Storia della letteratura albanese apo Histori e letërsisë shqipe

Dhurata Shehri

Teksti historiko-letrar Storia della letteratura albanese e autorit Giuseppe Schirò Junior, i cili po i paraqitet i përkthyer për herë të parë lexuesit shqiptar, është një prej kontributeve komplekse të studimeve albanistike në Itali. Kjo vepër, e cila ka mbetur shumë gjatë e panjohur për lexuesin shqiptar, është botuar në vitin, tashmë të largët 1959, në Milano, nga shtëpia botuese “Nuova Academia”, si pjesë e kolanës “Historia e letërsive të së gjithë botës”.

Si çdo histori letërsie kombëtare, vepra përmban jo vetëm një këndvështrim, gjykim e vlerësim personal, autorial, mbi vepra, autorë e dukuri të një letërsie e të sistemit të marrëdhënieve ndërtekstore brenda tij e me sistemet e letërsive të tjera nacionale, por brendashkruan edhe dialogun e polemikën për vepra, autorë, tema, çështje periodizimi e interpretime me historitë pararendëse të letërsisë, shqipe, në këtë rast.

Vepra, e shkruar në italisht dhe e botuar vetëm rreth gjashtëdhjetë vite më parë, është ndër të parat histori të letërsisë shqipe (para saj, veprat që i përmbushin kriteret e këtij klasifikimi mund të numërohen me gishtat e njërës dorë). Por jo më të shumta në numër janë edhe historitë pasardhëse të letërsisë shqipe. Ndonëse historiografia shqiptare nuk e ka pasur luksin e përjashtimit për shkak të numrit të vogël të historive letrare, Storia della letteratura albaneseka pasur një qarkullim të kufizuar jo vetëm për shkak të gjuhës dhe të autorit, por sidomos të kundërshtisë ideologjike me historiografinë letrare të gjysmëshekullit të realizmit socialist.

Përkthimi i veprës Storia della letteratura albanese në shqip vjen edhe kësaj here me vonesën “higjenike”, karakteristike për botimet mbi botën shqiptare përtej kufijve gjeografikë të Shqipërisë. Kjo vonesë është e zakonshme, e menduar, izolacioniste dhe ideologjike: mbyllje, mungesë alternativash, refuzim. Moskomunikimi dhe amputimi këputet sot këtu, me këtë botim që i jep zë një heshtjeje të gjatë.

Vepra që po merrni në dorë, do të ndriçojë nga disa kënde të panjohura letërsinë shqipe, e sidomos atë arbëreshe. Për herë të parë në një histori të letërsisë shqipe autori kanonik, bëhet një autor arbëresh, Zef Skiroi.

Storia della letteratura albanese, gjithsesi, është shkruar për një lexues “të huaj”, e për pasojë i mban të gjitha gjurmët e “lexuesit model”: edhe disa përshkrime e informata (që, ndonjëherë, duken të tepërta për lexuesin e sotëm shqiptar); edhe disa ritregime të subjektit të veprave. Por destinimi i saj parësor është edhe lexuesi arbëresh dhe studentët e studiuesit e letërsisë shqipe në arealin italishtfolës, të cilëve u ofron një krahasim, ndonjëherë edhe të tendosur, me kulturën e letërsinë italiane, si pikë referimi nga e njohura tek e panjohura, por edhe si strategji joshjeje për lexim. Të njëjtat “hire” vepra nuk i humb edhe për lexuesin shqiptar, duke i ofruar, në kahun e përkundërt afri e dallime me letërsinë italiane e botërore në përgjithësi, qasje që ka qenë shumë e pakët në historitë e letërsisë të botuara në Shqipëri. 

Vonesa e madhe në komunikim, dhe sidomos deformimi në skemën e komunikimit e bën këtë vepër të shfaqet për lexuesin shqiptar si e mëvonshme (vetëm më 2021) ndaj disa historive të tjera të letërsisë që janë shkruar e botuar pasi Storia della letteratura albanese ishte botuar në origjinal. Në të vërtetë, ato që shfaqen si pararendëse të historisë së Skiroit, janë pasardhëse. Të tillë, pra të re, në këndvështrimin e interpretimin e letërsisë shqipe nuk e bën vetëm data e botimit në shqip, por edhe “vjetërimi” i shpejtë i historive ideologjike që u shkruan për gjysmëshekulli në Shqipëri. 

  1. Autori dhe tezat e hershme

Ndër shumë autorë e autoritete të studimeve letrare shqipe në Itali, rreth mesit të viteve ’50 Giuseppe Schirò Junior, atë kohë mësimdhënës i shqipes në Universitetin e Padovës, thirret për t’u bërë pjesë e projektit madhor të “Nuova Academia” për të hartuar historinë e letërsisë shqipe si pjesë e “Storia delle letterature di tutto il mondo” (Historia e letërsive të së gjithë botës). Gaetano Pettrota vetëm pak më herët, më 1950 kishte botuar Svolgimento storico della cultura e della letteratura albanese, ndërsa referenti absolut i botës shqiptare në Itali ishte Koliqi[1].

