Nadine Wojcik

I veshur me një xhaketë me ngjyrë të lehtë, pantallona të errët dhe syze dielli, djaloshi 12-vjeçar po i drejtohet skenës së teatrit legjendar “Apollo” në Harlem. Atij i vihet një karrige që të ulet, mikrofoni rregullohet që t’i përshtatet gjatësisë së tij dhe daullet bongo vihen në duart e tij kërkuese. Është viti 1963 dhe zor që dikush në teatër e di kush është “Little Stevie Wonder”, kur labeli i tij “Motown Records” e paraqet atë.

Gishtërinjtë e tij rrahin me zhdërvjelltësi bongot, dhe ai shfaqet aq i pafajshëm e aq i përhumbur në botën e vet. Bongot zëvendësohen me një harmonikë dhe djaloshi i shoqëruar nga “Big Bandi” e gjallëron audiencën me mjaft shije, shkruan “Deutsche Welle”. “Fingertips” është emri i singleit të tij të parë, të cilin 12-vjeçari e paraqiti në “Motortown Revue”, menjëherë pas performancës së Marvin Gayeit. Instrumentali jazz është realizuar si single dhe u bë hiti numër një i Stevie Wonderit në top-listat në Shtetet e Bashkuara.

Shumë fëmijë-yje veniten nën peshën e famës së hershme. Por jo edhe Stevie Wonder: jetëshkrimi i tij duket të jetë rrjedhoja e natyrshme e gjenialitetit të tij. Edhe aftësitë e tij muzikore, edhe karriera, ishin vërtet një mrekulli, transmeton KOHA. Stevland Hardaway Judkins u lind gjashtë javë më herët, më 13 maj 1950, në Saginaw të Michiganit. Atij iu dha oksigjen derisa ndodhej në inkubator, por niveli ishte tepër i lartë. Kjo bashkë me lindjen e parakohshme, bëri që retinat e syve të tij të shkëputeshin. Foshnja Stevland, i treti me radhë nga gjashtë fëmijët, ishte i verbër.

Kur Stevland kishte mbushur 4 vjet, nëna e tij braktisi burrin dhe u zhvendos tok me fëmijët nga periferia në Detroit. Ai bëri çmos të kujdesej për kalamajtë e vet e të mbijetonte. Ndonjëherë rastiste që të mos kishte para për drekë.

“Nëna ime gjithnjë më thoshte se unë mund të bëja gjithçka sa kohë që isha i kujdesshëm”, kishte përkujtuar njëherë ai fëmijërinë e vet dhe natyrën kërkuese. Ai asnjëherë nuk e konsideroi verbërinë e vet si hendikep. Ngjitej në pemë e ngiste biçikletën. Mbase më shumë sesa fëmijët e tjerë, ai zhytej në muzikë, kalonte orë të tërë duke dëgjuar radio dhe, më vonë, me zmadhuesit e televizorit. Ai do të tundte edhe enët derisa mësonte secilin instrument që i binte në dorë. Si 9-vjeçar, ai mund të luante me daulle bongo, harmonikë, bass dhe piano./koha.net/