Pikturë nga Arnold Grami ideuar mbi veprën Gjenerali i ushtrisë së vdekur

Albert GJOKA

Instalimi i metodës së Realizimi Socialist

Deri në vitin 1945 në Shqipëri kishte një krijimtari të pasur letrare, ku kishin filluar të eksperimentoheshin edhe format moderne të shkrimit të letërsisë. Veç kulmimit të sistemit letrar me autorë si Ernest Koliqi, Mitrush Kuteli, Lasgush Poradeci, etj., u shfaq edhe një brez shkrimtarësh të rinj në atë periudhë (Nonda Bulka, Aleko Vançi, Stavro Frashëri, Llazar Eftimiadhi, Bendo Shpërdani, Vasil Alarupi, Kristaq Tutulani, K. Mirdita, Qemal Draçini, Mitat Aranitasi, Gjikë Kuqali, Mustafa Greblleshi, etj), të cilët eksploruan forma të ndryshme të realizimit dhe natyralizimin.

Ndryshimi i sistemit politik solli ndryshime në zhvillimin binar të letërsisë shqipe, të cilat ndodhen në një hark kohor gati pesëvjeçar, derisa u instalua zyrtarisht metoda e realizimit socialist, një metodë krijuese e marrë si model nga zhvillimet kulturore dhe letrare në Bashkimin Sovjetik. Paraprakisht, ishte themeluar Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipnisë më 5 tetor1945, një organizatë përfaqësuese e vlerave kulturore në momentin e krijimit të saj, e cila kishte edhe organet e shtypit, që u shndërruan brenda një kohe të shkurtër më shumë në arena të përplasjeve ideologjike sesa kulturologjike. Revista “Bota e re” doli në korrik të vitit 1945, si vijim i “Bota e re”, e Korçës, për të mbështetur “traditat pozitiviste dhe progresive të Rilindjes kombëtare[1]; “me u ba pasqyrë e zhvillimit kultural ndër ne[2], në përkrahje të të“gjitha energjive mendore që e duan lirinë dhe përparimin[3], dhe për të “mbështetur talentet e reja[4].

Në numrin e parë u botua edhe statuti i “Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipnisë”, e cila vendosi vetëm një kusht për pranimin e shkrimtarëve në organizatë, i përcaktuar në nenin 4, ku thuhet: “Nuk pranohen në këtë LIDHJE ata shkrimtarë, publicistë dhe gazetarë që i kanë shërbyer me veprat e tyre okupatorit, në mënyrë direkte dhe deri në fund tue u ba armiq të popullit[5]. Kjo revistë doli disa numra dhe më pas u shfaq një revistë tjetër, “Literatura jonë”, e cila doli me numrin e parë në mars të vitit 1947, me staf të rinovuar, e fokusuar kryesisht te letërsia dhe me mision të ri, i cili do të bëhej “tribuna ku do të shtrohen problemet e literaturës s’onë, kritika letrare dhe sidomos nxitja për një prodhim letrar sa më të gjerë dhe sa më të mirë. Por sa i madh është problemi i të prodhuarit në fushën letrare aq ësht edhe ay i drejtimit letrar, i një drejtimi të ri i cili do të japë asaturën literaturës s’onë të nesërme[6].

Në këtë numër u botua jo rastësisht shkrimi i A. Fadejev “Fjala e Shokut A. A. Zhdanov dhe detyrat t’ona më urgjente”, mbajtur më 2 tetor 1946 në Moskë përpara mbledhjes së shkrimtarëve sovjetikë. Edhe në numrin pasardhës u botua shkrimi “Realizma Socialiste” e L. Timofejev-it. Viti 1947 shënoi momentin kritik të betejës ndaj të gjithë shkrimtarëve që kishin refuzime estetike apo ekstraletrare për metodën e realizimit socialist, e cila do të zyrtarizohej në konferencën e Tretë të Lidhjes së Shkrimtarëve që u mbajt më 9-12 tetor 1949.