Një hetues i vëmendshëm i zhvillimeve kulturore e jo vetëm të diasporës shqiptare në Itali, do të priste që autori i një ndërmarrje të tillë, për nga pesha e autoriteti, të ishte Ernest Koliqi, referenti absolut i botës shqiptare në Itali. Gjurmët e një refuzimi të mundshëm të Koliqit për të qenë hartuesi i një historie të letërsisë i gjejmë në botimin e dorëshkrimit të rishikuar të tezës “Dy shkollat letrare shkodrane” të tij të botuar vetëm pas vdekjes. Në këtë dorëshkrim që ka parë dritën e botimit vetëm në vitin 2003, Koliqi shprehet: “…syzim (pra Dy shkollat letrare shkodrane) qi mund të njehet skeleti i nji vepre mâ të vëllimshme historije të letërsis, por që mjerisht mbet pa u krye.”[2] Arsyet pse nuk e ka hartuar një histori letërsie, pra edhe pse nuk e mori përsipër hartimin e historisë së vitit 1959 të shkruar nga Schirò-i duhen kërkuar në kriteret që ai i analizon po në artikullin e larpërmendur. Koliqi, pasi shprehet për historitë pararendëse të letërsisë (të Petrotta-s, të Rrotës, të Çabejt e të Schirò-it) si “përpjekje të lavdueshme”[3] si edhe për ato të botuara në Shqipëri pas ’45 që i lë në heshtje sepse “frymëzohen nga kritere qi s’kanë të bajnë kurrsesi me letërsi”[4], pra, me fjalë të tjera për mungesën e një historie të letërsisë shqipe, saktëson arsyet e kësaj mungese: “Pa monografina mbi auktorë e mbi shfaqe të rrymbave letrare nuk mund të shkruhet historija qi na dishirojmë.”[5]

Pas këtij refuzimi për të shkruar në vetë të parë,  duket më i natyrshëm plazmimi i një pjese të mirë të ideve dhe të interpretimeve të Koliqit në historinë e G. Schirò Junior mbi disa autorë të letërsisë shqipe, sidomos mbi autorët e dy shkollave letrare shkodrane, mbi Poradecin, Migjenin etj..

Por, tjetër pamje na shfaqet në këtë marrëdhënie idesh e interpretimesh mes Koliqit dhe Schirò-it  si dhe në arsyet e pranimit a refuzimit për ta shkruar historinë e letërsisë shqipe, nëse i referohemi një letre të Camajt me Pipën, të vitit 1962 ku zbulojmë, përveç arsyeve pse Pipa nuk figuron kurrkund në Storia della letteratura albanese, edhe informatën e rëndësishme se historia e Schirò-it kishte qenë gati që dhjetë vite më parë:  “Ky tekst historie asht gadi tash dhetë vjet dhe unë mâ parë s’kam pasë asnji poezi të Pipës; kështu kanë mbetë jashtë edhe shum tjerë.” – pohim që mund të përmbysë apo të vërë në diskutim autorësinë e disa tezave e interpretimeve, ose vetë pohimin.

Gjithsesi, përtej rishkrimit apo mbishkrimit të disa tezave e disa interpretimeve të historianëve dhe kritikëve pararendës, Schirò-i, autori i veprës, ndonëse jo fort i njohur deri atëherë si historian i letërsisë shqipe, leximet dhe njohjen me letërsinë shqipe e ka të hershme e të thellë, shkrimet e tij të para datojnë që në fillim të viteve ‘40. Mjafton të citojmë këtë koment në recensionin mbi studimin e autorit italian Angelo Leoti për këngën V të Lahutës së Malcis: “E sfuggito al Leotti, l’interesante studio estetico di Gjergë Kuka… uscito in due putate nella rivista Leka”[6]. Shkrimet dhe recensionet e tij në vitet 1940-1943 lidhen ngushtë me “Rivista d’Albania” dhe me prodhimet librore të “Qendrës së Studimeve Shqiptare”.

Emrin dhe kontributin Junior-it e gjejmë në çdo numër të “Rivista d’Albania”, si kryeredaktor i saj dhe si përgjegjës i rubrikës Rassegne bibliografiche – Letteratura; në përkujdesjen për përkthimin e Kanunit, sidomos pas vdekjes së Fishtës; si sekretar i komitetit për hartimin e atlasit gjuhësor dhe si koordinator për hartimin dhe shpërndrajen e pyetsorit të këtij atlasi, siç zbulohet edhe nga letërkëmbimet e hershme e të vona me Tagliavinin dhe Çabejin; si firmosës i një prej artikujve në përbledhjen Le terre albanesi redenteKosovo, si kontribues në mbledhjen e materialeve arkivore nëpër arkiva ku përmendim sidomos artikullin: “Tragedia inedita del seicento”[7] etj.

Po të bëjmë një ekskursion të shkurtër mes disa hipotezave interpretuese të Schirò-it të propozuara nëpër shkrimet e “Rivista d’Albania” mes viteve 1940-1943, ndeshim njohjen e thellë të klasikëve modernë të letërsisë shqipe dhe këmbënguljen për të zbuluar ndikimet italiane në letërsinë shqipe përmes nënvijëzimit të dy poleve letrare: të letërsisë arbëreshe (ndërmjetëse kulturore mes letërsisë italiane dhe asaj shqipe) dhe të letërsisë katolike (ndërmjetësje për hir të besimit katolik mes letërsisë italiane dhe asaj shqipe).[8]

