmijërisë së Ypit, i cili përkon me fundin e rënies së regjimit komunist, çfarë e bën të jashtëzakonshëm rrëfimin e saj.

“Nëse keni vendosur të lexoni një libër me kujtime këtë vit, le të jetë ky ai”, shkruhet në vlerësimin e medias britanike.

Ajo çfarë i jep një tjetër shije shkrimit monumental të Ypit, është po ashtu zbulimi i njëpasnjëshëm i të vërtetave tronditëse. Këto të fundit, tek ajo, përcillen nga prindërit, për të krijuar më pas një konfuzion dhe shkëputje nga adoleshenca e (pa)jetuar.

E zhytur në kaosin e një shteti kapitalist, Ypi gjendet në dilemën e saj përfundimtare: A ka një regjim, i cili në të vërtetë, na lejon të jemi të lirë?

Përgjigjen e saj, Ypi e jep të shkriftuar në rreshtat e rrjedhshëm.

Ndërsa, vetë autorja, gëzimin për këtë titullim, nuk mundohet as ta fshehë.

“Është kaq e mrekullueshme të shohësh ‘Të Lirë’ të zgjidhet nga “Sunday Times” si libri i vitit biografik dhe përkujtimor”, shkruan ajo në  në Twitter.