Këtë e dëshmon qartësisht dokumenti që po paraqitet në këtë konferencë, me titull “Literatura shqiptare në periudhën e Luftës Naçional-Çlirimtare”[7].Në këtë dokument shfaqet koncepti ideologjik për letërsinë: “Edhe procesi letrar shkon paralel me procesin e pergjithshem, eshte pjese e tij e pandare; edhe trathtaret kane literaturen e tyre profashiste, populli ne luften kunder tyre krijon literaturen e tij te luftes antifashiste[8]. Këtu theksohet se “literatura esht literature klase[9]. Në këtë dokument, për herë të parë bëhet klasifikim në shkrimtarë antifashistë dhe fashistë, një ndarje që do të përcaktonte fatin e shumë shkrimtarëve dhe veprave të tyre të mëvonshme.

Në grupin e dytë përfshihen të ashtuquajturit “shkrimtarët kriminelë lufte”(të kryesuar nga Gjergj Fishta, Mustafa Kruja, Pater Lazer Shantoja, Mithat Frashëri, Hilmi Leka, me grupin e Neoshqiptarizmës; Vangjel Koça, Nebil Çika, Selaudin Tota, Stefan Shundi, dhe me shkrimtarë të tjerë që vinin përreth si Namik Resuli, Injac Zamputi, Musine Kokalari dhe Asdreni)dhe “shkrimtarët e kompromisit (i drejtuar nga eksponentë të Ballit Kombëtar me Lumo Skëndon dhe me anëtarë: Mitrush Kuteli, Vedat Kokona, Nexhat Hakiu, Sterjo Spasse, Lasgush Poradeci dhe me shkrimtarë të tjerë pranë tyre; Hethem Haxhiademi, Nonda Bulka, Sotir Çaçi, Bardhyl Pogoni dhe Ali Asllani).

Ndaj grupit të shkrimtarëve profashistë dhe krijimtarisë letrare paralajmërohet qartë masa ekstreme: “Prodhimi letrar i ketyre njerezve ne pjesen me te madhe ka pare driten perpara okupacionit dhe vlen te studiohet ne ate periudhe. Ne kohen e luftes Nacional Clirimtare keta mirren qe te gjithe aktivisht me politike ne favor te okupatorit, kunder popullit. Shkrimet e tyre te kohes kan karakter publicitar-demagogji e nxitjes per lufte vella-vrasese per lufte grabitqare kunder vendeve fqinje, glorifikojne okupacionin, merren me literature dhe politike fashiste, me literaturen italiane per te ngulur kulturen fashiste e italiane ne Shqiperi. Vepra e tyre duhet zhdukur?”[10].

Për grupin e “shkrimtarëve të kompromisit” thuhet: “këta dallohen nga të parët për një aktivitet politik më pak të dukshëm. Vetëm kjo i ndan pse shtresa e tyre, shpirti dhe edukata e tyre i lidh me të parët[11]. Kundër grupit të shkrimtarëve profashistë vihen shkrimtarët anti-fashistë(i kryesuar Enver Hoxha, Nako Spiro dhe Qemal Stafa, me anëtarët: Shefqet Musaraj, Shefqet Peçi, Memo Meta, Zihni Sako, Aleks Çaçi, Naxhije Duma, Pullumb Dishnica, Fatmir Gjata dhe Dashnor Mamaqi), si letërsia e re kundër së vjetrës, një letërsi që lindi dhe u zhvillua tok me luftën ndërsa vepra e tyre përfshinte “fjalime, trakte dhe artikuj politik, gazeta, revista, broshura, vjersha, novella, drama[12]. Në fund të këtij dokumenti thuhet: “Literatura e re ka t’ardhmen përpara. Ajo është e huaj kjo ësht e jona. Në periudhën e re të luftës për ndërtimin e socializmit shkrimtarët t’anë të mësojnë mi literaturën e luftës Nacional Çlirimtare e të perfeksionojnë artin e të shkruarit për popullin t’onë në konditat e reja të luftës, në problemet dhe aspiratat e tij aktuale, mbi marrëdhëniet e reja politike, ekonomike e shoqërore të krijuara në Shqipëri[13].