Polit të parë i përket një pjesë e madhe e artikujve të tij autorialë të cilët përqendrohen tek letërsia e arbëreshëve. Artikulli i parë është “Poesia e musica tradizionali degli italo-albanesi” – ku përmes një shqyrtimi të karakterit melodik e diatonik bëhet dallimi i motiveve dukshëm të ndikuara nga muzika kishtare bizantine, nga motivet thellësisht shqiptare. Pikërisht në këtë artikull do të gjejmë edhe fillesat e një prej interpretimeve më të komentuara të Schirò Junior-it, atë mbi autorësinë e veprës Kënga e sprasme e Balës, tezë që ai do ta rimarrë dhe do ta përpunojë edhe në Storia della letteratura albanese. Në artikullin e “Rivista d’Albania”[9], Schirò i tërheq vëmendjen lexuesit për tonin “eccessivamente romantico” të Darës kur flet për Balën si autor të këngëve “të sprasme”[10].  Por qëllimi i Schirò Junior-it në përcaktimin e mësipërm, për t’i kujtuar lexuesit të “Rivista d’Albania” se dy brigjet e Adriatikut tashmë të lidhur nën kurorën e Italisë, nuk kanë qenë kurrë të ndara si kujtesë e ripërtërirë vijueshëm nga poezia popullore heroike, përfaqësuar nga Bala, qoftë ky autori i vërtetë, qoftë miti i poetit luftëtar, e çon vetë Schirò-in drejt ëndrrës romantike apo neoromantike[11]. Qëllimi politik e ideologjik i tezës së Balës si autor i Këngës së sprasme të Balës në studimin “Poesia e musica tradizionali degli italo-albanesi” botuar në “Rivista d’Albania” nuk gjen argumente shkencore, aq më pak, në faqet e Storia della letteratura albanese rreth 20 vite më pas.

Artikulli “Te dheu i huaj” – il poema postumo di G. Schirò” është një nga ato artikuj ku Schirò Junior, ndërsa analizon autorin e letërsisë arbëreshe që përfaqëson sipas tij majën e kësaj letërsie, thekson që në fillim “due elementi fondamentali che si fondono atraverso la sensibilita artistica del autore: la poesia popolare albanese e la poesia clasica e italiana”[12]. Kjo tezë e tij interpretuese do të bëhet udhëheqëse edhe në Historinë e 1959, ku Schiròi referohet si autori më i madh i letërsisë shqipe, sidomos duke u nisur nga dy filtrat e sipërpërmendur: ndikimi nga letërsia popullore arbëreshe dhe nga ajo klasike italiane.  Duke kaluar nëpër interpretimin autorial të Junior-it, gjithsesi, në epilogun retorik të ngushtuar disi prej ngjarjeve dhe përkatësisë politike, pohohet njëanshëm se “Ma c’e ancora un lato del poema da mettere in rilievo: l’amore all’Italia, sua patria, la fede che solo dall’Italia l’Albania avrebbe potuto essere redenta”[13] – për të mbërritur tek pllakatat politike “Sull Albania splende oggi la bianca stella della pace di Roma”[14].

Gjithsesi, poezia popullore arbëreshe dhe Giuseppe Schirò si autori më i rëndësishëm i letërsisë së kultivuar arbëreshe janë piketa të rëndësishme në studimet e Juniori-t që do t’i mbijetojnë politikës së ditës dhe do të bëhen “kuajt e betejës” në historinë e letërsisë së tij të vitit 1959 të dominuar nga kërkimi i albanizmës së letërsisë shqipe si poetikë e praktikë shkrimi. 

Poli i dytë që shërben për të theksuar ndikimin e letërsisë italiane në atë shqiptare në shkrimet e Schirò-it në “Rivista d’Albania” janë autorët katolikë, dhe katolicizmi si thelb i përbashkët e i hershëm, që tek autorët e vejtër, te poezia epike arbëreshe që kujton bëmat e atletit të Krishtit/ alias heroit kombëtar, Skënderbeut, deri tek poezia e Fishtës dhe tradita gojore gege e mbledhur nga françeskanët.

Ky thelb i përbashkët e i pandërprerë katolik mes letërsisë shqipe dhe asaj italiane vihet në dukje, për shembull, në recensionin e Junior-it për artikullin e Francesco Ercole:” Giogio Fishta”: …“sono messi in rilievo i raporti del romanticismo italiano col romanticismo fishtiano, che é in fondo il romanticismo originario e institivo della poesia popolare albanese” ose më poshtë, kur nënvijëzon gjetjen e Ercole-s për të “rilevare una certa corespondenza fra la Kulçedra e il Polifemo omerico, tra Vocerr Bala e Ulisse”[15]

Po të njëjtën prirje e ndeshim edhe në recensionin mbi “P. Kurti – Prralla kombtare mbledhë prej gojës së popullit” – ku na intereson të vëmë në pah komentin: “Pur avendo presente dei criteri scientifici, non ha potuto fare a meno di selezionare quelle favole che eticamente non possono essere accetate da un figlio di S. Francesco”. 

Në recensionin e veprës së Valentinit Elementi romano-cattolici nella cultura albanese, Schirò-i e thekson fort, deri në tendosje idenë e Valentinit duke nënvijëzuar mungesën e ngjyresave nacionale tek disa autorë të vjetër të letërsisë shqipe e duke theksuar ndjeshëm ndikimin e humanistëve latinë e bizantinë dhe të elementëve romano-katolikë: “altro e essere greci e grecisti ed altro e essere albanesi e cultori delle letterature clasiche.” Për të mbërritur te “dall’ osservazione sommaria della letteratura che va dal 500 all 800 riesce naturale che quella moderna risenta gli influssi degli elementi romano-catolici della precedente.” Kjo tezë e Valentinit e mbështetur nga Schirò-i më 1941, do të përmbyset në Storia della letteratura albanese më 1959.

