Gjendet në një nga stacionet e metrove në New York. Mbështetur për muri “urdhëron” kalimtarët të heshtin. U drejtohet me pëshpërimën “shshsht”. Nganjëherë për ta plotësuar atë që synon, ofron gishtin tregues te goja duke e plotësuar edhe me veprime fizike atë që shpreh. Këtë e bën gjatë një videoje gati dyminutëshe. Duket si një vepër e re. Në komunikim me kohën edhe del të jetë e tillë.

Por “Zitti” në italisht, që në shqip do të thotë “Mbylle gojën”, e ka zanafillën në vitin 1999. Asokohe ishte realizuar në një tjetër metropol. Në Londër. Në videon e publikuar të martën nga Muzeu Kombëtar i Artit të Shekullit XXI në Romë – MAXXI, Xhafa nuk bën thjesht një reprizë të para 21 vjetëve. Tash ka arsye të tjera që t’iu thotë njerëzve ta “mbyllin gojën”. Ata që e shikojnë në New York ngelin si të habitur. Ai merr vëmendje nga kalimtarët e rastit që mbajnë maska e nuk janë aq të numërt shkaku i pandemisë, shkruan KOHA.

Sipas asaj që ka publikuar Muzeu në “Facebook”, Xhafa është bërë pjesë e një fushate të re. “#AZIONIDARTISTA (veprime artisti) Sislej Xhafa i bashkohet fushatës sonë me performacën e tij në metronë e New Yorkut. Merrni një moment qetësie, me autorin”, shkruhet krahas veprës së Xhafës.

Artisti i ka thënë gazetës se nëpërmjet performancës kërkon nga njerëzit që të heshtin ose ta mbyllin gojën.

“Zitti” si performancë është bërë për herë të parë në stacionin e metrosë në Londër. Ndërsa në New York është e njëjta në këtë kohë pandemie, por në një kontekst tjetër kohor dhe hapësinor”, ka thënë ai. Sipas tij, vepra ngelet e hapur për interpretime të ndryshme. Përderisa ka krahasuar veprën sa i përket aspektit kohor, ai ka thënë se para shekullit XX, shprehja “mbylle gojën” rrallë përdorej si imperativ dhe kishte një kuptim tjetër.

“T’i thuash dikujt ‘mbylle gojën’ do të thoshte se ata ishin të mbyllur, të karantinuar ose të mbajtur të burgosur”, ka thënë Xhafa. Ai ka marrë shembull edhe disa pasazhe të Biblës të asaj që njihet si Versioni i Mbretit James. Aty flitet goxha për murtajën, për izolimin e karantinës. Për shembull, sipas saj, prifti duhet ta ekzaminojë murtajën duke e izoluar atë që për shtatë ditë ka shenja të saj.

Ka sqaruar se ky kuptim u përdor edhe për mbylljen e diçkaje, siç është një biznes. Tash në kohën kur e gjithë bota po përballet me koronavirusin, heshtja ka mbretëruar gjithandej. Mbyllja muajve të fundit ishte veprimi që kanë urdhëruar autoritetet. Pos mbylljes së bizneseve, edhe njerëzit janë izoluar në shtëpitë e tyre. Xhafa ka reaguar pikërisht në kohë kur shtetet kanë nisur me zbutjen e masave pas gati dy muajsh në izolim./koha.net/