“Vija demarkacioni”[14] mes letërsisë së traditës dhe “letërsisë së re”u zyrtarizua në Konferencën e tretë të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipnisë, e cila përmbylli përplasjet 4-vjeçare mes grupeve, duke finalizuar dhe sanksionuar drejtimin e letërsisë, metodën e re të realizimit socialist, riorganizimin e Lidhjes dhe ndryshoi e statutit që ishte miratuar në vitin 1945,“pastroi” e radhëve të saj, teksa u pozicionua ndaj traditës letrare dhe bërë seleksionimin e saj, përcaktoi rolin e ideologjisë në letërsi, përzgjodhi rreptësisht temat që duhet të trajtonte letërsia, përzgjodhi formën nacionale dhe përmbajtjen socialiste të letërsisë, mënyrën e formimit të talenteve të reja letrare, rolin që duhet të ketë kritika dhe autokritika dhe çështjen e përkthimit të letërsisë së huaj, ku u vendos që të vinte në shqip kryesisht letërsi sovjetike[15].Ata që kërkonin që të mos ndahej letërsia shqipe, që të mohohej tradita letrare apo kishin qëndrim tjetër ndaj metodës socrealiste u përjashtuan. Të tillë ishin S. Maleshova, Ymer Dishnica dhe Skënder Luarasi dhe bashkë me ta edhe Mitrush Kuteli, A. Frashëri, N. Nikaj, Hafëz Dalliu “për aktivitet antipushtet ose për shkelje të ligjit që përcakton statuti[16].

“Realizimi socialist është metodë letrare, që mbështetet në idetë e marksizëm – leninizmit”[17]….” Realizimi socialist e pasqyron jetën në mënyrë realiste, të thellë, me vërtetësi, ai është socialist sepse e pasqyron jetën në zhvillimin e saj revolucionar, domethënë në procesin e krijimtarisë së shoqërisë socialiste në rrugën drejt komunizmit”[18].Nën mbikëqyrjen e rreptë politike, me filtrimin përmes kritikës letrare, kontrollin paraprak të prodhimit letrar, vepra iu nënshtrua rregullave strikte në të gjitha aspektet, të cilat ndërtonin atë që e kam emërtuar si“morfologjia e realizimit socialist”[19], e cila ka elementet si më poshtë:

ELEMENTET E VEPRËSRREGULLAT MORFOLOGJIKEI. Raporti art-realitetArti reagon direkt ndaj realitetitLetërsia i merr temat nga klasa punëtore, qyteti, rindërtimit socialist, historiesII. PersonazhiPersonazhi ndërtohet sipas modelit të personazhit pozitiv dhe personazhit negativTipizimi bëhet sipas një procedure të veçantë si individualitet dhe si përgjithësim socialPersonazhi ndërtohet sipas një trajektoreje tipike të paracaktuarRrëfimtari duhet të bëjë një depërtim psikologjik të kontrolluar (përmbajtur)Pasionet duhet të jenë të kontrolluara, me përshkrime dhe fjalor të përmbajturIII. RrëfimtariMban qëndrim ndaj personazhit, fenomenit, situataveIV. IdeologjiaIdeja drejton artinArti duhet të ketë partishmëriArti nxit luftën e klasave mes shtresaveV. FunksioniArti ka funksion edukativ dhe propagandistikVI. Tradita letrareAutori përkufizohet në zgjedhjen e modeleve letrare shqiptare ose të huaja në diakroniAutori duhet të mbështetet te letërsia gojore dhe folkloriVII. ZhanriKërkohet nga autori që të eksplorojë disa zhanre brenda letërsisë

Shfaqja e “Gjeneralit…..”

Në kohën kur u shfaq Kadare në letërsinë shqipe, grupi i autorëve të konsideruar më lart “profashistë” dhe vepra e tyre ndodhej thuajse në pamundësi komunikimi me lexuesin. Prodhimi letrar në prozën e gjatë ishte në një kapsllëk vlerash dhe modelesh, ndërsa kishin njohur njëfarë zhvillimi zhanre si tregimi, novela dhe poezia. Ndërkaq, sapo kishte nisur konflikti shkrimtarët të vjetër ( të luftës) shkrimtarët e rinj. Në këtë mjedis vjen asokohe edhe Kadare, në një moshë të re, pa lidhje direkte me luftën dhe pa mbështetje nga shkrimtarët dhe drejtuesit kryesorë të letërsisë së realizmit socialist. Ai u kthye nga Rusia në Shqipëri pas prishjes së marrëdhënieve mes dy vendeve, teksa atje ishte krijuar një klimë ku ishte shembur kulti i Stalinit dhe ishte lejuar përkohësisht komunikimi me lexuesit i veprave të disa disidentëve rusë.