Tone të zjarrta, gati patetike merr nënvijëzimi i idesë së Tagliavini-t nga Schirò-i në recensionin  mbi artikullin “Alcune considerazioni sulle origini e lo sviluppo della letteratura albanese” të të parit. Schirò-i pohon se Tagliavini ka të drejtë kur vë në pah se “i piu antichi scrittori albanesi come Busuk, il Budi, il Bianchi e il Bogdani studiarono tutti in italia, e fa rilevare che la letteratura religiosa albanese fu catolica ed ebbe Roma come nutrice.”

Një tjetër kah i të njëtës ide të lidhjes së hershme e ndikimit të pandërprerë të kulturës katolike (lexo italiane) në letërsinë shqipe përfaqësohet në faqet e “Rivista d’Albania” nga recensionet e disa librave dhe artikujve mbi veprën e Fishtës.

Disa prej tezave të Schirò Juniorit mbi letërsinë shqipe në faqet e “Rivista d’Albania”, pavarësisht rrethnave politike, e sidomos kur këto rrëthana nuk ekzistojnë më, do të rimerren e përforcohen në interpretimet e tij në veprën madhore Storia della letteratura albanese. Kjo është edhe arsyeja pse, u zgjatëm më shumë në tezat e tij të hershme në të cilat këmbëngulet dhe që krijojnë vizionin e tij për botën letrare shqiptare:

  • Letërsia popullore zë kryet e vendit;
  • Autori kanonik Zef Skiroi
  • Letërsia kanonike, ajo e katolikëve të Veriut

2. Kanoni

Schirò Junior, në Historinë e leëtrsisë shqipe do të kërkojë e theksojë kudo albanizmën,  do të vërë në piedestal letërsinë gojore si tharm të saj, do të mëshojë te epika si gjeni përfaqësuese e albanizmës, te heroikia e historikja si topose dominante, do të vlerësojë   letërsinë e vatrës, gjuhën si mit bashkimi e si mjet artistik, do të hetojë e zbulojë traditën dhe besimin (kryesisht të krishterë)[16]. Mjafton të kujtojmë që autori më me peshë është anonimi popullor (zë gati një të pestën e tekstit[17]). Nën këtë prizëm do të analizohet e gjithë letërsia shqipe dhe prania e letërsisë popullore si frymëzim, model a mit do të bëjë të përfaqësueshëm edhe autorë që për nga metoda e ideologjia janë larg shijeve të Junior-it si Dhimitër Shuteriqi   Fatmir Gjata, Llazar Siliqi etj. Rastësisht ose jo, në të njëjtin vit, 1959, në Shqipëri, një autor që nuk përjashtohet prej Junior-it, Dhimitër Shuteriqi, shkruan një histori letërsie në shqip, të frymëzuar nga një ideologji e kundërt me atë që frymëzoi Rivista d’Albania dhe nga parime internacionaliste do të përjashtojë shumicën e autorëve madhorë të letërsisë shqipe.

Schirò-i shkroi një histori letërsie të lidhur e në funksion të historisë së Shqipërisë dhe të historisë politike të Shqipërisë, por edhe një antologji personale autorësh e veprash, më të dashurat për të. Pra kanoni i tij është sa historik e etik, po aq dhe estetik e personal. Në qendër të kanonit të tij historik, estetik e personal është SKIROI, sepse krijoi metaforën e “këthimit”, koinenë e “bashkimit”, dialogun mistik të arbëreshit të krishterë me shqiptarin e mbijetuar bektashian, lirikën italiane e evropiane. Kanoni i tij është historik e etik pasi i përmbahet të njëjtave vlera letrare e jashtëletrare nacionale duke kombinuar tre besime, tre dialekte, tre areale gjeografike e tre autorë “të mdhaj”: De Radën e “motit të madh”, Naimin e mirësisë dhe Fishtën poetin kombëtar, poezinë popullore dhe prozën e Kanunit (tezë që dialogon e ritrajton tezat e paraardhësve si Çabej e Koliqi e polemizon me Shuteriqin), por duke shtuar të katërtin edhe më të madhin Skiroin. Kanoni i tij është edhe estetik pasi brenda autorëve çmon jo veprat “më në zë”, por veprat me vlera më të mëdha estetike (te De Rada – Milosaon[18] – duke polemizuar me përzgjedhjen e Serafina Topiajt në shkrimet e Koliqit, për shembull; te Fishta epikën robuste, Lahuta e Malcis, por brenda saj këngën më lirike, Tringën[19]; Seremben lirik në vend të Darës; te Asdreni poezinë Mister, te Skiroi nënvijëzon Minon, te Shantoja Vorr i harruem,  etj.  Por kanoni i tij është edhe personal, kur Koliqin pothuaj nuk e vlerëson për prozën e poezinë, por për veprimtarinë pranëletrare e jashtë letrare, kur Kutelin e Lumo Skëndon i përjashton krejt nga kanoni (me gjasa, prej ndikimit nga i njëjti përjashtim që i bën Koliqi)[20]

