Nga: Mitrush Kuteli (shkrim i vitit 1943)

Nuk kam dashur të dal sheshit e ta bëj fora, po ja që e solli puna e zamani. Doli i biri i botës në gazetë edhe lëvdoi veten se është patriot kombëtar i zjarrtë dhe për mua nuk tha një fjalë! Dale, mor zotni, dale, se edhe na hamë bukë e pimë raki me meze! Edhe bile, raki të fortë, pa një pikë ujë! Në keni për të pyetur për patriot të vërtetë, unë jam! Unë jam e s’ka tjetër! Dhe jo vetëm s’ka, po as do të ketë. Patriotizmi im është më i vjetër se i atij mikut që u lëvdua në gazetë me kukurec e me raki. Se unë rakinë e pi pe rrushi edhe kukurecin e ha me gishtërinjtë e dorës, që t’i lëpij mirë.

Kur u bë, mor zotni, Shqipëria republikë kombëtare më 1925, unë kam thirrur i pari majë ballkonit të prefekturës ku ish mbledhur mileti pa brekë.

– Popull kreshnik pa brekë! Rroftë Republika shqiptare! Rroftë Presidenti! Rroftë qeveria kombëtare republikane shqiptare e arbërore me gjithë trimat e saj dëshmorë që u vranë për Shqipëri e na bënë buxhet për rrogat tona!

Bile asaj dite historike kam mbajtur edhe një fjalë të madhe përpara miletit pa brekë se trajta më e mirë e qeverisë është republika, se ne ngaherë kemi qenë republika të vogla e tani duhet të bëjmë një republikë të madhe e kreshnike kombëtare atdhetare, e cila t’i bjerë Evropës ta bëjë shesh e lëndinë, të lozë macja me minë. Kam hequr pastaj edhe një telegram urimi në emrin e popullit pa brekë e pa misër dhe kam marrë përgjigje. Këtë përgjigje e kam vënë në xhep si hamajli e më ka hyrë në punë shumë herë kur kam pasur ngatërresa me kontrabandat e me të dhjetat që nuk i kam paguar, si patriot kombëtar që jam. Kur më shtrëngonin fort, vija e u tregoja talegrafin dhe e trembja drejtorin e Financave se kam miq e do ta dërgoj në Pukë edhe ai më jepte një afat të ri gjersa borxhi harrohej dhe vinte berajeti.

Me këto para edhe me disa të tjera që mora kur nga Bashkia, kur nga Prefektura kur bënim donomara (nga dhjetë festa në vit) kur këtej e kur andej, bëra një ndërtesë të madhe që ia dhashë me qira shtetit, si patriot që jam, sepse shteti paguante qira të madhe. Vendin ma dha dikush, si rryshfet biçimi, për një punë që s’duhet ta dijë populli kreshnik pa brekë. (Vetëm juve mund t’ju them në vesh: ia kallëzova djalin atij mikut se bën polatikë edhe e tremba se ia djeg shtëpinë e ia shuaj farën…. Edhe ai tha: hap gojën e kërko. Unë, domosdo, e hapa gojën time patriotike edhe mora vendin.)

Ndonjë tjetër allishverish të madh nuk kam bërë, po për të rrojtur kam rrojtur mirë, edhe, shyqyr, ca flori e kam për ditë të zeza. Kur u mërzit bota me republikë – se e mirë është jahnia, po s’hahet çdo ditë … – mblodha përsëri miletin edhe thirra: Popull kreshnik! Isaf, bre, me republikë! Ne frëng nuk jemi, po shqiptarë, bre! Ne duhet të jemi mbretëri si në kohën e Skënderbeut edhe po s’fituam botën ja unë këto mustaqe i hedh ku të doni! Pra poshtë republika dhe rroftë mbretëria!

Menjëherë u ngrita e hoqa një tel në Tiranë, se është mbledhur populli dhe kërkon mbretëri.

Me mbretëri më vajti mjaft mirë, bereqaversën, se kisha mjaft allishverish. Çunat i dërgova me bursë në Evropë; mallin e shtova, bëra ca ndërtesa të reja e napolonat me gjel i mblodha në kotec të tyre.

Po njeriu mërzitet duke ngrënë përditë pilaf e hoshaf. Edhe unë e pashë se populli u mërzit me mbretëri. Ç’të bëj? A të kthemi prapë në republikë? Jo! Atëherë haj të bëhemi perandori kombëtare! Si pashë se u qelb puna e nuk paguhen rrogat e pensionet, u ngrita e i hoqa një tel Duçes të vijë me axhele të na shpëtojë nga tirania. Kur erdhi Italia, më gjeti majë ballkonit veshur teptil si lugat.

– Mirëseerdhët, o shpëtimtarë të këtij populli kreshnik pa brekë! – thirra unë. Jemi kryenaltë të hyjmë nën zgjedhën tuaj fisnike. Po,amani, ca para, se u fikëm!

Pastaj, si e do puna, thirra:

Duçe! Duçe! Duçe!

Eviva!

Që aty hipa në automobil teptil me devizë, së bashku me të tjerë shokë patriotë kombëtarë kreshnikë, hipëm në pampor të ujit e dolëm në Romë. Kurorën e Skënderbeut ia dhamë Viktor-beut, edhe na i mbushi xhepat me napolona.

Vajta me shokë ne Duçja edhe dolëm në resme bashkë. Po këto resme tashi duhen djegur se na bëjnë rezil në gazetë.

Me atë reme jam bërë mik me kaq xheneralë edhe kolonelë italianë, edhe kam fituar napolona shumë. Ushqimet e ushtrisë unë i kisha, nozullimet unë, gazin unë!

Ç’të them, tre a katër vjet vjet puna më vajti majë më majë, gjersa u ngritën ca jezitë e ma prenë yryshin patriotik.

Tashi Viktorbeu ra. Kurorën ia mora prapë, se vëlla me babanë nuk e kisha e Viktorbenë e as Duçe-vezirë. Edhe atij paraja iu unj e iu bë kartë …

Si patriot që jam, pres ta shes edhe një herë, kush jep më shumë.

Unë katër a pesë telegrame, sipas punës, i kam në xhep.

Sa të ndreqet puna, vete edhe ia heq atij që do vijë pas Viktorbeut edhe do të mbaj një fjalë që të çuditet bota.

– Më pyetët ç’zanat kam?

– Zanat? S’ke turp të më pyesësh kësilloj? Ç’zanat mund të kem, kur unë jam patriot kombëtar? Ky është zanati im!