Prishja e marrëdhënieve të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik solli një përvojë traumatike për stalinizmin shqiptar, gjë që shkaktoi konfuzion ideologjik. Shkrimtarët dhe artistët përfituan prej kësaj duke shprehur me guxim vetveten në lidhje me rregullat zyrtare[20]. Më parë, Kadare kishte shkruar prozën “Qyteti pa reklama” teksa ndodhej me studime jashtë vendit, e cila që konsiderua edhe në Rusi si një vepër “dekadente”, gjë që e pohon edhe vetë autori: “Sapo kisha mbaruar romanin tim të parë, “Qyteti pa reklama”, një vepër që e kisha ndërtuar si vetë kundërmodeli i “realizimit socialist”. Isha, pra, i ndërgjegjshëm për shumë gjëra. Por, megjithatë, nuk e prisja të shquhesha aq shpejt”[21]. Edhe vetë Kadare, por edhe të dhëna të tjera si ato që jep Isuf Vrionit, etj., dëshmojnë qartë se gjatë kohës së studimeve në Bashkimin Sovjetik, sidomos në vitet 1958-60, “ai pati mundësinë të lexonte letërsi bashkëkohore perëndimore, si veprat e Sartre, Camus dhe Hemingway, të cilat kishin filluar të përktheheshin në rusisht”[22].

Por, shfaqja e “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” ishte një ngjarje e veçantë për sistemin letrar. Romani kishte një shmangie të atillë nga traseja mbi të cilën ecte realizmi socialist saqë shkaktoi një shtangie të vërtetë te dogmatikët dhe konformistët ngritën zërin[23]. “Gjenerali..” u botua fillimisht si skicë në gazetën “Zëri i Rinisë”[24], më vonë si tregim në revistën “Nëntori”[25] në vitin 1962. Njëherësh, autori kishte menduar për ta bërë film subjektin e “Gjeneralit…” gjë që dëshmohet edhe nga një dokument drejtuar Kinostudios “Shqipëria e Re”, në vitin 1962 të cilin Kinostudio ia dërgonte Drejtorisë së Arsimit dhe Kulturës në KQ të PPSH-së, i shoqëruar me subjektin për skenar të “Gjenerali…” “Autori mendon të shkruajë skenarin duke patur për bazë tregimin e tij me të njëjtin titull, tregim që është lexuar dhe pëlqyer nga ana jonë.[26].

Botimi i parë i romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”[27] u shoqërua me debate në organet e kohës, përfshirë edhe revistat letrare, por debatet më të forta ishin ato që u bënë në strukturat e Lidhjes. Romani cilësohej si një anti-roman, roman neoskematik, roman pa hero pozitiv etj. Diskutimet më të forta u bënë në rrethet e shkrimtarëve: Fatmir Gjata shprehej: “Në disa persona ka një koncept të tillë; vepra është burim i fantazisë së autorit, e shkëputur kjo nga realiteti. Në tregimin e Ismail Kadaresë ka abstraksione që nuk i kupton dhe situata që nuk i beson. Nën dëshirën për të qenë origjinal futen influencat e Remarkut dhe të filmave të huaja. Kjo gjë bën pra që të mos jemi origjinal dhe nga ana tjetër të mos pasqyrojmë realitetin tonë. Ka një koncept të ri për të përgjithësuar tipat si flegmatik si dhe për të futur në tregimet prostitutat, boks, pije[28].

Në të njëjtin kontekst, Razi Brahimi konstaton të njëjtën gjë, duke bërë thirrje për luftë edhe kundër modernizmit: “Lidhur me influencën e Remarkut dhe Heminguejt, këta autorë interpretohen keq nga disa, dhe bashkë me të mirat marrin edhe të këqijat e tyre. Ismail Kadare është influencuar nga këta[29]. Edhe Ali Abdihoxha kërkonte që temat e luftës të mos quheshin më aktuale teksa thotë: “Mendoj se shkrimtarët duhet të kapin tema ndërkombëtare, por duhet pasur parasysh se kur fusin në vepër personazhe me kombësi të ndryshme, komunistët shqiptarë të jenë superior dhe ndaj të huajt[30].

Vetë Ismail Kadare reagon në këtë mënyrë ndaj këtyre kritikave: “Çfaqjet e shiut, të pijes etj., që janë dukur kohët e fundit në tregimet tona duhet ti konsiderojmë si të meta të kohës. Ato do të duhet të ishin eleminuar me kohë nëqoftëse kritika do ti vinte në dukje mirë dhe në kohë[31]. Ndërsa Trim Gjata thotë: “Forcimi i realizimit (socialist, – shën. autori) nuk është dukur te Kadareja, Arapi, Agolli, te ‘Ringjallja’ e Siliqit, te libri i A. Jakovës, por sidomos te Kadareja[32].