3. Dialog e polemikë

Më 1959, më shumë se gjashtëdhjetë vite më parë, në të njëjtin vit botohen dy histori letërsie, njëra në Itali nga Giuseppe Schirò Junior e tjetra në Shqipëri nga një grup autorësh të kryesuar nga Dhimitër Shuteriqi. E para edhe simbolikisht është pjesë e historisë së letërsive të të gjithë botës[21], e dyta edhe simbolikisht e ndan letërsinë shqiptare nga bota dhe amputon një pjesë të rëndësishme të letërsisë shqipe. Prirja për ta pranëvënë letërsinë shqipe si të tërë, por kryesisht atë arbëreshe dhe atë katolike në marrëdhënie me letërsinë botërore e kryesisht atë italiane është e dukshme në veprën e Schirò-it, ndërsa e kundërta, izolimi nga letërsia botërore dhe amputimi i letërsisë shqipe është i shpallur e i dukshëm tek e dyta. Vepra e Schiròit duke hyrë në rradhën jo fort të gjatë të historive të letërsisë shqiptare dialogon e polemizon me to. Polemika e pashpallur nis që me kushtimet: “Luka Skiroit e Giovana Clestit, prindërve dhe shpirtrave të mërgimtarëve të parë shqiptarë që ruajtën ritet e zakonet” ua kushton Schiròi veprën e tij[22], “Partisë së Punës së Shqipërisë, trashëgimtares dhe vlerësueses së madhe të traditave të popullit tonë, farkëtueses së kulturës sonë socialiste me rastin e XV vjetorit të çlirimit të atdheut me dashuri dhe respekt të thellë.” – ua kushtojnë autorët e historisë së Tiranës.

Polemika vazhdon e pashpallur edhe në mënyrën e periodizimit të letërsisë shqiptare.  Historia e ‘vitit 1959 është vetëm një rishkrim më i zgjeruar i amputimit të gjysmës së letërsisë shqipe në Historinë e letërsisë së vitit 1955 nga Dhimitër Shuteriqi. Periodizimi i letërsisë shqipe që zanafillën e ka në këtë tekst të vitit 1955, e ndan duke e karakterizuar letërsinë shqipe në letersi të vjetër e letërsi të re. “E vjetra, feudalizëm dhe gjuhë arkaike/ e reja e frymëzuar nga përpjekjet çlirimtare dhe gjuha e re”[23]

Periodizimit binar, ku ndahen kategorikisht e mira dhe e keqjae vjetra dhe e reja, ku amputohet gjysma, ku dyshi bëhet njësh e njëshi përgjysmohet, i pranishëm në të gjitha historitë e letërsisë të botuara në Shqipëri në komunizëm, pas historisë së 1955, në Storia della letteratura albanese të  Schirò-it i përgjigjen tre alternativa si përkëmbime e si varietete në unitet (tre poetë, tre besime, tre dialekte, e më në fund, një letërsi nacionale). Historia e tij dialogon nga ana e tjetër me vargun e historive që nis me Stratico, Petrotta-n, Rrotën, Shkrimtarët shqiptarë dhe e vijon dialogun më pas me tekstet historike të Koliqit më 1963[24], 1965[25] dhe të Resulit më 1970[26]. Mund t’i shtonim natyrshëm këtij vargu edhe studimin e Giuseppe Gradilones Studi di letteratura albanese contempornea i cili, duke ndjekur të njëjtën linjë sjell një ndër analizat e para serioze të realitetit të hidhur të “realizmit-socialist” shqiptar.

Ajo çfarë ndërpritet në Shqipëri më 1945, por paradoksalisht edhe sot, vijon dialogun në Itali e mërgim. Dialogu me veprën madhore Shkrimtarët shqiptarë i ndërprerë për gjashtëdhjetë e pesë vite është cunguar edhe sot, pasi pjesa e dytë e veprës është botuar në Shqipëri pas rënies së komunizmit duke i hequr arbitrarisht 200 faqe të saj, pikërisht aty ku “kriteri ideologjik” do të bëhej dominant në kategorizimin e letërsisë shqipe nga historitë e letërsisë së realizmit socialist.

Polifonizmi i veprës së Schirò-it shfaqet në disa “dialogje” kryesisht në ato me Koliqin: – në dialogun me interpretimin e Mjedjes si autori klasik i letërsisë shqipe nga Koliqi, të botuar te Cirka më 1937; në dialogun për tre poetët ma të mëdhaj të letërsisë shqipe;  në interpretimin dhe sidomos në lartësimin e Shantosë[27], të Floqit e Prenushit, deri diku edhe në interpretimin e Poradecit, Migjenit e Nolit si dhe në përjashtimin e Mithat Frashërit. Tek interpretimi apo përjashtimi i këtyre të fundit, “dialogu” me Koliqin është më shumë personal e politik.

Por ajo që është më e dukshme është polemika me historinë e Shuteriqit, që kulmon sidomos në interpretimin e Fishtës, pjesë që për saktësi duhet cituar:   

Histori e letërsisë shqipe, 1955: “Gjergj Fishta, koka e shkollës letrare të klerit katolik, vegël e të njëjtëve. Me shkrimet e tyre, këta luftuan zakonisht idetë dhe përpjekjet përparimtare në Shqipëri, ushqyen shovinizmin, nxitën luftën kundër popujve fqinj duke lënë në heshtje luftën kundër pushtuesve turq, austriakë e italianë, kundër imperializmit në përgjithësi… Idetë qëndrore të veprave të tyre qenë antisllavizmi, idealizimi i jetës patriarkale e të klasave sundonjëse etj..”[28]

Storia della letteratura albanese, 1959: “Është kurorëzuar në histori si “poeti kombëtar” i Shqipërisë, interpretuesi besnik e i lartë i shpirtit të bashkëkombasve të tij, këngëtari i lumtur i popullit që fitoi lirinë dhe pavarësinë pas pesë shekujsh të sundimit turk”… “Shpirtin e Fishtës, që është edhe shpirti i vetë Shqipërisë do ta gjejmë në poemën Lahuta e Malcis:” “… në historinë e letërsisë kombëtare ai zë në poezi dhe në ndërgjegjësimin e të qenit shqiptar atë vend që zë Skënderbeu në historinë politike e ushtarake të Shqipërisë. Për hir të këtij bashkimi, që është privilegj i gjenive, nuk mund të mohohet Fishta pa mohuar Shqipërinë”.

