Tregim nga Sami Milloshi


Sikur të mos kishte rënë pandemia, askush nuk do të merrej me degën që kishte zgjedhur te studionte ne universitet , Matt , i biri i zotit Roger dhe i zonjës Ruth, komshinj të mij në atë shtepinë përkarshi, matanë rrugës. Por, pandemia ra, nuk na pyeti fare dhe, afermendsh, as që u kujtua të pyeste se për cfar do të studionte Matt.


Matt ishte një nga ata djemtë që dikur quheshin minj te bibliotekave. Nuk kishte lënë qoshe pa shkelur ne bibliotekën e Bostonit. Dhe, prej atyre qosheve i kishte lindur edhe ideja të studionte për histori…

– Po cfar historie do studiosh ti more karajfil- i kishte thënë një mbrëmje vonë , i ati. – Nuk e sheh ti që edhe monumentet po shemben…

-Mos i fol djalit ashtu- kishte ndërhyrë zonja Ruth.- Tek e fundit ajo është dëshira e tij. Ai është i lirë të zgjedhë cfar të dojë…

– Të zgjedhë çfar të dojë, po unë nuk e paguaj asnjë cent për luks të tillë në kohë pandemie. Kujt do t’i hyjnë në punë njohuritë e tij për historinë në këtë kohë të çmendur kur edhe monumentet qindravjeçarë po shemben sikur të qenë kështjella prej rëre…Të studionte biologji apo bioteknologji, apo diçka të ngjajshme , e po , hajde de…Për këto degë paguaj unë. Për histori , ta thashë Ruth, asnjë cent…


Gjithë këtë dialog unë e mesova nga zonja Ruth ne parkingun pranë shtëpise. Ajo qe bërë tym dhe, si i thonë fjalës, ta prisje , pikë gjaku nuk i dilte. Aq shumë e kishte kapluar ankthi.

Unë nuk desha të përzjehesha e të mbaja asnjë anë, paçka se, me thënë të drejtën zgjedhja që bënte i biri i tyre , me dukej paksa jashtë kohe dhe, si të thuash, për aq sa e merrja unë vesh tregun e punësimit pas studimeve universitare , edhe e dalë jashtë mode…

– Çfar thotë yt bir? – e pyeta zonjën Ruth.- Si e mbron ai zgjedhjen që ka bërë?

– Ai na ka kërcënuar se do të na braktisë fare, nëse nuk e mbështesim në zgjedhjen e tij.
Dhe unë gati sa nuk po çmendem. Të na braktisë edhe ai,që e kemi djalë të vetëm, e pastaj hapu dhé të futemi- tha pothuaj duke u dridhur zonja Ruth…

– Të pyeta si e mbron ai zgjedhjen që ka bërë,zonja Ruth, jo se cfar mund të bënte nëse ju i ktheni shpinën pëlqimit të tij për të studiuar histori…

– Ai thotë se historinë po e helmojnë dhe nëse ne nuk ndërhyjmë ta shpëtojmë, do të helmohemi edhe vetë, dashur pa dashur, fare pa e kuptuar…. Ai thotë se helmi do të vijë në rubinetin e ujit të pijshëm prej të cilit nuk do të rrjedhë më ujë, por do të rrjedhë një lëng me ngjyrë që sapo ta pijmë do të ndjehemi pa kurrfarë fuqie njerëzore dhe viti do të na duket viti zero…

– Unë nuk të marr vesh zonja Ruth…

– Unë po të them çfar thotë im bir !
Ai thotë se nëse vazhdon kjo shembja e monumenteve, ne do të kthehemi në epokën e gurit dhe shumë shpejt sjelljet tona do t’u ngjajnë atyre të majmunëve, sepse , siç thotë ai, koha nuk do të ndahet në kohë të shkuar, të sotme dhe të ardhme, por do të ketë vetëm shqisat e ftohta të alogaritmeve…

– Shkurt fare, zonja Ruth, ju do t’ia paguani shkollimin për histori djalit tuaj, apo do t’i kurseni paratë?


-Nuk dij cfar të them, se kjo gjë varet edhe nga im shoq, Roger. Por, unë nuk dua qe Matt të na braktisë, nuk dua që të mbetemi në vetmi në këtë kohë pandemie. Se, larg qoftë, po të na kapë ky virus i mallkuar, të paktën, të jetë Matt e të na hedhë dy lopata dhé te varri…

Si tha këto fjalë, zonja Ruth dhe unë u gjendëm përballë një statuje të vjetër qe ka njëqind vjet qëkurse rri në atë shesh pranë shtëpive tona.

– I paskan vënë një maskë edhe statujës- thashë unë.

– Im bir Matt, thotë se për shkak të kësaj statuje do që, gjallë a vdekur, të shkojë dhe të studiojë për histori… Ai thotë, se nuk do që njerëzit të thonë pas pesëdhjetë vitesh se skulptori e bëri statujën me maskë, siç duket sot, nën këtë diell të ftohtë gushti…..