Qëndrimi i kritikës zyrtare flet qartë për një debutim ndryshe të Ismail Kadaresë dhe të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” në letërsinë e fillimviteve ’60.

Romani si anti-metodë

Edhe duke marrë në konsideratë qëndrimin që mbajti kritika zyrtare e asaj kohe, por edhe duke analizuar variantin e parë të “Gjeneralit….”, konstatohen lehtësisht shmangiet” ndaj “rregullave morfologjike” të metodës së realizimit socialist. Më poshtë, janë evidentuar elementet që i impononte veprës metoda socrealiste sipas këndvështrimit të kritikës socrealiste, dhe sesi ato gjenden të shmangura te vepra e Ismail Kadaresë:

ELEMENTET E VEPRËSRREGULLAT MORFOLOGJIKE
I. Raporti art-realitetArti reagon direkt ndaj realitetitReagim ndaj një realiteti të ndodhur 20 vite më parë
Letërsia i merr temat nga klasa punëtore, qyteti, rindërtimit socialist, historia, etj.Tema e zhvarrimit të eshtrave të ushtarëve të huaj që janë vrarë gjatë luftës në Shqipëri
II. PersonazhiPersonazhi ndërtohet sipas modelit të personazhit pozitiv dhe personazhit negativNuk ndërtohet në kundërvënien Hero pozitiv vs Hero negativ, – si një raport antagonist
Tipizimi bëhet sipas një procedure të veçantë si individualitet dhe si përgjithësim socialTipizimi sipas parimit të brendshëm të autorit dhe plotësimit përballë personazheve të tjerë
Personazhi ndërtohet sipas një trajektoreje tipike të paracaktuarPersonazhi kryesor (Gjenerali) lëviz në një trajektore atipike, të papërcaktuar
Rrëfimtari duhet të bëjë një depërtim psikologjik të kontrolluar (përmbajtur)Depërtim psikologjik të pakontrolluar. (Ëndrrat, kujtimet, gjendjet e dehjes)
Pasionet duhet të jenë të kontrolluara, me përshkrime dhe fjalor të përmbajturDashuria ndjenjë e pakontrolluar, me fjalor “vulgar” (prostitutat, shtëpitë publike, etj.)
III. RrëfimtariMban qëndrim ndaj personazhit, fenomenit, situataveNdërtohet rrëfimi kinematografik, sipas narratives moderne, ku rrëfimtari është heterodiegjetik, i gjithëdijshëm, me fokalizim zero
Ndërtimi i historisëThurja e rrëfimit bëhet mbi parimin shkak-pasojëProgrami narrativ ecën duke ndërthurur historinë me dokumentin(ditarin) dëshmitë e personazheve, ëndrrën, etj.
IV. IdeologjiaIdeja drejton artinIdeja është pjesë e artit
Arti duhet të ketë partishmëriE pandjeshme sidomos në botimin e parë
Arti nxit luftën e klasave mes shtresaveZbutet konflikti mes shqiptarëve dhe pushtuesve
V. FunksioniArti ka funksion edukativ dhe propagandistikNuk është parësor në vepër
VI. Tradita letrareAutori përkufizohet në zgjedhjen e modeleve letrare shqiptare ose të huaja në diakroniMbështetur te letërsia moderne (siç e konstatonin edhe kritikët e asaj kohe te Remarku, Heminguej, etj.)
Autori duhet të mbështetet te letërsia gojore dhe folkloriMbështetur te letërsia moderne (siç e konstatonin edhe kritikët e asaj kohe te Remarku, Heminguej, etj.)
VII. LexuesiLetërsia shkon te masatLetërsia destinohet te shtresa e përzgjedhur

Këto janë vetëm disa nga elementet e konstatuara ku ndodh zhbërja e heroit pozitiv (pra, kemi një vepër që cenon dialektikën materialiste që sendërtohet përmes personazhit pozitiv dhe personazhit negativ); prishen rregullat e tipizimit të personazhit, pra gjeneralit, – i cili del nga çdo lloj trajektoreje të parapërcaktuar ideologjikisht. Vepra nuk zhvillohet në funksion të idesë (ideologjisë) por në funksion të eksplorimit të botës së brendshme të gjeneralit dhe përballjes me aktorët, mjedisin dhe gjendjet.