4Dyshime e zbulime

Pa u ndalur në komentimin e disa gjetjeve të Schirò-it si ajo për Balën autor të Këngës së sprasme të Balës, apo për kronologjinë e shkrimit më të vjetër shqip ku Perikopeja e Ungjillit të Mateut shfaqet si teksti i parë, po ndalemi në dy çështje të tjera. 

Dy shkollat letrare shkodrane, ky është titulli i një prej kapitujve më të rëndësishëm të historisë së letërsisë së Giuseppe Schirò Juniorit, por edhe një nga çështjet më të diskutuara të këtij libri në këndvështrim të autorësisë. Koliqi nisi ta botonte tekstin e esesë që do të shërbente si skicë për një histori të letërsisë shqipe që më 28 nëntor të vitit 1954 dhe e mbaroi së botuari më 1 shkurt 1961 në gazetën “L’Albanie libre”. Deri në daljen e veprës së Schiròit, më 1959, ishte botuar krejt parashtrimi teorik i konceptit të shkollave letrare shkodrane, krejt shkolla jezuite dhe nga shkolla françeskane, kishin dalë artikujt për At Leonardo De Martinon dhe Fishtën. Duhet pohuar se, habitshëm, artikujt e sipërpërmendur të Koliqit nuk citohen asnjëherë e askund nga Schiròi, ndonëse në raste të tjera Koliqi si kritik citohet, për shembull për dallimin e tipologjizimin e epikës popullore[29].  Megjithatë, moscitimi i Koliqit sidomos për tezat e Dy shkollave letrare shkodrane mund të interpretohet ndryshe po të mbështetemi në pohimin që gjejmë në letërkëmbimin e sipërcituar të Pipës me Camajn, ku shpjegohet se vepra Storia della letteratura albanese e Schiro-it ka qenë gati pothuajse dhjetë vite para se të botohej, pra, që prej fundit të viteve ’40, kur Koliqi ende nuk i kishte botuar tezat e tij mbi shkollat letrare shkodrane.  Por, edhe pohimi që del në letërkëmbim mund të merret me rezerva, e çështja e autorësisë së tezave të shkollave letrare shkodrane mbetet e hapur. 

Emri i Ernest Koliqit lidhet edhe me zbulimin e një poezie të panjohur më parë të tij, në të vërtetë e vetmja që citohet në historinë e Schirò-it nga krijimtaria e Koliqit, i cili karakterizohet nga Schirò si: Poet e prozator (pra, së pari poet – i përfaqësuar edhe në këtë histori me një tekst poezie – e më pas prozator). 

Bëjmë fjalë për poezinë “Il Rapsodo e l’eroe”. Pas hulumtimeve të gjata zbulojmë që kjo poezi  është botuar në gazetën “L’albanie Libre” më 1 nëntor 1952 dhe mban të njëjtin kushtim që shfaqet edhe në tekstin e historisë së Schirò-it: U kushtohet heronjve të lirisë së çdo fare e të çdo vendi. Por në botimin e vitit 1952 në “L’albanie Libre”, autori i poezisë është anonim, ai nuk tregohet nga redaksia, por tregohet vetëm vendi, rasti, personazhi që e ka lexuar për herë të parë këtë poezi dhe përkthyesi i saj: “Më 27 mars të këtij viti, “Shoqata e Intelektualëve Refugjatë në Itali” (AIRI) organizoi një “Të  enjte shqiptare” me kore e këngë popullore dhe prezantime të tjera tipike të pasurisë folkloristike kombëtare që korrën suksesin më të madh dhe u duartrokitën ngrohtësisht nga publiku i shumtë e i zgjedhur që merrte pjesë në manifestim. Përkthimi italisht i një kënge epiko-lirike, vepër e një poeti shqiptar që do të ruajë anonimitetin dhe që u deklamua në mënyrë të admirueshme nga Prof. Gradilone, Lektor i Gjuhës Shqipe në Universitetin e Romës, ndezi aprovime entuziaste. Shumë lexues na e kërkuan dhe sot jemi të nderuar t’ua plotësojmë dëshirën duke botuar përkthimin italisht të kryer nga Ernest Koliqi, duke mbetur në pritje që në një kohë të dytë t’ju ofrojmë në këto kolona tekstin origjinal shqip të saj.” Giuseppe Schirò Junior duke e cituar një pjesë të poezisë në italisht, në të vërtetë na ka zbuluar një poezi të panjohur të Koliqit.