Pikërisht këtu ku shfaqet mjeshtëria e dukshme e Kadaresë. Gjendjet e shumëllojshme të personazhit (ngjarjet reale, kujtimet, memuaret/dokumentet, ëndrra, dehja/përçartja) e bëjnë Gjeneralin nga figurat më të realizuara dhe komplekse të letërsisë evropiane të shekullit të XX, sigurisht edhe të pakontrollueshëm nga “diktati i metodës”. Përballjet mik/armik; Shqipëri/Itali; e shkuar/e tashme; bota e jashtme/e brendshme, ushtarak/meshtar, hero/viktimë, etj., shkojnë përtej kufijve të detyrueshëm apo të imagjinueshëm që “diktonte misionin e veprës për të nxitur luftën e klasave”.

“Gjeneralit…” brenda një harku 17 vjeçar pati katër botime. Ky roman konsiderohet një fenomen i rrallë në letrat shqipe sepse ka qenë përherë një “tekst i hapur dhe në përpunim” dhe “historia” e editimeve dhe komunikimit të tij me lexuesit që në gjenezë dhe me ribotimet e vazhdueshme deri në ditët tona përbën një objekt që duhet vëzhguar më tej përmes studimeve krahasuese, paçka se janë bërë disa studime deri më tani.

Në variantin e parë, romani vjen me 166 faqe, ndërsa në variantet e tjera të botuara pas vitit 1967 ka 242 faqe, dhe strukturohet i ndarë në dy pjesë dhe në 27 kapituj, ku ka prani edhe të kapitujve pa numër. Ndryshimet më të mëdha kanë ndodhur në ribotimin e parë të vitit 1967 ku veç shtimit sasior në faqe, ka edhe ndryshime të tjera strukturore por edhe ndryshime redaktoriale si heqja e disa dialektizmave, heqja e fjalëve të huaja dhe zëvendësimi i tyre me fjalë shqipe etj. Studiuesit që janë marrë me studimin e varianteve ndahen në dy qëndrime të kundërta: Të parët mendojnë se variantet e kanë përmirësuar teksti origjinal, ndërsa grupi i dytë pohon se ndryshimet e bëra ia kanë zbehur vlerat veprës për shkak edhe të censurës apo autocensurës.

Në këtë të fundit përfshihet studiuesi i njohur Arshi Pipa, i cili shprehet se “shkrimtari u mbrojt, por gjithsesi autoritarizmi e dha efektin e vet përmes presionit që iu bë autorit, gjë që lexohet në modifikimet që iu bënë tekstit mëmë, nëse e krahasojmë me origjinalin e botuar në vitin 1963. Por, edhe i modifikuar, romani është një punë e kryer me sukses. Aty mungojnë inkrostacionet doktrinale. Shkrimtari gjen shtigjet për të shkruar një libër brenda kornizës ku ndodhej Shqipëria komuniste pa e përmendur partinë[33].

Ndryshimet në funksion të përshtatjes me metodën i pohon edhe studiuesi Enver Muhametaj, kur flet për procesin e ripunimit të veprës, dhe duke iu referuar rastit konkret pohon: “…sjellin ndryshime në konceptin ideor të karakterit të personazhit (siç ka ndodhur me karakterin e gjeneralit në dy variantet e Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”), etj. Ndryshimi i imtësive ose zëvendësimi i tyre me të tjera sjell në rastin e fundit ndryshimin e thelbit të karakterit e të vlerësimit të tij ideologjik prej shkrimtarit. Imtësitë fitojnë kumbim të ri ideor[34].

Helena Kadare pohon se dorëshkrimi origjinal ka humbur, ndërsa vetë autori i shpjegon në një mënyrë të tillë ndryshimet në këtë vepër: “Ndonjëherë nuk ndjehem i kënaqur plotësisht. Prandaj rishkruaj një variant të dytë, pas botimit. E ndiej që është i nevojshëm një variant i dytë, por pres që libri të botohet njëherë[35].