5. Nga letërsia jo-ishullore tek historitë ishullore të letërsisë

Kur Çabej përvijonte më 1939 katër qarqet e letërsisë shqipe, qarkun katolik të Shqipërisë veriore, atë italo-shqiptar, ortodoksin e Shqipërisë Jugore dhe literaturën e nacionale, nuk besoj se do të mendonte se vetëm njëzet vite më pas, dukuria e ishullimit të letërsisë shqipe që kishte filluar të zbehej me lindjen e shenjave njësuese të letërsisë kombëtare do të rishfaqej sërish në letërsinë shqiptare të shkallës së dytë, në historitë e letërsisë shqiptare të shkruara brenda Shqipërisë komuniste. Në mërgimin e ri, tre poetëve, tre dialekteve dhe tre besimeve do t’i shtohen tre historianë të letërsisë që rreken të mbajnë gjallë në gjuhë të huaj njësinë e letërsisë nacionale, Koliqi, Schiròi dhe Resuli, një katolik, një ortodoks dhe një musliman.   

Pavarësisht vlerave të saj të pakundërshtueshme, paradoksalisht, Storia della letteratura albanese apo “Histori e letërsisë shqipe” e Schirò Junior nuk ka qenë seriozisht e pranishme as në studimet e as në botimet e tridhjetë viteve të “lirisë së fjalës” mes shqiptarëve. Me bindjen se tashmë ajo është e pa-anashkalueshme, kam ndërmarrë përkthimin e saj, që po sheh sot dritën e botimit në kolanën e botimeve të Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët.


[1] Në dy shtator 1957, katedra e shqipes në Universitetin e Romës ngrihet në rangun e Institutit të Studimeve Shqiptare dhe Koliqi emërohet drejtor i tij.

[2] Ernest Koliqi, Dyshkollatletrareshkodranë, nëVepra 5, Faik Konica, Prishtinë 2003

[3]Po aty, f. 15

[4]Po aty, f. 14

[5] Po aty, f. 16

[6]Giuseppe Schirò, Rassegne , Letteratura, Studi fishtiani, recensione sullo studio – “lahuta e malcis, Canto V …”, in Rivista d’Albania, Dicembre 1941, f. 395. Komente të ngjashme që dëshmojnë për njohjen solide të shqipes janë edhe ato në recensionin mbi studimin e Luigi Pompili: Naim Frashëri, i Pascoli, i campi (Bagëti e Bujqësija), traduzione col testo albanese a fronte, ediz. Dell’Academia Spoletina 1941, XIX, në f. 396

[7]Në Rivista d’Albania, giugno 1942, XX, f. 91-109

[8]Giuseppe Schirò, recensioni për Francesco Ercole: Giogio Fishta, “Rivista d’Albania”, A II (1941), Fac I, pag.3-18, në Rivista d’Albania, AII (1941), Fac. II, f. 174-176; recensioni për Settimo centenario dell’ordine Francescano in Albania, “Hylli i dritës”, 12, 1940, po aty, f. 176-177; recensioni për P. Valentini S.I.: Elementi romano-catolici nella cultura albanese”, po aty f. 177-179

[9]Giuseppe Schirò, Poesia e musica tradizionali degli italo-albanesi, në Rivista d’Albania, Fascicolo IV, 1940, f. 404-415

[10]Kritikë të mëpasëm e kanë kundërshtuar këtë interpretim të Schirò-it, ndër ta mund të përmendim: Rexhep Qosja, Gavril Dara i Riu, në “Historia e letёrsisё shqipe – Romantizmi II”, Rilindja, Prishtinë, 1984, f. 349 – 374; Agnia Desnitskaja, “Poema romantike e Gavril Darёs tё riut”, në “Le minoranze etniche e linguistiche”, Atti del 2° Congresso Internazionale, Piana Degli Albanesi, 7/11 shtator 1988, Palermo 1989, f. 513 – 549.

[11]Po aty: “Un esempio se non una meravigliosa personificazione del poeta guerriero che fa rivivere nei canti gli eroismi degli compagni l’abbiamo nel vechio Bala di Palazzo Adriano, come Gabriel Dara, con accenti romantici, anzi troppo romantici, ci riferisce, triste di vedere inerte la sua spada con la quale ha inutilmente combatuto per la patria…Ora Bala, a presciendere dalle fogge con cui è presentato da Gabriello Dara, deve essere considerato come il poeta rappresentativo di tutti gli altri poeti delle colonie, che già soldati, cantarono le passate gesta.”, f. 409

[12]Giuseppe Schirò Junior, Te dheu i huaj, il poema postumo di G. Sciro, në Rivista d’Albania, Fascicolo I, 1940, f. 87-90

[13]Giuseppe Schirò Junior, Te dheu i huaj, il poema postumo di G. Sciro, në Rivista d’Albania, Fascicolo I, 1940, f. 87-90

[14]Po aty.

[15]“Rivista d’Albania”, A II (1941), Fac I, pag.3-18, në Rivista d’Albania, AII (1941), Fac. II, f. 174-176

[16]Giuseppe Schirò Junior, Storia della letteratura albanese: “asnjë nga poetët më të mëdhenj nuk është shfaqur si i tillë prej një bote të ndryshme nga ajo shpirtërore e fantastike e traditës së pastër popullore”f. 44 (përkth) “Në mënyrë të tërthortë, mbrojtja e Krishtërimit merrte pra një kuptim politik, pasi përfundonte me mbrojtjen e pavarësisë shpirtërore të popullit kundër pushtuesit” f. 36 (përkth); E njëjta ide shfaqet kur analizon Matrëngën “është kumbari i letërsisë shqipe në Itali: letërsi në kuptimin e gjerë të fjalës, që mbështet jo te krijimi, por te sanksionimi i gjuhës ndërmjetëse mes doktrinës religjioze dhe popullit që e flet” f. 39 (përkth); e njëjta marrëdhënie e gjuhës me besimin edhe te Matrënga.

[17]Në këtë hetim sasior që mund të shndërrohet edhe në element interpretimi, është përfshirë edhe vepra e Darës Kënga e sprasme e Balës, brendashkruar letërsisë popullore prej Schirò-it.

[18]Giuseppe Schirò Junior, Storia della letteratura albanese, “Poema duhet shqyrtuar si një kompleks lirikash dashurie të cilave nuk u duhet kërkuar as marrëdhënie as lidhje mes tyre. Ato janë pasqyra e shpirtit të De Radës që ishte vërtetë poet i madh kur i këndoi dashurisë së vet. Përtej Milosaos nuk do të gjejmë veçse përpjekje të kota krijimesh të ripërpunuara vazhdimisht, rreth të cilave poeti u soll për dekada pa arritur kurrë ta gjente vetveten.”

[19]Giuseppe Schirò Junior, Storia della letteratura albanese: “Janë të shumta episode e Lahutës që do të meritonin të përmendeshin në veçanti, por mund të mjaftojë kënga e Tringës për të dhënë idenë e shkrirjes gjeniale harmonike të historisë dhe të mitit, të njerëzohes me mbinjerëzoren, mbi të cilat ngrihet poema e Gjergj Fishtës.”

[20]Gjithsesi, duket se Martin Camaj ka mendim të ndryshëm për këtë ndikim të Koliqit mbi Schro-in. Camaj, në një letër të datës 16.08.1962, drejtuar Pipës kur diskutohet për këtë çeshtje shkruan: “Ti ke të drejtë me pasë pak risentimento edhe ndaj meje. Mbi këtë pikë do të këthej prap, por desha të kapi çashtjen e Lumo Skëndos e të historisë së Skiroit. E njof mirë Skiroin mbasi âsht ordinar i univers. Të Romës dhe e dij se ke ai nuk losin rrol mendimet e pasjonet tona të mbrendëshme politike. E merr vesh vetë: nji njeri me nji pozitë të tillë intelektuale e morale (ai âsht bizantist i madh i Italisë, mbasardhsi i Mercatit në kohën e vet mâ i miri në Europë i degës së fjalë) dhe ai jam i bindun se do të jetë mundue me qenë fare objektiv. Ai ka pasë kët princip: me bâ nji histori të letërsisë shqipe e jo të kulturës shqiptare. Nëqese Skëndo asht nji poet, novelist apo prozaist i mirë Skiroi nuk do ta ketë lanë jashtë për çashtje politike por pse nuk do ë ketë pasë veprat e tija përdore. Mund të mendohet prej ndokujt që s’dijnë punët e mbrendëshme se aty asht edhe gishti i Koliqit. Ata janë miq tash 30 vjet e sigurisht janë këshillue në shum pika, por jam i sigurtë se ky nuk do t’i ketë thanë kurr “shtin Palin e len Pjetrin jashtë”… “Skiroit i thash aqim në lidhje me ty (Pipën. Shën i imi). Ai më përgjegji kështu: ky tekst historie asht gadi tash dhetë vjet dhe unë mâ parë s’kam pasë asnji poezi të Pipës; kështu kanë mbetë jashtë edhe shum tjerë. Unë mendoj se Skiroi edicjonin e dytë do ta ndreqi në shum pika, por gramatikantat dhe njerzit e kulturës shqiptare nuk do të hyjnë në historinë e tij, si Kruja, Karl Gurakuqi, as Çabej që âsht albanologu mâ i madh sot gjallë, dhe mâ i madh se Jokli!”. Marrë nga vëllimi i letërkëmbimit të Pipës me Camajn i cili është në proces botimi.

[21]Vepra Storia della letteratura albanese është pjesë e kolanës “Storia delle letterature di tutto il mondo”.

[22]“A Luca Schirò e a Giovanna Clesi miri genitori e agli spiriti dei primi esuli albanesi che nel 1448 giunti in Sicilia Contessa Entellina per rito lingua e costume rigenerarono questa testimonianza di culto e di memoria riverente dedico.”

[23]Dhimitër Shuteriqi, Histori e letërsisë shqipe, Tiranë, 1955, f. 4: “edhe pse shkruhet në të folmet e dialektet e ndryshme, nis të shkojë drejt njësimit.”

[24]Antologia della lirica albanese, Milano, All’Insegna del pesce d’oro, 1963

[25]Enciclopedia dei popoli d’Europa, I, Albania, Letteratura, Milano (1965)

[26]Storia delle letterature del sud-est europeo, Milano 1970

[27]Ndonëse nuk citohet në tekst, bëhet fjalë për poezinë “Për një puthje të vetme” botuar nga L. Shantoja në Illyria, 1934 me pseudonimin LILJAN. Më pas kjo poezi u ribotua nga Koliqi te Shêjzat, 1971, nr 4-6.

[28]Dhimitër Shuteriqi, Histori e letërsisë shqipe, Tiranë, 1955, f. 231

[29]Giuseppe Schirò Junior, Storia della letteratura albanese, “Në poezinë heroike, sipas ndarjes që bën Koliqi, (mund të dallohen “ciklet”, një kompleks këngësh që kanë në qendër një a më shumë personazhe të së njëjtës epokë dhe “këngët e vdekjes së bukur” (terthorce) që ngrenë në qiell virtytet dhe vdekjen heroike të një a më shumë personave”.