Pra, konstatohet se vlerat artistike të variantit të parë të romanit janë më të spikatura, në aspektin e shmangies ndaj metodës së realizimit socialist, ku në variantet e mëvonshme vepra pëson një “subversion drejt konformizmit” sidomos në elementët e brendshme të veprës, por që gjithsesi nuk ia cenon vlerat romanit.

Përfundime

“Realizimi socialist e nxori letërsinë shqipe nga shtrati i saj i natyrshëm i zhvillimit në të cilin kishte ecur më parë, duke e ndërprerë kontinuitetin vertikal; d.m.th. komunikimin me traditën autoktone, në emër të vendosjes së  kontuinitetit horizontal; me letërsinë e vendeve socialiste, në radhë të parë atë sovjetike, dhe e shndërroi atë në shërbëtore të politikës së ditës dhe të regjimit në fuqi”[36], njëherësh duke marrë modelin e letërsisë sovjetike, “…e largoi letërsinë shqipe nga shtrati i letërsisë dhe i kulturës perëndimore, së cilës ajo i kishte takuar historikisht, që nga Mesjeta e deri në prag të Luftës së Dytë Botërore”[37].

Në këtë kontekst, “Gjenerali…” vjen si anti/model me letërsinë shqipe të realizimit socialist, duke kontribuuar në rikthimin në shtratin e saj të natyrshëm të para viteve 45, por duke ecur njëkohësisht përkrah letërsisë bashkëkohore evropiane (Remarku, Heminguej) dhe letërsisë klasike evropiane e botërore (Gogoli), të cilat gërshetohen mjeshtërisht duke prodhuar një vepër me vlera të përbotshme. Suksesi i menjëhershëm pas përkthimit në disa gjuhë i dhanë një status paprekshmërie autorit dhe veprës.

Njëherësh, “Gjenerali…” i dha fytyrë moderniste letërsisë shqipe të prodhuar gjatë gjysmës së dytë të shekullit të XX,  duke i dhënë frymë dhe vlera letërsisë së atrofizuar nga ideologjia. Romani si një “tekst në lëvizje të vazhdueshme” përbën një rast unikal në letërsinë shqipe, për shkak të ndryshimeve që ka pësuar që në zanafillë, – si skicë, si tregim, si roman dhe deri në variantin e botuar në vitin 2011. Por, duket se pikërisht kjo natyrë dinamike e tekstit, e ka mbrojtur deri diku veprën dhe autorin nga ndëshkimi apo asgjësimi potencial në komunikimin me lexuesit.

Kadare përfitoi edhe nga një moment zbrazëtie ideologjike në Shqipërinë e fillimviteve ‘60 dhe falë gjenisë së tij e cila i kapërcente rregullat,solli qëromani të shfaqet natyrshëm me të gjithë elementet e tij qartësisht si vepër anti-metodë ndaj socrealizimit.

Vepra në variantet e mëvonshme u gjendën nën presionin e censurës apo autocensurës, duke pësuar një përkulje,  por falë talentit të Kadaresë ajo i ruan vlerat e saj fillestare sot e kësaj dite.

REFERENCAT

[1] Redaksia, “ Fillimi”“Bota e re”, 1945, Nr. 1 fq. 4

[2] Po aty, fq. 4

[3] Po aty, fq. 3

[4] Po aty. Fq. 4

[5] Po aty, f. 63

[6] “Literatura jonë”, Nr. 1, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, mars 1947, Tiranë, f. 6

  1. Ky dokument është ruajtur në arkivin personal të Dhimitër Shuteriqit, të cilin familja e ka dorëzuar në Arkivin e Shtetit në vitin 2009. Dokumenti ka 13 faqe të shtypura me makinë shkrimi, me dialekt të theksuar toskë, që mban datën 13 korrik dhe viti “1947” është shënuar me shkrim dorë. Me shkrim dore është shkruar edhe autori i pretenduar, Behar Shtylla, i cili ka mbaruar studimet për letërsi në Itali në vitin 1941 dhe ka bashkëpunuar me disa revista duke shkruar artikuj letrar, por pas lufte ka qenë pak kohe zyrtar i lartë i Partisë Komuniste dhe më pas ka punuar si diplomat. Në Arkivën Qendrore të Shtetit ky dokument është regjistruar pa datë të saktë. Ky punim merr në konsiderate autorësinë e materialit, dhe bën prezantimin e tij për lexuesit dhe studiuesit, duke evidentuar peshën dhe ndikimin e tij ndaj sistemit letrar në atë moment dhe më vonë.

[8]“Literatura në kohën e Luftës Naçional-Çlirimtare”, AQSH, Fondi “Dhimitër Shuteriqi” Nr. 826, Dosja nr. 185,  (pa vit)fq. 4

[9] Po aty, fq. 4

[10] Po aty, fq. 6

[11] Po aty, fq. 6

[12] Po aty, fq. 10

[13] Po aty, fq. 12-13

[14]Termi u përdor gjatë diskutimeve në Konferencën e III-të e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë (9-12 tetor 1949) ku shkrimtarët rreshtohen në dy grupe pro dhe kundër ndaj autorëve si Faik Konica, Gjergj Fishta, Mitrush Kuteli, Lazgush Poradeci, etj.

[15]Konferenca e III-të e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë (9-12 tetor 1949), Botim i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. – Tiranë, 1950, fq. 29

[16] “Literatura jonë”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, Nr. 7. – Tiranë, 1950, f. 69

[17] L. I. Timoniev, I. Vengrov, “Fjalorth termash letrare”, Enti i Botimeve të Teksteve i Republikës Socialiste të Serbisë, [Adoptuar dhe plotësuar në gjuhën shqipe nga Gjergj Zheji] Prishtinë, 1968, f. 172

[18] Po aty, fq. 173

[19]Shih Fondi “Dhimitër Shuteriqi” Nr. 826, AQSH, Dosja nr. 225.- Tiranë (pa vit), 242 fl

[20]A. Pipa, “Albanian socialist realism”, Bradenton, United States, 1991, f. 24

[21] I. Kadare: Në arkiva sekrete s’ka një rresht timin që denoncon ndokënd”, [Intevistë me Stéphane Courtois], MAPO: 03 dhjetor 2016. Shih online: http://www.mapo.al/2016/12/kadare-ne-arkiva-sekrete-ska-nje-rresht-timin-qe-denoncon-ndokend/1

[22] P. Morgan, “Shkrimtari dhe Diktatura 1957-1990”, Botimet 55 [përktheu nga anglishtja Ilir Shameti]. – Tiranë, f. 49

[23] A. Pipa, “Subversioni drejt konformizmit, fenomeni Kadare”,  [përktheu nga anglishtja: Bardhyl Shehu] Phoenix 1999, Tiranë, Fq. 10 (Botimi i parë i tij është bërë në revistën tremujore amerikane “Telos” New York 1987)

[24] Shih “Zëri i Rinisë” Tiranë, 23 qershor 1962, f. 3; 30 qershor 1962, f. 3,4

[25] “Nëntori”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, Nr. 5. – Tiranë, 1962, fq. 53-76

[26] D. Kaloçi, “Kadare i denoncuar”; UET Press. – Tiranë, 2015, [Arkivi Qendror i Shtetit, Fondi 14, Ap. Komiteti Qendror i PPSH. Struktura. Dosja 156, Viti 1962]fq. 24-24

[27] I. Kadare “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Naimi Frashëri”, 1963, Tiranë. (Ky punim ka për objekt studimi variantin e parë të veprës, të përqasjen ndaj metodës soc-realiste).

[28]  D. Kaloçi, “Kadare i denoncuar”; [AQSH, Fondi 14, Ap. Komiteti Qendror i PPSH-së. Dosja 208-209, viti 1963] UET Press. – Tiranë, 2015, fq. 30

[29] Po aty, fq. 38

[30] Po aty, fq. 31

[31] Po aty, fq. 33

[32] Po aty, fq. 56

[33] A. Pipa, “Subversioni drejt konformizmit, fenomeni Kadare”,  (përktheu nga anglishtja: Bardhyl Shehu) Phoenix 1999, Tiranë, f. 10

[34] E. Muhametaj,  “Tipikja dhe tipizimi në letërsi”, AKSH – Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë. – Tiranë, 1982, f. 228-229

[35] E. Faye, “Tri biseda me Kadarenë”, Onufri, Tiranë, 2007, f. 45

[36] A. Vinca, “Teoria letrare, prej antikës deri te postmodernizmi”, Shtëpia Botuese e Librit Shkollor Prishtinë, Botim i dytë, i plotësuar. – Prishtinë 2012, f. 317

[37] Po aty, fq. 317